Biblioteka
Mësimi 4: Faqja e Titullit, Parathënia dhe Dëshmia e Dëshmitarëve


Mësimi 4

Faqja e Titullit, Parathënia dhe Dëshmitë e Dëshmitarëve

Hyrje

Ndërsa e jepni mësim Librin e Mormonit, ju do t’i ndihmoni studentët të zbulojnë të vërtetat që do t’i afrojnë ata më shumë me Perëndinë. Që nga fillimi i librit, është e qartë se autorët e Librit të Mormonit synonin që të dëshmonin se Jezusi është Krishti. Libri gjithashtu pohon besëlidhjen e Perëndisë me shtëpinë e Izraelit dhe tregon nevojën e të gjithë fëmijëve të Perëndisë për të bërë dhe mbajtur besëlidhje të shenjta. Ndërsa studentët e studiojnë me lutje Librin e Mormonit, ata do të fitojnë një dëshmi më të madhe për ungjillin e Jezu Krishtit dhe për Rivendosjen e Kishës së Tij në këto ditë të mëvonshme. Ata gjithashtu do të mësojnë të ushtrojnë besim më të madh te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij.

Sugjerime për Mësimdhënien

Sugjerimet për mësimdhënien e këtij mësimi mund të marrin më shumë kohë sesa koha e lejuar për klasën tuaj. Mbani parasysh me lutje se për cilat pjesë ka më tepër nevojë klasa juaj.

Faqja e Titullit

Ftojini studentët të kthehen tek faqja e titullit të Librit të Mormonit. Kjo faqe fillon me fjalët: “Libri i Mormonit, një rrëfim i shkruar mbi fletë nga dora e Mormonit nxjerrë nga fletët e Nefit”. Profeti Jozef Smith shpjegoi origjinën e faqes së titullit:

“Faqja e titullit të Librit të Mormonit është një përkthim i fjalëpërfjalshëm, marrë nga fleta e fundit fare, në anën e majtë të … librit të fletëve, që përmbante analin që është përkthyer, … dhe … tha se faqja e titullit në fjalë nuk është në asnjë lloj mënyre një krijim modern, as i imi dhe as i dikujt tjetër që ka jetuar ose jeton në këtë brez” (në History of the Church, 1:71).

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje faqen e titullit të Librit të Mormonit. Vërini të kërkojnë fraza që dëshmojnë qëllimet e Librit të Mormonit. (Ju mund të dëshironi t’u jepni studentëve një të dhënë se këto qëllime shprehen si gjëra që Libri i Mormonit do t’u “tregojë” atyre që e lexojnë atë.) Ftojini disa studentë të shkruajnë në tabelë gjetjet e tyre. Kur të kenë mbaruar, kërkojuni studentëve ta rilexojnë paragrafin e dytë për veten e tyre, duke futur vetë emrat e tyre në vend të “mbetje[s së] shtëpisë së Izraelit”.

  • Pasi ta keni lexuar Librin e Mormonit, cili prej qëllimeve të tij është përmbushur në jetën tuaj? Në ç’mënyrë janë përmbushur ato?

  • Si ju ndihmon kjo të dini se ata të cilët kanë bërë besëlidhje me Zotin nuk do të “braktis[en] përgjithmonë”?

Tregojuni studentëve se do të ketë kohë kur ata do të ndihen të vetmuar ose se janë “braktisur”.

  • Përse është e rëndësishme të dini gjatë këtyre kohëve se ju nuk jeni “braktisur përgjithmonë”?

  • Në ç’mënyrë është ky premtim një shprehje e dashurisë së Perëndisë për ju?

Në mënyrë që t’i ndihmoni studentët ta vlerësojnë qëllimin kryesor të Librit të Mormonit, kërkojini një studenti të lexojë deklaratën vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson:

Pamja
Presidenti Ezra Taft Benson

“Misioni më i madh i Librit të Mormonit, sikurse shënohet edhe te faqja e titullit të tij, është ‘për bindjen e Judenjve dhe Johebrenjve se Jezusi është Krishti, Perëndia i Amshuar, që ua shfaqi veten të gjitha kombeve’.

Kërkuesi i sinqertë pas të vërtetës mund të fitojë dëshminë se Jezusi është Krishti ndërsa përsiat me lutje fjalët e frymëzuara të Librit të Mormonit.

Më shumë se gjysma e të gjitha vargjeve në Librin e Mormonit i referohet Zotit tonë. Disa forma të emrit të Krishtit përmenden më shpesh në vargjet në Librin e Mormonit sesa madje në Dhiatën e Re.

Atij i jepen mbi njëqind emra të ndryshëm në Librin e Mormonit. Ato emra kanë një kuptim të veçantë në përshkrimin e natyrës së Tij hyjnore” (“Come unto Christ”, Ensign, nëntor 1987, f. 83).

Jepni dëshminë tuaj që Libri i Mormonit është një dëshmi se Jezusi është Krishti.

Parathënia e Librit të Mormonit

Vizatoni në tabelë një figurë të një harku (shih figurën shoqëruese), ose bëni një model të një harku prej druri ose materialesh të tjera.

Pamja
harku prej gurësh

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë deklaratën nga Jozef Smithi në parathënien e Librit të Mormonit (shih paragrafin gjashtë). Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët ta shenjojnë deklaratën në shkrimet e tyre të shenjta.

  • Për çfarë qëllimi shërben një gurthemel?

Shpjegoni se gurthemeli është guri qendror në majë të një harku. Kur ndërtohet një hark, të dyja anët ndërtohen me qëllim që t’i mbajnë ato. Hapësira në majë të harkut matet me kujdes dhe gurthemeli pritet që t’i përshtatet saktësisht. Kur gurthemeli vendoset në vend, harku mund të qëndrojë pa mbështetje.

  • Çfarë i ndodh harkut nëse lëviz gurthemeli? (Nëse jeni duke përdorur një model, tregojeni konkretisht duke e lëvizur gurthemelin.)

  • Në ç’mënyrë vepron Libri i Mormonit si një gurthemel në lidhje me ungjillin e rivendosur?

Ftojeni një student ta lexojë me zë deklaratën vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson. (Ju mund të dëshironi ta përgatitni deklaratën në një fletushkë për studentët që ta vendosin atë te shkrimet e shenjta vetjake. Ose ndryshe, ju mund të dëshironi t’i ftoni studentët ta shkruajnë deklaratën e Presidentit Benson në shkrimet e tyre të shenjta, sipër ose poshtë faqes së parë të parathënies.)

“Ka tri mënyra në të cilat Libri i Mormonit është gurthemeli i fesë sonë. Ai është gurthemeli i dëshmimit tonë për Krishtin. Ai është gurthemeli i doktrinës sonë. Ai është gurthemeli i dëshmisë” (“The Book of Mormon—Keystone of Our Religion”, Ensign, nëntor 1986, f. 5).

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se si Libri i Mormonit është gurthemeli i dëshmisë, ftojeni një student të lexojë deklaratën vijuese nga Presidenti Benson:

“Libri i Mormonit është gurthemeli i dëshmisë. Ashtu si harku shembet në qoftë se i hiqet [gurthemeli], po kështu edhe e gjithë Kisha qëndron ose bie me vërtetësinë e Librit të Mormonit. … Në qoftë se Libri i Mormonit është i vërtetë … atëherë duhen pranuar pretendimet ndaj Rivendosjes dhe gjithçkaje që lidhet me të” (“The Book of Mormon—Keystone of Our Religion”, f. 6).

  • Si ka ndikuar dëshmia juaj për Librin e Mormonit në dëshminë tuaj për doktrinat dhe parimet e ungjillit?

  • Si ju ka sjellë më pranë Perëndisë Libri i Mormonit?

Ju mund të dëshironi të tregoni rreth mënyrës se si studimi juaj për Librin e Mormonit e ka forcuar dëshminë dhe ju ka sjellë më pranë Perëndisë.

Ftojini studentët që të marrin pjesë në një interpretim me role. Kërkojuni atyre që të përfytyrojnë sikur po i japin një kopje të Librit të Mormonit një personi që nuk është anëtar i Kishës. Ndihmojini ata të përgatiten për interpretimin me role duke i ndarë në dy grupe. Kërkojini grupit të parë të lexojë paragrafët 2–4 të parathënies së Librit të Mormonit. Kërkojini grupit të dytë të lexojë paragrafët 5–8. U thoni të dyja grupeve të kërkojnë informacion që ata mendojnë se do jetë i rëndësishëm për t’u ndarë kur të jepni mësim për Librin e Mormonit.

Pasi t’u jepni studentëve kohë për të studiuar dhe për t’u përgatitur, ftojeni një student të dalë përpara klasës për të interpretuar rolin e një personi që nuk është anëtar i Kishës. Kërkojini gjithashtu një studenti nga secili prej të dy grupeve që të vijë përpara klasës. Shpjegoni se këta dy studentë do të veprojnë si çift misionarësh. Ata do të përdorin informacionin që zbuluan grupet e tyre te parathënia, për t’i dhënë mësim studentit të parë për Librin e Mormonit.

Kur studentët ta kenë përfunduar interpretimin me role, ju mund të dëshironi ta pyetni pjesën tjetër të klasës nëse ka detaje shtesë nga parathënia që ata mund të kishin ndarë nëse do të ishin përzgjedhur për të dhënë mësim.

Ju mund të dëshironi të vini në dukje se Libri i Mormonit nuk pretendon të na japë një histori për të gjithë njerëzit që jetuan në lashtësi në Hemisferën Perëndimore. Ai është shkruar vetëm për pasaardhësit e Lehit (nefitët dhe lamanitët) dhe njerëzit e Jaredit. Mund të ketë pasur njerëz të tjerë që jetuan në kontinentet në Hemisferën Perëndimore më parë, gjatë dhe pas ngjarjeve të shënuara në Librin e Mormonit.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Moroni 10:3–5.

  • Sipas Moronit, si mund ta dimë që Libri i Mormonit është i vërtetë?

Ftojini studentët të lexojnë paragrafët 8–9 në parathënien e Librit të Mormonit. Kërkojuni atyre të dallojnë tri të vërtetat shtesë për të cilat ata do të fitojnë një dëshmi nëse e pranojnë sfidën e Moronit.

Dëshmojuni studentëve se ndërsa lexojmë, përsiatim dhe lutemi për Librin e Mormonit, Fryma e Shenjtë do të dëshmojë se ai është i vërtetë, se Jezusi është Krishti, se Jozef Smithi ishte një profet i Perëndisë dhe se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është mbretëria e Zotit në tokë.

Dëshmitë e Tre Dëshmitarëve dhe Tetë Dëshmitarëve

Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë sikur kanë parë dikë të marrë një artikull me vlerë nga shtëpia e fqinjit të tyre.

  • Kur hetojmë një krim, përse është me vlerë të kemi një dëshmitar?

  • Përse do të ishte e dobishme të kemi më shumë se një dëshmitar?

Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje “Dëshminë e Tre Dëshmitarëve”. Ftojini ata të kërkojnë fraza që janë veçanërisht domethënëse për ta. Ju mund të dëshironi t’u sugjeroni që t’i shenjojnë këto fraza.

  • Cilat fraza shenjuat? Përse janë ato kuptimplote për ju? (Ju mund të dëshironi të vini në dukje se zëri i Perëndisë u shpalli Tre Dëshmitarëve se fletët u përkthyen nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë.)

Kërkojini një studenti që të lexojë me zë të lartë “Dëshminë e Tetë Dëshmitarëve”. Ftojeni pjesën tjetër të klasës të dëgjojë për të gjetur ndryshimet mes dëshmive të Tre Dëshmitarëve dhe të Tetë Dëshmitarëve.

  • Çfarë ndryshimesh vutë re?

Ftojini studentët të shkruajnë dëshminë e tyre vetjake ose ndjenjat për Librin e Mormonit. Ata mund të dëshirojnë t’i shkruajnë në ditaret e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta ose në një faqe të bardhë në shkrimet e shenjta vetjake. Disa studentë mund të ndiejnë se ende nuk e dinë se Libri i Mormonit është i vërtetë. Ftojini ata të kërkojnë të fitojnë një dëshmi këtë vit.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Faqja e Titullit

Përkufizimet e mëposhtme mund të jenë të dobishme kur të studioni faqen e titullit të Librit të Mormonit.

Shtëpia e Izraelit u referohet pasardhësve të Abrahamit, Isakut dhe Jakobit. Nipi i Abrahamit, Jakobi, emri i të cilit u ndryshua në Izrael, kishte dymbëdhjetë djem. Pasardhësit e tyre u njohën si dymbëdhjetë fiset e Izraelit. Sikurse pasardhësit e Abrahamit, shtëpia e Izraelit ishte gjithashtu populli i besëlidhjes së Zotit. Sot, shtëpia e Izraelit përfshin ata të cilët bëjnë besëlidhje me Zotin dhe i mbajnë urdhërimet e Tij. Emri Izrael si rrjedhojë përdoret në mënyra të ndryshme për të treguar 1) emrin Jakob, 2) pasardhësit e drejtpërdrejtë të Jakobit dhe 3) besimtarët e vërtetë në Krisht, pavarësisht nga prejardhja e tyre familjare ose pozicionit gjeografik” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Izrael”, f. 68).

Judenj nga ana e origjinës i referohet dikujt nga fisi i Judës (njërit prej dymbëdhjetë fiseve të Izraelit). Ai nënkupton cilindo nga mbretëria e Judës (në kohët e Dhiatës së Vjetër, pjesa jugore e mbretërisë së ndarë të Izraelit), edhe nëse nuk janë nga fisi i Judës. Ai gjithashtu u referohet “njerëz[ve] që praktikojnë fenë, mënyrën e jetesës dhe traditat e judaizmit por mund të jenë ose të mos jenë të lindur judenj” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Judenj”, f. 82, scriptures.lds.org).

Johebrenj do të thotë “kombet”. U drejtohet 1) atyre që nuk janë të shtëpisë së Izraelit, 2) atyre që nuk besojnë në Perëndinë e Izraelit ose që nuk e kanë ungjillin, pavarësisht prejardhjes së tyre dhe 3) njerëzve që nuk janë me origjinë ose që nuk jetojnë në tokën e Judës. Për shembull, pelegrinët dhe të kolonizuarit quhen johebrenj te 1 Nefi 13:3–13. Ata që nxorën në dritë Librin e Mormonit, quhen johebrenj te 1 Nefi 13:34. Edhe Doktrina e Besëlidhje dhe Perla me Vlerë të Madhe u sollën në dritë nga johebrenjtë (shih 1 Nefin 13:39). Shtetet e Bashkuara të Amerikës quhen komb johebre te 1 Nefi 13:34, 39.

Një përmbledhje është një variant i shkurtër i diçkaje.

Një mbetje është një pjesë e mbetur. Në faqen e titullit të Librit të Mormonit, fraza “mbetje e shtëpisë së Izraelit” u drejtohet njerëzve të shpërndarë të Izraelit dhe pasardhësve të tyre. Kur Moroni e përfundoi analin dhe i vulosi fletët e arta për të dalë në dritë në ditët e mëvonshme, ai ishte veçanërisht i shqetësuar për lamanitët e mbijetuar dhe pasardhësit e tyre, për të cilët i ati i pati thënë se qenë një “mbetje e shtëpisë së Izraelit” (Mormoni 7:1). Moroni mezi e priste ditën kur lamanitët do ta dinin dhe do ta përqafonin sërish ungjillin e Jezu Krishtit (shih Moroni 1:4).

Hyrje. Pasardhësit lamanitë të ditëve të mëvonshme

Lamanitët janë midis paraardhësve të indianëve të Amerikës. Megjithatë, Libri i Mormonit nuk pretendon se të gjithë indianët e Amerikës janë pasardhës të lamanitëve. Presidenti Entoni W. Ajvins, i Presidencës së Parë, shpalli:

“Ne duhet të jemi të kujdesshëm në përfundimet që arrijmë. Libri i Mormonit jep mësim për historinë e tre popujve të ndryshëm … të cilët erdhën nga bota e vjetër në këtë kontinent. Ai nuk na thotë se nuk kishte asnjë njeri përpara tyre këtu. Nuk na thotë se nuk erdhën njerëz më pas. Dhe kështu, nëse janë bërë zbulime të cilat sugjerojnë dallime në origjinat racore, kjo mund të shpjegohet fare lehtë dhe në mënyrë të arsyeshme, sepse ne vërtet besojmë se njerëz të tjerë erdhën në këtë kontinent” (në Conference Report, prill 1929, f. 15).

Dëshmia e Tre Dëshmitarëve. “Përkthyer nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë”

Plaku Nil A. Maksuell, i Kuorumi të Dymbëdhjetë Apostujve, pranoi se ndërkohë që Libri i Mormonit u përkthye nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë, ne nuk i dimë detajet e procesit të përkthimit:

“Shumë që e lexojnë Librin e Mormonit, dëshirojnë me të drejtë të dinë më shumë rreth zanafillës së tij, përfshirë procesin aktual të përkthimit. Ishte pa dyshim e njëjta gjë me besimtarin dhe besnikun Hajrëm Smithin. Sipas kërkesës, Hajrëmit iu tha nga Profeti Jozef se ‘nuk ishte synim t’u tregoheshin botës të gjitha detajet e daljes në dritë të Librit të Mormonit’ dhe se ‘nuk ishte e domosdoshme për të t’i tregonte këto gjëra’ (History of the Church, 1:220). Si rrjedhojë, ajo që vërtet dimë rreth daljes aktuale të Librit të Mormonit në dritë është e saktë, por nuk është gjithëpërfshirëse. …

Vetëm profeti Jozef e dinte procesin e plotë dhe ishte qëllimisht ngurrues për të përshkruar detaje. Ne i njohim fjalët e Dejvid Uitmerit, Jozef Naitit dhe Martin Herrisit, të cilët ishin vëzhgues, jo përkthyes. Dejvid Uitmeri tregoi se, kur Profeti përdori mjetet hyjnore të ofruara për ta ndihmuar atë, ‘shfaqeshin hieroglifet dhe gjithashtu përkthimi në gjuhën angleze … me shkronja të ndritshme e të qarta’. Më pas Jozefi ia lexonte fjalët Oliverit (cituar në James H. Hart, “About the Book of Mormon”, Deseret Evening News, 25 mars 1884, f. 2). Martin Harrisi tregoi për gurin shikues: ‘Fjalitë shfaqeshin dhe u lexuan nga Profeti e u shkruan nga Martini’ (cituar në Edward Stevenson, “One of the Three Witnesses: Incidents in the Life of Martin Harris”, Latter-day Saints’ Millennial Star, 6 shkurt 1882, f. 86–87). Jozef Najti bëri vëzhgime të ngjashme (shih Dean Jessee, “Joseph Knight’s Recollection of Early Mormon History”, BYU Studies 17 [vjeshta e 1976-ës]: 35).

Oliver Kaudëri njoftohet të ketë dëshmuar në gjyq se Urimi dhe Thumimi e bënë Jozefin të aftë ‘t’i lexonte në anglisht, shkronjat e reformuara egjiptiane, që ishin gdhendur mbi fletët’ (“Mormonites”, Evangelical Magazine and Gospel Advocate, 9 prill 1831). Nëse këto raporte janë të sakta, ato sugjerojnë një proces tregues që Perëndia i dha Jozefit ‘sy dhe fuqi të përkthe[nte]’ (DeB 3:12).

Procesi zbulues me sa duket nuk kërkonte që Profeti të bëhej mjeshtër i gjuhës antike. Përputhshmëria e zbulesës ishte më vendimtare sesa prania e qëndrueshme e fletëve të hapura, që, sipas udhëzimit, duhet të ruheshin në çdo mënyrë nga pamja e syve të paautorizuar.

Ndërkohë që përdorimi i mjeteve hyjnore mund të vlerësohet gjithashtu për shkallën e lartë të përkthimit, ndonjëherë Profeti mund të ketë përdorur një mënyrë më pak mekanike. Ne thjesht nuk i dimë hollësitë.

Megjithatë, ne e dimë se ky proces, që kërkonte besim të madh, nuk qe i lehtë. Ky fakt u tregua qartësisht në vetë orvatjen e Oliver Kaudërit gjatë përkthimit. Oliveri dështoi pasi ai ‘nuk vazhdo[i] siç fillo[i]’ dhe, për shkak të mungesës së besimit dhe veprave, ai ‘nuk e mor[i] mundimin as për t[a] pyetur’ (DeB 9:5, 7). Ai nuk ishte plotësisht i përgatitur ta bënte atë.

Cilatdoqofshin hollësitë e procesit, ato kërkonin përpjekje vetjake të ngjeshura nga Jozefi së bashku me ndihmën e mjeteve të zbulesës. Procesi mund të ketë ndryshuar ndërsa aftësitë e Jozefit u rritën, duke përfshirë Urimin dhe Thumimin por ndoshta me më pak mbështetje mbi të tilla mjete në punën e mëvonshme të Profetit për përkthimin. Plaku Orson Prat, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha se Jozef Smithi i tha atij se përdori Urimin dhe Thumimin kur qe i papërvojë në përkthim, por më pas nuk kishte nevojë për to, siç ishte rasti në përkthimin prej Jozefit të shumë vargjeve në Bibël (shih Latter-day Saints’ Millennial Star, 11 gusht 1874, f. 498–499)” (“By the Gift and Power of God”, Ensign, janar 1997, f. 39).

Shtyp në Letër