Biblioteka
Njësia 31, Dita 1: Zbulesa 1–3


Njësia 31: Dita 1

Zbulesa 1–3

Hyrje

Ndërkohë që ishte në ishullin e Patmosit, Apostulli Gjon i shkroi një letër kurajëdhënëse shtatë bashkësive të Kishës. Në të ai përshkroi zbulesat që kishte marrë. Gjoni dha dëshmi për atë që i ishte dhënë atij nga një engjëll dhe nga Jezu Krishti. Ai gjithashtu përçoi fjalët lavdëruese, qortuese dhe paralajmëruese të Zotit për shenjtorët.

Zbulesa 1:1–11

Gjoni jep dëshmi për vegimin e tij

Vendosni një shenjë pranë secilës prej ngjarjeve vijuese, për të cilën do të donit të dinit më shumë:

____ Ekzistenca para lindjes

____ Ditët e fundit

____ Ardhja e Dytë e Jezu Krishtit

____ Mijëvjeçari

____ Gjyqi Përfundimtar

Libri i Zbulesës “njihet gjithashtu si Apokalipsi, një fjalë greke që do të thotë i zbuluar ose i hiqet veli” (Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Revelation of John” [“Zbulesa e Gjonit”]). Në këtë libër, Apostulli Gjon shënoi të vërtetat që iu zbuluan atij për ekzistencën para lindjes, Jezu Krishtin dhe rolin e Tij në planin e shpëtimit të Atit Qiellor, ngjarjet që çojnë në Ardhjen e Dytë, Mijëvjeçarin dhe Gjyqin Përfundimtar.

Kërkoni të vërteta për këto tema teksa studioni librin e Zbulesës.

Lexojeni Përkthimin prej Joseph Smith-it, Zbulesa 1:1–3 (në fund të kombinimit tresh), duke kërkuar atë që dha mësim Gjoni për zbulesën që kishte marrë. Ju mund të doni të shenjoni ose shënoni atë që Gjoni donte që të bënin shenjtorët.

Apostulli Gjon përmendi si ata që i lexojnë fjalët e tij edhe ata që i dëgjojnë fjalët e tij. Në ditët e Gjonit shumë shenjtorë nuk mund të lexonin, kështu që ata u njohën me atë çka ai shkroi në librin e Zbulesës duke dëgjuar të tjerët që e lexonin me zë të lartë.

Bazuar në mësimet e Gjonit te Zbulesa 1:3, ne mund të mësojmë parimin vijues: Kur ne lexojmë, përpiqemi t’i kuptojmë dhe t’u bindemi fjalëve të Zotit, ne do të bekohemi. Një bekim që Gjoni dha mësim se do ta merrnim, ishte të qenët i përgatitur për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit.

Përkthimi prej Joseph Smith-it sqaron se Gjoni ua drejtoi letrën e tij “shtatë shërbëtorë[ve] që janë mbi shtatë kishat në Azi” (Përkthimi prej Joseph Smith-it, Zbulesa 1:4 [në shtojcën e kombinimit tresh]). Kjo na ndihmon të kuptojmë se “shtatë kisha[t] në Azi”, iu referohen shtatë bashkësive në Kishë, si lagjet ose degët sot, që ndodheshin në vendin ku tani është zona perëndimore e Turqisë së ditëve të sotme.

Lexojeni Joseph Smith Translation, Revelation 1:5–8 [Përkthimin prej Joseph Smith-it, Zbulesa 1:5–8] (në shtojcën e Biblës në anglisht), duke kërkuar se çfarë donte Gjoni që shtatë bashkësitë të dinin rreth Jezu Krishtit.

Vini re se Gjoni shpjegoi se ne mund të “la[hemi] nga mëkatet tona” dhe të bëhemi të pastër nëpërmjet gjakut ose Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe të bëhemi “mbretër dhe priftër për Perëndinë” (Zbulesa 1:5–6).

  1. Përgjigjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Çfarë frazash për Shpëtimtarin te Zbulesa 1:5–8 janë veçanërisht kuptimplote për ju? Përse?

Lexojeni Zbulesën 1:9–11, duke kërkuar se ku ishte Gjoni kur ai e mori këtë zbulesë dhe se ku ndodheshin shtatë kishat. Vini re se ku ndodhen disa nga këto qytete në hartën shoqëruese.

Pamja
harta, në lindje të detit Mesdhe

Gjoni e mori këtë zbulesë gjatë një kohe të vështirë për anëtarët e Kishës. Pati një përndjekje të ashpër kundrejt shenjtorëve, përfshirë edhe vrasjen e disave prej tyre, si edhe braktisje dhe përçarje midis anëtarëve të Kishës. Përveç këtyre, të gjithë Apostujt, me përjashtim të Gjonit, ishin vrarë. Libri i Zbulesës mund të jetë shkruar gjatë mbretërimit të perandorit romak Domicianit, (81–96 ps.K.), i cili kishte rikthyer adhurimin e perandorit në mbarë perandorinë romake dhe i kishte dëbuar ose ekzekutuar ata që nuk adhuronin perëndi të miratuara nga qeveria romake. Shumë njerëz besojnë se Gjoni ishte dëbuar në ishullin e Patmosit për atë arsye.

Pamja
Gjoni duke shkruar

Gjoni mori një vegim kur ishte në ishullin e Patmosit.

Në Librin e Mormonit ne mësojmë që Nefi pati një vegim të ngjashëm me vegimin e Gjonit. Nefi pa ngjarjet e ditëve të fundit (përfshirë Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit, Mijëvjeçarin dhe përfundimin e veprës së Perëndisë mbi tokë), por ai u urdhërua që të mos shkruante për ato sepse Gjoni ishte parashuguruar për ta bërë këtë (shih 1 Nefi 14:24–29). Merrni parasysh rëndësinë që Zoti i ka dhënë analit të Gjonit. Teksa vazhdoni t’i studioni fjalët e Gjonit te Zbulesa, kërkoni të vërteta për ditët e fundit, Ardhjen e Dytë, Mijëvjeçarin dhe përfundimin e veprës së Perëndisë mbi tokë.

Zbulesa 1:12–20

Gjoni e sheh Jezu Krishtin në një vegim

Mendoni për tri kompani që i njihni. A përdor logo ndonjë nga kompanitë për ta identifikuar veten?

Si mendoni ju, përse përdorin logo kompanitë?

Në librin e Zbulesës, Apostulli Gjon përdori simbole dhe figura për të dhënë mësim mesazhe të rëndësishme për ungjillin. Simbolet mund të jenë një mjet i fuqishëm mësimdhënieje sepse ato mund t’u kumtojnë njerëzve ndër breza dhe kultura të ndryshme si dhe shumë shtresave. Ato mund të kumtojnë edhe disa mesazhe të ndryshme.

Lexojeni Zbulesën 1:12–18, duke kërkuar simbolet që pa dhe përdori Gjoni për të përshkruar zbulesën e tij. Ju mund të doni ta shenjoni ose shënoni atë që gjeni.

  1. Në tabelën shoqëruese, lexoni fragmentet te kolona në anën e djathtë të tabelës vijuese për të marrë parasysh kuptimet e mundshme për simbolet që shkroi Gjoni te Zbulesa 1:12–18. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani kuptimin e mundshëm për çdo simbol.

Simboli

Kuptimi i mundshëm

  1. Shtatë shandanë ari (Zbulesa 1:12)

  1. Shih Zbulesa 1:20; 3 Nefi 18:24

  1. Dora e djathtë e Shpëtimtarit (Zbulesa 1:16–17)

  1. Shih Marku 14:62; 16:19

  1. Shtatë yje (Zbulesa 1:16)

  1. Shih Zbulesa 1:20; Joseph Smith Translation, Revelation 1:20 [Përkthimi prej Joseph Smith-it, Zbulesa 1:20] (te Zbulesa 1:20, poshtëshënimi b, [në variantin SHDM të Biblës në anglisht])

  1. Një shpatë e mprehtë me dy tehe (Zbulesa 1:16)

  1. Shih Hebrenjve 4:12

  1. Çelësat e vdekjes e të Hadesit (Zbulesa 1:18)

  1. Shih 2 Nefi 9:10–13

Pamja
Krishti me shandanë

Bazuar në mesazhin që Zoti ua zbuloi shenjtorëve të Tij nëpërmjet Gjonit, një e vërtetë që mund të mësojmë, është se Jezu Krishti kujdeset dhe shqetësohet për pasuesit e Tij besnikë.

  1. Përgjigjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Përse do të kishte qenë e rëndësishme për anëtarët e Kishës në ditët e Gjonit që të dinin se Jezu Krishti vazhdonte të kujdesej e të shqetësohej për ta?

    2. Përse është e rëndësishme për ne që ta kujtojmë po këtë të vërtetë?

Mendoni për një rast kur e keni ndier që Perëndia u kujdes dhe u shqetësua për ju. Merrni parasysh se si ju ka bekuar ajo përvojë.

Vini re te Zbulesa 1:17–18 se Shpëtimtari i tha Gjonit se ai i mbante çelësat e ferrit dhe të vdekjes. Nga këto vargje ne mund të mësojmë se Jezu Krishti është një qenie e lavdishme, e ringjallur që ka fuqi mbi vdekjen dhe ferrin.

Merrni parasysh se çfarë na mëson kjo doktrinë rreth rezultatit përfundimtar të betejës midis së mirës dhe së ligës që ekziston në mbarë tokën.

Përsiatni se si thënia vijuese lidhet me fuqinë e Jezu Krishtit mbi vdekjen dhe ferrin: “Mesazhi i librit të Zbulesës është i njëjtë me atë të të gjithë shkrimit të shenjtë: do të ketë një ngadhënjim përfundimtar të Perëndisë mbi djallin në këtë tokë; një fitore të patundshme të së mirës mbi të ligën, të shenjtorëve mbi përndjekësit e tyre, të mbretërisë së Perëndisë mbi mbretëritë e njerëzve dhe të Satanit” (Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Revelation of John” [“Zbulesa e Gjonit”]).

Ngaqë e dimë se e mira do të triumfojë përfundimisht mbi të ligën, ajo që mbetet për t’u parë, është se në cilën anë ne zgjedhim që të jemi – në anën e Satanit apo të Perëndisë.

Pamja
Presidenti Ezra Taft Benson

Presidenti Ezra Taft Benson tha: “Çdo ditë forcat e së ligës dhe forcat e së mirës tërheqin rekrutë të rinj. Çdo ditë ne marrim personalisht shumë vendime që tregojnë se ku do të shkojë mbështetja jonë. Rezultati përfundimtar është i sigurt – forcat e drejtësisë do të fitojnë më në fund. Çfarë mbetet për t’u parë është se ku do të qëndrojë secili prej nesh personalisht në këtë luftë, tani dhe në të ardhmen – dhe se sa fort do të qëndrojmë. A do të qëndrojmë besnikë ndaj misionit tonë të parashuguruar të ditëve të fundit?” (“In His Steps” [Brigham Young University fireside, 4 mars 1979], f. 1, speeches.byu.edu).

Merrni parasysh atë që mund të bëni për të zgjedhur më plotësisht që të jeni në anën e Perëndisë. Veproni ndaj çdo nxitjeje që mund të merrni.

Zbulesa 2–3

Gjoni ua shkruan fjalët e Jezu Krishtit udhëheqësve të shtatë kishave

Zbulesa 2:1–3:13 përfshin mesazhin e Zotit drejtuar kishave specifike në Azinë e Vogël. Lexojini këto vargje, duke kërkuar këshillën dhe premtimet që Zoti u dha këtyre anëtarëve të Kishës.

Cilat prej këtyre premtimeve do të donit të merrnit?

Lexojeni Zbulesën 3:14–17, duke kërkuar një kusht që anëtarët e Kishës në Laodika duhej ta fitonin me qëllim që të merrnin ekzaltimin. Te vargu 14, “Ameni” i referohet Jezu Krishtit.

  1. Përgjigjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Si mendoni ju, çfarë do të thotë se këta anëtarë të Kishës nuk ishin “as [të] ftohtë as [të] ngrohtë” (Zbulesa 3:15) por ishin dishepuj të vakët të Jezu Krishtit?

    2. Sipas mendimit tuaj, cilat janë disa gjëra që dishepujt e vakët të Jezu Krishtit mund të bëjnë dhe nuk mund të bëjnë?

Mendoni rreth asaj që keni bërë për ta ndjekur Jezu Krishtin gjatë ditëve të kaluara dhe nëse ju mund të jeni dishepuj të ngrohtë, të ftohtë, apo të vakët të Jezu Krishtit.

Lexojeni Zbulesën 3:19, duke kërkuar se përse Zoti tha që po i qortonte shenjtorët në Laodika. Ju mund të doni ta shenjoni ose shënoni atë që gjeni.

Lexojeni frazën e parë te Zbulesa 3:20, duke kërkuar se çfarë tha Shpëtimtari se po bënte.

Pamja
Krishti Qëndron te Dera

Cilat janë disa mënyra të ndryshme se si mund të përgjigjeshin njerëzit nëse ata do të kuptonin se Shpëtimtari po trokiste te dera e shtëpisë së tyre?

Mendoni për ndjenjat që mund të kishit nëse do të dëgjonit një trokitje te dera e shtëpisë suaj dhe të kuptonit se ishte Shpëtimtari. A do ta hapnit derën?

Lexojeni pjesën tjetër të Zbulesës 3:20, duke kërkuar bekimin që ofroi Zoti ndaj shenjtorëve laodikas dhe atë që duhej të bënin për ta marrë atë.

Bazuar te mesazhi i Zotit drejtuar shenjtorëve në Laodika, ne mund të mësojmë parimin vijues: Kur ia hapim derën Shpëtimtarit, Ai do të hyjë brenda dhe do të hajë darkë me ne.

Në kulturën e lashtë të Lindjes së Afërt, ngrënia e një vakti me dikë ishte një shenjë shoqërimi. Kjo tregonte se ekzistonte një lidhje miqësie dhe paqeje ose të paktën po krijohej.

Si mendoni ju, çfarë përfaqëson dera që përmendet te Zbulesa 3:20?

Mendoni për atë që mund të përfaqësojë dera, teksa lexoni rrëfimin vijues nga Presidenti Spenser W. Kimball:

Pamja
Presidenti Spenser W. Kimball

“Një ditë [një artist i quajtur Holman Hant] po ia tregonte pikturën e tij të ‘Krishti[t] duke Trokitur te Dera’ një miku, i cili befas tha: ‘Ka një gjë që nuk shkon në këtë figurë’.

‘Çfarë nuk shkon?’ e pyeti artisti.

‘Dera, në të cilën troket Jezusi, nuk ka dorezë’, ia ktheu miku i tij.

‘Ah’, iu përgjigj z. Hant, ‘nuk është gabim. Shiko, kjo është dera e zemrës njerëzore. Ajo mund të hapet vetëm nga brenda.’

Dhe kështu është. Jezusi mund të qëndrojë dhe të trokasë, por secili prej nesh e vendos nëse do ta hapë apo jo derën” (The Miracle of Forgiveness [1969], f. 212).

Merrni parasysh se çfarë mund të bëni për t’ia hapur zemrën tuaj Shpëtimtarit.

Lexojeni Zbulesën 3:21–22, duke kërkuar premtimin dhe këshillën e Zotit drejtuar shenjtorëve.

Sipas vargut 22, çfarë këshille jep Zoti?

Përpiquni të “dëgjo[ni] atë që [iu] thotë Fryma” (Zbulesa 3:22) duke reflektuar mbi ato që mësuat në këtë mësim. Veproni ndaj çdo nxitjeje që mund të merrni.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Zbulesën 1–3 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër