Biblioteka
Njësia 29, Dita 2: Jakob 4–5


Njësia 29: Dita 2

Jakob 4–5

Hyrje

Apostulli Jakob i këshilloi shenjtorët që ta kundërshtonin djallin, të afroheshin më pranë Perëndisë dhe t’i përballonin vuajtjet me durim ndërkohë që prisnin Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit. Ai dha mësim se të sëmurët duhej të “thërr[isnin] pleqtë e kishës” (Jakob 5:14) për t’u administruar atyre. Jakobi dha gjithashtu mësim për rëndësinë e të ndihmuarit të mëkatarëve që të pendohen.

Jakob 4

Jakobi i këshillon shenjtorët që të afrohen më pranë Perëndisë dhe ta kundërshtojnë djallin

Mendoni për një pjesëtar të familjes apo për një mik me të cilin ndiheni të afërt. Përse ndiheni të afërt me këtë person?

Si u afruat me këtë person?

Tani merreni në shqyrtim se sa afër ndiheni me Perëndinë. Si do të bekohet jeta juaj nga pasja e një marrëdhënieje të fortë me Perëndinë?

Ndërsa e studioni Jakobin 4, kërkoni të vërteta që mund t’ju ndihmojnë ta forconi marrëdhënien tuaj me Perëndinë.

Siç shënohet te Jakobi 4:1–3, Jakobi i qortoi shenjtorët që iu dhanë dëshirave tokësore. Lexojeni Jakobin 4:4, duke kërkuar llojin e miqësisë për të cilën Jakobi i paralajmëroi shenjtorët. Fjala armiqësi do të thotë hasmëri ose urrejtje.

Këshilla e Jakobit në vargun 4 nuk do të thotë se ne duhet ta shmangim shoqërimin me individë që nuk janë anëtarë të Kishës. Përkundrazi, ne duhet ta shmangim përqafimin dhe ndjekjen e mësimeve të rreme dhe të dëshirave, standardeve dhe praktikave të padrejta të botës. Jakobi dha mësim se miqësia me botën (materializmin) do të na bënte armiq me Perëndinë.

Lexojeni Jakobin 4:6–8, duke kërkuar atë që Jakobi i këshilloi shenjtorët të bënin.

Bazuar tek ajo që mësuat nga Jakobi 4:8, plotësoni parimin vijues: Kur afrohemi më pranë Perëndisë, . Merreni parasysh t’i shenjoni fjalët në Jakobin 4:8 që na e mësojnë këtë parim. Ky parim pohohet në zbulesën e sotme (shih DeB 88:63).

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, krijoni një listë të asaj që mund të bëni për t’u afruar më pranë Perëndisë.

Një mënyrë se si mund të afroheni më pranë Perëndisë, është të ndiqni këshillat e Palit për t’i “pastr[uar] duart tuaja” dhe për t’i “pastr[uar] zemrat” (Jakob 4:8). Siç përdoren në shkrimet e shenjta, duart mund të përfaqësojnë veprimet tona dhe zemra mund të përfaqësojë dëshirat tona. Përsiatni se si mund të na ndihmojnë pasja e duarve të pastra dhe e një zemre të pastër për t’u afruar më pranë Perëndisë.

Lexojeni Jakobin 4:9–12, 17, duke kërkuar këshillat shtesë që Jakobi u dha shenjtorëve për t’i ndihmuar ata të afroheshin më pranë Perëndisë. Shpjegoni se fraza “të qeshurit tuaj le të kthehet në zi” në vargun 9, i referohet të ndierit të trishtimit sipas Perëndisë për mëkatin.

Sipas Jakobit 4:17, çfarë dha mësim Jakobi se është mëkat?

Nga Jakobi 4:17 ne mund të mësojmë që nëse dimë të bëjmë mirë, por zgjedhim të mos e bëjmë atë, [atëherë] ne bëjmë mëkat. Merreni parasysh t’i shenjoni fjalët te Jakobi 4:17 që na e mësojnë këtë të vërtetë.

Si mendoni ju, përse është mëkat t’i dimë gjërat e mira që duhet të bëjmë, por zgjedhim të mos i bëjmë ato?

Presidenti Xhejms E. Faust, i Presidencës së Parë, dha një shtjellim të kësaj të vërtete. Fjala mosveprim në këtë kontekst i referohet veprimeve të mira që duhet t’i bëjmë, por që i shpërfillim apo i lëmë pa bërë.

Pamja
Presidenti Xhejms E. Faust

“Kam frikë se disa prej mëkateve tona më të mëdha janë mëkatet e mosveprimit. Këto janë disa nga gjërat më të rëndësishme të ligjit që Shpëtimtari tha se ne nuk duhet t’i lëmë pa bërë [shih Mateu 23:23]. Këto janë veprimet përkujdesëse, dashamirëse që ne nuk arrijmë t’i bëjmë dhe ndihemi shumë fajtorë që i kemi shpërfillur ato.

Kur isha një djalë i vogël në fermë, gjatë nxehtësisë përcëlluese të verës, më kujtohet gjyshja ime, Meri Finlinsoni, që i gatuante vaktet tona të shijshme në një sobë të nxehtë me dru. Kur arka me dru që ishte pranë sobës zbrazej, gjyshja e merrte qetësisht arkën, dilte jashtë për ta mbushur sërish nga stiva me dru cedri që ishte përjashta dhe e sillte arkën e ngarkuar rëndë përsëri në shtëpi. Unë isha kaq i pandjeshëm dhe kaq i interesuar për muhabetin në kuzhinë, saqë rrija ulur atje dhe lija gjyshen time të dashur që ta rimbushte arkën me dru të kuzhinës. Më vjen turp nga vetja dhe kam ndier keqardhje për mosveprimin tim gjatë gjithë jetës sime. Shpresoj që një ditë t’i kërkoj falje asaj” (“The Weightier Matters of the Law: Judgment, Mercy, and Faith”, Ensign, nëntor 1997, f. 59).

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Cilët janë disa shembuj të “mëkate[ve të] mosveprimit” që mund t’ju pengojnë nga afrimi më pranë Perëndisë?

    2. Çfarë është një gjë që do të bëni për t’u afruar më pranë Perëndisë? Zotohuni të veproni sipas çdo nxitjeje që merrni, e cila do t’ju ndihmojë ta përmbushni këtë synim.

Jakob 5

Jakobi u mëson shenjtorëve që ta përballojnë vuajtjen me durim dhe i udhëzon të sëmurët që të thërrasin pleqtë

Te Jakobi 5:1–6 ne lexojmë se Apostulli Pal i dënoi të pasurit që e keqpërdornin pasurinë e tyre dhe i përndiqnin të drejtët. Ai paralajmëroi se ata i priste mjerimi dhe gjykimi.

Lexojeni Jakobin 5:7–11, duke kërkuar atë që Jakobi i udhëzoi shenjtorët të bënin ndërsa përballeshin me vuajtjen, ndërkohë që prisnin Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit.

Këto vargje tregojnë marrëdhënien midis provave dhe durimit dhe mënyrës se si besnikët, ashtu si Jobi, i përgjigjen vuajtjes dhe fatkeqësisë. Te Jakobi 5:10, vini re se te cilët mund të shikonin shenjtorët si shembuj të njerëzve që e përballuan vuajtjen me durim.

Renditni disa shembuj nga shkrimet e shenjta të profetëve që e përballuan vuajtjen me durim:

Merreni parasysh se çfarë këshille do t’i jepnit një shoku që thotë: “Ndihem shumë keq. Kam qenë sëmurë për më shumë se një javë. Kam shkuar te doktori dhe kam marrë mjekime, por përsëri nuk ndiej ndonjë përmirësim. Nuk di se çfarë tjetër duhet të bëj”.

Lexojeni Jakobin 5:13–16, duke kërkuar atë që Jakobi u këshilloi të bënin atyre që ishin të sëmurë dhe të vuajtur.

Pamja
Plaku Dallin H. Ouks

Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim: “Kur pleqtë vajosin një të sëmurë dhe e vulosin vajosjen, ata hapin pragjet e qiellit që Zoti të derdhë bekimin që Ai dëshiron për personin që vuan” (“Shërimi i të Sëmurëve”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 48)

Pamja
një e re e sëmurë duke marrë një bekim

Shikojeni përsëri Jakobin 5:15. Përveç fuqisë së priftërisë, çfarë tjetër tha Jakobi do t’i shpëtonte apo shëronte të sëmurët?

Një e vërtetë që mund të mësojmë nga Jakobi 5:14–16 është që nëpërmjet lutjes së besimit dhe fuqisë së priftërisë, të sëmurët mund të shërohen.

Plaku Ouks dha mësim sa vijon rreth lutjes me besim dhe fuqisë shëruese të priftërisë:

Pamja
Plaku Dallin H. Ouks

“Ndërsa ushtrojmë fuqinë e padyshimtë të priftërisë së Perëndisë dhe ndërsa e ruajmë si thesar premtimin e Tij se Ai do ta dëgjojë e do t’i përgjigjet lutjes së bërë me besim, ne duhet të mbajmë mend gjithmonë se besimi dhe fuqia shëruese e priftërisë nuk mund të sjellin një rezultat të kundërt me vullnetin e Atij e të cilit është priftëria. …

… Edhe shërbëtorët e Zotit, kur e ushtrojnë fuqinë e Tij hyjnore në një rrethanë ku ka besim të mjaftueshëm për t’u shëruar, nuk mund të japin një bekim priftërie që do t’i sjellë shërim një personi, nëse ai shërim nuk është vullneti i Zotit.

Si fëmijë të Perëndisë, duke e njohur dashurinë e Tij të madhe dhe diturinë themelore se çfarë është më e mira për mirëqenien tonë të përjetshme, ne i mirëbesojmë Atij. Parimi i parë i ungjillit është besim në Zotin Jezu Krisht, dhe besim do të thotë mirëbesim. E ndjeva atë mirëbesim në bisedën që një kushëriri im dha në varrimin e një vajze adoleshente e cila kishte vdekur nga një sëmundje e rëndë. Ai tha këto fjalë, të cilat në fillim më tronditën e më pas më lartësuan: ‘Unë e di se ishte vullneti i Zotit që ajo të vdiste. Asaj iu dha një trajtim i mirë mjekësor. Iu dhanë bekime të priftërisë. Emri i saj qe në listën e lutjeve në tempull. Ajo u bë tema e qindra lutjeve për rikthimin e shëndetit të saj. Dhe unë e di se ka mjaft besim në këtë familje saqë ajo do të ishte shëruar, po të mos ishte vullneti i Zotit që ta merrte në shtëpi në këtë kohë.’ Po atë mirëbesim e ndjeva në fjalët e babait të një tjetër vajze të veçantë, jeta e së cilës u mor nga kanceri në moshën e saj adoleshente. Ai tha: ‘Besimi i familjes sonë është te Jezu Krishti dhe nuk varet nga rezultatet.’ Ato mësime mua më tingëllojnë të vërteta. Ne bëjmë gjithçka që mundemi për shërimin e një njeriu të dashur dhe pastaj ia besojmë rezultatin Zotit” (“Shërimi i të Sëmurëve”, f. 50).

Si na ndihmojnë mësimet e Plakut Ouks për të kuptuar fuqinë shëruese të priftërisë? Pse besimi dhe lutjet tona duhet të jenë në harmoni me vullnetin e Perëndisë? (Shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Lutje”.)

  1. Përfytyroni sikur një nga miqtë tuaj apo një pjesëtar i familjes është i sëmurë. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruajini një letër atij personi duke i shpjeguar atë që keni mësuar rreth fuqisë shëruese të priftërisë. Sigurohuni të shpjegoni se përse është e rëndësishme që besimi ynë në Jezu Krisht të mos varet nga rezultati i një bekimi të priftërisë. Përfshini çfarëdo shembulli të njerëzve që ju njihni, të cilët janë bekuar nëpërmjet lutjeve me besim dhe fuqisë së priftërisë.

Jakobi e krahasoi gjithashtu shërimin e të sëmurëve me faljen e mëkatit (shih Jakob 5:16).

Pamja
Plaku Brus R. Mek-Konki

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se përulësia dhe besimi që na kërkohen për t’u shëruar fizikisht janë të njëjta si përulësia dhe besimi që na kërkohen për të marrë falje: “Ka … raste të shenjta, në të cilat njerëzit janë të privilegjuar të ngjiten në ato lartësi shpirtërore ku ata marrin miratimin shfajësues të Shpirtit për sjelljen e tyre dhe, si rrjedhojë, falen për mëkatet e tyre. Jakobi e quajti ordinancën e administrimit të të sëmurëve si njërin prej këtyre rasteve. … Personi, i cili me anë të besimit, përkushtimit, drejtësisë dhe denjësisë vetjake është në gjendje të shërohet, është gjithashtu në gjendje të ketë miratimin shfajësues të Shpirtit për drejtimin e jetës së tij, dhe mëkatet i falen, siç dëshmohet nga fakti që ai merr shoqërimin e Shpirtit, të cilin ai nuk do ta kishte nëse do të ishte i padenjë” (Mormon Doctrine, bot. i 2-të [1966], f. 297–298).

Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë se dikush që nuk shërohet kur i jepet një bekim priftërie nuk është i denjë. Të gjitha bekimet jepen sipas kuptueshmërisë më të madhe të Perëndisë, dhe ne mund ta ndiejmë dashurinë e Tij dhe paqen e Shpirtit ta pohojë denjësinë tonë.

Siç shënohet te Jakobi 5:17–20, Jakobi iu referua profetit Elia si shembulli i një personi që përdori fuqinë e lutjes së zjarrtë. Ai i këshilloi gjithashtu shenjtorët që t’i ndihmonin mëkatarët të pendoheshin. Te Jakobi 5:20 vini re bekimet e premtuara që u vijnë atyre, të cilët “e kthe[jnë] mëkatarin nga të gabuarit e rrugës së tij”.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Jakobin 4–5 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër