Biblioteka
Mormoni


Hyrje për Librin e Mormonit

Përse të studiohet ky libër?

Ndërsa studentët e studiojnë këtë libër, ata do të mësojnë mësime të vlefshme nga Mormoni, një dishepull i Jezu Krishtit, i cili jetoi me besnikëri pavarësisht të qenit i rrethuar gjatë gjithë jetës së tij nga “një seri e vazhdueshme ligësish dhe neverish” (Mormoni 2:18). Studentët do të përfitojnë edhe nga të studiuarit e fjalëve të Moronit, i cili u dëshmoi lexuesve të ditëve të mëvonshme se “Jezu Krishti ju ka paraqitur tek unë dhe unë i di veprimet tuaja” (Mormoni 8:35). Ndërsa studentët lexojnë rreth shkatërrimit që erdhi si pasojë e ligësisë së nefitëve, ata do të mësojnë rëndësinë e të jetuarit sipas urdhërimeve dhe besëlidhjeve të ungjillit të Jezu Krishtit.

Kush e shkroi këtë libër?

Mormoni i shkroi shtatë kapitujt e parë të këtij libri, si një rrëfim të shkurtër të ligësisë dhe luftërave mes nefitëve dhe lamanitëve në kohën e tij. Ai gjithashtu bëri një rrëfim të plotë të ngjarjeve nga jeta e tij në fletat e mëdha të Nefit (shih Mormoni 2:18; 5:9). Kur Mormoni ishte rreth 10 vjeç, mbajtësi i analeve, Amaroni, e ngarkoi atë të merrte përgjegjësinë për analet e shenjta kur të mbushte moshën. Ai duhej të shënonte çdo gjë që vinte re në lidhje me popullin (shih Mormonin 1:4). Në moshën 15-vjeçare, Mormoni u “vizit[ua] nga Zoti, dhe provo[i] e njoh[u] mirësinë e Jezusit” (Mormoni 1:15). Në të njëjtin vit, nefitët e caktuan Mormonin për të udhëhequr ushtritë e tyre (shih Mormoni 2:1). I bindur ndaj këshillës së Amaronit, ai më vonë i mori fletët e mëdha të Nefit dhe filloi të bënte analin e tij. Ai përmblodhi gjithashtu fletët e mëdha të Nefit, të cilat përfshinin shkrime nga profetë dhe mbajtës analesh, duke filluar nga Lehi deri tek Amaroni, dhe i përfshiu fletët e vogla të Nefit në atë përmbledhje. Afër fundit të jetës së tij, Mormoni i vuri të gjitha analet në kodrën Kumorah, përveç disa fletëve që ia dha birit të tij, Moronit (shih Mormoni 6:6). Më pas, ai i udhëhoqi nefitët në betejën e tyre të fundit e të madhe kundër lamanitëve. Përpara se Mormoni të vdiste, ai e urdhëroi Moronin të përfundonte analin e tij. Moroni shtoi fjalët që përbëjnë kapitujt 8–9 të këtij libri.

Për kë u shkrua ky libër dhe përse?

Mormoni u shkroi johebrenjve dhe anëtarëve të shtëpisë së Izraelit në ditët e mëvonshme, duke dëshiruar që t’i “bind[te] të gjitha skaje[t e] tokës, të pendohen dhe të përgatiten të qëndro[jnë] para fronit të gjykimit të Krishtit” (Mormoni 3:22). Kur Moroni e përfundoi librin e atit të tij, ai iu drejtua drejtpërsëdrejti atyre që do t’i lexonin fjalët e tij. Ai i paralajmëroi ata për pasojat e mëkateve të tyre dhe i ftoi “të vi[jnë] te Zoti me gjithë zemrën e [tyre]” (Mormoni 9:27).

Kur dhe ku u shkrua ai?

Mormoni ka mundësi t’i ketë shkruar kapitujt 1–7 të këtij libri midis viteve 345 Ps.K. dhe 401 Ps.K. (shih Mormonin 2:15–17; 8:5–6). Ai i përfundoi shkrimet e tij pas betejës së fundit mes nefitëve dhe lamanitëve në Kumorah në vitin 385 Ps.K. (shih Mormonin 6:10–15; 7:1). Moroni ndoshta e shkroi materialin në kapitujt 8–9 midis viteve 401 Ps.K. dhe 421 Ps.K. ndërsa u end “për të shpëtuar jetën [e tij]” (shih Mormonin 8:4–6; Moronin 1:1–3).

Cilat janë disa tipare dalluese të këtij libri?

Ky libër përshkruan përmbushjen e profecive nga Nefi, Alma, Samuel Lamaniti dhe Jezu Krishti në lidhje me shkatërrimin e nefitëve (shih 1 Nefin 12:19; Almën 45:9–14; Helamanin 13:8–10; 3 Nefin 27:32). Mormoni u referohet disa prej shkrimeve të tij si “analin tim në lidhje me shkatërrimin e popullit tim” (Mormoni 6:1). Ai tregoi se rënia e nefitëve ishte pasojë e ligësisë së tyre (shih Mormonin 4:12; 6:15–18).

Përmbledhje

Mormoni 1 Amaroni i jep porosi Mormonit që të mbajë një anal të njerëzve në kohën e tij. Nefitët mposhtin lamanitët në betejë. Ligësia mbizotëron kudo në vend, tre dishepujt nefitë pushojnë së shërbyeri midis njerëzve dhe dhuratat e Shpirtit në përgjithësi janë tërhequr. Megjithatë, Mormoni “vizito[het] nga Zoti”.

Mormoni 2–3 Nefitët e caktojnë Mormonin që të udhëheqë ushtritë e tyre. Ai i udhëheq ata në betejat kundër lamanitëve për më shumë se 30 vjet. Pavarësisht nga shkatërrimi dhe vuajtja e madhe, nefitët nuk pranojnë të pendohen. Mormoni rimerr fletët e Nefit nga një kodër e quajtur Shim dhe fillon analin e tij. Pas disa fitoresh, njerëzit fillojnë të mburren me fuqinë e tyre dhe të bëjnë betime hakmarrjeje kundër lamanitëve. Mormoni nuk pranon t’i udhëheqë ata më gjatë. Ai shkruan për t’i binduar të gjithë njerëzit në ditët e mëvonshme që të përgatiten për të qëndruar para fronit të gjykimit të Krishtit.

Mormoni 4 Duke mos qenë më të udhëhequr nga Mormoni, ushtritë nefite vazhdojnë të luftojnë kundër lamanitëve. Vriten me mijëra nga të dyja palët. Pasardhësit e Lehit bëhen më të ligj sesa ndonjëherë tjetër në historinë e tyre dhe lamanitët fillojnë që t’i asgjësojnë nefitët. Mormoni merr kujdestari për të gjitha analet nefite dhe i zhvendos ato nga kodra e quajtur Shim në një kodër të quajtur Kumorah.

Mormoni 5–7 Mormoni rimerr komandën e ushtrive nefite, ndonëse e di se ata do të shkatërrohen. Ai profetizon për daljen në dritë të Librit të Mormonit. Ai i mbledh nefitët në Kumorah për një betejë të fundit kundër lamanitëve. Pas betejës, ai vajton për shkatërrimin e popullit të tij. Mormoni shkruan që t’i bindë pasardhësit e lamanitëve të besojnë në Jezu Krisht dhe të pagëzohen.

Mormoni 8–9 Pas vdekjes së Mormonit, Moroni vazhdon analin. Ai profetizon për daljen në dritë të Librit të Mormonit me anë të fuqisë së Perëndisë, në një kohë mosbesimi dhe ligësie. Ai dëshmon për Jezu Krishtin dhe jep mësim se mrekullitë dhe shenjat e shoqërojnë besimin në Të. Ai i këshillon ata që lexojnë fjalët e tij të vijnë te Zoti dhe të shpëtohen.

Shtyp në Letër