Biblioteka
Mësimi 110: Helamani 8–9


Mësimi 110

Helamani 8–9

Hyrje

Pasi Nefi shpalli se populli duhej të pendohej ose të shkatërrohej, gjykatësit e korruptuar ndërsyen shumë nga populli kundër tij. Disa njerëz e mbrojtën atë me guxim. Nefi u mësoi se njerëzit që e hidhnin poshtë dëshminë e tij, hidhnin poshtë dëshmitë e të gjithë profetëve që kishin ardhur para tij, të cilët të gjithë kishin dëshmuar për Jezu Krishtin. Si dëshmi që ai ishte profet, Nefi u zbuloi se kryegjykatësin e kishin vrarë. Kur fjalët e Nefit u vërtetuan, disa njerëz e pranuan atë si profet.

Sugjerime për Mësimdhënien

Helamani 8:1–10

Gjykatësit e korruptuar përpiqen të ndërsejnë popullin kundër Nefit

  • Cilat janë disa nga ndikimet që përpiqen t’ju bindin për të mos i besuar fjalët e profetëve?

Ndërsa studentët diskutojnë për këtë pyetje, kërkojini një studenti t’i shkruajë përgjigjet e tyre në tabelë. Ftojini studentët të kërkojnë të gjejnë kuptime mbi atë që mund të bëjnë kur përballen me ndikime si ato për të cilat do të lexojnë sot te Helamani 8.

Kujtojuni studentëve se Nefi me guxim i dha një mesazh pendese popullit të tij (shih Helamani 7). Ftojini disa studentë që me radhë të lexojnë me zë nga Helamani 8:1–6. Kërkojini klasës t’i ndjekë, duke përcaktuar se si reaguan gjykatësit ndaj mësimit të Nefit. Mund të jetë mirë të vini në dukje se disa nga gjykatësit bënin pjesë në bandën e fshehtë të Gadiantonit.

  • Çfarë mesazhi i dhanë gjykatësit popullit? (Ata u përpoqën ta bindnin popullin që të zemërohej me Nefin.)

  • Sipas Helamanit 8:4, përse gjykatësit nuk guxonin ta ndëshkonin Nefin?

Kërkojuni studentëve të mendojnë se çfarë do të bënin nëse dikush përpiqej t’i bindte që t’i shpërfillnin fjalët e profetëve?

Vërini në dijeni studentët se disa njerëz folën hapur kundër ideve të gjykatësve. Kërkojini një studenti ta lexojë me zë Helamanin 8:7–9. Vini në dukje se, ashtu si disa njerëz nga turma, ne mund ta ngremë zërin në mbështetje të profetit, edhe kur kjo nuk është gjëja e pëlqyer për t’u bërë.

  • A ka pasur raste në jetën tuaj kur e keni ngritur zërin që të përkrahni profetin e gjallë, edhe pse mësimet e tij kanë qenë të padëshiruara? Si ju solli kjo ndryshim në jetën tuaj? Si ndikoi te të tjerët?

Kërkojuni studentëve ta lexojnë në heshtje Helamanin 8:10 që të gjejnë se në ç’mënyrë sollën ndryshim fjalët e këtyre njerëzve.

  • Ç’ndryshim solli kur disa njerëz e përkrahën profetin? Si mendoni, përse është e rëndësishme ta bëjmë këtë sot?

Ftojeni një student të lexojë thënien e mëposhtme nga Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku M. Rasëll Ballard

“Ne duhet të kujtojmë thënien e Edmund Burke: ‘E vetmja gjë e nevojshme për triumfin e së ligës është që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë’. [I njihet në përmbledhjen e John Bartlett-it, Familiar Quotations, bot. 15-të (1980), ix.] Ne duhet ta ngremë zërin tonë bashkë me qytetarët e tjerë të shqetësuar në mbarë botën për të kundërshtuar prirjet e kohëve të fundit. Ne duhet t’u themi sponsorëve të mediave të pahijshme se boll i kemi duruar. Ne duhet të mbështesim programe dhe produkte që janë pozitive dhe frymëzuese. Duke u bashkuar me fqinjët dhe miqtë që kanë të njëjtat shqetësime me ne, ne mund t’u dërgojmë një mesazh të qartë atyre që janë përgjegjës për to” (“Let Our Voices Be Heard”, Ensign ose Liahona, nëntor 2003, f. 18).

  • Si mund t’u bëjmë ballë ndikimeve që përpiqen të na bindin për t’i kundërshtuar fjalët e profetëve?

  • Cilat janë disa mënyra të përshtatshme për të folur hapur kundër ndikimeve të liga dhe pro fjalëve të profetëve?

Ftojini studentët të tregojnë për raste kur ata ose dikush që ata e njohin është ngritur kundër ndikimeve të tilla.

Helamani 8:11–24

Helamani jep mësimin se të gjithë profetët dëshmojnë për Jezu Krishtin

Ftojeni një student ta lexojë me zë Helamanin 8:13. Kërkojini klasës ta ndjekë dhe të përcaktojë se çfarë tha Nefi se njerëzit mohuan. Tregojuni studentëve pikturën “Moisiu dhe Gjarpri prej Bronzi” (62202; Libri i Figurave Artistike të Ungjillit (2009), nr. 16). Kërkojuni të lexojnë Helamanin 8:14–15 dhe të përcaktojnë se ç’mësim dha Moisiu për Shpëtimtarin.

Pamja
Moisiu dhe Gjarpri prej Bronzi
  • Cilat janë disa mënyra se si një person mund “ta [shikojë] Birin e Perëndisë me besim”?

  • Të kesh “shpirt të penduar,” siç shprehet te Helamani 8:15, do të thotë të jesh i përulur, i penduar dhe pranues ndaj vullnetit të Zotit. Përse është thelbësor ky qëndrim kur shikojmë nga Shpëtimtari?

  • Në ç’mënyrë mund të na ndihmojë njohja e misionit të Shpëtimtarit, që t’i bëjmë ballë së ligës?

Ftojini studentët ta shprehin rishtas mësimin e dhënë te Helamani 8:15 duke përdorur fjalët e veta. Për shembull, ata mund të thonin se, nëse përqendrohemi te Jezu Krishti dhe ushtrojmë besim tek Ai, ne do të marrim jetë të përjetshme.

Kërkojini një studenti ta lexojë me zë Helamanin 8:16. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke përcaktuar njerëz të tjerë që kanë dhënë mësim mesazhin që shprehet te Helamani 8:15. Më pas kërkojuni studentëve të kërkojnë shpejt e shpejt te Helamani 8:17–22 për emra profetësh të tjerë të cilët dëshmuan për Krishtin. Ftojini studentët të sjellin ndër mend dëshmitë e shumta për Jezu Krishtin, që i kanë lexuar ose dëgjuar nga profetët e lashtë dhe profetët e ditëve të mëvonshme.

Shpjegoni se shumë njerëz e kundërshtuan Nefin dhe mesazhin e tij. Ftojini studentët të lexojnë Helamanin 8:24–26 dhe të përcaktojnë se me çfarë pasojash u përballën nefitët ngaqë i hodhën poshtë dëshmitë e profetëve.

  • Si mendoni, përse ata të cilët rregullisht e mohojnë të vërtetën dhe ngrenë krye kundër Perëndisë, përballen me pasoja të tilla serioze?

  • Kur ju ka ndihmuar juve mesazhi i një profeti që të ktheheni te Zoti?

Ftojini studentët të gjykojnë se si mund të përmirësohen në përpjekjet e tyre për t’u kthyer drejt Shpëtimtarit. Nxitini ata të përqendrohen mbi një drejtim në të cilin do të përmirësohen brenda javës tjetër.

Helamani 8:25–9:41

Nefi nxjerr në shesh se kryegjykatësin e kanë vrarë

Përmblidheni Helamanin 8:25–28 duke shpjeguar se, si provë që populli ishte në një gjendje mëkati dhe që Nefi fliste fjalën e Perëndisë, Nefi nxori në shesh se kryegjykatësin e kishin vrarë. Ndajeni klasën në çifte. Kërkojini çdo dysheje të përfytyrojë sikur janë hetues të çështjes për të përcaktuar se kush e vrau kryegjykatësin. Shkruajini në tabelë pyetjet që vijojnë ose përfshijini ato në një fletushkë për secilën dyshe.

Dita e Parë e Hetimit:

  1. Kur pesë njerëz i hetuan pohimet e Nefit, çfarë gjetën? Përse ranë përdhe? (Shih Helamani 9:1–5.)

  2. Për cilët dyshoi populli se ishin vrasësit? (Shih Helamani 9:7–9.)

Dita e Dytë e Hetimit:

  1. Kush u lirua? (Shih Helamani 9:10–13, 18.)

  2. Kush u akuzua? (Shih Helamani 9:16–17, 19.)

  3. Ç’të dhëna të mëtejshme tregoi Nefi. (Shih Helamani 9:25–36.)

  4. Kush ishte vrasësi? (Shih Helamani 9:37–38.)

Ftojini dyshet të gjejnë përgjigjet e pyetjeve 1 dhe 2. Pasi të kenë pasur kohë të mjaftueshme, pyetni:

  • Kur të pesë njerëzit zbuluan kryegjykatësin e vrarë, çfarë besuan ata? Çfarë patën frikë? (Shih Helamani 9:5.)

Ftojini dyshet t’u përgjigjen pyetjeve që mbeten, për ta përfunduar hetimin e tyre. Më pas pyetni:

  • Sipas Nefit, çfarë do të thoshte Seantumi pasi të rrëfente fajin e vet? (Shih Helamani 9:36.)

  • Sipas Helamanit 9:39–41, përse disa njerëz e besuan Nefin?

Ftojini studentët të përmbledhin ato që kanë mësuar për fjalët e profetëve nga Helamani 9. Studentët mund të shprehin shumë mendime të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë këtë parim: Fjalët e profetëve do të përmbushen. Për ta theksuar këtë të vërtetë, mund të jetë mirë t’i vini studentët të lexojnë Doktrinën e Besëlidhjet 1:37–38.

  • Cilat përvoja e kanë forcuar dëshminë tuaj se ne kemi profetë të vërtetë në tokë sot?

Përfundojeni me dëshminë tuaj që fjalët e profetëve do të përmbushen.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Helamani 8:14–15. “Gjarpri prej bronzi”

Kur Nefi foli për Moisiun i cili ngriti një “gjarpër prej bronzi”, ai iu referua një kohe kur fëmijët e Izraelit i kishin pllakosur “gjarpërinj flakërues” (shih Numrat 21:6–9). Shkaku për këtë hall të izraelitëve, ishte se kishin folur keq për Perëndinë dhe profetin e Tij (shih Numrat 21:5). Ata që shikonin nga gjarpri prej bronzi, shëroheshin dhe ata që zgjidhnin të mos shikonin nga ai, mbaronin (shih Numrat 21:9; 1 Nefi 17:41).

Sikurse ata izraelitë, shumë nga populli i kohës së Nefit folën kundër Perëndisë dhe profetit të Tij. Kur Nefi iu referua ngjarjes së gjarprit prej bronzi, theksoi se populli i tij “[duhej të shikonte] në Birin e Perëndisë me besim” e të jetonte (Helamani 8:15; shih edhe Gjoni 3:14–15, në të cilën Vetë Jezu Krishti iu referua gjarprit prej bronzi si simbol i Kryqëzimit të Tij të afërt). Nefi më pas i kujtoi popullit se të gjithë profetët kishin dëshmuar për Krishtin (shih Helamani 8:16–23).

Shtyp në Letër