Biblioteka
Mësimi 11: 1 Nefi 7


Mësimi 11

1 Nefi 7

Hyrje

1 Nefi 7 përfshin shembuj të përkushtimit të Nefit ndaj Perëndisë. Nefi bindet kur Zoti urdhëron atë dhe vëllezërit e tij të kthehen për t’i kërkuar Ishmaelit dhe familjes së tij të bashkoheshin me ta në vendin e shkretë, që të mund të martoheshin dhe të rritnin fëmijë. Edhe kur Lamani dhe Lemueli u rebeluan kundër Nefit dhe u përpoqën ta vrisnin, ai mbeti besnik dhe u përpoq t’i ndihmonte edhe ata që të ishin besnikë.

Sugjerime për Mësimdhënien

1 Nefi 7:1–5

Zoti e urdhëron Nefin të kthehet në Jerusalem për Ishmaelin dhe familjen e tij

Paraqitni një figurë të një çifti të martuar dhe fëmijëve të tyre. (Ju mund të dëshironi të përdorni një figurë të vetë familjes suaj.)

Ftoni një student të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 7:1–2 .

  • Çfarë i urdhëroi Zoti bijve të Lehit që të bënin? Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga ky urdhërim? (Sigurohuni që studentët e kuptojnë se Zoti na urdhëron të martohemi dhe t’i rritim fëmijët tanë në Të.)

Kujtojuni studentëve se Nefit dhe vëllezërve të tij iu deshën disa ditë udhëtimi të vështirë përmes vendit të shkretë për t’u kthyer në Jerusalem.

  • Përse janë martesa dhe familja aq të rëndësishme për Nefin dhe vëllezërit e tij sa të ktheheshin sërish në Jerusalem për t’u takuar me Ishmaelin dhe familjen e tij?

Përpara se të filloni, ju mund të dëshironi t’i jepni secilit student një kopje të “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” ose bëjini ata t’i drejtohen kopjes së proklamatës në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta.

Kërkojini një studenti të lexojë me zë deklaratën vijuese nga “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”. Ftojini studentët të dëgjojnë me kujdes dhe të dallojnë atë që profetët e ditëve të mëvonshme kanë shpallur rreth rëndësisë së martesës.

“Ne, Presidencia e Parë dhe Këshilli i Dymbëdhjetë Apostujve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, solemnisht shpallim se martesa midis një burri dhe një gruaje shugurohet nga Perëndia dhe se familja është thelbësore në planin e Krijuesit për destinacionin e përjetshëm të fëmijëve të Tij” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Liahona, nëntor 2010, f. 129).

Ftojini disa studentë të tregojnë atë që mësojnë nga kjo deklaratë. Sigurohuni që e kuptojnë se familja është thelbësore në planin e Krijuesit për fatin tonë të përjetshëm. Theksoni se kjo qe arsyeja përse Zoti i urdhëroi Nefin dhe vëllezërit e tij të ftonin familjen e Ishmaelit që të shkonte me ta. Gjithashtu shpjegoni se një nga arsyet më të rëndësishme për martesën është të sjellin fëmijë në botë.

  • Ç’mendoni se do të thotë t’i rritësh fëmijë “Zotit”? (1 Nefi 7:1).

Pasi studentët t’i jenë përgjigjur kësaj pyetjeje, nxitini të dëgjojnë për pikëpamje shtesë ndërsa lexoni deklaratën vijuese nga proklamata mbi familjen. Në qoftë se kanë kopjet e tyre personale të proklamatës, ju mund të dëshironi t’u sugjeroni që t’i shenjojnë fjalët dhe frazat që janë të rëndësishme për ta.

“Ne deklarojmë se urdhërimi i Perëndisë për fëmijët e Tij që të shumohen dhe të mbushin tokën, mbetet i vlefshëm. …

… Prindërit kanë një detyrë të shenjtë për të rritur fëmijët e tyre me dashuri dhe drejtësi, për të plotësuar nevojat e tyre fizike dhe shpirtërore dhe për t’i mësuar ata ta duan e t’i shërbejnë njëri-tjetrit, të zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe të jenë qytetarë që u binden ligjeve kudo që jetojnë. Bashkëshortët dhe bashkëshortet – nënat dhe etërit – do të mbahen përgjegjës përpara Perëndisë për plotësimin e këtyre detyrimeve” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, f. 129).

Ftoni një student të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 7:3–5.

  • Si është rrëfimi te 1 Nefi 7:3–5 një shembull i së vërtetës te 1 Nefi 3:7? (Ndihmojini studentët të kuptojnë se Zoti përgatiti një udhë për Nefin dhe vëllezërit e tij që t’i bindeshin urdhrit për t’u martuar dhe për të pasur fëmijë.)

  • Si mund të përgatitet tani rinia që të martohet dhe të “rris[ë]” fëmijë në ungjill?

1 Nefi 7:6–15

I përballur me rebelimin e Lamanit dhe Lemuelit, Nefi dëshmoi për fuqinë e Zotit për t’i drejtuar ata te toka e premtuar

Ftoni një student të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 7:6–7.

  • Përse Lamani, Lemueli dhe disa nga fëmijët e Ishmaelit u rebeluan gjatë udhëtimit të tyre në vendin e shkretë?

Nxitini studentët të mendojnë rreth asaj që mund t’i thonë Lamanit, Lemuelit dhe bijve e bijave të rebeluara të Ishmaelit për t’i bindur ata që të vazhdojnë udhëtimin e tyre drejt tokës së premtuar. Më pas kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje 1 Nefin 7:8–12 dhe të dallojnë pyetjet që Nefi i bëri Lamanit dhe Lemuelit.

  • Çfarë të vërtetash tregoi Nefi ndërsa i bëri këto pyetje? (Ai i kujtoi vëllezërit e tij për bekimet që ata kishin marrë tashmë nga Zoti dhe për aftësinë e Zotit për të vazhduar t’i bekonte ata në përputhje me besimin e tyre.)

  • Përse është e rëndësishme për ne që t’i kujtojmë këto të vërteta?

Ftojini studentët të lexojnë 1 Nefin 7:13–15 dhe të dallojnë pasojat nëse Lamani, Lemueli dhe bijtë e bijat e rebeluara të Ishmaelit do të ishin kthyer në Jerusalem.

1 Nefi 7:16–22

Nefi shpëtohet nga Zoti

Shpjegoni se pasi Nefi i kujtoi Lamanit dhe Lemuelit për shkatërrimin që do t’u vinte atyre në Jerusalem, ata u inatosën me të.

Ftoni një student të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 7:16. Kërkojini klasës të përfytyrojë sikur janë në situatën e Nefit.

  • Si do të ndiheshit nëse do të ishit në vend të Nefit? Çfarë do të bënit?

Vini në dukje se Nefi iu përgjigj kësaj situate duke u lutur për ndihmë. Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë lutjen e Nefit te 1 Nefi 7:17–18.

  • Për çfarë u lut Nefi? Çfarë gjeni domethënëse lidhur me lutjen e tij?

Ndërsa studentët japin përgjigjet e tyre, sigurohuni se ata e kuptojnë që Nefi kërkoi të shpëtohet “sipas besimit të [tij]”. Gjithashtu vini në dukje se ndërsa kërkoi për shpëtim nga vëllezërit e tij, ai i kërkoi Perëndisë ta forconte në mënyrë që ai të mund ta zgjidhte problemin. Shpjegoni se të luturit me besim do të thotë se ne lutemi me besim në Zot dhe me një gatishmëri për të vepruar. Ftoni një student të lexojë thënien vijuese nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“Nefi është një shembull i personit që e njihte dhe e kuptonte dhe mbështetej mbi fuqinë ndihmuese të Shpëtimtarit. … Ju lutemi, vini në dukje lutjen e Nefit te vargu 17: ‘O Zot, sipas besimit tim që është te ti, a do të më shpëtosh nga duart e vëllezërve të mi; po, madje më jep fuqinë që t’i këpus këta rripa me të cilët jam i lidhur’ (theksimi i shtuar).

… Është veçanërisht interesante për mua se Nefi nuk u lut … që rrethanat e tij të ndryshonin. Në vend të kësaj, ai u lut për forcë për të ndryshuar rrethanat e tij. Dhe më lini të sugjeroj se ai u lut në këtë mënyrë pikërisht sepse e njihte dhe e kuptonte dhe e kishte provuar fuqinë ndihmuese të Shlyerjes së Shpëtimtarit” (“In the Strength of the Lord” [Fjalim i takimit shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 23 tetor 2001], f. 4, speeches.byu.edu).

Jepni dëshminë tuaj se Perëndia u përgjigjet lutjeve sipas besimit tonë. Vini në dukje se në këtë situatë, Perëndia iu përgjigj lutjes së Nefit thuajse menjëherë. Megjithatë, lutjet nuk marrin gjithmonë përgjigje në këtë mënyrë. Ati Qiellor u përgjigjet lutjeve në kohën e Tij, në mënyrën e Tij dhe sipas vullnetit të Tij. Jepuni studentëve mundësinë që të dëshmojnë për fuqinë e lutjes duke iu bërë pyetjen në vijim:

  • Kur jeni lutur me besim dhe keni marrë forcë apo ndihmë nga Zoti, ose menjëherë ose pas një farë kohe? (Ju mund të dëshironi të tregoni një përvojë që keni pasur me këtë parim.)

Tregojuni studentëve se pasi Nefi u çlirua nga rripat e tij, vëllezërit e tij u përpoqën ta sulmonin sërish. Ftoni një student të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 7:19–20.

  • Kush i bindi Lamanin dhe Lemuelin ta ndalonin përpjekjen për të vrarë Nefin?

Vini në dukje se lutjet tona shpesh marrin përgjigje dhe nevojat tona shpesh plotësohen përmes veprave besnike të të tjerëve. Ndërsa klasa juaj studion vargjet e mbetura të 1 Nefit 7, ftoni studentët të vënë re mënyrën se si iu përgjigj Nefi vëllezërve të tij, edhe pas gjithçkaje që i kishin bërë. Kërkojuni atyre të mendojnë rreth pyetjes vijuese pa u përgjigjur me zë:

  • Si jeni përgjigjur kur të tjerët janë përpjekur t’ju lëndojnë?

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 7:21. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët ta shenjojnë deklaratën e Nefit rreth faljes.

  • Çfarë do të thotë të falësh çiltërsisht? (Nëse studentët janë të pasigurt, shpjegoni se fjala çiltërsisht do të thotë ndershmërisht dhe menjëherë.)

  • Çfarë i nxiti Nefi vëllezërit e tij që të bënin? Përse qe e rëndësishme kjo këshillë?

Dëshmoni se të kërkosh falje dhe të falësh të tjerët sjell unitet dhe paqe. Ftojini studentët të mendojnë rreth situatave në familjet e tyre që kërkonin falje.

  • Përse falja është veçanërisht e rëndësishme në familjet tona?

  • Mendoni rreth një rasti kur keni falur një pjesëtar të familjes ose kur një pjesëtar i familjes ju ka falur. Si ndikoi kjo në marrëdhënien tuaj dhe shpirtin në shtëpinë tuaj?

Mbylleni duke u kujtuar studentëve se Zoti i urdhëroi Nefin dhe vëllezërit e tij të martoheshin dhe të kishin familje dhe se Zoti kërkon të njëjtën gjë sot. Gjithashtu dëshmoni se Zoti u përgjigjet lutjeve tona dhe na jep forcë për të mposhtur vështirësitë tona sipas besimit tonë në Të. Ftojini të marrin parasysh se si mund ta zbatojnë njërin prej parimeve të mësimit të sotëm për të ndihmuar familjet e tyre.

Përsëritja e Zotërimit të Shkrimit të Shenjtë

Shënim: Përsëritjet e zotërimit të shkrimit të shenjtë gjenden gjatë gjithë këtij manuali. Ato paraqesin një mori metodash që mund të përdorni për t’i ndihmuar studentët të përsëritin rregullisht vargjet për zotërimin e shkrimit të shenjtë.

Kohëzgjatja e këtij mësimi mund t’u lejojë kohë për veprimtarinë përsëritëse të zotërimit të shkrimit të shenjtë në vijim. Ju mund ta kryeni veprimtarinë në fillim të orës mësimore, si një pushim midis pjesëve të mësimit ose në fund të orës mësimore. Sigurohuni të mos e zgjatni atë që të lini kohë për mësimin. Për veprimtari të tjera përsëritjeje, shihni shtojcën.

Kur studentët mund t’i gjejnë fragmentet për zotërimin e shkrimit të shenjtë lehtësisht dhe të kuptojnë domethënien, kontekstin dhe zbatimin e tyre, ata do të kenë më shumë besim në studimin e tyre vetjak, në aftësinë e tyre për të zbatuar parimet e ungjillit dhe në mundësitë e tyre për të dhënë mësim nga shkrimet e shenjta. Merrni në konsideratë thënien në vijim nga Presidenti Hauard W. Hanter: “Ne do të shpresonim se asnjëri prej studentëve tuaj nuk do të largohet nga klasa i frikësuar ose në siklet apo i turpëruar që nuk mund ta gjejë ndihmën për të cilën ka nevojë pasi nuk i di shkrimet e shenjta aq mirë sa të gjejë pjesët e duhura” (“Eternal Investments” [fjalim drejtuar mësuesve të fesë së SAK-ut, 10 shkurt 1989], f. 2, si.lds.org; Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit: Një Manual për Mësuesit dhe Udhëheqësit në Seminaret dhe Institutet e Fesë, fq. 38).

Për t’i ndihmuar studentët të familjarizohen me vendndodhjen e fragmenteve për zotërimin e shkrimit të shenjtë, ftojini t’i referohen letrës shënuese për zotërimin e shkrimit të shenjtë, të gjejnë pesë fragmentet e para për zotërimin në shkrimet e tyre të shenjta dhe t’i lexojnë. Ju mund të dëshironi t’i nxitni studentët t’i shenjojnë fragmentet për zotërimin e shkrimit të shenjtë në një mënyrë të dallueshme, që të jenë në gjendje për t’i gjetur lehtësisht ato.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

1 Nefi 7:2. Ishmaeli rridhte nga Efraimi

Libri i Mormonit ndonjëherë përmendet si “drur[i] i Jozefit” (Ezekieli 37:19) ose “drur[i] [i] Efraimit” (DeB 27:5). Lehi ishte pasardhës i Manasit (shih Alma 10:3) dhe Ishmaeli ishte pasardhës i Efraimit (shih Erastus Snow, Deseret News, 18 gusht 1882). Profecitë e Jakobit (shih Zanafilla 48:16; 49:22) u përmbushën ndërsa Ishmaeli (i Efraimit) erdhi në kontinentin Amerikan me Lehin (e Manasit).

1 Nefi 7:3-5. Rëndësia e martesës

Presidenti Hauard W. Hanter e theksoi rëndësinë e martesës në tempull:

“Ashtu si pagëzimi është një urdhërim nga Zoti, po ashtu është martesa në tempull. Ashtu si pagëzimi është thelbësor për hyrjen në Kishë, po ashtu martesa në tempull është thelbësore për ekzaltimin tonë në praninë e Perëndisë. Është pjesë e vendmbërritjes sonë. Ne nuk mund t’i përmbushim qëllimet tona përfundimtare pa të.

Mos u kënaqni me asgjë më pak nga kjo.

Ju nuk do ta pranonit një lloj pagëzimi sipas botës, apo jo?

Perëndia ka mënyrën e tij të pagëzimit – me anë të zhytjes nga dikush që mban autoritetin.

Atëherë, a do të pranonit një lloj martese sipas botës?

Ai ka mënyrën e tij të martesës gjithashtu: Është martesa në tempull” (Teachings of Howard W. Hunter, red. Clyde J. Williams [1997], f. 131–132; shih edhe DeB 131:1–4).

1 Nefi 7:15. “Në qoftë se ju do të ktheheni në Jeruzalem, edhe ju do të vdisni me ta”

Nefi i paralajmëroi vëllezërit e tij dhe anëtarët e familjes së Ishmaelit se do të vdisnin nëse do të ktheheshin në Jerusalem. Historia tregon se Nefi kishte të drejtë. Disa vite pasi familjet e Lehit dhe Ishmaelit u larguan nga Jerusalemi, babilonasit e rrethuan qytetin. Sipas Biblës, një rrethim afro 18-mujor i la njerëzit e Jerusalemit pa ushqim, qyteti “[u] ç[a]”dhe ushtria e mbretit Sedekia u shpërnda (shih 2 Mbretërve 25:1–7). Më pas babilonasit shkatërruan tempullin dhe morën shumë njerëz robër në Babiloni. Nëse Lamani, Lemueli dhe të tjerët do të ishin kthyer në Jerusalem, ata do të kishin vuajtur robëri ose vdekje (shih 2 Nefi 1:4). Por për shkak se zgjodhën të ndiqnin Lehin dhe Nefin, në vend të kësaj ata gëzuan frutën dhe mjaltin e tokës Begati (shih 1 Nefi 17:3–6) dhe morën një tokë trashëgimie (shih 2 Nefi 1:5). Veç kësaj, Zoti ka qenë i mëshirshëm me pasardhësit e ditëve të mëvonshme të Lamanit dhe Lemuelit, duke i bekuar ata me ungjillin (shih 2 Nefi 4:7–9).

Shtyp në Letër