Biblioteka
Njësia 6, Dita 4: Mateu 26:1–30


Njësia 6: Dita 4

Mateu 26:1–30

Hyrje

Dy ditë para Pashkës, Juda komplotoi me udhëheqësit judeas që donin ta vritnin Jezusin. Natën e Pashkës, Jezusi paraqiti sakramentin.

Mateu 26:1–16

Juda komploton me udhëheqësit judeas që duan ta vrasin Jezusin

A keni parë ndonjëherë një film ose a keni lexuar një histori në të cilën dikush u tradhtua? Përse u tradhtua ai person? Si do të ndiheshit nëse një mik i ngushtë do t’ju tradhtonte? Ndërsa lexoni për orët e fundit të jetës së Jezu Krishtit, kujtoni se Ai u tradhtua nga një mik i ngushtë.

Pamja
shenjimi i kasës së derës në Egjipt

Për izraelitët e lashtë, java e Pashkës ishte një prej javëve më të rëndësishme të vitit. “Festa e Pashkës u krijua [në kohën e Moisiut] për t’i ndihmuar fëmijët e Izraelit të kujtonin kur engjëlli shkatërrues kaloi mbi shtëpitë e tyre dhe i çliroi ata nga egjiptianët [shih Eksodi 12:21–28; 13:14–15].” Si pjesë e Pashkës, izraelitët flijonin një qengj dhe e spërkatnin gjakun e tij mbi shtalkat e dyerve të tyre. “Qengjat e pacënuar, gjaku i të cilëve u përdor si shenjë për ta shpëtuar Izraelin në lashtësi, janë simbol i Jezu Krishtit, Qengjit të Perëndisë, sakrifica e të cilit shëlbeu tërë njerëzimin” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Pashkë”, “Pashkë Judease”, scriptures.lds.org).

Lexoni Mateun 26:1–2, duke kërkuar atë që tha Jezu Krishti se do të ndodhte pas Pashkës.

Më pas, lexoni Mateun 26:3–5, duke kërkuar se cilët po trillonin një plan për ta vrarë Jezusin në këtë kohë.

Përse vendosën skribët dhe krerët e priftërinjve që të prisnin derisa të kalonte Pashka për ta vrarë Jezusin?

Te Mateu 26:6–13 ne lexojmë se ndërsa Jezusi ishte në Betani, një grua erdhi tek Ai dhe e vajosi Atë me një vaj të parfumuar shumë të shtrenjtë duke lajmëruar vdekjen dhe varrosjen e Tij të afërt. Disa prej dishepujve të Tij, përfshirë Judën, një prej Dymbëdhjetë Apostujve dhe thesarmbajtësi i grupit, u ankuan që vaji i parfumuar duhet të ishte shitur për të ndihmuar të varfrit. Mirëpo, Juda nuk ishte vërtet i shqetësuar për të varfrit, por ishte një hajdut që i donte paratë për vete (shih Gjoni 12:4–6).

Lexoni Mateun 26:14–16, duke kërkuar atë që bëri Juda pasi Shpëtimtari e qortoi atë për shkak se u ankua.

Vini re shumën që mori Juda si pagesë për tradhtinë ndaj Jezusit. “Sipas ligjit të Moisiut, tridhjetë sikla argjendi do të dëmshpërblenin një pronar për vdekjen e një skllavi (shih Eksodi 21:32). … Çmimi i tradhtisë pasqyron konsideratën e ulët që Juda dhe krerët e priftërinjve kishin për Shpëtimtarin” (New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 81). Ajo gjithashtu përmbushi një profeci të Dhiatës së Vjetër për tradhtimin e Shpëtimtarit (shih Zakaria 11:12).

Mateu 26:17–25

Jezusi dhe dishepujt e Tij hanë vaktin e Pashkës

Pamja
një e re me shëmbëllimin e saj në pasqyrë

Mendoni për herën e fundit kur u patë në pasqyrë. Cilat janë disa nga mënyrat se si pasqyrat mund të jenë të dobishme për ne?

Lexoni thënien vijuese nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë, duke kërkuar e shenjuar arsyen përse është e rëndësishme që ta shohim veten qartazi, ashtu siç na sheh Perëndia:

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Vëllezër, askush prej nesh nuk dëshiron ta pranojë kur po rrëshqasim nga udha e drejtë. Shpesh ne përpiqemi ta mënjanojmë të shikuarin thellë brenda shpirtrave tanë dhe përballjen me dobësitë, kufizimet dhe gjërat tona frikësuese. Si pasojë, kur vërtet e shqyrtojmë jetën tonë, ne shohim përmes përzgjedhësit të paragjykimeve, justifikimeve dhe ngjarjeve që ia tregojmë vetvetes me qëllim që t’i përligjim mendimet dhe veprimet e padenja.

Por aftësia për ta kuptuar veten tonë qartësisht është thelbësore për rritjen dhe mirëqenien tonë shpirtërore. Nëse dobësitë dhe të metat tona mbeten të mbuluara nga hijet, atëherë fuqia shëlbuese e Shpëtimtarit nuk mund t’i shërojë ato dhe nuk mund t’i bëjë ato të forta. …

Prandaj si mund ta lëmë të shkëlqejë dritën e pastër të së vërtetës së Perëndisë brenda shpirtrave tanë dhe ta shohim veten tonë ashtu siç na sheh Ai?

Më lejoni të sugjeroj se shkrimet e shenjta dhe bisedat e dhëna në konferenca të përgjithshme janë një pasqyrë frytdhënëse që mund ta vëmë përpara nesh për vetëshqyrtim” (“Mos Jam Unë, Zot?” Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 58).

Merrni parasysh se si shkrimet e shenjta dhe bisedat e dhëna në konferencën e përgjithshme mund të jenë si një pasqyrë që na ndihmojnë të shohim mënyrat se si duhet ta përmirësojmë jetën tonë.

Teksa studioni Mateun 26:17–25, kërkoni një parim që mund t’ju ndihmojë të dalloni dobësitë tuaja, në mënyrë që të mund të punoni për t’i mposhtur ato.

Te Mateu 26:17–19 ne lexojmë që Jezusi u tha dishepujve të Tij të siguronin një dhomë në Jerusalem për vaktin e Pashkës.

Lexoni Mateun 26:20–21, duke kërkuar atë që Jezusi u tha Apostujve të Tij gjatë vaktit të Pashkës.

Nëse do të kishit qenë atje, çfarë mund të kishit menduar pasi Jezusi e tha këtë?

Lexoni Mateun 26:22, duke kërkuar pyetjen që Apostujt i bënë Jezusit.

Çfarë mësoni nga kjo pyetje “Mos jam unë; Zot?” për njëmbëdhjetë Apostujt besnikë?

Një parim që mund të mësojmë nga ky rrëfim është se kur dishepujt e Jezu Krishtit e dëgjojnë fjalën e Zotit, ata e analizojnë jetën e tyre vetjake për të parë mënyrën se si ajo gjen zbatim për ta.

Presidenti Uhtdorf tha sa vijon për këtë rrëfim:

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Dishepujt nuk e vunë në dyshim vërtetësinë e asaj që tha [Jezusi]. As nuk e hodhën vështrimin përreth, as nuk treguan dikë tjetër me gisht dhe pyetën: ‘Mos është ai?’ …

Pyes veten se çfarë do të bënte secili prej nesh nëse Shpëtimtari do të na e bënte atë pyetje. A do ta hidhnim vështrimin te njerëzit përreth nesh dhe do të thoshim me vete: ‘Ndoshta Ai po flet për Vëllanë Xhonson. Gjithmonë kam pasur dyshime për të’ ose ‘Jam i kënaqur që Vëllai Braun është këtu. Ai ka vërtet nevojë ta dëgjojë këtë mesazh’? Apo ne, si ata dishepuj të lashtë, do të shihnim brenda vetes dhe do të bënim atë pyetje depërtuese: ‘Mos jam unë?’” (“Mos Jam Unë, Zot?” f. 56).

A jeni tunduar ndonjëherë t’i shpërfillni fjalët e Zotit dhe të supozoni që ato i drejtoheshin dikujt tjetër? Lexoni thënien vijuese, duke kërkuar atë që na ftoi Presidenti Uhtdorf të bëjmë kur i dëgjojmë fjalët e Zotit:

“Në këto fjalë të thjeshta, ‘Mos jam unë?’ gjendet fillimi i urtësisë dhe shtegu drejt kthimit vetjak në besim dhe ndryshimit jetëgjatë. …

Ne duhet ta vëmë mënjanë krenarinë tonë, të shohim përtej kotësisë sonë dhe me përulësi të pyesim: ‘Mos jam unë, Zot?’

Dhe nëse përgjigjja e Zotit ndodh të jetë: ‘Po, biri im, ka gjëra që duhet t’i përmirësosh, gjëra që mund të të ndihmoj t’i kapërcesh’, unë lutem që ne do ta pranojmë këtë përgjigje, t’i dallojmë me përulësi mëkatet e të metat tona dhe më pas t’i ndryshojmë udhët tona duke u bërë … më të mirë” (“Mos Jam Unë, Zot?” f. 56, 58).

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani për një rast kur ju u bekuat nga zbatimi i fjalëve të Zotit në jetën tuaj. Pastaj shkruani një qëllim specifik në lidhje me atë që do të bëni për ta analizuar më mirë jetën tuaj vetjake kurdo që i dëgjoni ose i lexoni fjalët e Zotit.

Lexoni Mateun 26:23–25, duke kërkuar përgjigjen e Shpëtimtarit ndaj pyetjes që bënë Apostujt. Menjëherë pasi Jezusi e përcaktoi Judën si ai që do ta tradhtonte Atë, Juda u largua (shih Gjoni 13:30).

Mateu 26:26–30

Jezu Krishti paraqet sakramentin gjatë Pashkës

Pasi Shpëtimtari hëngri vaktin e Pashkës me Apostujt e Tij, Ai paraqiti ordinancën e sakramentit.

Pamja
Darka e Fundit

Përsiatini përgjigjet tuaja ndaj pyetjeve vijuese: Kur morët sakramentin herën e fundit, çfarë ishit duke bërë? Çfarë po mendonit? Çfarë ndiet?

Lexoni Mateun 26:26–29, duke kërkuar atë që bëri Zoti me bukën dhe përmbajtjen e kupës.

Nëpërmjet këtyre vargjeve ne mësojmë se emblemat e sakramentit përfaqësojnë trupin dhe gjakun e Jezu Krishtit, që Ai i sakrifikoi për ne.

Përkthimi prej Joseph Smith-it jep këndvështrim shtesë për Mateun 26:26–28. Lexoni Përkthimin prej Joseph Smith-it, Mateu 26:22, 24–25 (tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta).

Kërkoni ndryshimet e frymëzuara që u bënë. Si na ndihmojnë ato të kuptojmë një qëllim të rëndësishëm të sakramentit?

Përmes këtyre ndryshimeve të frymëzuara ne mësojmë se Jezu Krishti e paraqiti sakramentin që ne ta kujtojmë Atë dhe Shlyerjen e Tij për mëkatet tona.

Nëse është e mundur, shihni videon “Always Remember Him” [“Gjithmonë ta Kujtojmë Atë”] (5:28) për të kuptuar më tej qëllimin dhe rëndësinë e sakramentit. Në këtë video Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegon se qëllimi i sakramentit është që të kujtojmë Jezu Krishtin dhe sakrificën e Tij shlyese. Kjo video mund të gjendet në LDS.org.

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Si ka ndikuar përpjekja për ta kujtuar Shpëtimtarin dhe Shlyerjen e Tij, në ndjenjat dhe përvojat tuaja kur keni marrë sakramentin?

    2. Cilat janë disa nga gjërat që mund të na shpërqendrojnë gjatë administrimit të sakramentit?

    3. Si mund të na ndihmojë shmangia e këtyre shpërqendrimeve gjatë shërbesës së sakramentit që të kemi një përvojë më shpirtërore?

    4. Cilat janë disa nga gjërat që mund të bëni për t’ju ndihmuar të përqendroheni te Shpëtimtari dhe domethënia e kësaj ordinance gjatë shërbesës së sakramentit dhe ta kujtoni Atë gjatë gjithë javës?

Sipas Mateut 26:27–28, çfarë na lejon derdhja e gjakut të Krishtit që të kemi ndërsa marrim sakramentin?

Thjesht ngrënia e bukës dhe pirja e ujit gjatë sakramentit nuk na cilëson në mënyrë automatike që të marrim një heqje ose falje të mëkateve tona. Ne duhet të ushtrojmë besim te Jezu Krishti, të pendohemi dhe ta marrim sakramentin me qëllim të vërtetë duke e kujtuar gjithmonë Atë dhe duke u përpjekur që të zbatojmë urdhërimet e Tij. Duke e marrë denjësisht sakramentin, ne përtërijmë besëlidhjet tona të pagëzimit.

Merrni parasysh ta shkruani parimin vijues në anë të faqes së shkrimeve tuaja të shenjta: Kur pendohemi dhe e marrim sakramentin me qëllim të vërtetë, ne mund të marrim heqje të mëkateve tona.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani mënyrën se si do t’i zbatoni të vërtetat e lidhura me sakramentin që keni përcaktuar te Mateu 26:26–30.

Rilexoni Mateun 26:29, duke kërkuar kohën kur Shpëtimtari tha se do ta merrte sërish sakramentin.

“Siç shënohet te Mateu 26:29, Shpëtimtari u tha dishepujve të Tij se Ai nuk do ta pinte sërish frytin e hardhisë derisa Ai ta pinte atë me ta në mbretërinë e Atit të Tij. Si rrjedhojë, sakramenti nuk simbolizon vetëm Shlyerjen e Shpëtimtarit, por gjithashtu na i drejton sytë me shpresë nga koha kur Ai do të kthehet në tokë me lavdi (shih 1 Korintasve 11:26).

Në ditët e mëvonshme, Zoti i zbuloi Profetit Jozef Smith hollësi të një ngjarjeje të ardhshme, kur Ai do ta pijë frytin e hardhisë në tokë. Siç shënohet te Doktrina e Besëlidhje 27, Zoti zbuloi se Ai do ta marrë sakramentin përsëri në tokë me pasuesit e Tij, përfshirë shumë profetë të lashtë, të tillë si Moronin, Eliasin, Gjon Pagëzorin, Elijan, Abrahamin, Isakun, Jakobin, Jozefin që u shit në Egjipt, Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin ‘dhe gjithashtu me Mikaelin ose Adamin, atin e të gjithëve’ (shih DeB 27:4–14). Pasuesit e Zotit përfshijnë të ‘gjithë ata që Ati [i Tij i] ka dhënë prej botës’ (DeB 27:14). Kjo do të thotë se nëse qëndrojmë të vërtetë dhe besnikë ndaj besëlidhjeve që kemi bërë dhe durojmë deri në fund, ne do të jemi midis atyre që do t’i marrin emblemat e sakramentit me Shpëtimtarin në këtë kohë të ardhshme” (New Testament Student Manual, f. 83–84).

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Mateun 26:1–30 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër