Biblioteka
Njësia 13, Dita 2: Gjoni 3


Njësia 13: Dita 2

Gjoni 3

Hyrje

Një natë një farise, i quajtur Nikodemi, iu afrua Jezusit dhe bashkëbisedoi me Të. Jezusi i mësoi Nikodemit se të gjithë njerëzit duhet të rilinden që të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë. Më vonë, Gjon Pagëzori u shpjegoi dishepujve të tij se roli i tij ishte që të përgatiste udhën për Jezu Krishtin.

Gjoni 3:1–21

Jezusi i mëson Nikodemit të vërteta shpirtërore

Përfytyroni që një ditë, teksa po diskutoni për fenë me disa shokë ose shoqe, një prej tyre thotë: “Për aq kohë sa jam një njeri i mirë, unë mund të shkoj në qiell”. Mendoni se si do t’i përgjigjeshit shokut ose shoqes suaj.

Ndërsa studioni Gjonin 3, kërkoni gjërat që Jezusi i dha mësim se duhet t’i bëjmë për të hyrë në mbretërinë e Perëndisë.

Pranë fillimit të shërbesë së Tij, Shpëtimtari shkoi në Jerusalem që të festonte Pashkën. Shumë njerëz në Jerusalem besuan te Jezusi kur i panë mrekullitë që kreu Ai (shih Gjoni 2:23–25).

Lexoni Gjonin 3:1–2, duke kërkuar kush erdhi ta vizitonte Shpëtimtarin ndërkohë që Ai ishte në Jerusalem.

Pamja
Jezusi dhe Nikodemi

Jezusi duke folur me Nikodemin

Si “një krer i judenjve” (Gjoni 3:1), Nikodemi ishte një anëtar i Sinedrit. Sinedri ishte një këshill qeverisës, i përbërë nga farisenjtë dhe saducenjtë, i cili udhëhiqte shumë prej punëve civile dhe fetare të popullit judeas.

Si mendoni, përse Nikodemi mund të ketë ardhur për ta vizituar Jezusin natën?

Pranimi i Nikodemit që Jezusi ishte “një mësues i ardhur nga Perëndia” (Gjoni 3:2), sugjeron që ai donte të mësonte nga Jezusi.

Lexoni Gjonin 3:3–5, duke kërkuar se çfarë mësimi i dha Shpëtimtari Nikodemit. (Gjoni 3:5 është një fragment i zotërimit të shkrimit të shenjtë. Ju mund të doni ta shenjoni atë në një mënyrë të dallueshme, që t’ju ndihmojë ta gjeni në të ardhmen.)

Jezusi i mësoi Nikodemit se çdo njeri duhet të rilindet. Çfarë mendoi Nikodemi se donte të thoshte Shpëtimtari nëpërmjet fjalës “rilindur” (Gjoni 3:3)?

Të jesh i rilindur është “të kesh Shpirtin e Zotit, që të shkaktojë një ndryshim të fuqishëm në zemrën e një njeriu, sa ai [ose ajo] nuk ka më dëshirë të bëjë keq, por më tepër dëshiron të kërkojë gjërat e Perëndisë” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Lindur (i) Përsëri, Lindur (i) nga Perëndia”, scriptures.lds.org; shih Mosia 5:2; 27:25–26).

Pamja
Profeti Jozef Smith

Profeti Jozef Smith dha mësim: “Të lindesh përsëri vjen nga Shpirti i Perëndisë nëpërmjet ordinancave” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smithi [2009], f. 100).

Ju mund të doni të shenjoni dy gjëra te Gjoni 3:5 që Jezusi na mësoi se janë të nevojshme për të hyrë në mbretërinë e Perëndisë.

Të lindemi nga uji do të thotë të pagëzohemi dhe të lindemi nga Shpirti do të thotë të marrim dhuratën e Frymës së Shenjtë.

Plotësoni të vërtetën vijuese duke u bazuar tek ajo që mësuat nga Gjoni 3:5: janë të nevojshme për të qenë të rilindur shpirtërisht dhe për të marrë ekzaltim në mbretërinë çelestiale. Merrni parasysh ta shkruani këtë të vërtetë në shkrimet tuaja të shenjta pranë Gjonit 3:5.

Pamja
Presidenti Bojd K. Paker

Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpalli: “Sjellja e mirë pa ordinancat e ungjillit as nuk do ta shëlbojë, as nuk do të ekzaltojë njerëzimin; besëlidhjet dhe ordinancat janë thelbësore” (“The Only True Church”, Ensign, nëntor 1985, f. 82).

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani një përgjigje ndaj një shoku ose shoqeje që tha se thjesht të qenit një njeri i mirë është i mjaftueshëm për të hyrë në mbretërinë e Perëndisë. Kujtoni që ta përdorni atë që tha Jezusi te Gjoni 3:5 në përgjigjen tuaj.

Te Gjoni 3:6–12 ne lexojmë se pasi Jezusi i dha mësim Nikodemit që çdo njeri duhet të rilindet shpirtërisht, Nikodemi e pyeti Jezusin se çfarë e bën të mundur për dikë që të rilindet. Jezusi u përgjigj duke pyetur se si Nikodemi mund të ishte një udhëheqës fetar i popullit dhe nuk e kuptonte atë që Jezusi po e jepte mësim.

Lexoni Gjonin 3:13–15, duke kërkuar se si Jezusi iu përgjigj pyetjes së Nikodemit rreth asaj që e bën të mundur rilindjen shpirtërore. Vini re te Gjoni 3:13 që Jezusi dëshmoi për veten e Tij si Biri i Perëndisë që zbriti nga qielli.

Te Gjoni 3:13, Jezusi i dha mësim Nikodemit se askush nuk mund të ngjitet në qiell nëpërmjet përpjekjeve të veta. Krishti është i vetmi që mund të ngjitet në qiell Vetë.

Pamja
Moisiu dhe Gjarpri prej Bronzi

Gjatë kohës që Moisiu dhe fëmijët e Izraelit po endeshin nëpër shkretëtirë, Zoti dërgoi gjarpërinj flakërues, ose helmues, si pasojë e mëkatimit të izraelitëve kundër Perëndisë. Izraelitët helmoheshin kur gjarpërinjtë i kafshonin ata. Zoti e udhëzoi Moisiun të bënte një gjarpër prej bronzi, që dukej si gjarpërinjtë flakërues dhe ta ngjiste mbi një shtizë. Ai premtoi se cilido izraelit që shihte te gjarpri mbi shtizë, do të shërohej. (Shih Numrat 21:4–9.)

Në çfarë mënyrash është përvoja e ngritjes së gjarprit prej bronzi nga ana e Moisiut, e ngjashme me atë që Jezu Krishti do të bënte për çdo njeri?

Pamja
Kryqëzimi

Vini re bekimin e shpallur te Gjoni 3:15 që u vjen atyre që shohin te Shpëtimtari.

Jezusi i dha mësim Nikodemit se gjithë njerëzimi mund të fitojë jetë të përjetshme nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.

Shpëtimtari gjithashtu i mësoi Nikodemit një doktrinë të rëndësishme rreth Atit Qiellor. Lexoni Gjonin 3:16–17, duke kërkuar një doktrinë që mund ta mësojmë rreth Atit Qiellor.

Gjoni 3:16–17 jep mësim që Ati Qiellor i do kaq shumë fëmijët e Tij, saqë Ai dërgoi Birin e Tij të Vetëmlindur për të vuajtur për mëkatet e tyre.

Përsiatni se si të dërguarit në tokë të Birit të Tij, Jezu Krishtit, tregon dashurinë e Atit Qiellor për secilin prej nesh.

Pamja
Plaku Dallin H. Ouks

Teksa lexoni thënien vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, merrni parasysh se si ndiheni kur e kuptoni se sa shumë ju do Ati Qiellor: “Nuk ka provë më të madhe për fuqinë e pafundme dhe përsosmërinë e dashurisë së Perëndisë nga ajo që shpallet prej Apostullit Gjon: ‘Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin’ (Gjoni 3:16). … Mendoni se sa duhet të jetë hidhëruar Ati ynë Qiellor ngaqë dërgoi Birin e Tij për të duruar për mëkatet tona vuajtje që nuk mund të kuptohet. Kjo është prova më e madhe e dashurisë së Tij për secilin prej nesh!” (“Love and Law”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 26).

  1. Lexoni Gjonin 3:16 dhe Doktrinën e Besëlidhjet 34:3, duke kërkuar atë që mund të mësojmë rreth dashurisë së Atit dhe dashurisë së Jezu Krishtit. Më pas, në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani se si ndiheni kur e dini që Ati Qiellor ju do kaq shumë, saqë Ai dërgoi Birin e Tij të Vetëmlindur për të vuajtur dhe për të vdekur për ju.

Një parim shtesë që mund të mësojmë nga Gjoni 3:16–17 është që, nëse besojmë në Jezu Krishtin, gjë që përfshin pendimin për mëkatet tona dhe bindjen ndaj fjalës së Tij, ne mund të kemi jetë të përjetshme nëpërmjet Shlyerjes së Tij.

  1. Rishikoni të vërtetat e renditura në këtë mësim që Jezusi ia mësoi Nikodemit. Shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta se si këto të vërteta lidhen me njëra-tjetrën. Më pas shkruani frazën vijuese: Unë do ta tregoj besimin tim në Jezu Krishtin duke … Përfundojeni këtë frazë duke shkruar se çfarë do të bëni për ta treguar besimin tuaj në Jezu Krishtin.

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – Gjoni 3:5

  1. Fragmenti i zotërimit të shkrimit të shenjtë te Gjoni 3:5 na mëson një doktrinë të rëndësishme, të nevojshme për të gjithë fëmijët e Atit Qiellor. Mësimi përmendsh i tij do t’ju ndihmojë ta ndani atë me të tjerët gjatë gjithë jetës suaj. Shkruajeni të gjithë vargun në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta. Recitojeni vargun në mënyrë të përsëritur dhe fshini disa nga fjalët çdo herë që e recitoni atë. Bëjeni këtë derisa ju mund ta recitoni atë përmendsh. Ju mund të doni ta recitoni atë për një anëtar të familjes ose një mik/e që të siguroheni se e dini.

Gjoni 3:22–36

Gjon Pagëzori na mëson se Jezusi është Krishti

Nëse është e mundur, mbusheni një gotë qelqi ose një enë të tejdukshme për të pirë me ujë dhe shtoni një ose dy pika nga ngjyruesi ushqimor në ujë. Shiheni ngjyruesin që shpërndahet nëpër të gjithë enën. Mendoni rreth mënyrës se si ngjyruesi ushqimor mund të krahasohet me ndikimin tonë mbi njerëzit e tjerë.

Lexoni thëniet vijuese nga Presidenti Dejvid O. Mek-Kei, duke kërkuar çfarë mund të mësoni rreth ndikimit tuaj në jetën e të tjerëve:

Pamja
Presidenti Dejvid O. Mek‑Kei

“Çdo njeri që jeton në këtë botë zotëron ndikim, qoftë për mirë apo për keq. Nuk është vetëm ajo që ai thotë, nuk është vetëm ajo që ai bën. Është çfarë ai është” (Teachings of Presidents of the Church: David O. McKay [2003], f. 227).

“Ndikimi i fjalëve dhe veprimeve tona është i jashtëzakonshëm në këtë botë. Në çdo çast të jetës ju po ndryshoni në një farë shkalle jetën e tërë botës” (Teachings: David O. McKay, f. 227).

Siç shënohet te Gjoni 3:22–26, disa nga dishepujt e Gjon Pagëzorit ishin të shqetësuar. Ata i thanë Gjonit se Jezusi po pagëzonte dhe se Ai i “pranon[te] të gjithë njerëzit që vijnë tek ai” (Joseph Smith Translation, Gjoni 3:27 [në Biblën në anglisht Gjoni 3:26, shënimi a në fund të faqes]). Ata u shqetësuan se shumë njerëz po ndiqnin Jezusin në vend të Gjon Pagëzorit.

Lexoni Gjonin 3:27–30, duke kërkuar se si Gjon Pagëzori me përulësi e përshkroi rolin e tij në lidhje me Jezu Krishtin.

Në analogjinë e Gjon Pagëzorit, dhëndri përfaqëson Jezusin, nusja mund të përfaqësojë ata që po vinin te Krishti dhe miku i dhëndrit përfaqëson Gjon Pagëzorin. Çfarë kuptoi Gjon Pagëzori rreth rolit të tij në lidhje me Jezu Krishtin? Çfarë lloj ndikimi mendoni se do të kishin pasur fjalët e Gjonit te ju, në qoftë se do të kishit qenë njëri prej dishepujve të Gjonit?

Një e vërtetë që mund ta mësojmë nga shembulli i Gjon Pagëzorit është që ne mund t’i ndikojmë të tjerët për mirë duke i drejtuar ata te Jezu Krishti.

Përse është kaq e rëndësishme që ne ta përdorim ndikimin tonë për t’i drejtuar të tjerët te Jezu Krishti?

  1. Mendoni për dikë që e keni parë t’i drejtojë të tjerët te Jezu Krishti. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, përshkruani karakteristikat e këtij personi që luajtën rol në qenien e tij ose të saj në gjendje për t’i ndikuar të tjerët që ta donin dhe ta pranonin Shpëtimtarin.

Merrni parasysh mënyra sipas të cilave ju mund t’i drejtoni të tjerët te Shpëtimtari. Ju mund të kërkoni udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë në përpjekjet tuaja për ta bërë këtë gjë.

Te Gjoni 3:31–36, Gjon Pagëzori shpalli që Jezusi ishte dërguar nga Perëndia dhe që të gjithë ata që besojnë tek Ai mund të marrin jetë të përjetshme.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Gjonin 3 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër