Biblioteka
Njësia 31, Dita 4: Zbulesa 8–11


Njësia 31: Dita 4

Zbulesa 8–11

Hyrje

Apostulli Gjon pa hapjen e vulës së shtatë dhe mësoi për misionin e tij se do të marrë pjesë në mbledhjen e Izraelit në ditët e mëvonshme. Pavarësisht shumë plagëve, shkatërrimeve dhe gjykimeve që do të vinin mbi banorët e tokës, Gjoni pa se ata që ishin të denjë, do të kurseheshin nga shumë prej këtyre gjërave.

Zbulesa 8–9

Gjoni sheh hapjen e vulës së shtatë

Shikojeni tabelën shoqëruese në librin e Zbulesës. Vini re se sa vargje iu referohen ngjarjeve të gjashtë vulave të para krahasuar me numrin e vargjeve që iu referohen ngjarjeve të vulës së shtatë.

Pamja
Vegimi i Gjonit për shtatë vulat

Apostulli Gjon shkroi më shumë për ngjarjet e shoqëruara me periudhën e shtatë 1.000-vjeçare sesa shkroi për ngjarjet të shoqëruara me ndonjërën prej atyre periudhave të tjera 1.000-vjeçare. Ai shkroi veçanërisht për ngjarjet që do të ndodhnin midis kohës së hapjes së vulës së shtatë dhe Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit.

Si mendoni ju, përse Gjoni shkroi kaq shumë gjëra për ngjarjet e vulës së shtatë?

Teksa studioni vegimin e Gjonit te Zbulesa 8–11, merrni parasysh atë që mund të mësojmë nga ajo që ai shkroi për këto ngjarje.

Zbulesa 8:1–6 përshkruan Shpëtimtarin që hap vulën e shtatë. Gjoni pa shtatë engjëj, të cilëve iu dhanë shtatë bori. “Boritë përdoreshin në kohët e lashta për t’i rënë një alarmi, për të sinjalizuar [një ushtri] për betejë ose për të shpallur ardhjen e familjes mbretërore. Si rrjedhim, rënia e një borie lajmëron ose shpall diçka me rëndësi shumë të madhe” (Gerald N. Lund, “Seeing the Book of Revelation as a Book of Revelation”, Ensign, dhjetor 1987, f. 50).

Lexojeni Doktrina e Besëlidhjet 77:12, duke kërkuar se çfarë do të tregojë rënia e shtatë borive.

Te Zbulesa 8:1–6, rënia e borive do të tregonte fillimin e plagëve të ndryshme dhe shkatërrimin në përgatitje për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit dhe mbretërimin e Tij gjatë Mijëvjeçarit.

Lexojeni secilën nga referencat vijuese, të cilat shpjegojnë ngjarjet e shoqëruara me rënien e gjashtë borive të para. Teksa i lexoni, kërkoni përgjigje për pyetjet që korrespondojnë.

E para – Zbulesa 8:7. Çfarë ndodhi si rrjedhojë e “breshër[it] e zjarr[it]” që ra në tokë kur engjëlli i parë i ra borisë së tij?

E dyta – Zbulesa 8:8–9. Cilat ishin tri gjërat që u prekën kur ra boria e dytë?

E treta – Zbulesa 8:10–11. Çfarë ndodhi kur ylli ra nga qielli? (Vini në dukje se pelini është një bimë; ajo përdoret për të simbolizuar “fatkeqësi të hidhur ose pikëllim” [shih Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Wormwood” (“Pelin”)].)

E katërta – Zbulesa 8:12. Duke vijuar me tingullin e borisë së katërt, cilat ishin tri gjërat që u errësuan pjesërisht?

E pesta – Zbulesa 9:1–3. Çfarë doli nga pusi i humnerës kur engjëlli i pestë e hapi atë?

E gjashta – Zbulesa 9:13–16, 18. Sa ushtarë u përfshinë në betejën e madhe që pa Gjoni, pasi kishte rënë boria e gjashtë? Cilën pjesë të njerëzimit pa të vrarë ai në këtë betejë?

Lexojeni Zbulesën 9:20–21, duke kërkuar mënyrën se si do të reagojnë të ligjtë që u mbijetojnë këtyre plagëve.

Zbulesa 10

Një engjëll e udhëzon Gjonin për misionin e tij në ditët e mëvonshme

Zbulesa 10 përmban një ndërprerje në përshkrimin për shtatë boritë që bien, dhe plagët e tyre shoqëruese. Në këtë kapitull ne lexojmë se Gjoni u udhëzua nga një engjëll tjetër.

Pamja
e ëmbël, e hidhur

Cilat janë disa përvoja në jetë që mund të konsiderohen si të ëmbla ashtu edhe të hidhura?

Lexojeni Zbulesën 10:1–3, duke kërkuar atë që po mbante engjëlli.

Lexojeni Zbulesën 10:8–11, duke kërkuar atë që Gjonit iu tha të bënte me libërthin. Vini re se çfarë shijeje pati për të.

Lexojeni Doktrina e Besëlidhjet 77:14, duke kërkuar atë që përfaqësonte libërthi.

Apostulli Gjon ishte bekuar nga Jezu Krishti që të jetonte deri në Ardhjen e Tij të Dytë dhe të sillte njerëz tek Ai (shih Gjoni 21:20–24; DeB 7:1–4). Misioni i Gjonit do të ishte të ndihmonte në mbledhjen e fëmijëve të Izraelit. Në çfarë mënyrash mund të jetë një mision i tillë si i ëmbël ashtu dhe i hidhur?

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta përdoreni Zbulesën 10:8–11 që të shkruani një përgjigje për njërën ose për të dyja shqetësimet vijuese:

    1. Unë kam dëgjuar se sa e vështirë është që të shërbesh në një mision. E kam të vështirë kur më refuzojnë. Nuk jam i sigurt nëse dua të shërbej.

    2. Jam përpjekur të bëj atë që është e drejtë. Unë i lexoj shkrimet e mia të shenjta, lutem dhe përpiqem ta shpërndaj ungjillin por disa gjëra në jetën time nuk po shkojnë mirë ende – dhe për shkakun tim askush nuk ka dashur që të bashkohet me Kishën. Mbase do të heq dorë.

Zbulesa 11

Gjoni sheh dy profetë të vriteshin në Jerusalem si edhe tingullin e borisë së shtatë

Zbulesa 11 fillon me përshkrimin e Apostullit Gjon për ngjarjet që do të ndodhin midis kohës së rënies së borisë së shtatë dhe Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit. Gjatë kësaj kohe, të ligjtë do të kenë më shumë fuqi dhe kontroll mbi tokën dhe një ushtri do të përpiqet ta pushtojë Jerusalemin, çka është pjesë e betejës së fundit të madhe të Armagedonit.

Gjoni përshkroi qytetin e Jerusalemit dhe pushtimin e tij nga ana e johebrenjve (ata që nuk i bëjnë dhe nuk i zbatojnë besëlidhjet me Zotin) për një periudhë prej 42 muajsh, që është tre vjet e gjysmë.

Lexojeni Zbulesën 11:3–6, duke kërkuar se çfarë do të bëjnë dy nga dëshmitarët e Shpëtimtarit në Jerusalem menjëherë përpara Ardhjes së Tij të Dytë.

Këta dy profetë do të kishin autoritetin sikurse Elia dhe Moisiu, për të mbyllur qiejt dhe për ta goditur tokën me plagë. Zjarri që do të dalë nga goja e këtyre dy dëshmitarëve, mund të jetë simbol i fuqisë së dëshmive që do të japin ata (shih Jeremia 5:14; 20:9).

Lexojeni Doktrina e Besëlidhjet 77:15, duke kërkuar se kush do të jenë këta dy dëshmitarë.

Lexojeni Zbulesën 11:7–12, duke kërkuar atë që do t’u ndodhë këtyre dy profetëve. Vini re se si do të reagojnë të ligjtë.

Lexojeni Zbulesën 11:13–15, duke kërkuar se çfarë do të ndodhë pasi dy profetët të ngrihen nga të vdekurit dhe të ngjiten në qiell.

Pasi boria e shtatë të bjerë, kush do të mbretërojë mbi “mbretëritë e botës” (Zbulesa 11:15)?

Te Zbulesa 11:16–19 ne lexojmë se 24 pleq që u ulën pranë fronit të Perëndisë, i dhanë falënderime dhe përlëvdime Perëndisë për shpërblimin e të drejtëve dhe ndëshkimin e të ligjve.

  1. Kujtoni nga mësimi i mëparshëm parimin vijues që gjendet te Zbulesa 7: Nëse e durojmë me besnikëri mundimin dhe bëhemi të pastër nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne do të gëzojmë lavdinë çelestiale me Perëndinë. Merrni parasysh ngjarjet e vulës së shtatë që studiuat sot. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani se si këto parime mund t’u japin ngushëllim dhe paqe atyre që përjetojnë disa nga fatkeqësitë e frikshme që do të ndodhin përpara Ardhjes së Dytë të Zotit.

Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se, pavarësisht fatkeqësive në ditët tona, ne mund ta presim me padurim ardhjen e Zotit me nderim dhe shpresë:

Pamja
Plaku Nil L. Andersen

“Ne jetojmë, vëllezër e motra, në ditët që paraprijnë Ardhjen e Dytë të Zotit, një kohë e pritur gjatë prej besimtarëve përmes epokave. Ne jetojmë në ditët e luftërave dhe të zhurmave të luftërave, në ditët e fatkeqësive natyrore, në ditët kur bota ngatërrohet prej pështjellimit e rrëmujës.

Por ne gjithashtu jetojmë në kohën e lavdishme të Rivendosjes, kur ungjilli po çohet në mbarë botën – një kohë kur Zoti ka premtuar se Ai ‘do të ngre[jë] … një popull të kulluar’ [DeB 100:16] dhe do ta armatosë ‘me drejtësi dhe me fuqinë e Perëndisë’ [1 Nefi 14:14].

Ne ngazëllehemi në këto ditë dhe lutemi që do të jemi në gjendje t’i përballojmë me guxim sprovat dhe pasiguritë tona. Vështirësitë e disa njerëzve janë më të rënda sesa të të tjerëve, por askush nuk është i paprekshëm. …

Edhe pse Zoti na siguron herë pas here që ne ‘nuk duhet të ke[mi] frikë’ [DeB 10:55], ruajtja e një këndvështrimi të qartë dhe të shikuarit përtej kësaj bote, nuk janë gjithmonë të lehta kur gjendemi mes sprovave. …

Besimi ynë rritet kur e presim me dëshirë ditën e lavdishme të kthimit të Shpëtimtarit në tokë. Mendimi i ardhjes së Tij ma emocionon shpirtin. Do të jetë marramendëse! Qëllimi e madhështia, gjerësia e mrekullia do ta kapërcejnë çdo gjë që sytë njerëzorë e kanë parë ose përjetuar ndonjëherë. …

… Ne do të biem në gjunjë me nderim ‘dhe Zoti do ta lëshojë zërin e tij dhe gjithë fundet e dheut do ta dëgjojnë atë’ [DeB 45:49]. ‘Ai do të jetë … sikurse zëri i shumë ujërave dhe sikurse zëri i një bubullime të madhe’ [DeB 133:22]. ‘Atëherë Zoti, … Shpëtimtari, do të rrijë më këmbë mes popullit të tij’ [DeB 133:25]” (“Ardhtë Mbretëria Jote”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 119–120, 122).

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Zbulesën 8–11 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër