Biblioteka
Njësia 4, Dita 4: Mateu 16–17


Njësia 4: Dita 4

Mateu 16–17

Hyrje

Jezu Krishti i qortoi farisenjtë dhe saducenjtë që i kërkuan Atij një shenjë të hyjnisë së Tij. Pjetri dha dëshmi se Jezusi është Krishti, dhe atij iu premtuan çelësat e mbretërisë së qiejve. Jezu Krishti, Moisiu, dhe Elia i dhanë çelësat e priftërisë Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit në Malin e Shpërfytyrimit. Pasi zbritën nga mali, Jezusi dëboi një demon nga një djalë. Në Kapernaum, Jezusi siguroi në një mënyrë të mrekullueshme pará për të paguar taksat.

Mateu 16

Shpëtimtari i qorton farisenjtë e saducenjtë dhe i premton Pjetrit çelësat e priftërisë

Çfarë do t’i thoshit dikujt për ta ndihmuar të kuptonte arsyen përse ju besoni se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është e vetmja kishë e vërtetë në tokë?

Teksa studioni Mateun 16, kërkoni të vërteta që mund t’ju ndihmojnë të kuptoni dhe t’u shpjegoni të tjerëve atë që e dallon Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme si Kisha e Zotit në tokë (shih DeB 1:30).

Te Mateu 16:1–12 ne lexojmë se Shpëtimtari i qortoi farisenjtë dhe saducenjtë kur ata i kërkuan Atij një shenjë të Hyjnisë së Tij. Ai më pas i këshilloi dishepujt e Tij që të mos i ndiqnin këta njerëz të ligj.

Shpëtimtari më pas shkoi me dishepujt e Tij “në krahinën e Cezaresë së Filipit” (Mateu 16:13; në këtë varg fjala krahinë i referohet rajonit apo territorit). Në fotografinë shoqëruese të Cezaresë së Filipit, çfarë shikoni pas lumit dhe pemëve?

Pamja
lumë me mur guri mbrapa

Burimet e lumit Jordan pranë Cezaresë së Filipit

Lexoni Mateun 16:13–19, duke kërkuar mënyrën se si Shpëtimtari e përdori simbolin e shkëmbit për të përshkruar themelin e Kishës së Tij. (Mateu 16:15–19 është një fragment për zotërimin e shkrimit të shenjtë. Ju mund të doni ta shenjoni këtë fragment në një mënyrë të dallueshme që të jeni në gjendje ta gjeni me lehtësi.)

Vini re te vargjet 16–17, se ishte nëpërmjet zbulesës nga Ati Qiellor që Pjetri mori dijeninë se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë. Pastaj Jezusi iu referua zbulesës ndërsa përshkroi themelin e Kishës së Tij.

Pamja
Profeti Jozef Smith

Profeti Jozef Smith shpjegoi: “Jezusi në mësimet e Tij thotë: ‘Mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kishën time dhe dyert e ferrit nuk do ta mundin atë’. [Mateu 16:18.] Cilin shkëmb? Zbulesën” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 204).

Ai gjithashtu dëshmoi: “Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme u themelua sipas zbulesës së drejtpërdrejtë, ashtu si ka qenë gjithmonë Kisha e vërtetë e Perëndisë, sipas Shkrimeve të Shenjta (Amosi 3:7 dhe Veprat e Apostujve 1:2)” (Mësimet: Jozef Smith, f. 204).

Merrni parasysh informacionin që vijon: “Ndërsa Shpëtimtari e mësoi Pjetrin për zbulesën, Ai përdori një lojë fjalësh me emrin e Pjetrit, duke i shpallur Simonit: ‘Ti je Pjetri [Petros] dhe mbi këtë shkëmb [petra] unë do të ndërtoj kishën time’ (Mateu 16:18). Fjala greke petros do të thotë një shkëmb i vogël i izoluar ose gur. Fjala greke petra mund të nënkuptojë gjithashtu ‘një gur’, por veç kësaj ajo mund t’i referohet edhe tokës gurore, themelit ose një mase të madhe shkëmbore [shih Mateu 16:18, shënimi a në fund të faqes (në variantin SHDM të Biblës në anglisht)]. Nga këto fjalë ne mësojmë që nuk ishte mbi Pjetrin si njeri që Kisha do të ndërtohej, por mbi themelin e zbulesës” (New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 53).

Ju mund të doni ta shkruani të vërtetën vijuese në shkrimet tuaja të shenjta pranë Mateut 16:18: Kisha e Jezu Krishtit është ndërtuar mbi bazën e zbulesës nga Perëndia.

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Përse është e rëndësishme që ju të dini se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është ndërtuar ose themeluar mbi bazën e zbulesës nga Perëndia?

    2. Si ndikon kjo në mënyrën se si e zbatoni këshillën nga profetët modernë kur ata marrin zbulesë për kohën tonë?

Rishikoni Mateun 16:19, duke kërkuar atë që Shpëtimtari premtoi t’i jepte Pjetrit.

Nga fjalët e Shpëtimtarit “Unë do të të jap çelësat e mbretërisë së qiejve,” ne mësojmë që Jezu Krishti ia beson çelësat e mbretërisë së Tij profetëve dhe apostujve të Tij të zgjedhur. Çelësat e mbretërisë së Tij janë çelësat e priftërisë dhe mbretëria të cilës iu referua Shpëtimtari është Kisha e Jezu Krishtit.

Pamja
Plaku Dallin H. Ouks

Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se çfarë janë çelësat e priftërisë dhe arsyen përse ata janë të rëndësishëm: “Çelësat e priftërisë janë autoriteti që Perëndia u ka dhënë [mbajtësve] të priftërisë për të drejtuar, kontrolluar dhe qeverisur përdorimin e priftërisë së Tij në tokë’ [Manuali 2: Administrimi i Kishës (2010), 2.1.1]. Çdo veprim ose ordinancë e kryer në Kishë bëhet nën autorizimin e drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë të personit që mban çelësat për atë funksion” (“Çelësat dhe Autoriteti i Priftërisë”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 49).

Çelësat që Shpëtimtari i premtoi Pjetrit përfshinë fuqinë vulosëse – fuqinë për të lidhur ose zgjidhur në tokë dhe në qiell. Kjo fuqi na lejon që ordinancat e kryera nën autoritetin e udhëheqësve të Kishës në tokë të jenë të vlefshme në qiell. Ajo përdoret edhe për t’i lidhur familjet së bashku për përjetësinë. Mateu 16:19 na ndihmon të kuptojmë arsyen përse Jezu Krishti ia jep çelësat e priftërisë profetëve dhe apostujve të Tij: Çelësat e priftërisë janë të nevojshëm për të administruar Kishën e Zotit në tokë. Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është e vetmja kishë në tokë që ka marrë dhe mban aktualisht autoritetin dhe çelësat e priftërisë nga Zoti.

Te Mateu 16:21–28,ne mësojmë se Jezusi foli për sakrificën e Tij shlyese dhe i mësoi dishepujt e Tij që edhe ata duhet të jenë të gatshëm të sakrifikojnë në mënyrë që ta ndjekin Atë. Përkthimi prej Joseph Smith-it jep një kuptueshmëri më të qartë për atë se çfarë do të thotë të marrësh kryqin mbi vete.

“Dhe tani për një njeri të marrë kryqin e tij, do të thotë t’i mohojë vetes gjithë paperëndishmërinë e çdo lakmi të botës dhe të zbatojë urdhërimet e mia.

Mos i shkelni urdhërimet e mia për të shpëtuar jetën tuaj; pasi ai që do ta shpëtojë jetën e tij në këtë botë, do ta humbasë atë në botën që do të vijë” (Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 16:26–27 [te shtojca e Biblës; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta]).

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – Mateu 16:15–19

  1. Gjeni një pjesëtar të familjes ose mik që t’ju ndihmojë ta interpretoni me role skenarin vijues:

    Përfytyroni sikur po flisni me një mik që nuk është anëtar i Kishës. Miku juaj bën pyetjet vijuese. Përdorni të vërtetat që keni mësuar nga Mateu 16:15–19 për t’ju përgjigjur pyetjeve të mikut tuaj.

    • Kam dëgjuar se kisha juaj pretendon të jetë e vetmja kishë e vërtetë e Jezu Krishtit. A është kjo ajo që besoni?

    • Edhe kisha ime beson te Jezu Krishti, kështu që përse mendoni se kisha juaj është e vetmja kishë e vërtetë?

    Pasi ta keni përfunduar interpretimin me role, kërkojini pjesëtarit të familjes ose mikut tuaj që të shkruajë në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta që e përfunduat këtë detyrë. Nëse një pjesëtar i familjes ose një mik nuk gjendet, ju thjesht mund t’u përgjigjeni pyetjeve të mësipërme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.

Mateu 17

Jezu Krishti, Moisiu, dhe Elia i japin çelësat e priftërisë Pjetrit, Jakobit, dhe Gjonit

Mendoni për mënyrën se si autoriteti i priftërisë mund të krahasohet me një patentë makine dhe se si çelësat e priftërisë mund të krahasohen me çelësat e nevojshëm për ta vënë në veprim mjetin.

Pamja
patentë, çelës makine

Përsiatni pyetjet vijuese: Çfarë e autorizon pasja e një patente makine një person që të bëjë? Përse është e rëndësishme të kesh mundësi për të pasur çelësat e makinës përveç pasjes së një patente makine? Si mund të krahasohet pasja e një patente makine dhe e çelësave për t’i dhënë makinës me autoritetin dhe çelësat e priftërisë të nevojshme për të drejtuar punën e Perëndisë?

Kur Zoti premtoi që t’i jepte Pjetrit “çelësat e mbretërisë së qiejve” (Mateu 16:19) ose autoritetin për të drejtuar punën e Perëndisë në tokë, Pjetrit dhe Apostujve të tjerë u ishte dhënë tashmë autoriteti i priftërisë, por atyre ende nuk u ishin dhënë çelësat e priftërisë për të drejtuar mbretërinë – Kishën e Jezu Krishtit. Teksa studioni Mateun 17, kërkoni mënyrën se si Pjetri, Jakobi dhe Gjoni i morën çelësat e mbretërisë.

Lexoni Mateun 17:1–2, duke kërkuar vendin ku Jezusi i çoi Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin për të marrë çelësat e priftërisë.

Çfarë i ndodhi Shpëtimtarit në mal?

Shpërfytyrimi i referohet “gjendj[es] [së] njerëzve që përkohësisht ndryshohen në pamjen e jashtme dhe natyrën fizike—domethënë ngrihen në një nivel më të lartë shpirtëror—kështu që ata të mund të durojnë praninë dhe lavdinë e qenieve qiellore” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shpërfytyrim”, scriptures.lds.org; shih edhe Bible Dictionary [Fjalorin Biblik] “Transfiguration, Mount of” [“Shpërfytyrim, Mali i”]). Edhe Pjetri, Jakobi e Gjoni u shpërfytyruan në atë rast (shih DeB 67:11–12).

Teksa lexoni Mateun 17:3, shtojini diagramit të mëposhtëm emrat e dy individëve të tjerë që ishin të pranishëm në Malin e Shpërfytyrimit. Vini re që Elia këtu i referohet Elijas/Elias, profetit të Dhiatës së Vjetër (shih Mateu 17:3, shënimi b në fund të faqes [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]). “Ka disa përdorime të kësaj fjale [Elias] në shkrimet e shenjta: 1) Elias është forma e Dhiatës së Re (greqisht) e emrit Elia (hebraisht), si te Lluka 4:25–26, Jakobi 5:17 dhe Mateu 17:1–4. Eliasi në këto raste mund të jetë vetëm profeti i lashtë Elia, shërbesa e të cilit është shënuar te 1 dhe 2 Mbretërve” (Bible Dictionary [Fjalori Biblik] “Elias” [“Elias”]; shih Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta, “Elias”,scriptures.lds.org).

Individët që ishin të pranishëm në Malin e Shpërfytyrimit

Mateu 17:1–2

Jezu Krishti

A.

Pamja
Gjon Pagëzori duke shuguruar Jozef Smithin, Oliver Kaudërin

Mateu 17:1–2

Pjetri, Jakobi dhe Gjoni

B.

Pamja
Vegimi i Parë

Mateu 17:3; Përkthimi prej Joseph Smith-it, Marku 9:3 tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta)

C.

Pamja
Pjetri, Jakobi, Gjoni duke shuguruar Jozef Smithin

Mateu 17:4–9

D.

Pamja
Elija shfaqet në Tempullin e Kirtlandit
Pamja
Profeti Jozef Smith

Lexoni thënien vijuese nga Profeti Jozef Smith dhe shenjoni arsyen përse Moisiu dhe Elija ishin të pranishëm në mal: “Shpëtimtari, Moisiu dhe Eliasi [Elija] ia dhanë çelësat [e priftërisë] Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit në mal, kur ata u shpërfytëruan para tij” (Mësimet: Jozef Smith [2009], f. 109).

Moisiu mbante çelësat e mbledhjes së Izraelit (shih DeB 110:11) dhe Elija mbante çelësat e fuqisë vulosëse (shih DeB 110:13–16).

Përkthimi i Biblës prej Joseph Smith-it pohon se Gjon Pagëzori – të cilin e kishte vrarë Herodi – u shfaq gjithashtu në mal (shih Përkthimi prej Joseph Smith-it, Marku 9:3 tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta). Fjalori Biblik [në variantin SHDM të Biblës në anglisht] pohon se “fjalët e PJS, Marku 9:3 nuk nënkuptojnë që Eliasi te Shpërfytyrimi ishte Gjon Pagëzori, por që përveç Elijas profetit, qe i pranishëm Gjon Pagëzori” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Elija” ). Shtoni Gjon Pagëzori te diagrami më sipër.

Lexoni Mateun 17:4–9, duke kërkuar se kush tjetër ishte i pranishëm në Malin e Shpërfytyrimit.

Shtoni Perëndia Ati te diagrami.

Pamja
Plaku Brus R. Mek‑Konki

Përvoja e Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit në Malin e Shpërfytyrimit ishte një ngjarje e rëndësishme në themelimin e Kishës së Jezu Krishtit në tokë. Plaku Brus R Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, pohoi: “Gjersa njerëzit të arrijnë një gjendje më të lartë të kuptimit shpirtëror nga ajo që gëzojnë tani, ata mund të mësojnë vetëm pjesërisht nga ajo që ndodhi në Malin e Shpërfytyrimit” dhe ajo që dimë është “prej rrëfimeve të Dhiatës së Re dhe nga drita shtesë e zbuluar nëpërmjet Jozef Smithit” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:399).

Ju mund të mbani mend se një periudhë ungjillore është një hark kohor në të cilin Ati Qiellor ia jep autoritetin e priftërisë dhe njohurinë për planin e Tij të shpëtimit njerëzve në tokë nëpërmjet shërbëtorëve të Tij të autorizuar (shih Bible Dictionary [Fjalorin Biblik] “Dispensations”, [“Periudhë”], ose Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta, “Periudhë”, scriptures.lds.org). Secili person i përcaktuar në diagram që ishte i pranishëm në Malin e Shpërfytyrimit, iu shfaq gjithashtu Profetit Jozef Smith në periudhën tonë ungjillore.

Vizatoni një vijë nga emrat e individëve të renditur në diagram për te figura përkatëse që paraqet rastin kur ata iu shfaqën Profetit Jozef Smith. Pasi ta keni përfunduar, kontrollojini përgjigjet tuaja duke përdorur informacionin vijues:

  1. Ati Qiellor dhe Jezu Krishti iu shfaqën Jozef Smithit gjatë Vegimit të tij të Parë (shih Joseph Smith—Historia 1:16–17).

  2. Gjon Pagëzori i dha çelësat e Priftërisë Aarone Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit (shih DeB 13).

  3. Pjetri, Jakobi dhe Gjoni i dhanë çelësat e Priftërisë Melkizedeke Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit (shih DeB 27:12).

  4. Elija i dha çelësat e fuqisë vulosëse Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit në Tempullin e Kirtlandit. Moisiu ia dha çelësat e mbledhjes së Izraelit atyre në të njëjtën ditë (shih DeB 110).

Nga ngjarjet që ndodhën në Malin e Shpërfytyrimit dhe përvojat e Profetit Jozef Smith në fillim të Rivendosjes, ne mësojmë se në secilën periudhë ungjillore, Perëndia ia jep çelësat e priftërisë shërbëtorëve të Tij të zgjedhur në mënyrë që ata të mund të drejtojnë punën e Tij në tokë.

Profetët dhe apostujt e sotëm mbajnë të njëjtët çelësa të priftërisë që mori Profeti Jozef Smith. Këta çelësa kanë kaluar nga Jozef Smithi nëpërmjet Brigam Jangut dhe profetëve pasues.

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Përse ndieni se është e rëndësishme të dimë që i njëjti model i dhënies së çelësave të priftërisë që ndodhi në kohën e Jezu Krishtit u përsërit në kohën tonë me Profetin Jozef Smith?

    2. Si do t’ia shpjegonit një miku që dhënia e çelësave të priftërisë prej lajmëtarëve qiellorë (engjëjve) Profetit Jozef Smith ndjek një model të vendosur nga Perëndia?

  2. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani një synim lidhur me atë që do të bëni për t’i ndjekur dhe mbështetur më mirë ata që i mbajnë çelësat e mbretërisë së qiellit në kohën tonë.

Në mbyllje të përvojës së shenjtë në Malin e Shpërfytyrimit, Shpëtimtari i urdhëroi ata: “Mos i flisni askujt për këtë vegim, derisa i Biri i njeriut të jetë ringjallur prej së vdekuri” (Mateu 17:9).

Pamja
Presidenti Bojd K. Paker

Merrni parasysh se si ky udhëzim është i ngjashëm me këshillën vijuese nga Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “Kam arritur në pikën që besoj se nuk është gjë e urtë të flasësh vazhdimisht për përvoja shpirtërore të pazakonta. Ato duhet të ruhen me kujdes dhe të tregohen vetëm kur vetë Shpirti ju nxit t’i përdorni ato për të bekuar të tjerët” (“The Candle of the Lord”, Ensign, janar 1983, f. 53).

Përse duhet të bëjmë kujdes me tregimin e përvojave të shenjta dhe ta bëjmë atë vetëm kur nxitemi nga Shpirti?

Te Mateu 17:10–27, ne mësojmë se Jezu Krishti dëboi një demon nga një djalë dhe siguroi mrekullisht paratë e taksës për Veten dhe Pjetrin.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Mateun 16–17 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër