Biblioteka
Njësia 32, Dita 2: Zbulesa 14–16


Njësia 32: Dita 2

Zbulesa 14–16

Hyrje

Në një vegim, Apostulli Gjon pa një engjëll që erdhi në tokë për të rivendosur ungjillin e Jezu Krishtit në ditët e mëvonshme. Ai gjithashtu dëgjoi një zë nga qielli duke përshkruar bekimet që gëzojnë ata që vdesin duke qenë besnikë ndaj Zotit. Gjoni pa mbledhjen e të drejtëve dhe të të ligjve në ditët e mëvonshme dhe gjykimet e Perëndisë që derdhen mbi të ligjtë.

Zbulesa 14

Gjoni sheh rivendosjen e ungjillit dhe mbledhjen e të drejtëve dhe të të ligjve

Disa njerëz pyesin veten nëse është e mundur të ndiesh paqe në një botë që është e mbushur me ligësi, katastrofa dhe dhunë. Mendoni për atë që mund t’u thoni këtyre njerëzve.

Teksa studioni Zbulesën 14–16, kërkoni të vërteta që mund t’ju sjellin juve paqe ndonëse jetoni në një botë të mbushur me ligësi, katastrofë dhe dhunë.

Te Zbulesa 14:1–13 ne lexojmë se Apostulli Gjon pa një vegim të ditëve të mëvonshme ose të kohës sonë. Në vegimin e tij ai pa fatkeqësitë që do të vinin mbi të ligjtë. Ai pa gjithashtu se çfarë do t’u sillte paqe të drejtëve në ditët tona.

Lexojeni Zbulesën 14:1–5, duke vërejtur se cilin pa Gjoni që rrinte me Shpëtimtarin “në mal të Sionit” (Zbulesa 14:1) apo Sion.

Ju mund të kujtoni që keni mësuar se 144.000 njerëz të përmendur te vargu 1 janë priftërinj të lartë nga dymbëdhjetë fiset e Izraelit nga çdo komb dhe janë shuguruar për t’i sjellë njerëzit “në kishën e të Parëlindurit” (DeB 77:11; shih Zbulesa 7:4–8). Fraza “nuk janë ndotur me femra” (Zbulesa 14:4) do të thotë se ata do të jenë të dëlirë ose moralisht të pastër. Te Zbulesa 14:5 fraza “në gojë të tyre nuk u gjet gënjeshtër” do të thotë se do të jenë të ndershëm dhe të sinqertë dhe fraza “të paqortueshëm” do të thotë që do të jenë të pastër nga mëkati.

  1. Përgjigjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Si mendoni ju, përse të qenët të dëlirë, të ndershëm dhe të pastër nga mëkati do t’i ndihmonte 144.000 priftërinjtë e lartë t’ua çonin ungjillin të tjerëve?

Gjatë vegimit të Gjonit për ditët e mëvonshme, ai pa edhe tre engjëj të tjerë. Lexojeni Zbulesën 14:6, duke kërkuar se çfarë kishte engjëlli i parë.

Pasi citoi Zbulesën 14:6, Presidenti Gordon B. Hinkli shpalli: “Ai engjëll ka ardhur. Emri i tij është Moroni” (“Stay the Course—Keep the Faith”, Ensign, nëntor 1995, f. 70).

Pamja
Engjëlli Moroni i Shfaqet Jozef Smithit në Dhomën e Tij

Engjëlli Moroni iu shfaq fillimisht Jozef Smithit dhe i tha atij se Perëndia kishte një punë të rëndësishme për atë që ta bënte (shih Joseph Smith – Historia 1:29–35). Sipas Joseph Smith – Historia 1:34, nën drejtimin e Perëndisë, çfarë i tha Moroni Jozef Smithit për atë që do ta ndihmonte në rivendosjen e ungjillit të përjetshëm në tokë?

Pamja
statuja e Engjëll Moronit

Njohja e rolit të Moronit në Rivendosjen mund t’ju ndihmojë të kuptoni se përse një statujë e tij është e vendosur në majë të shumë prej tempujve tanë.

Engjëlli që përshkruhet te Zbulesa 14:6, mund të përfaqësojë edhe një bashkim të shumë lajmëtarëve qiellorë, përfshirë Moronin, i cili ndihmoi në rivendosjen e ungjillit të Jezu Krishtit në ditët e mëvonshme (shih Bruce R. McConkie, Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 3:529–531; shih edhe DeB 13; 110:11–16; 128:20–21).

Lexojeni Zbulesën 14:7, duke kërkuar atë që tha engjëlli. Fraza “ora e gjyqit të tij erdhi” i referohet kohës kur Shpëtimtari do t’i gjykojë të gjithë njerëzit e tokës. Gjykimet e Tij do të ndodhin si në Ardhjen e Dytë edhe në Gjyqin Përfundimtar.

Nga vegimi që pa Gjoni të engjëllit, ne mësojmë se një arsye, përse Perëndia e rivendosi ungjillin e Jezu Krishtit, ishte për të përgatitur banorët e tokës për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit.

Në ç’mënyra ungjilli i Jezu Krishtit i përgatit njerëzit për Ardhjen e Tij të Dytë?

Si ju ka sjellë juve paqe ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit ndërkohë që jetoni në një botë të ligë dhe të trazuar?

Lexojeni Zbulesën 14:8–11, duke kërkuar atë që tha engjëlli i dytë dhe i tretë.

Gjonit iu mësua se Babilonia ose ligësia do të ekzistonte në çdo komb. Një kuptim i frazës “ra Babilon[i]a” (Zbulesa 14:8) është se do të vijë dita kur ligësia e botës do të marrë fund.

Merrni parasysh se si njohuria se ligësia e botës do të marrë fund, mund t’ju sjellë juve paqe.

Profeti Jozef Smith shpjegoi atë që do të përjetojnë të ligjtë pasi të vdesin:

Pamja
Profeti Jozef Smith

“Mjerimi i madh i shpirtrave të kaluar në botën e shpirtrave, ku ata shkojnë pas vdekjes, është të dinë se ata nuk e kanë arritur lavdinë që të tjerë gëzojnë dhe që ata vetë do të mund ta kishin gëzuar dhe ata janë akuzuesit e vetvetes” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 235).

“Njeriu është munduesi i vetvetes dhe ndëshkuesi i vetvetes. Prej këndej vjen thënia se ata do të shkojnë në liqenin që digjet me zjarr dhe squfur [shih Zbulesa 21:8]. Mundimi i zhgënjimit në mendjen e njeriut është po aq therës sa një liqen që digjet me zjarr dhe squfur” (Mësimet: Jozef Smithf. 236).

Pasi mësoi se çfarë do të përjetonin të ligjtë pasi të vdisnin, Gjoni dëgjoi një zë nga qielli që përshkruante se çfarë do të përjetonin të drejtët pasi të vdisnin.

Lexojeni Zbulesën 14:12–13, duke kërkuar se çfarë do të përjetojnë të drejtët pasi të vdesin.

Të “prehe[mi] nga mundimet [tona]” (vargu 13) pasi të vdesim do të thotë se nuk do të mundohemi më nga trazirat, vuajtjet dhe brengat (shih Alma 40:12).

Një parim që mund të mësojmë nga Zbulesa 14:12–13, është se, nëse jetojmë drejtësisht, atëherë ne do të bekohemi për veprat tona dhe do të prehemi nga mundimet tona pasi të vdesim. Ju mund të doni ta shkruani ose ta shënoni këtë parim në shkrimet tuaja të shenjta pranë Zbulesës 14:12–13.

  1. Merrni parasysh se si ky parim mund t’ju sjellë paqe edhe kur jetoni në një botë të mbushur me ligësi. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani një shënim duke e nxitur një mik që mund të pyesë veten nëse ia vlen të jetosh drejtësisht ndërkohë që rrethohesh nga ligësia.

Ne lexojmë te Zbulesa 14:14–20 se në vegimin e tij Gjoni pa dy të korra. Ai pa se gjatë të korrurit të parë të drejtët do të mblidheshin nga të ligjtë (shih Zbulesa 14:14–16) dhe se gjatë të korrurit të dytë të ligjtë do të mblidheshin dhe do të shkatërroheshin përfundimisht (shih Zbulesa 14:17–20).

Zbulesa 15–16

Gjoni i sheh të drejtët në mbretërinë çelestiale dhe shtatë plagë në ditët e mëvonshme

Zbulesa 15:2–4 përmban përshkrimin e mëtejshëm të Apostullit Gjon se si do të jetë për ata që e mposhtin Satanin dhe shpëtohen në mbretërinë çelestiale. Pjesa tjetër e Zbulesës 15–16 përmban përshkrimin e tij për shtatë plagët që do të mundonin të ligjtë në ditët e fundit. Këto plagë do të paraprijnë Ardhjen e Dytë të Zotit.

Në vegimin e Gjonit, çdo plagë përfaqësohej nga një engjëll duke derdhur një “kup[ë]” ose tas, “plot me zemërimi[n e] Perëndisë” (Zbulesa 15:7). Lexojini fragmentet vijuese nga Zbulesa 16, duke kërkuar për shtatë plagët. Shkruani një përshkrim të shkurtër për secilën plagë pranë numrit përkatës te tabela vijuese:

Plaga 1: Zbulesa 16:2

Plaga 2: Zbulesa 16:3

Plaga 3: Zbulesa 16:4

Plaga 4: Zbulesa 16:8–9

Plaga 5: Zbulesa 16:10–11

Plaga 6: Zbulesa 16:12

Plaga 7: Zbulesa 16:17–21

Lexojeni Zbulesën 16:15, duke kërkuar se çfarë mund të bëjmë për të qenë të përgatitur për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit.

Fraza “ruan rrobat e veta që të mos ecë i zhveshur” (Zbulesa 16:15) i referohet të qenit shpirtërisht gati. Ata që “[veshin] rroba” dhe janë shpirtërisht gati do të veshin si përfundim rrobat e drejtësisë që u jepen të gjithë atyre, të cilët janë të denjë që të jetojnë me Perëndinë në mbretërinë çelestiale (shih Zbulesa 3:3–5; 7:13–17).

Juve mund t’ju duhet të shkruani ose shënoni të vërtetën vijuese në shkrimet tuaja të shenjta pranë Zbulesës 16:15: Nëse rrimë zgjuar dhe jemi gati nga ana shpirtërore, atëherë ne do të jemi të përgatitur për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit.

Është e rëndësishme të kujtojmë që Zoti e do popullin e Tij dhe do të vëzhgojë mbi të në ditët e fundit, madje edhe në mes të shkatërrimit të tmerrshëm dhe një beteje të madhe. Ne duhet të rrimë zgjuar dhe të jemi gati nga ana shpirtërore në mënyrë që të marrim mbrojtjen dhe bekimet e Zotit. Nëse doni të dini më shumë për Armagedonin që përmendet te Zbulesa 16:16, shih Bible Dictionary [Fjalorin Biblik] ose zërin te Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta “Armagedon”, f. 9.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Zbulesën 14–16 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër