Biblioteka
Mësimi 47: Jakobi 5:52–77; Jakobi 6


Mësimi 47

Jakobi 5:52–77; Jakobi 6

Hyrje

Në mësimin e mëparshëm, studentët filluan të studiojnë alegorinë e Zenosit për pemët e ullirit të butë dhe të egër. Në këtë mësim, ata do të studiojnë pjesën e fundit të alegorisë, në të cilën pronari i vreshtit punon me shërbëtorët e tij për herë të fundit për të bërë që pemët të prodhojnë fryt të mirë. Ata do të studiojnë gjithashtu Jakobin 6, në të cilin Jakobi komenton mbi alegorinë dhe i këshillon njerëzit e tij që të pendohen.

Sugjerime për Mësimdhënien

Jakobi 5:52–60

Në alegorinë e pemëve të ullirit të butë dhe të egër, pronari i vreshtit shpëton pemët dhe u shërben që të prodhojnë fryt të mirë

Përpara klasës vizatoni në tabelë një figurë me tri pemë.

Pamja
tri pemë ulliri

Kujtojuni studentëve se në mësimin e mëparshëm, ata filluan të studionin alegorinë e Zenosit me pemët e ullirit të butë dhe të egër te Jakobi 5. Në fund të atij mësimi, të gjitha pemët në vresht po jepnin fryt të egër (shih Jakobi 5:30–42). Kjo përfaqësonte Braktisjen e Madhe.

Për ta rishikuar mësimin e mëparshëm, ndajeni klasën në çifte. Vëreni çdo çift të diskutojë përgjigjet e tyre për fjalitë vijuese të paplota (ju mund të doni t’i shkruani këto thënie në tabelë):

  1. Pronari i vreshtit përfaqëson …

  2. Përpjekjet e pronarit të vreshtit për të shpëtuar pemët e tij përfaqëson …

  3. Një gjë që unë mësova rreth Jezu Krishtit nga fjalët apo veprimet e pronarit të vreshtit është …

  4. Pasi të gjitha pemët dhe frytet e vreshtit u prishën, pronari vendosi të …

Pasi studentët të kenë diskutuar këto thënie si çifte, rishikoni shkurtimisht përgjigjet e tyre si klasë. Ndërsa studentët japin përgjigjet e tyre për dy thëniet e para, sigurohuni që të jetë e qartë se pronari i vreshtit përfaqëson Jezu Krishtin dhe se përpjekjet e tij për të shpëtuar pemët e tij përfaqësojnë përpjekjet e Shpëtimtarit për të ndihmuar njerëzit e Tij të kthehen tek Ai. Studentët mund të thonë mësime të ndryshme të vlefshme ndërsa plotësojnë thënien e tretë. Vërini studentët të kontrollojnë përgjigjet për thënien e katërt duke parë te Jakobi 5:51, që thotë se pronari vendosi ta mbante vreshtin “pak më gjatë”.

Shpjegoni se mësimi i sotëm mbulon pjesën e fundit të alegorisë, që përfaqëson ditët e fundit, duke përfshirë Rivendosjen e ungjillit.

Theksoni se pronari i vreshtit vendosi ta mbante vreshtin duke shartuar më shumë degë. Vini disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Jakobi 5:52–58. Ftojeni klasën të kërkojë për çka bëri pronari për të forcuar degët dhe rrënjët. (Ndihmojini studentët të shohin se pronari i vreshtit shartoi degë nga pemët natyrore përsëri në pemën e tyre të origjinës – pema që përfaqëson shtëpinë e Izraelit. Pastaj ai shartoi degë nga ajo pemë në pemë të tjera natyrore. Ai gjithashtu i flaku degët më të këqija në zjarr. Ju mund të përdorni pemët në tabelë për të ilustruar këtë shembull. Për shembull, ju mund të fshini një degë nga një pemë dhe të vizatoni një degë të re te një tjetër.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Jakobi 5:59. Kërkojini klasës të dëgjojë për atë çka shpresonte pronari i vreshtit që këto veprime do të bënin për rrënjët e pemëve.

  • Çfarë shpresonte pronari se do të ndodhte me rrënjët? (Ai donte që ato të “marrin fuqi”.)

Kujtojuni studentëve se në këtë kohë, të gjitha pemët po jepnin fryte të këqija, duke përfaqësuar të gjithë botën në një gjendje braktisjeje. Shpjegoni se ndërsa rrënjët do të merrnin fuqi, degët kudo në vresht do të ndryshonin që “të mirat mund të mposhtin të ligat” (Jakobi 5:59).

Sigurohuni që studentët të kuptojnë se këto vargje na mësojnë se ndikimi i besëlidhjeve të ungjillit i lejon fëmijët e Atit Qiellor të kapërcejnë mëkatin dhe të sjellin drejtësi.

  • Në çfarë mënyrash mund të na forcojnë besëlidhjet e ungjillit? Si kanë ndikuar besëlidhjet tuaja në jetën tuaj? (Ju mund të doni të shprehni vetë ndjenjat dhe dëshminë tuaj rreth këtij parimi.)

Jakobi 5:61–77

Pronari i vreshtit punon në vresht me shërbëtorët e tij

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Jakobi 5:61–62, duke parë për atë çfarë i udhëzoi pronari i vreshtit shërbëtorët e tij që të bëjnë dhe përse u kërkoi që ta bënin.

  • Shërbëtori në fillim të alegorisë përfaqëson profetët e Zotit. Cili mund të jetë përfaqësuar nga shërbëtorët e shumtë te Jakobi 5:61? (Ndihmojini studentët të shohin që këta shërbëtorë mund të përfaqësojnë të gjithë anëtarët e Kishës: profetët dhe apostujt, udhëheqësit e përgjithshëm dhe vendorë të Kishës, misionarët, mësuesit e shtëpisë, mësueset vizitore dhe cilindo që merr pjesë në punën e Zotit.)

  • Çfarë është e rëndësishme rreth fjalëve ne dhe tonë te Jakobi 5:61–62? (Zoti punon me ne. Ne nuk jemi lënë ta bëjmë punën e Tij vetëm.)

  • Sipas Jakobit 5:62, çfarë është unike rreth kohës në të cilën këta shërbëtorë qenë thirrur të punonin? (Ishte “her[a] e fundit” që pronari do të krasiste vreshtin. Profetët i janë referuar kësaj “her[e] të fundit” si “periudha ungjillore e plotësisë së kohëve”. Për shembull, shih Efesianëve 1:10 dhe DeB 128:20.)

Pamja
Plaku Din L. Larsen

Për t’i ndihmuar studentët të shohin se si lidhet me ta kjo pjesë e alegorisë, vini një student të lexojë thënien vijuese nga Plaku Din L. Larsen, i Të Shtatëdhjetëve:

“[Tani] është periudha gjatë së cilës Zoti dhe shërbëtorët e tij do të bëjnë përpjekjen e fundit të madhe për të çuar mesazhin e së vërtetës tek të gjithë njerëzit e tokës dhe të rivendosin pasardhësit e Izraelit të lashtë që kanë humbur identitetin e tyre të vërtetë. …

Ju keni ardhur në tokë kur u hodh themeli për këtë punë madhështore. Ungjilli qe vendosur për herë të fundit. Kisha qe rivendosur thuajse në çdo pjesë të botës. Skena u hap që të luheshin aktet e fundit dramatike. Ju do të jeni aktorët kryesorë. Ju jeni ndër punëtorët e fundit në vresht. … Ky është shërbimi për të cilin ju jeni zgjedhur” (“A Royal Generation”, Ensign, maj 1983, f. 33).

  • Si ndikon te ju dija se jeni thirrur të shërbeni me Zotin gjatë kësaj periudhe të fundit të punës?

  • Kur keni ndier se Zoti ka punuar me ju ndërsa keni marrë pjesë në punën e Tij?

  • Cilat janë disa mundësi që keni për t’i shërbyer Zotit dhe t’i ndihmoni të tjerët të sjellin “frut të mirë”? (Studentët mund të përmendin thirrjet dhe detyrat e tyre në Kishë; përgjegjësinë e tyre për të ndihmuar anëtarët e familjes, miqtë dhe të tjerë për t’iu afruar më shumë Shpëtimtarit; dhe mundësia që do të kenë për t’i shërbyer Zotit si misionarë kohëplotë.)

Shkruani Jakobi 5:70–75 në tabelë. Paraqitini këto vargje duke shpjeguar se ata japin mësim rreth marrëdhënies që Zoti ka me shërbëtorët e Tij. Ata gjithashtu përshkruajnë atë që Zoti dhe shërbëtorët e Tij janë në gjendje të përmbushin nëpërmjet punës së tyre së bashku. Ftojini studentët të lexojnë këto vargje në heshtje dhe të zgjedhin një varg që jep përshkrimin e parapëlqyer të tyre për marrëdhënien e Zotit me shërbëtorët e Tij. Pasi studentët të kenë pasur kohë për të lexuar, ftojini disa prej tyre të thonë se cilin varg kanë zgjedhur, përse e pëlqejnë atë dhe si mund t’i ndihmojë ata ndërsa i shërbejnë Zotit.

Ndërsa studentët marrin pjesë në këtë veprimtari, siguroni që ata të kuptojnë se Zoti na premton gëzim ndërsa punojmë me Të për të përmbushur punën e Tij. Për t’i ndihmuar studentët të thellojnë kuptimin e tyre për Jakobin 5:70–75, merrni parasysh të drejtoni disa nga pyetjet vijuese:

  • Çfarë u premtoi pronari i vreshtit atyre që punonin me të? (Shih Jakobi 5:71, 75.) Kur keni ndier gëzim në punën e Zotit?

  • Përse mendoni se është e rëndësishme që shërbëtorët punuan “me fuqitë e tyre” dhe “me gjithë zell[in]”? (Shih Jakobin 5:72, 74.) Çfarë mësimesh mund të merrni nga këto fraza ndërsa i shërbeni Zotit?

Përfundojeni këtë pjesë të mësimit duke u kërkuar studentëve t’i përgjigjen pyetjes vijuese në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta apo fletoren e klasës (ju mund të doni ta shkruani atë në tabelë):

  • Ndërsa merrni parasysh mundësitë tuaja për t’i shërbyer Zotit, si do t’i zbatonit të vërtetat që kemi diskutuar te Jakobi 5?

Pasi studentët të kenë pasur mjaft kohë për të shkruar, ju mund të kërkoni nga një ose dy prej tyre të lexojnë përgjigjet e tyre për klasën.

Jakobi 6

Jakobi jep mësim për mëshirën dhe drejtësinë e Zotit dhe i fton njerëzit e tij të pendohen

Shkurtimisht paraqitni Jakobin 6 duke shpjeguar se ai përmban përmbledhje të Jakobit mbi të vërteta të rëndësishme nga alegoria e pemëve të ullirit të butë dhe të egër.

Ftojeni një student të lexojë Jakobi 6:4–6. Kërkojini gjysmës së klasës të kërkojë atë që donte Jakobi që njerëzit të mësonin rreth Zotit. (Që Ai i kujton njerëzit e Tij, që Ai “qëndron besnik tek [ata]” dhe që “krahu i tij i mëshirës është shtrirë drejt [tyre]”. Ju mund të keni nevojë të shpjegoni se në këtë fragment, fjala qëndroj besnik do të thotë të ngulesh pranë te diçka apo dikush.) I kërkoni gjysmës tjetër të klasës të kërkojë atë që e nxiti Jakobi popullin e tij të bënte si rezultat i kësaj njohurie. (Të mos i ngurtësojnë zemrat e tyre, të pendohen, të vijnë te Zoti “me synim të plotë të zemrës” dhe të “qëndro[jnë] besnikë te Perëndia, sikurse ai qëndron besnik [tek ata]”.) Pasi studentët i tregojnë klasës se çfarë kanë mësuar, pyetni:

  • Si e përshkroi Jakobi Zotin? Çfarë do të thotë për ju që “krahu i tij i mëshirës është shtrirë drejt jush”?

  • Çfarë mësuat rreth Zotit nga alegoria e pemëve të ullirit që ilustron se si Ai qëndron besnik te ju? Çfarë mund të bëni që të tregoni se ju po qëndroni besnikë te Zoti?

Përmblidhni Jakobin 6:7–10 duke shpjeguar që pasi kemi qenë “ushqyer nga fjala e mirë e Perëndisë”, ne nuk duhet të sjellim fryt të lig. Ne duhet të ndjekim fjalët e profetëve. Nëse nuk pendohemi, paralajmëroi Jakobi, ne do të mbahemi përgjegjës për mëkatet tona te shufra e gjykimit e Zotit. Nxitini studentët të lexojnë në heshtje Jakobi 6:11–13 dhe të kërkojnë këshillën e fundit të Jakobit. Pasi të tregojnë atë që kanë gjetur, pyetni:

  • Përse është diçka e urtë të zgjedhësh të pendohesh dhe të përgatitesh tani për të qëndruar përpara Zotit dhe të gjykohesh prej Tij?

Pohoni se ne jemi të urtë për t’u përgatitur tani për gjykim duke u penduar dhe duke marrë mëshirën e Zotit.

Për ta përfunduar mësimin, theksoni se pendimi na përgatit jo vetëm për gjykimin e fundit përfundimtar por gjithashtu për të qenë në gjendje t’i shërbejmë Zotit tani. Dëshmojuni studentëve se Zoti do që ata të shërbejnë me Atë dhe të gjejnë gëzim me Atë, dhe që ata mund të jenë të denjë ta bëjnë këtë ndërsa u binden urdhërimeve të Tij, pendohen dhe marrin mëshirën e Tij.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Jakobi 5. Vështrim i përgjithshëm mbi alegorinë e pemëve të ullirit të butë dhe të egër

Pamja
alegoria e pemës së ullirit

Shtyp në Letër