Biblioteka
Njësia 5, Dita 2: Mateu 21:1–16


Njësia 5: Dita 2

Mateu 21:1–16

Hyrje

Jezusi e bëri hyrjen e Tij ngadhënjimtare në Jerusalem në fillim të javës së fundit të jetës së Tij. Ndërsa ishte atje, Ai e pastroi tempullin për herë të dytë dhe shëroi të verbrit e të çalët që vinin tek Ai.

Mateu 21:1–11

Jezusi bën hyrjen e Tij ngadhënjimtare në Jerusalem

  1. Mendoni për një veprimtari që do të ishte mbresëlënëse ta bënit me miqtë ose pjesëtarët e familjes tuaj. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani një paragraf të shkurtër në lidhje me atë që mund të thoni apo bëni për t’i bindur miqtë ose pjesëtarët e familjes tuaj që të marrin pjesë në atë veprimtari.

Shumë njerëz nuk dinë dhe aq shumë për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij, dhe ne kemi përgjegjësinë që t’i ndihmojmë të tjerët të mësojnë rreth Tij. Teksa studioni Mateun 21:1–11, përsiatni mbi atë që mund të bëni për t’i ndihmuar të tjerët që të dëshirojnë të dinë më shumë për Jezu Krishtin.

Në këtë mësim, shikoni faqen e titulluar “Java e Fundit e Jezu Krishtit, Shlyerja dhe Ringjallja e Tij”. Ky vështrim i përgjithshëm i shkurtër i javës së fundit të jetës së Shpëtimtarit në vdekshmëri përmbledh ngjarjet që çuan në vdekjen dhe Ringjalljen e Tij. Ajo mund të qartësojë dhe thellojë të kuptuarit tuaj për historitë, mësimet, doktrinat dhe parimet që lidhen me javën e fundit të shërbesës së Jezu Krishtit në vdekshmëri.

Mateu 21 shënon ngjarjet që ndodhën pesë ditë para Kryqëzimit të Shpëtimtarit, duke filluar me hyrjen e Tij ngadhënjimtare në Jerusalem. Kujtoni se një turmë njerëzish e ndiqte Jezusin dhe Apostujt e Tij kur po udhëtonin nga Jeriko për në Jerusalem (shih Mateu 20:17–18, 29).

Lexoni Mateun 21:1–5, duke kërkuar atë që Jezusi i udhëzoi dy prej dishepujve të Tij të bënin.

Profecia e përmendur te Mateu 21:4–5 gjendet te Zakaria 9:9–10. Merrni parasysh ta shkruani këtë referencë kryq në anë së faqes të shkrimeve tuaja të shenjta pranë Mateut 21:4–5. Kjo profeci ishte për Mesian e premtuar ose “Profeti[n] [e] vajosur, Prift[in], Mbret[in] dhe Çlirimtar[in], ardhjen e të cilit judenjtë mezi po e prisnin” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Mesia”, scriptures.lds.org). Mund të jetë e dobishme të dini se në kohët biblike gomari “ishte simbol i prejardhjes nga familje mbretërore judease. … Të udhëtuarit mbi gomar … tregoi se Jezusi erdhi si një Shpëtimtar paqësor dhe ‘i përulur’, jo si një pushtues mbi një kalë lufte” (New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 64).

Lexoni Mateun 21:6–8, duke kërkuar atë që bëri “një turmë shumë e madhe” (vargu 8) për ta pranuar me nderim Jezusin si Mesian, kur Ai hyri në Jerusalem.

Ungjilli i Gjonit specifikon se turma përdori “degë palmash” (Gjoni 12:13). Degët e palmës ishin një simbol judeas i paqes dhe i fitores mbi armiqtë. Sigurimi i një rruge të shtruar, si ajo që krijoi turma duke përdorur degë dhe veshje, ishte një gjest që përdorej për të nderuar mbretër apo pushtues. Duke e bërë këtë, turma e pranoi dhe e mirëpriti Jezusin si Çlirimtarin dhe Mbretin e tyre.

Shikoni figurën Ardhja Triumfuese [e Krishtit në Jerusalem] (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 50; shih edhe LDS.org). Përfytyroni sikur jeni një nga njerëzit mes turmës. Lexoni Mateun 21:9 dhe përfytyroni sikur po i brohoritni këto fjalë së bashku me ta.

Pamja
Hyrja Ngadhënjimtare

Vini re se njerëzit e përsëritën fjalën hosana, që do të thotë “na shpëto tani” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Hosana”,). Merrni parasysh ta shkruani këtë përkufizim në anë të faqes pranë Mateut 21:9.

Një pjesë e brohoritjes së turmës përmbushi profecinë mesianike që gjendet te Psalmet 118:25–26. Merrni parasysh ta shkruani këtë referencë kryq në anë të faqes pranë Mateut 21:9, ose duke e shenjuar atë te Mateu 21:9, shënimi b në fund të faqes [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]. Titulli mbretëror dhe mesianik “Bir [i] Davidit” (Mateu 21:9) i rezervohej trashëgimtarit të fronit të Davidit. Duke thënë këtë njerëzit ishin duke shpallur se Jezusi ishte Mesia, i zgjedhur dhe i dërguar nga Perëndia për ta çliruar dhe udhëhequr popullin e Tij.

Përfytyroni sikur të kishit jetuar në Jerusalem në këtë kohë. Çfarë mendimesh ose ndjenjash mund të kishit pasur nëse do të kishit qenë të pranishëm në hyrjen ngadhënjimtare të Shpëtimtarit?

Mijëra njerëz të tjerë ishin në Jerusalem në atë kohë për të festuar Pashkën. Lexoni Mateun 21:10–11, duke kërkuar ndikimin e sjelljes së turmës tek të tjerët në Jerusalem.

Çfarë pyetjeje bënë të tjerët për shkak të sjelljes të turmës?

Ky rrëfim ilustron parimin vijues: Ndërsa ne e pranojmë dhe flasim publikisht për Jezu Krishtin, ne mund t’i ndihmojmë të tjerët të zhvillojnë një dëshirë për të ditur më shumë për Të.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, renditni disa rrethana jashtë mbledhjeve të kishës, ku ju mund ta pranoni dhe të flisni publikisht për Jezu Krishtin. Pastaj shkruani për mënyra të përshtatshme se si ju mund ta pranoni dhe të flisni publikisht për Të, gjë që do t’i ndihmojë të tjerët të dëshirojnë të dinë më shumë për Të.

  2. Përgjigjjuni njërës ose të dyja pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Kur ju kanë bërë përpjekjet e dikujt për ta pranuar dhe për të folur publikisht për Jezu Krishtin që të dëshironi të dini më shumë për Të?

    2. Kur e keni ndihmuar ju [vetë] ose dikush që ju njihni një person që të dëshironte të dinte më shumë për Jezu Krishtin, ngaqë ju e pranuat apo folët publikisht për Të?

Kërkojini dhe shfrytëzojini mundësitë që ta pranoni dhe të flisni në mënyrën e duhur për Jezu Krishtin.

Mateu 21:12–16

Jezusi e pastron tempullin dhe shëron të verbrit e të çalët

Pamja
Tempulli i Orlandos në Florida

Përsiatni për mendimet dhe ndjenjat që keni pasur në tempull. Nëse nuk keni qenë ndonjëherë në tempull, përfytyroni mendimet dhe ndjenjat që mund të keni brenda njërit prej tyre.

Çfarë ndodh në tempull që na ndihmon të ndiejmë se ai është një vend i shenjtë?

Pasi Shpëtimtari hyri në Jerusalem, Ai shkoi në tempull.

Pamja
Tempulli i Herodit i parë nga Mali i Ullinjve

Lexoni Mateun 21:12–13, duke kërkuar atë që po bënin disa njerëz në tempull që ishte fyese për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.

Vizitorëve, që erdhën në Jerusalem për të kremtuar Pashkën, u duhej të blinin kafshë për t’i ofruar si flijime brenda tempullit si pjesë e adhurimit të tyre. Këmbyesit e parave e shkëmbenin valutën romake dhe valuta të tjera për valutën e tempullit, në mënyrë që të mund të bliheshin kafshët, dhe tregtarë të tjerë shisnin kafshët që nevojiteshin. Edhe pse ky biznes ishte i nevojshëm dhe i shërbente një qëllimi të mirë, bërja e tij në tempull ishte mosrespektuese dhe jo nderuese. Përveç kësaj, Mateu 21:13 sugjeron se këmbyesit e parave dhe tregtarët ishin më të interesuar në marrjen e një fitimi financiar sesa në adhurimin e Perëndisë dhe të ndihmuarit e të tjerëve për ta bërë atë.

Vini re se te Gjoni 2:16, gjatë pastrimit të parë të tempullit, Jezusi e quajti tempullin “shtëpi[a] e Atit tim”. Te Mateu 21:13, gjatë pastrimit të dytë, Jezusi e quajti tempullin “Shtëpia ime”.

Një e vërtetë që mund ta mësojmë për tempullin nga fjalët dhe veprimet e Shpëtimtarit te Mateu 21:12–13 është se shtëpia e Zotit është një vend i shenjtë dhe Ai dëshiron që ne ta trajtojmë atë me nderim.

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Si mund të tregojmë nderim për shtëpinë e Zotit?

    2. Çfarë duhet të bëjmë ne që të jemi të denjë për të hyrë në tempull?

Lexoni Mateun 21:14, duke kërkuar atë që bëri Shpëtimtari në tempull pasi e pastroi tempullin për herë të dytë.

Mund të jetë e dobishme të dini se “të çalë[t]” te Mateu 21:14, i referohet individëve të cilët ishin të gjymtuar ose kishin një lloj forme të dëmtimit në të ecur.

Nga ajo që bëri Zoti për të verbrit dhe të çalët që erdhën tek Ai në tempull, ne mund të mësojmë të vërtetën vijuese: Kur e frekuentojmë tempullin, Zoti mund të na shërojë.

Në çfarë mënyrash ndieni se Zoti është në gjendje të na shërojë kur e frekuentojmë tempullin?

Pamja
Presidenti Xhejms E. Faust

Presidenti Xhejms E. Faust, i Presidencës së Parë, dëshmoi për shërimin që mund të përjetojmë kur e frekuentojmë tempullin: “Zoti ka siguruar shumë rrugë me anë të të cilave ne mund të marrim ndikimin [e Tij] shërues. Unë jam mirënjohës që Zoti e ka rivendosur punën e tempullit në tokë. Ajo është një pjesë e rëndësishme e punës së shpëtimit si për të gjallët edhe për të vdekurit. Tempujt tanë sigurojnë një vend të shenjtë ku ne mund të shkojmë për të lënë mënjanë shumë nga ankthet e botës. Tempujt tanë janë vende paqeje dhe qetësie. Në këto shenjtërore të shenjta Perëndia i ‘shëron ata që e kanë zemrën të thyer dhe [i] lidh plagët e tyre’. (Psalmi 147:3.)” (“Spiritual Healing”, Ensign, maj 1992, f. 7).

Shërimi që përjetojmë kur adhurojmë në tempull mund të jetë i menjëhershëm, siç ishte për të verbrit dhe të çalët e përshkruar te Mateu 21:14, ose mund të ndodhë me kalimin e kohës.

Përsiatni për një kohë kur ju ose dikush që ju njihni, përjetoi ndikimin shërues të Zotit nga adhurimi në tempull.

Siç është shënuar te Mateu 21:15–16, krerët e priftërinjve dhe skribët ishin të pakënaqur me atë që Jezusi bëri në tempull dhe me njerëzit që i brohoritën Atij “Hosana” atje. Jezusi vuri në dukje se pranimi publik i Atij nga populli përmbushi një profeci (shih Psalmin 8:2).

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Mateun 21:1–16 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër