Biblioteka
Njësia 27, Dita 2: Titit


Njësia 27: Dita 2

Titit

Hyrje

Në këtë letër Apostulli Pal e porositi Titin, i cili asokohe ishte një bashkëmisionar që shërbente në Kretë, që të përdorte doktrinën e shëndoshë për t’i mësuar dhe korrigjuar të tjerët. Pali e këshilloi Titin gjithashtu që t’u mësonte shenjtorëve të ishin shembuj të drejtë, të kishin shpresë për shpagimin nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe të vazhdonin të bënin vepra të mira.

Titit 1

Pali e porosit Titin të përdorë doktrinën e shëndoshë për t’i mësuar e korrigjuar shenjtorët dhe të tjerët në Kretë

Gjejeni ishullin e Kretës në Hartat e Biblës, nr. 13, “Udhëtimet Misionare të Apostullit Pal”, [te shtojca e kombinimit tresh]. Pranë fundit të jetës së tij, Pali i shkroi një letër Titit, i cili po shërbente si udhëheqës Kishe në Kretë. Titi ishte kthyer në besim nga Pali disa vite më parë dhe pas pagëzimit të tij kishte shërbyer me Palin në detyra të ndryshme. Në letrën e tij, Pali e nxiti Titin dhe e këshilloi atë për thirrjen e tij.

Siç shënohet te Titit 1:1–6, Pali dëshmoi për shpresën që kishte për jetën e përjetshme, të cilën Perëndia ia kishte premtuar para të gjitha kohërave (shih Titit 1:2). Ai shpjegoi se e kishte dërguar Titin për të vënë rregull te Kisha në Kretë dhe për të thirrur burra që të shërbenin si peshkopë.

Lexojeni Titit 1:7–8, duke kërkuar karakteristikat që duhet të ketë një peshkop dhe karakteristikat që ai duhet të shmangë. Ju mund të doni ta shenjoni ose shënoni atë që gjeni.

Te Titit 1:7, fjala arrogant do të thotë kokëfortë apo kryelartë dhe fraza “fitim të turpshëm” i referohet parave që merren në mënyra të pandershme ose ndryshe në mënyra të padrejta.

Si mendoni ju, përse karakteristikat që renditi Pali janë të nevojshme për peshkopët që t’i kenë ose t’i shmangin?

Lexojeni Titit 1:9, duke kërkuar një karakteristikë tjetër që duhet të kenë peshkopët. “Doktrin[a] e shëndoshë” i referohet doktrinës së vërtetë.

Te Titit 1:9 ne mësojmë se është e rëndësishme për peshkopët që ta mbajnë fort fjalën e Perëndisë në mënyrë që ta përdorin doktrinën e vërtetë për t’i nxitur të tjerët ta jetojnë ungjillin dhe për t’i “bind[ur] ata që kundërshtojnë”. Një njeri që kundërshton është dikush që flet kundër një ideje ose e mohon atë (në këtë rast, vërtetësinë e ungjillit). Kundërshtarët mund të jenë si joanëtarë edhe anëtarë të Kishës.

Një parim që mund të mësojmë nga mësimet e Palit për peshkopët është se, kur e mbajmë fort fjalën e Perëndisë, ne do të jemi në gjendje ta përdorim doktrinën e vërtetë për t’i nxitur të tjerët ta jetojnë ungjillin e Jezu Krishtit dhe t’i përgënjeshtrojmë ata që e kundërshtojnë atë.

Merrni parasysh atë që tha Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, për fuqinë që ka doktrina e vërtetë për t’i ndihmuar individët ta jetojnë ungjillin e Jezu Krishtit:

Pamja
Presidenti Bojd K. Paker

“Doktrina e vërtetë, kur kuptohet, ndryshon qëndrimet dhe sjelljen.

Studimi i doktrinave të ungjillit do ta përmirësojë sjelljen më shpejt sesa një studim i sjelljes do ta përmirësojë sjelljen. Shqetësimi për sjellje të padenjë mund të çojë në sjellje të padenjë. Kjo është arsyeja përse ne ia vëmë theksin kaq shumë studimit të doktrinave të ungjillit” (“Little Children”, Ensign, nëntor 1986, f. 17).

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Çfarë mund të bëni që të jeni gati ta jepni mësim doktrinën e vërtetë, në mënyrë që të mund t’i nxitni të tjerët ta jetojnë ungjillin? (Shih DeB 11:21.)

    2. Cilat janë disa shembuj nga shkrimet e shenjta të rasteve kur dikush ia mësoi doktrinën e vërtetë një personi që ka shprehur dyshim ose armiqësi kundrejt Kishës apo doktrinës së saj? (Përfshini të paktën një shembull të një rasti kur dikush u pendua për shkak se atij ose asaj iu mësua doktrina e vërtetë.)

Mendoni për një rast kur të mësuarit e doktrinës së vërtetë ju ndihmoi për t’ju nxitur ose për t’ju bindur ju apo dikë që e njihni për ta jetuar më plotësisht ungjillin e Jezu Krishtit.

Ndërkohë që doktrina e vërtetë mund të na ndihmojë që t’i nxitim të tjerët ta jetojnë ungjillin dhe t’u përgjigjen me besim e dëshmi atyre që e kundërshtojnë Kishën, ajo jo medoemos do të bëjë që dikush ta pranojë doktrinën e Jezu Krishtit. Për shkak se të gjithë individët kanë lirinë e zgjedhjes, ata mund të zgjedhin ta pranojnë ose ta refuzojnë doktrinën e vërtetë.

  1. Shkruani sa vijon në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Renditni të paktën tri fragmente për zotërimin e shkrimit të shenjtë që i keni studiuar këtë vit, që mund të jenë veçanërisht të dobishme për t’i nxitur të tjerët ta jetojnë ungjillin. Shpjegoni se si çdo fragment mund të jetë i dobishëm.

    2. Renditni të paktën tri fragmente për zotërimin e shkrimit të shenjtë që mund të përdoren për t’ju ndihmuar t’i përgjigjeni atyre që e kundërshtojnë një mësim ose praktikë të Kishës. Shpjegoni se si çdo fragment mund të ndihmojë që të jepet mësim doktrina e vërtetë për ta përgënjeshtruar kundërshtimin e tyre.

Vazhdoni t’i zotëroni fragmentet kyçe të shkrimeve të shenjta, në mënyrë që të jeni të përgatitur t’ua mësoni të tjerëve doktrinën e vërtetë.

Siç shënohet te Titit 1:10–16, Pali e mësoi Titin se shenjtorët në Kretë duhet të mbështeteshin te doktrina e vërtetë ngaqë kishte shumë mashtrues dhe mësues të rremë midis tyre. Ai e këshilloi Titin t’i qortonte mësuesit e rremë në mënyrë që t’i braktisnin gabimet e tyre dhe të “shëndoshe[shin] në besim” (Titit 1:13). Pali shpjegoi gjithashtu se njerëzit e tregojnë afërsinë e tyre me Perëndinë nëpërmjet veprave të tyre.

Titit 2

Pali e këshillon Titin që t’u mësojë shenjtorëve në Kretë ta jetojnë doktrinën e vërtetë

Lexojeni Titit 2:1, duke kërkuar se çfarë tjetër e udhëzoi Apostulli Pal Titin që të bënte me doktrinën e vërtetë.

Lexojeni Titit 2:3–5, duke kërkuar këshillat e Palit rreth mënyrës se si duhet të jetojnë gratë e moshuara dhe çfarë duhet t’u mësojnë të rejave. Pastaj lexojeni Titit 2:2, 6–8, duke kërkuar këshillat e Palit rreth mënyrës se si duhet të jetojnë pleqtë dhe të rinjtë. Te vargu 2, i përmbajtur do të thotë i qetë ose i matur dhe i urtë do të thotë me vetëkontroll. Te vargu 7, të tregosh dinjitet do të thotë të jesh parimor dhe i respektueshëm. Fraza “duke e nxjerrë në çdo gjë veten tënde si shembull veprash të mira” te Titit 2:7, do të thotë të jesh një shembull i mirë i të jetuarit të ungjillit. Merrni parasysh ta shenjoni ose shënoni çfarëdo këshille të Palit që gjen zbatim për ju.

Një e vërtetë që mësojmë nga këshillat e Palit drejtuar Titit, është se pasuesit e Jezu Krishtit duhet të jenë shembuj të mirë për të tjerët.

  1. Mendoni për një anëtar/e të moshuar të lagjes apo degës suaj që ka qenë një shembull i mirë i të jetuarit të ungjillit dhe i të qenit i/e përkushtuar ndaj tij. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shpjegoni se si ju ka ndihmuar shembulli i këtij personi.

Përzgjidhni një nga sjelljet e renditura te Titit 2:2–8, dhe vendosni një synim për ta përfshirë më mirë në jetën tuaj atë sjellje, në mënyrë që shembulli juaj i mirë të mund t’i bekojë të tjerët.

Titit 2:9–10 shënon që Pali e këshilloi Titin t’u mësonte anëtarëve të Kishës që punonin si shërbëtorë, të ishin të ndershëm dhe të gatshëm në punët e tyre me zotërinjtë e tyre. Duke qenë të ndershëm dhe të gatshëm, këta anëtarë të Kishës do ta nderonin Zotin dhe do të vendosnin një shembull të mirë për punëdhënësit e tyre.

Lexojeni Titit 2:11–15, duke kërkuar atë që bën ungjilli për shenjtorët dhe atë që bëri Krishti për të gjithë ne. Ju mund të doni ta shenjoni atë gjë drejt së cilës ungjilli i shtyn njerëzit që të shpresojnë. Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it], Titit 2:11 thotë: “Sepse hiri i Perëndisë, që i jep shpëtim të gjithë njerëzve, është shfaqur” (te Titit 2:11, poshtëshënimi b, [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]).

Bazuar në mësimet e Palit te Titit 2:14, ne mësojmë se Jezu Krishti e dha Veten për ne në mënyrë që Ai të mund të na shpengojë dhe të na pastrojë. Fraza “një popull [i] veçantë” në vargun 14 i referohet njerëzve të çmuar të Zotit, të cilët Ai i ka blerë ose i ka shëlbuar (shih 1 Pjetër 1:18–19; 2:9) dhe që besëlidhin t’i zbatojnë urdhërimet e Tij (shih Eksodi 19:5–6).

Titit 3

Pali i thotë Titit se çfarë duhet të bëjnë shenjtorët në Kretë pasi të jenë pagëzuar

Siç shënohet te Titit 3:1–2, Pali e këshilloi Titin t’u mësonte shenjtorëve në Kretë t’u bindeshin ligjeve të vendit dhe të vendosnin një shembull të mirë duke qenë të sjellshëm dhe duke mos folur keq për të tjerët. Lexojeni Titit 3:3–8, duke kërkuar atë që tha Pali rreth mënyrës se si ungjilli i Jezu Krishtit e kishte ndryshuar atë, anëtarët e Kishës në Kretë dhe të gjithë shenjtorët.

Vëreni te Titit 3:3 se si Pali e përshkroi veten dhe anëtarët e tjerë të Kishës përpara se ata të mësonin për ungjillin e Jezu Krishtit. Ju mund të doni të shenjoni te Titit 3:4–6 se çfarë i ndryshoi njerëzit. Te Titit 3:5 fraza “larjes së rilindjes” i referohet të qenit i pagëzuar.

Merrni parasysh se si keni ndryshuar ju për shkak të ungjillit të Jezu Krishtit.

  1. Vëreni te Titit 3:8 se Pali i këshilloi shenjtorët që “të kujdese[shin] për të kryer vepra të mira”. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani rreth veprave të mira që bëni dhe që do të vazhdoni të bëni për ta treguar konkretisht besimin tuaj në Perëndi.

Siç shënohet te Titit 3:9–15, Pali i këshilloi shenjtorët t’i shmangnin grindjet, ose debatet, me mosbesuesit. Ai i tha Titit gjithashtu se do të dërgonte udhëheqës të tjerë të Kishës për ta vizituar Kretën.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Titit dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër