Biblioteka
Njësia 26, Dita 2: 1 Thesalonikasve


Njësia 26: Dita 2

1 Thesalonikasve

Hyrje

Apostulli Pal u shkroi shenjtorëve në Thesaloniki pasi kishte mësuar se ata kishin qenë besnikë ndaj ungjillit në mes të përndjekjeve. Ai i lavdëroi ata për besnikërinë dhe gatishmërinë e tyre për ta dhënë mësim ungjillin. Pali u mësoi atyre gjithashtu për Ringjalljen e të vdekurve në Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit dhe u dha mësim atyre se si të përgatiteshin për Ardhjen e Dytë.

1 Thesalonikasve 1–2

Pali i lavdëron shenjtorët thesalonikas për besnikërinë e tyre gjatë pikëllimit

Gjejeni Thesalonikin në Hartat e Biblës, nr. 13, “Udhëtimet Misionare të Apostullit Pal”, që gjendet në shtojcën e kombinimit tresh. Shenjtorët në Thesaloniki ishin disa nga europianët e hershëm të kthyer në besim në Kishë. Pali, Sila dhe Timoteu kishin predikuar fillimisht atje gjatë udhëtimit të dytë misionar të Palit por u dëbuan nga qyteti prej disa udhëheqësve judeas (shih Veprat e Apostujve 17:5–15). Shenjtorët thesalonikas vazhduan të përndiqeshin madje edhe pasi Pali dhe shokët e tij [të misionit] u larguan. Më pas, Pali ua shkroi këtë letër shenjtorëve për t’i nxitur ata ndërkohë që përballeshin me përndjekjet.

  1. A jeni përpjekur ndonjëherë ta ndani ungjillin me dikë? Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani rreth përvojës suaj. Merrni parasysh pyetjet që vijojnë: Si u prit mesazhi juaj? Në çfarë mënyrash u bekuat për shkak të përpjekjeve tuaja për ta ndarë ungjillin? Cilat janë disa sfida që mund t’i përjetojmë ndërsa përpiqemi ta ndajmë ungjillin me të tjerët?

Ndërsa studioni 1 Thesalonikasve 1–2, kërkoni të vërteta që mund t’ju ndihmojnë ta ndani ungjillin me të tjerët.

Lexojeni 1 Thesalonikasve 1:5–6, duke kërkuar mënyrën se si Apostulli Pal e kishte ndarë ungjillin me thesalonikasit kur ishte me ta. Ju mund të doni t’i shenjoni termat fjalën dhe fuqinëvargun 5.

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi ndryshimin midis “fjalë[s]” dhe “fuqi[së]” së ungjillit.

Pamja
Plaku Brus R. Mek-Konki

“Ungjilli i vërtetë përbëhet nga dy gjëra: Fjala dhe Fuqia. Çdokush mund ta ketë fjalën; librat në të cilat është shkruar janë në dispozicion për mbarë botën. Por fuqia duhet të vijë nga Perëndia; ajo është dhe duhet të jepet sipas mendjes dhe vullnetit të tij për ata të cilët pajtohen me ligjin, duke u dhënë atyre të drejtën për ta marrë atë.

Fjala e ungjillit është rrëfimi i folur ose i shkruar i gjërave që duhet të bëjë njeriu për t’u shpëtuar. …

Por shpëtimi i vërtetë vjen vetëm kur fuqia e Perëndisë merret dhe përdoret; dhe kjo fuqi është fuqia e priftërisë dhe fuqia e Frymës së Shenjtë” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 3:42–43).

Merrni parasysh të shenjoni te 1 Thesalonikasve 1:6, atë që bënë thesalonikasit pasi u ishte mësuar ungjilli me anë të fjalës dhe fuqisë së Perëndisë.

Nga 1 Thesalonikasve 1:5–6 ne mund të mësojmë parimin vijues: Kur ne e japim mësim ungjillin e Jezu Krishtit me anë të fjalës dhe fuqisë së Perëndisë, ne mund t’i ndihmojmë të tjerët të bëhen pasues të Zotit dhe shërbëtorë të Tij.

Lexojeni 1 Thesalonikasve 1:7–9, duke kërkuar mënyrën se si shembulli i shenjtorëve thesalonikas ndikoi te besimtarët e tjerë përreth tyre.

Nga shembulli i shenjtorëve thesalonikas, ne mund të mësojmë të vërtetën vijuese: Ne mund ta ndajmë ungjillin nëpërmjet shembullit tonë.

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

Në thënien vijuese, nënvijëzojeni atë që tha Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë, se është mënyra më efikase për ta ndarë ungjillin: “Mënyra më efikase për të predikuar ungjillin është nëpërmjet shembullit. Nëse jetojmë sipas besimeve tona, njerëzit do ta vënë re. Nëse shëmbëlltyra e Jezu Krishtit shkëlqen në jetën tonë [shih Alma 5:14], nëse jemi të gëzuar dhe në paqe me botën, njerëzit do të dëshirojnë ta dinë përse. Një nga predikimet më të shkëlqyera të shqiptuara [si rrallë herë] mbi punën misionare është mendimi i thjeshtë që i atribuohet Shën Françeskut të Asisit: ‘Predikojeni ungjillin gjithmonë [me sjellje] dhe, nëse është e nevojshme, përdorni fjalët” [në William Fay dhe Linda Evans Shepherd, Share Jesus without Fear (1999), f. 22]” (“Duke Pritur në Rrugën për Damask”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 77).

Mendoni për një rast kur shembulli i dikujt tjetër ju ndihmoi qoftë ta pranonit ungjillin ose ta jetonit më plotësisht atë.

Te 1 Thesalonikasve 2:1–13, Pali shkroi për shërbesën e tij të hershme në Thesaloniki. Ai iu drejtua disa kritikëve në Thesaloniki, të cilët e vunë në pikëpyetje sinqeritetin dhe motivet e tij gjatë shërbesës së tij. Pali e mbrojti veten duke përshkruar mënyrën e sinqertë dhe të ndershme, sipas së cilës ai dhe shokët e tij [të misionit] u kishin mësuar shenjtorëve dhe u kishin shërbyer atyre. Fjalët e tij janë një mishërim i atyre [fjalëve] që gjenden te Doktrina e Besëlidhje 12:8: “Dhe askush s’mund të ndihmojë në këtë punë, nëse nuk do të jetë i përulur dhe plot dashuri, duke patur besim, shpresë dhe dashuri hyjnore”.

Pali nuk ishte kthyer ende në Thesaloniki pasi ishte dëbuar gjatë udhëtimit të tij të dytë misionar (shih Veprat e Apostujve 17:10). Ai tha se nuk kishte qenë në gjendje të kthehej sepse u “peng[ua]” nga Satani që ta bënte këtë gjë (1 Thesalonikasve 2:18). Pali nuk dha ndonjë hollësi mbi mënyrën se si e pengoi Satani që të kthehej në Thesaloniki, por qe e qartë se përndjekja nga judenjtë e kishte detyruar tanimë Palin të bënte shumë ecejake në udhëtimin e tij (shih Veprat e Apostujve 17:14–15).

1 Thesalonikasve 3–5

Pali u jep mësim shenjtorëve thesalonikas rreth Ardhjes së Dytë

Shenjoni nëse mendoni se pohimet vijuese rreth Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit janë të vërteta (V) ose të rreme (Rr):

  • ____ 1. Shenjtorët besnikë që vdesin përpara Ardhjes së Dytë nuk do të ringjallen deri në fund të Mijëvjeçarit.

  • ____ 2. Shenjtorët besnikë që janë gjallë në Ardhjen e Dytë do të rrëmbehen për ta takuar Krishtin kur Ai të vijë.

  • ____ 3. Ardhja e Dytë do ta befasojë çdokënd si një vjedhës natën.

Teksa studioni 1 Thesalonikasve 3–5, kërkoni të vërtetat rreth Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit, që do t’ju ndihmojnë të dini përgjigjet e sakta të pyetjeve me alternativa e vërtetë – e rreme (përgjigjet janë përfshirë edhe në fund të mësimit).

Te 1 Thesalonikasve 3:1–7 ne mësojmë se Timoteu i raportoi Palit se shenjtorët kishin qëndruar besnikë pavarësisht se po përjetonin përndjekje.

Lexojeni 1 Thesalonikasve 3:11–13, duke kërkuar atë që Pali shpresonte se do të bënte Zoti për shenjtorët, që t’i përgatiste ata për Ardhjen e Tij të Dytë. Merrni parasysh ta shenjoni ose shënoni në shkrimet tuaja të shenjta atë që gjeni.

Te 1 Thesalonikasve 4:1–12 ne mësojmë se Pali i nxiti shenjtorët të shenjtëroheshin ose të bëheshin të pastër e të kulluar, nëpërmjet bindjes ndaj urdhërimeve të Perëndisë, të cilat Pali dhe të tjerë ua kishin mësuar.

Pamja
Ardhja e Dytë

Shenjtorët thesalonikas i keqkuptuan disa aspekte të Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit. Ata u shqetësuan se mos anëtarët e Kishës në Thesaloniki, të cilët kishin vdekur, nuk do të ishin në gjendje t’i përjetonin bekimet e Ardhjes së Dytë.

Lexojeni 1 Thesalonikasve 4:13–14, 16, duke kërkuar atë që dha mësim Pali rreth shenjtorëve besnikë të cilët vdesin përpara Ardhjes së Dytë. Ai përdori fjalët flenë dhe fjetur për t’iu referuar atyre që kanë vdekur.

Nga këto vargje ne mësojmë të vërtetën vijuese: Shenjtorët besnikë që vdesin përpara Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit, do të ringjallen kur Ai të vijë sërish.

Fraza “Perëndia do të sjellë me të, me anë të Jezusit, ata që kanë fjetur” te 1 Thesalonikasve 4:14, do të thotë se shenjtorët besnikë që janë ringjallur në Ardhjen e Dytë do të rrëmbehen për të takuar Shpëtimtarin dhe do të zbresin me Të në lavdi (shih DeB 88:97–98).

Lexojeni 1 Thesalonikasve 4:15, 17, duke kërkuar atë që dha mësim Pali rreth shenjtorëve besnikë, të cilët janë gjallë kur Krishti të vijë sërish. Lexojeni gjithashtu Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it] të 1 Thesalonikasve 4:15, 17 (te 1 Thesalonikasve 4:15, poshtëshënimi a, [në variantin SHDM të Biblës në anglisht] dhe 1 Thesalonikasve 4:17, poshtëshënimi a, [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]).

Nga këto vargje ne mësojmë të vërtetën vijuese: Shenjtorët besnikë që janë gjallë në Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit do të rrëmbehen për ta takuar Atë kur Ai të vijë.

Lexojeni 1 Thesalonikasve 4:18, duke kërkuar atë që Pali shpresonte se do të bënin shenjtorët pasi t’i kishin mësuar këto të vërteta për Ardhjen e Dytë.

  1. Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Çfarë ngushëllimi gjeni në këto doktrina për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit?

Lexojeni 1 Thesalonikasve 5:1–3, duke kërkuar dy analogjitë që përdori Pali për të përshkruar kohën e Ardhjes së Dytë.

Çfarë mendoni ju se na mëson Pali me analogjinë e vjedhësit natën, rreth Ardhjes së Dytë?

Pamja
Plaku Brus R. Mek-Konki

Plaku Brus R. Mek-Konki shpjegoi: “[Zoti] do të vijë si vjedhësi natën, befasishëm dhe pa lajmëruar, në botë, tek ata që janë në errësirë shpirtërore, tek ata që nuk janë të ndriçuar nga fuqia e Shpirtit” (Doctrinal New Testament Commentary, 3:54; shih edhe Mateu 24:42–43).

Plaku Mek-Konki dha mësim gjithashtu sa vijon lidhur me analogjinë e gruas shtatzënë: “Ajo nuk e di orën apo minutën e ardhjes së fëmijës në jetë, por ajo e di kohën e përafërt” (Doctrinal New Testament Commentary, 3:54).

Bazuar në këtë analogji, ne mund të marrim parasysh edhe se si sprovat që i paraprijnë Ardhjes së Dytë janë të ngjashme me dhembjet e lindjes. Por sikurse ardhja e një foshnjeje në jetë është [diçka] e mrekullueshme, po ashtu do të jetë e mrekullueshme edhe Ardhja e Dytë për të drejtët.

Lexojeni 1 Thesalonikasve 5:4–6, duke kërkuar arsyen përse shenjtorët besnikë nuk do të befasohen nga Ardhja e Dytë. Ju mund të doni të shenjoni ose shënoni atë që gjeni.

Fraza “bij të dritës” në vargun 5 i referohet anëtarëve besnikë të Kishës, të cilët i “flaki[n] … veprat e errësirës” (Romakëve 13:12) dhe kanë shoqërimin e Frymës së Shenjtë dhe, si rrjedhojë, do të jenë të përgatitur për Ardhjen e Dytë (shih DeB 106:4–5).

Ne mësojmë parimin vijues nga 1 Thesalonikasve 5:4–6: Nëse jemi besnikë dhe rrimë zgjuar për shenjat që i paraprijnë Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit, atëherë ne do të jemi të përgatitur kur Ai të vijë sërish.

Pamja
Presidenti Jozef Filding Smith

Presidenti Jozef Filding Smith dha mësim se mënyrat se si mund të përgatitemi për Ardhjen e Dytë janë “t’ua vëmë veshin fjalëve të Krishtit, apostujve të Tij dhe të rrimë zgjuar” (Doctrines of Salvation, përmb. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–1956], 3:53).

Rishikojini përgjigjet tuaja në pyetjet me alternativa e vërtetë – e rreme, në fillim të këtij mësimi. Bazuar në të vërtetat që keni mësuar, a do të ndryshonit ndonjë nga përgjigjet tuaja?

Te 1 Thesalonikasve 5:7–22, Apostulli Pal i këshilloi shenjtorët mbi mënyrën se si të përgatiten për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit.

Lexojeni 1 Thesalonikasve 5:12–22, duke kërkuar atë që u këshilloi Pali shenjtorëve të bënin për ta përgatitur veten dhe të tjerët që të takonin Shpëtimtarin në Ardhjen e Tij të Dytë.

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Cila është një pjesë e këshillës nga 1 Thesalonikasve 5:14–22 që iu bën përshtypje?

    2. Si mund t’ju ndihmojë ju dhe të tjerët të jetuarit e kësaj këshille që të përgatiteni për Ardhjen e Dytë?

Lexojeni 1 Thesalonikasve 5:23–24, duke kërkuar atë që Pali tha se do të bënte Perëndia për shenjtorët e Tij besnikë ndërsa ata përgatiten për Ardhjen e Dytë.

Bazuar tek ajo që keni mësuar sot, përcaktoni se çfarë do të bëni që ta përgatitni veten tuaj më mirë për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit. Shkruajini synimet dhe planet tuaja në një fletë letre dhe vendoseni letrën diku ku do t’ju ndihmojë t’i kujtoni ato synime dhe plane.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar 1 Thesalonikasve dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër