Biblioteka
Njësia 31, Dita 2: Zbulesa 4–5


Njësia 31: Dita 2

Zbulesa 4–5

Hyrje

Në një vegim, Apostulli Gjon pa qenie të lavdishme që adhuronin Atin Qiellor teksa rrinte ulur në fronin e Tij. Ai pa gjithashtu një libër që ishte vulosur me shtatë vula, dhe pa Qengjin ose Jezu Krishtin, i cili është i denjë për të hapur librin.

Zbulesa 4

Gjoni sheh qenie të lavdishme që adhuronin Atin Qiellor

Imagjinoni sikur jeni në mbretërinë çelestiale. Si e përfytyroni mbretërinë çelestiale? Si mendoni se do të duket?

Siç shënohet te Zbulesa 4–5, Apostulli Gjon pa një vegim të një pjese të mbretërisë çelestiale.

  1. Lexojeni Zbulesën 4:1–8. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, vizatoni një skemë të thjeshtë të asaj që pa Gjoni. Vini në dukje se, të jesh “në frymë” (vargu 2), do të thotë të jesh në një gjendje zbulese ose të shohësh një vegim nëpërmjet Shpirtit.

Te Zbulesa 4:3 Gjoni shkroi se pamja e Atit Qiellor ishte “[si] një gur diaspri dhe sardi”. Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:

Pamja
Plaku Brus R. Mek-Konki

“Në përpjekje për të shënuar madhështinë, lavdinë dhe bukurinë e të Plotfuqishmit të të Plotfuqishmëve që të kuptohej nga [mendja] njerëzore, Gjoni e përngjason pamjen e tij me gurët e çmuar dhe gjysmë të çmuar. Guri i diasprit që përmendet, besohet nga vlerësuesit se është një diamant. …

… Si mund t’i gjejnë fjalët profetët e vdekshëm aq sa për t’u shprehur bashkënjerëzve të vet shkëlqimin dhe bukurinë e jashtëzakonshme të asaj bote të përjetshme me fuqi dhe lavdi çelestiale? Ata flasin për ylberë dhe gurë të çmuar, për zjarr flakërues përqark, për qymyre të ndezur prej të cilëve dalin shkreptima; ata tregojnë për bubullima e zëra, për tingujt e vërshimit të shumë ujërave dhe për shfaqje madhështore fuqie e bukurie – të gjitha në një përpjekje për të shënuar me fjalë njerëzore atë që mund të shihet dhe të njihet vetëm me anë të fuqisë së Shpirtit. (Ezekieli 1 dhe 10; Isaia 6.) Por lëvduar qoftë Zoti për shkak se ata kanë bërë përpjekje të tilla në mënyrë që njerëzit që nuk kanë parë dhe dëgjuar, të mund të fitojnë një njohuri të vogël të atyre gjërave që fshihen pas dritareve të qiellit” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 3:464–466).

Zbulesa moderne na ndihmon të kuptojmë më shumë rreth asaj që pa Gjoni. Për shembull, Zoti e dha zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 77 pasi Profeti Jozef Smith i kërkoi Atij që të interpretonte disa prej simboleve dhe ngjarjeve të shënuara te Zbulesa 1–11.

  1. Kopjojeni tabelën shoqëruese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta. Lexojeni çdo referencë kryq dhe shkruani në tabelë informacionin shtesë që gjeni rreth asaj që pa Gjoni. (Pasi të mbaroni, kontrollojini përgjigjet tuaja me ato që janë dhënë në fund të mësimit.)

Zbulesa 4

Çfarë Pa Gjoni

Referencat–Kryq

Informacion Shtesë

Fron (Zbulesa 4:2–3)

DeB 137:1–4

Njëzet e katër pleq me kurora (Zbulesa 4:4)

DeB 77:5

Shtatë Frymëra të Perëndisë (Zbulesa 4:5)

(Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it], Zbulesa 4:5 (te Zbulesa 4:5, poshtëshënimi a, [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]).

Det i qelqtë (Zbulesa 4:6)

DeB 77:1; 130:6–9

Katër kafshë (Zbulesa 4:6–7)

DeB 77:2–3

Qeniet me sy dhe krahë (Zbulesa 4:8)

DeB 77:4

Lexojeni Zbulesën 4:8–11, duke kërkuar se çfarë thanë dhe bënë ata që qenë mbledhur rreth Atit Qiellor.

Çfarë mund të përfaqësojnë pleqtë që hedhin kurorat e tyre përpara fronit të Atit Qiellor?

Një parim që mund të mësojmë nga këto vargje është se, kur e kuptojmë madhështinë e Atit Qiellor, ne dëshirojmë ta adhurojmë e përlëvdojmë Atë.

Mendoni se çfarë mund të na ndihmojë ta kuptojmë madhështinë e Atit Qiellor.

Sonte, përpara se të luteni, merrni parasysh planin e madh të lumturisë dhe mënyrën se si Ati Qiellor ju ka bekuar. Teksa luteni, kujtohuni ta falënderoni Atë, veçanërisht për gjithçka me të cilën Ai ju ka bekuar.

Zbulesa 5

Gjoni sheh një libër të vulosur me shtatë vula dhe Qengjin, i cili është i denjë për të hapur librin

Lexojeni Zbulesën 5:1–4, duke kërkuar se çfarë pa Gjoni në dorën e Atit Qiellor.

Pamja
rrotull me vula

Vini në dukje se libri, ose rrotulla, që pa Gjoni, ishte e vulosur me shtatë vula. Në kohët e lashta, dokumentet e rëndësishme vuloseshin me vula argjile ose dylli. Vetëm i zoti i dokumentit dhe ata të cilët i autorizonte i zoti, lejoheshin që të hapnin vulat dhe të lexonin tekstin.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 77:6–7, duke kërkuar domethënien e librit dhe të vulave.

Periudha 7.000-vjeçare e “ekzistencës së përkohshme” të tokës (DeB 77:6), i referohet kohës që nga Rënia e Adamit dhe Evës. Ajo nuk i referohet moshës së tanishme të tokës, përfshirë edhe periudhat e krijimit. Çdo vulë përfaqëson një periudhë 1.000-vjeçare.

Sipas Zbulesës 5:2, çfarë cilësimesh duhet të kishte një person me qëllim që ta hapte librin?

Vini re se Gjoni qau kur pa se askush nuk mund ta hapte librin. Ai mund të ketë menduar se “vullneti, misteret, dhe punë[t]” e Perëndisë (Doktrina e Besëlidhje 77:6) që i përkasin shpëtimit të fëmijëve të Tij, nuk do të zbuloheshin apo të kryheshin. Çfarë do të ndodhte me fëmijët e Atit Qiellor nëse plani i Tij për shpëtimin e tyre nuk do të mund të kryhej?

Lexojeni Zbulesën 5:5–7, duke kërkuar se përse Gjonit iu tha që të mos qante. Lexojeni gjithashtu Përkthimin prej Joseph Smith-it, Zbulesa 5:6 (te Zbulesa 5:6, poshtëshënimi b, [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]). Në shkrimet e shenjta, brirët shpesh janë një simbol i fuqisë dhe autoritetit; sytë shpesh simbolizojnë dritën dhe njohurinë; dhe numri dymbëdhjetë mund të simbolizojë qeverisjen dhe organizimin hyjnor ose priftërinë.

Titulli “Qengj” (Zbulesa 5:6) i drejtohet rolit të Jezu Krishtit, si dhuratë flijuese që u dha për të shlyer fëmijët e Perëndisë (shih edhe Isaia 53:7; 1 Korintasve 5:7; 1 Pjetër 1:18–19). Fraza “një Qengj si i therur” (Zbulesa 5:6) i referohet Qengjit duke treguar shenjat se qe vrarë. Gjon Pagëzori iu referua Shpëtimtarit si “Qengji i Perëndisë” (Gjoni 1:29, 36).

Lexojeni Zbulesën 5:8–10, duke kërkuar mënyrën se si qeniet që e rrethonin fronin e Atit Qiellor, e përlëvduan Qengjin.

Bazuar tek ajo që pa dhe dëgjoi Gjoni lidhur me Qengjin, ne mësojmë se Jezu Krishti është i vetmi i cili është i denjë dhe në gjendje që të na shëlbojë.

Si mendoni ju, përse Jezu Krishti është i vetmi, i cili është i denjë dhe në gjendje që të na shëlbojë?

Sipas Zbulesës 5:10, ata të cilët Jezu Krishti i shëlbon, bëhen mbretër dhe priftërinj, çka përfshin gratë si mbretëresha dhe priftëresha.

Lexojeni Zbulesën 5:11–14, duke kërkuar mënyrën se si të tjerët u bashkuan në adhurimin dhe përlëvdimin e Jezu Krishtit dhe Atit Qiellor.

Qeniet e lavdishme dhe të gjitha krijesat e kuptuan mirësinë e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit dhe ato ndien mirënjohje për rolin e Qengjit në planin e Atit Qiellor. Si rrjedhim, ato e adhuruan dhe e përlëvduan Atin dhe Birin. Në mënyrë të ngjashme, kur e kuptojmë dhe ndiejmë mirënjohje për atë që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti kanë bërë për ne, ne dëshirojmë t’i adhurojmë dhe përlëvdojmë Ata.

Pamja
Plaku Brus R. Mek‑Konki

Plaku Brus R. Mek-Konki dha mësim sa vijon rreth adhurimit: “Adhurimi i vërtetë dhe i përsosur përbëhet nga ndjekja e hapave të Birit të Perëndisë; përbëhet nga zbatimi i urdhërimeve dhe bindja ndaj vullnetit të Atit në atë shkallë që ne përparojmë nga hiri në hir derisa të përlëvdohemi në Krishtin, ashtu siç është ai i përlëvduar në Atin e Tij. Është shumë më tepër sesa lutje, predikim dhe këngë. Është të jetuarit, të bërit dhe të bindurit. Është të përngjasuarit e jetës së Shembullit të madhërishëm” (“How to Worship”, Ensign, dhjetor 1971, f. 130).

  1. Përgjigjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Renditni disa arsye përse ndieni mirënjohje dhe dashuri ndaj Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.

    2. Si ndikojnë tek ju gjërat që renditët te dëshira për ta adhuruar dhe përlëvduar Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?

Mendoni për pyetjen vijuese: Çfarë mund të bëni më tepër për ta adhuruar Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin? Bëni një plan dhe veproni ndaj nxitjeve që merrni.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Zbulesën 4–5 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër