Biblioteka
Njësia 7, Dita 1: Mateu 26:31–75


Njësia 7: Dita 1

Mateu 26:31–75

Hyrje

Në Kopshtin e Gjetsemanit, Jezu Krishti filloi të merrte mbi Vete mëkatet e të gjithë njerëzve, si pjesë e Shlyerjes së Tij. Juda e tradhtoi Jezusin tek udhëheqësit judeas. Jezusi më pas u gjykua në mënyrë të paligjshme para Kajafës, kryepriftit, ku akuza të rreme u sollën kundër Tij. Gjatë kësaj kohe, Pjetri e mohoi tri herë se e njihte Shpëtimtarin para atyre që e dalluan atë si një prej dishepujve të Jezu Krishtit.

Pamja
Jezusi Lutet në Gjetsemani

Mateu 26:31–46

Jezusi vuan në Kopshtin e Gjetsemanit

Merrni parasysh skenarin vijues: Që kur ishte fëmijë, një të riu i ishte mësuar se është përgjegjësi priftërore të shërbesh në një mision kohëplotë. Tani që është adoleshent, ai ndien se duhet të shërbejë në një mision, por nuk po arrin të zotohet për të shkuar. Ai është më shumë i interesuar në mundësi të tjera dhe ka merak se një mision do ta pengojë që t’i ketë ato përvoja.

Në çfarë rrethanash të tjera mund të mos pajtohen dëshirat e të rinjve dhe të rejave me atë që Ati Qiellor dëshiron që ata të bëjnë?

Përsiatni për rastet kur mund t’ju jetë dukur e vështirë që vullnetin tuaj t’ia nënshtronit vullnetit të Atit Qiellor. Teksa studioni pjesën tjetër të Mateut 26, kërkoni parime që mund t’ju ndihmojnë kur keni vështirësi të bëni atë që Ati Qiellor ju kërkon të bëni.

Kujtoni që Mateu 26:1–30 na rrëfeu për kohën kur Zoti hëngri në festën e Pashkës me Apostujt e Tij dhe paraqiti sakramentin. Lexoni Mateun 26:31–35, duke kërkuar atë që Jezusi profetizoi se do t’u ndodhte Apostujve të Tij.

Në këtë kontekst, fjala skandalizohem do të thotë të biesh ose të heqësh dorë apo të braktisësh.

Vini re se si Pjetri dhe Apostujt e tjerë iu përgjigjën asaj që tha Shpëtimtari.

Lexoni Mateun 26:36–38, duke kërkuar vendin se ku shkuan Jezusi dhe Apostujt pas festës së Pashkës.

Shikojini fotografitë e Malit të Ullinjve dhe të Kopshtit të Gjetsemanit te Harta e Fotografi të Biblës [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta], nr. 11 dhe nr. 12. Gjetsemani ishte një kopsht me pemë ulliri që ndodhej në Malin e Ullinjve ose pranë tij, pikërisht jashtë mureve të Jerusalemit. “Fjala Gjetseman do të thotë ‘presë ullinjsh’” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Gjetseman”, scriptures.lds.org).

Te Mateu 26:36–38 shenjoni fraza që përshkruajnë mënyrën se si u ndie Jezusi kur hyri në Gjetseman.

Lexoni Mateun 26:39, duke kërkuar atë që bëri Jezusi pasi shkoi “pak përpara” brenda kopshtit.

Kupa së cilës iu referua Shpëtimtari ishte një term simbolik i hidhësisë së vuajtjes që Ai përjetoi si pjesë e Shlyerjes. Në Gjetseman, Jezusi filloi të merrte mbi Vete mëkatet dhe vuajtjen e të gjithë njerëzve, si pjesë e sakrificës së Tij të madhe shlyese.

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi atë që Jezusi po i kërkonte Atit kur iu lut që kupa të largohej prej Tij: “Zoti tha, në fakt: ‘Nëse ka një shteg tjetër, unë do të eci më mirë nëpër të. Nëse ka ndonjë mënyrë tjetër – çfarëdo mënyre tjetër – unë do ta përqafoj me gëzim atë’. … Por në fund, kupa nuk u hoq” (“Teaching, Preaching, Healing”, Ensign, janar 2003, f. 41).

Ju mund të doni ta shenjoni frazën “megjithatë, jo si dua unë, por si do ti” (Mateu 26:39; shih edhe DeB 19:19).

Ndonëse kërkoi një mënyrë tjetër për t’i përmbushur qëllimet e Atit, Jezu Krishti ia nënshtroi vullnetin e Tij vullnetit të Atit për të përmbushur Shlyerjen.

Përsiatni atë që mund të mësojmë për Jezusin nga gatishmëria e Tij për t’iu nënshtruar vullnetit të Atit Qiellor, ndonëse kjo do të thoshte që Ai do të vuante mundim të thellë dhe përfundimisht vdekjen.

Plotësojeni thënien vijuese bazuar tek ajo që mësuat nga Mateu 26:39: Ne e ndjekim shembullin e Jezu Krishtit kur ne .

  1. Përsëritni skenarin dhe rrethanat që renditët në fillim të këtij mësimi. Më pas përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Si mund të na forcojë shembulli i Shpëtimtarit në këto rrethana?

  2. Mendoni për rastet kur dëshirat tuaja nuk pajtoheshin me vullnetin e Atit Qiellor, por përfundimisht zgjodhët që t’i bindeshit vullnetit të Tij. Shkruani rreth njërës prej përvojave tuaja në ditarin tuaj të shkrimeve të shenjta, në qoftë se nuk është tepër personale, dhe shpjegoni arsyen përse e bëtë atë zgjedhje dhe si u ndiet rreth saj.

Përcaktoni një mënyrë specifike se si do ta ndiqni shembullin e Jezu Krishtit duke ia nënshtruar vullnetin tuaj vullnetit të Atit Qiellor. Merrni parasysh të vini një synim për të vepruar sipas asaj që përcaktuat.

Përsëriteni Mateun 26:37–38, duke kërkuar udhëzimet e Shpëtimtarit për Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin në Gjetseman.

Udhëzimi “rrini zgjuar bashkë me mua” te vargu 38 do të thotë të jesh syçelët, i vëmendshëm ose vigjilent. Për ta kuptuar më mirë arsyen përse dishepujve mund t’u jetë dashur udhëzimi i Shpëtimtarit për të qëndruar zgjuar bashkë me Të, vini re se Përkthimi prej Joseph Smith-it shton shpjegimin që kur dishepujt erdhën në kopsht, ata “filluan të jenë tepër të shqetësuar e të jenë shumë të trazuar, dhe të ankohen në zemrat e tyre duke pyetur veten nëse ky ishte Mesia” (Përkthimi prej Joseph Smith-it, Marku 14:36 [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta]). Duke i udhëzuar dishepujt që të rrinin zgjuar me Të, Jezusi i paralajmëroi që të ishin vigjilent pasi besimi i tyre në Të do të vihej në provë.

Lexoni Mateun 26:40, duke kërkuar atë që Jezusi zbuloi se kishin qenë duke bërë “Pjetri dhe të dy djemtë e Zebedeut [Jakobi dhe Gjoni]” (Mateu 26:37) ndërkohë që Ai kishte qenë duke u lutur.

Pamja
Krishti duke zgjuar Apostujt

Përkthimi prej Joseph Smith-it i Llukës 22:45 tregon se ata ishin duke fjetur, “pasi ata ishin të mbushur me trishtim”.

Lexoni Mateun 26:41, duke kërkuar atë që Jezusi u tha atyre të bënin.

Sa vijon është një parim që mësojmë nga udhëzimet e Shpëtimtarit për këta Apostuj: Nëse qëndrojmë zgjuar e lutemi vazhdimisht, ne do të kemi forcën për t’i bërë ballë tundimit.

Çfarë mendoni se do të thotë fraza “fryma është gati, por mishi është i dobët” (Mateu 26:41)?

Një kuptim mund të jetë që dishepujt dëshironin t’i bindeshin Shpëtimtarit, por ata e lejuan dëshirën e tyre fizike për të fjetur që ta mposhtte dëshirën e tyre shpirtërore për të qëndruar zgjuar e për t’u lutur. Përsiatni mënyrën se si të kuptuarit e kësaj fraze mund të na ndihmojë t’i bëjmë ballë tundimit.

Pamja
Presidenti Henri B. Ajring

Pasi citoi Mateun 26:41, Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, tha: “Paralajmërimi [i Shpëtimtarit] për Pjetrin na drejtohet edhe neve. Ujku që do të vrasë delen me siguri do të sulmojë bariun. Kështu që ne duhet të qëndrojmë zgjuar për veten si edhe për të tjerët” (“Watch with Me”, Ensign, maj 2001, f. 39).

Kujtoni që të “rri[sh] zgjuar” do të thotë të jesh syçelët, i vëmendshëm ose vigjilent. Mendoni për mënyrën se si të qëndruarit zgjuar shpirtërisht dhe të luturit mund të na ndihmojë t’i mposhtim dobësitë tona dhe t’i bëjmë ballë tundimit.

Përsiatni nëse i jeni dorëzuar ndonjëherë tundimit pasi nuk arritët të luteshit e të qëndronit zgjuar. Merrni parasysh se si ndikoi ajo zgjedhje te ju. Më pas, përsiatni për rastet kur i bëtë ballë tundimit duke u lutur dhe duke qëndruar zgjuar. Çfarë ju ka ndihmuar që të jeni këmbëngulës në të qëndruarit shpirtërisht zgjuar dhe në të luturit?

Në një fletë të veçantë letre ose në një kartë, shkruani një gjë që ju do të bëni për të qëndruar më mirë zgjuar dhe për t’u lutur më shumë e në mënyrë të vazhdueshme. Merrni parasysh ta mbani këtë letër me vete që t’ju kujtojë qëllimin tuaj.

Vini re që Mateu 26:42–46 shënon se Jezusi u lut tri herë në Kopshtin e Gjetsemanit. Çdo herë Ai shprehu gatishmërinë e Tij për t’iu bindur vullnetit të Atit të Tij.

Mateu 26:47–75

Jezu Krishti arrestohet dhe gjykohet para Kajafës

Krerët e priftërinjve dhe skribët komplotuan për ta vrarë Jezu Krishtin. Komploti i tyre i ligë përfshiu mitëdhënien ndaj Judës, paraqitjen e dëshmitarëve të rremë, nxitjen e të tallurit ndaj Jezusit dhe madje torturimin e Tij. Shpëtimtari u detyrua të përballej me dy gjyqe formale: I pari ishte një gjyq judeas përpara Sinedrit të Jerusalemit – një asambleje prej 71 anëtarësh, përfshirë levitë, krerë të priftërinjve, skribë, farisenj, saducenj dhe njerëz me bindje të tjera politike, të gjithë të kryesuar nga kryeprifti, që në atë kohë ishte Kajafa. I dyti ishte një gjyq romak përpara Pilatit. Gjatë gjyqit judeas, Jezusi u akuzua për blasfemi (të tallesh, të rebelohesh ose ta mallkosh Perëndinë), pasi Ai e quante Veten Biri i Perëndisë (shih Mateu 26:64–65). Meqenëse blasfemia ishte çështje judease dhe nuk përbënte shqetësim për romakët, udhëheqësit judeas e ndryshuan akuzën në tradhti kur e çuan Jezusin te Pilati. Udhëheqësit judeas u orvatën t’i bindnin romakët se Jezusi po përpiqej ta bënte Veten mbret, duke shpresuar që romakët do ta dënonin me vdekje si tradhtar ndaj Cezarit. Sidoqoftë, gjatë gjyqit romak Pilati nuk gjeti asnjë faj te Jezusi. Prapëseprapë, në fund Pilati e autorizoi gjithsesi ekzekutimin e Jezusit për të kënaqur udhëheqësit judeas.

Lexoni thënien vijuese nga Gerald N. Land, i cili më vonë ishte anëtar i Të Shtatëdhjetëve. “Përfytyrojeni [Jezu Krishtin], Qenien, fuqia e të cilit, drita e të cilit, lavdia e të cilit e mban universin në rendin e duhur, Qenien që flet dhe sistemet diellore, galaktikat dhe yjet krijohen – duke qëndruar para njerëzve të ligj dhe duke u gjykuar nga ata sikur të ishte i padenjë ose i pavlerë!” (“Knowest Thou the Condescension of God?” te Doctrines of the Book of Mormon: The 1991 Sperry Symposium, red. Bruce A. Van Orden dhe Brent L. Top [1992], f. 86).

Ndonëse Jezu Krishti kishte fuqinë t’i shkatërronte njerëzit që po e goditnin dhe pështynin Atë, Ai i vuajti dhe i duroi ato me gatishmëri. Udhëheqësit dhe ushtarët romakë nuk e kuptuan fuqinë e pafundme që Jezusi mund të kishte thirrur nëse do të ishte vullneti i Atit që Ai ta bënte atë.

Shqyrtojeni Mateun 26:47–68, duke kërkuar mënyrën se si Jezu Krishti vazhdoi të ushtronte kontroll dhe t’i nënshtrohej vullnetit të Atit të Tij edhe kur u keqtrajtua e u gjykua nga njerëz të ligj (shih edhe 1 Nefi 19:9). Ju mund të doni ta shenjoni atë që gjeni.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani atë që ju bën më shumë përshtypje te vendosmëria e Shpëtimtarit për të bërë vullnetin e Atit Qiellor pavarësisht nga rrethanat. Gjithashtu shkruani mënyrën se si ju mund të ndiqni shembullin që dha Shpëtimtari për bindjen.

Te Mateu 26:56, vini re që profecia e Shpëtimtarit se Apostujt do të largoheshin prej Tij u përmbush. Megjithatë, ky largim ishte vetëm i përkohshëm.

Mateu 26:69–75 shënon që ndërsa Jezusi po gjykohej pas arrestimit të Tij, Pjetri e mohoi që e njihte Atë tri herë. (Shënim: Mohimi i Pjetrit do të trajtohet më plotësisht në mësimin te Lluka 22.)

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Mateun 26:31–75 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër