Biblioteka
Njësia 31, Dita 3: Zbulesa 6–7


Njësia 31: Dita 3

Zbulesa 6–7

Hyrje

Apostulli Gjon pa një vegim të Qengjit të Perëndisë duke hapur gjashtë vulat e para të librit të vulosur. Në vulën e gjashtë, e cila simbolizon këtë periudhë të ditëve të mëvonshme, Gjoni pa shërbëtorët e Perëndisë, të cilët i kishin “larë rrobat e tyre dhe i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit” (Zbulesa 7:14).

Zbulesa 6

Gjoni pa Qengjin e Perëndisë duke hapur gjashtë vulat e para të librit të vulosur

Cilat janë disa shqetësime ose frika që mund të keni ju ose njerëz që njihni, lidhur me të jetuarit në ditët e mëvonshme?

Pamja
Profeti Jozef Smith

Profeti Jozef Smith dha mësim se si profetët e lashtësisë u ndien për ditët tona: “Ndërtimi i Sionit është një kauzë që i ka interesuar popullit të Perëndisë në çdo kohë; është një temë mbi të cilën profetët, priftërinjtë dhe mbretërit janë ndalur me ëndje të veçantë; ata e kanë shpresuar me pritje të gëzuar ditën në të cilën jetojmë ne; dhe të frymëzuar me parashikime qiellore e të gëzueshme ata kanë kënduar dhe shkruar, dhe profetizuar për këtë ditën tonë” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 194).

Si mendoni ju, përse profetët e lashtësisë u ndien në këtë mënyrë për ditët tona?

Apostulli Gjon, i quajtur gjithashtu Gjon Zbuluesi, ishte një nga profetët që i dinte ngjarjet e ditëve të mëvonshme dhe që profetizoi për ditët tona me shpresë të gëzueshme. Teksa studioni Zbulesën 6–7 kërkoni të vërteta që mund t’ju ngushëllojnë ju dhe ata që i njihni për sa u përket ngjarjeve të ditëve të mëvonshme.

Kujtoni se Zbulesa 5:1–5 shënon që Gjoni pa një libër me shtatë vula që vetëm Qengji ishte i denjë ta hapte. Në vegimin e tij, Gjoni pa përshkrime letrare të disa prej ngjarjeve madhore që i përkasin secilës periudhë 1.000-vjeçare, të përfaqësuar nga shtatë vulat.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, vizatoni një figurë të thjeshtë që tregon ngjarjet e pesë vulave të para, që gjenden te referencat e mëposhtme. Teksa lexoni për secilën vulë, mendoni rreth asaj se ç’mund të nënkuptojnë disa prej simbolikave.

    1. Vula e parë (Zbulesa 6:1–2)

    2. Vula e dytë (Zbulesa 6:3–4)

    3. Vula e tretë (Zbulesa 6:5–6)

    4. Vula e katërt (Zbulesa 6:7–8)

    5. Vula e pestë (Zbulesa 6:9–11)

Ndonëse Zoti nuk e ka zbuluar domethënien e disa prej simboleve që gjenden te shkrimet e shenjta, Ai ka zbuluar kuptimin e shumicës prej tyre nëpërmjet profetëve të Tij. Teksa i studioni shkrimet e shenjta dhe keni pyetje, ju mund të shihni te komentet profetike për atë që kanë thënë autoritetet e Kishës lidhur me fragmente specifike. Informacioni në tabelën shoqëruese mund t’ju ndihmojë të kuptoni disa nga simbolikat që gjenden te Zbulesa 6:1–11 lidhur me hapjen e pesë vulave të para.

Vula e parë

(Rreth 4000 deri 3000 pr.K.)

Kalë i bardhë = Fitore

Hark = Betejë

Kurorë = Pushtues

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, sugjeroi se Zbulesa 6:1–2 përshkruan ditët e Enokut dhe se kalorësi është Enoku (shih Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1966–1973], 3:476–478).

Vula e dytë

(Rreth 3000 deri 2000 pr.K.)

Kalë i kuq = Gjakderdhje

Shpatë = Luftë dhe shkatërrim

Plaku Mek-Konki sugjeroi se Zbulesa 6:3–4 përshkruan ditët e Noeut, kur ligësia mbuloi tokën. Kalorësi i kalit të kuq mund të jetë vetë djalli ose ndoshta, “një person që përfaqëson shumë luftëtarë vrasës” (shih Doctrinal New Testament Commentary, 3:478–479).

Vula e tretë

(Rreth 2000 deri 1000 pr.K.)

Kalë i zi = Zi buke

Peshore = Çmime të shtrenjta të ushqimeve

Plaku Mek-Konki sugjeroi se Zbulesa 6:5–6 përshkruan ditët e Abrahamit, kur shumë vdiqën nga uria (shih Doctrinal New Testament Commentary, 3:479–480). Një person mund të blinte me gjithë rrogën e ditës aq ushqim sa për të jetuar, gjë që tregon çmimet ekstreme gjatë zisë së bukës.

Vula e katërt

(Rreth 1000 pr.K. deri në lindjen e Krishtit)

Kalë i zbehtë = Vdekje

Vdekja dhe Hadesi = Shkatërrimi i të ligjve dhe marrja e tyre në burgun e shpirtrave (shih Isaia 5:14)

Plaku Mek-Konki sugjeroi se Zbulesa 6:7–8 i referohet kohës “[s]ë atyre mbretërive dhe kombeve të mëdha, luftërat dhe tradhtitë e të cilave munduan dhe shkretuan [Izraelin] sërish e sërish” (shih Doctrinal New Testament Commentary, 3:481). Këto kombe përfshinin Babiloninë, Persinë, Egjiptin, Asirinë, Greqinë dhe Romën.

Vula e pestë

(Rreth lindjes së Krishtit deri në vitin 1000 ps.K.)

Altar = Sakrificë

Shpirtra = Martirë, të krishterë të vrarë për besimin e tyre

Plaku Mek-Konki sugjeroi se Zbulesa 6:9–11 i referohet shumë të krishterëve të hershëm, përfshirë shumicën e Apostujve të parë që vdiqën si martirë (shih Doctrinal New Testament Commentary, 3:482–483). Për arsye se këta shenjtorë hoqën dorë nga jeta e tyre “për shkak të fjalës së Perëndisë dhe për shkak të dëshmisë që kishin” (Zbulesa 6:9), atyre iu dhanë “petk[a të] bardh[a]” (Zbulesa 6:11), simbolikë e pastërtisë (shih Zbulesa 7:13–14; 3 Nefi 27:19).

Vula e gjashtë përfaqëson kohën tonë dhe ngjarjet, veçanërisht fatkeqësitë që çojnë drejt Mijëvjeçarit, kur Jezu Krishti do të mbretërojë personalisht mbi tokë (shih Bruce R. McConkie, Doctrinal New Testament Commentary, 3:485–486).

Lexojeni Zbulesën 6:12–17, duke kërkuar ngjarjet që parashikoi Gjoni për ditët tona, të cilat çojnë në Ardhjen e Dytë të Zotit. Lexojeni gjithashtu Joseph Smith Translation, Revelation 6:14 [Përkthimi prej Joseph Smith-it, Zbulesa 6:14] (te Zbulesa 6:14, poshtëshënimi a, [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]).

Vini re se Zbulesa 6:16 përshkruan se sa me dëshpërim disa njerëz do të kërkojnë t’i largohen zemërimit të Perëndisë. Gjoni më pas shtroi pyetjen: “Kush mund të qëndrojë?” (Zbulesa 6:17.) Zbulesa 7 na ndihmon të kuptojmë se kush do të jetë në gjendje të qëndrojë ose t’i durojë katastrofat e vulës së gjashtë.

Zbulesa 7

Gjoni pa shërbëtorët e Perëndisë, të cilët i kishin larë rrobat e tyre në gjakun e Qengjit

Lexojeni Zbulesën 7:1–4, duke kërkuar se çfarë tjetër pa Gjoni në vulën e gjashtë. Lexojeni edhe Doktrina e Besëlidhjet 77:8–11, në të cilën Zoti shpjegoi kuptimin e këtyre vargjeve.

Pamja
Plaku Brus R. Mek‑Konki

Plaku Brus R. Mek-Konki shpjegoi se fjala Elias, siç gjendet te Doktrina e Besëlidhje 77:9, është “një emër dhe një titull për ata, misioni i të cilëve ishte që t’u jepnin çelësat dhe fuqitë burrave në këtë periudhë të fundit ungjillore” (Mormon Doctrine, bot. i 2-të [1966] f. 221).

Disa nga burrat që erdhën për të dhënë çelësat dhe fuqitë, ishin Adami; Moroni; Gjon Pagëzori; Pjetri, Jakobi e Gjoni; Moisiu dhe Elia.

Vulosja ose shenjimi ‘në ballë [i] shërbëtorë[ve të] Perëndisë tonë’ (Zbulesa 7:3) është një metaforë e përkushtimit, shërbimit të tyre dhe që ata i përkasin Perëndisë.

Pamja
Profeti Jozef Smith

Profeti Jozef Smith dha mësim se vulosja e besnikëve në ballin e tyre “tregon vulosjen e bekimeve mbi kokën e tyre, që nënkupton besëlidhjen e përjetshme, duke e përforcuar kështu thirrjen dhe zgjedhjen e tyre” (në History of the Church, 5:530).

Numri 144.000 i përmendur te Zbulesa 7:4, “është numri i përfaqësuesve nga dymbëdhjetë fiset e Izraelit, të cilët do të shugurohen për t’i ndihmuar të tjerët në synimin e tyre për të marrë ekzaltimin. … Nuk do të thotë sikurse besojnë disa se numri total i njerëzve që do të ekzaltohen do të jetë aq” (New Testament Student Manual [Church Educational System Manual, 2014], f. 544).

Siç shënohet te Zbulesa 9, Gjoni iu referua sërish këtyre shërbëtorëve të drejtë. Lexojeni Zbulesën 9:3–4, duke kërkuar atë që do t’u ndodhë atyre që nuk janë vulosur si shërbëtorë të Perëndisë.

Lexojeni Zbulesën 7:9–10, duke kërkuar se kë pa Gjoni. Vini re atë që kishin veshur këta njerëz.

Siç shënohet te Zbulesa 7:11–12, Gjoni pa se këta njerëz, bashkë me 24 pleq dhe katër bishat e përmendura te Zbulesa 4, e rrethuan fronin e Perëndisë dhe e adhuruan Atë.

Lexojeni Zbulesën 7:13–17, duke kërkuar përgjigjet e pyetjeve vijuese. Ju mund të doni ta shenjoni ose shënoni atë që gjeni.

  • Çfarë kishin duruar këta njerëz?

  • Si u bënë të bardha rrobat e tyre?

  • Çfarë bekimesh do të marrin ata?

Vini re se rrobat e njerëzve ishin “zbardhur në gjakun e Qengjit” (Zbulesa 7:14), gjë e cila është simbolikë e njerëzve që pastrohen nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Bekimet te vargjet 16–17 përshkruajnë gëzimin, paqen dhe përkushtimin e atyre që trashëgojnë lavdinë çelestiale (shih edhe DeB 138:12–15).

Nga këto vargje ne mund të mësojmë se, nëse e durojmë me besnikëri mundimin dhe bëhemi të pastër nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne do të gëzojmë lavdinë çelestiale me Perëndinë.

Mendoni rreth asaj se si do të jetë dhe si do të ndiheshit nëse do të ishit në gjendje të qëndronit të pastër në praninë e Perëndisë. Si do të krahasoheshin këto ndjenja me ndjenjat e njerëzve të përshkruara te Zbulesa 6:16?

  1. Përgjigjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Çfarë duhet të bëjmë ne që Shpëtimtari të mund të na pastrojë nëpërmjet Shlyerjes së Tij?

    2. Në ç’mënyrë ju ka ndihmuar ju të kujtuarit e bekimeve të lavdisë çelestiale në përpjekjet tuaja për të duruar mundimet dhe për t’u bërë të pastër?

Rishikojeni listën e shqetësimeve që shkruat në fillim të këtij mësimi. Merrni parasysh se si parimi i përcaktuar te Zbulesa 7, mund t’ju ndihmojë kur ndiheni të shqetësuar rreth të jetuarit në ditët e fundit.

Ju mund të doni të shpenzoni disa minuta duke përsiatur dhe duke u lutur në zemrën tuaj rreth mënyrës se si mund t’i zbatoni këto parime në jetën tuaj.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Zbulesën 6–7 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër