Biblioteka
Mësimi 8: 1 Nefi 3–4


Mësimi 8

1 Nefi 3–4

Hyrje

Zoti e urdhëroi Lehin t’i kthente bijtë e tij në Jerusalem për të marrë fletët prej tunxhi nga Labani. Lamani dhe Lemueli nuk shihnin ndonjë mënyrë si mund ta përmbushnin këtë urdhërim, por Nefi kishte besim se Zoti do të siguronte një mënyrë për ta për të përmbushur atë që Ai kërkonte. Pavarësisht përballjes me vështirësi të përsëritura, Nefi ngulmoi me besnikëri në bërjen e asaj që Zoti i kërkoi atij. Si rezultat, ai u drejtua nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë dhe i siguroi me sukses fletët.

Sugjerime për Mësimdhënien

1 Nefi 3:1–9, 19–20

Bijtë e Lehit kthehen në Jerusalem për të marrë fletët prej tunxhi

Shkruani në tabelë thëniet në vijim përpara se të fillojë ora mësimore. Kërkojuni studentëve të zgjedhin thënien që përshkruan më së miri mënyrën se si besojnë ata që, Zoti na ndihmon kur na kërkon të bëjmë gjëra të vështira.

Kur ju përpiqeni të përmbushni një urdhër ose detyrë të vështirë nga Zoti, Ai:

  1. Do ta ndryshojë urdhrin, kështu që do të jetë e thjeshtë dhe e lehtë për ju që ta përmbushni.

  2. Do t’i bekojë përpjekjet tuaja duke ju siguruar një mënyrë për të përmbushur urdhrin, edhe pse ende mund të jetë i vështirë.

  3. Do të ndërhyjë dhe bëjë të gjithë punën për ju.

  4. Do t’ju kërkojë ta bëni atë plotësisht vetë, pa ndonjë ndihmë.

Ftojini disa studentë të tregojnë përgjigjen që zgjodhën dhe arsyen e tyre për zgjedhjen e saj.

Shpjegoni se ka shumë mënyra si Zoti mund t’i bekojë ata që përpiqen të përmbushin urdhërimet e Tij. Ndërsa studentët studiojnë rrëfimin e Nefit te 1 Nefi 3–4, ftojini të kërkojnë shembuj të këtij parimi. Gjithashtu nxitini studentët të vënë re mënyrën se si Nefi dhe vëllezërit e tij iu përgjigjën sfidave në mënyra të ndryshme.

Kërkojuni disa studentëve që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga 1 Nefi 3:1–9. Ftojeni pjesën tjetër të klasës të dëgjojë arsyet përse Nefi qe i gatshëm të bënte atë që i kërkoi i ati.

Lamani dhe Lemueli ndien se urdhri për t’u kthyer në Jerusalem për fletët prej tunxhi ishte “një gjë e vështirë ajo që [Lehi] u [kishte] kërkuar” (1 Nefi 3:5). Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë disa arsye përse Lamani dhe Lemueli mund të jenë ndier në këtë mënyrë, mund të dëshironi t’u kujtoni se ata tashmë kishin udhëtuar në një distancë të largët nga Jerusalemi.

  • Përse mendoni se Nefi ishte i gatshëm të bënte atë që i kërkoi i ati pa murmuritur?

Ftojini studentët ta rishprehin parimin që Nefi dëshmon te 1 Nefi 3:7 në formën e një shprehje “nëse-atëherë”. Për shembull, studentët mund të thonë se nëse kërkojmë të bëjmë atë që Zoti urdhëron, atëherë Ai do të përgatitë një udhë për ne për ta plotësuar atë. Vini në dukje se 1 Nefi 3:7 është një fragment për zotërimin e shkrimit të shenjtë. Shpjegoni se studentët do të përqendrohen te 25 fragmente për zotërimin e shkrimit të shenjtë gjatë gjithë vitit (për më shumë informacion, shihni shtojcën në këtë manual). Të 25 fragmentet për zotërimin e shkrimit të shenjtë renditen në anën e pasme të letrës shënuese të seminarit. Ju mund t’i nxitni studentët t’i shenjojnë fragmentet për zotërimin e shkrimit të shenjtë në një mënyrë të dallueshme, që të jenë në gjendje për t’i gjetur lehtësisht fragmentet.

  • Kur e keni ndier se Zoti “përgatit[i] një udhë” për ju për të mbajtur një prej urdhërimeve të Tij?

Ftoni një student të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 3:3, 19–20. Kërkojini pjesës tjetër të klasës të dëgjojë për [të vënë re] frazat që tregojnë arsyen përse fletët prej tunxhi ishin kaq me vlerë për familjen e Lehit dhe pasardhësit e tyre. (Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë këto fraza në shkrimet e tyre të shenjta.) Pasi studentët të kenë treguar atë që kanë zbuluar, shpjegoni se fletët prej tunxhi ishin një vëllim shkrimesh të shenjta të lashta që përmbanin shumë nga të njëjtat shkrime dhe të dhëna si Dhiata e Vjetër.

  • Përse mendoni se përmbajtjet e fletëve prej tunxhi ishin aq të rëndësishme për Nefin dhe vëllezërit e tij sa të ktheheshin në Jerusalem për t’i marrë?

  • Çfarë përmbajnë shkrimet e shenjta sot që është me vlerë për ju? Përse është me vlerë për ju?

1 Nefi 3:10–31

Labani vjedh pronën e Lehit dhe përpiqet të vrasë Nefin dhe vëllezërit e tij

Ftoni gjysmën e klasës të studiojë përpjekjen e parë të Nefit dhe vëllezërve të tij për të marrë fletët prej tunxhi (shih 1 Nefi 3:10–18). Ftoni gjysmën tjetër të studiojë përpjekjen e dytë (shih 1 Nefi 3:21–31). Vëreni secilin student të punojë në mënyrë të pavarur dhe t’u përgjigjet pyetjeve të mëposhtme. Ju mund të dëshironi që t’u kërkoni ta plotësojnë këtë detyrë në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta ose fletoret e klasës. Paraqitini pyetjet në tabelë ose përgatitini si fletushkë për secilin student.

  1. Kush shkoi?

  2. Çfarë bënë ata?

  3. Si reaguan ata pas dështimit të përpjekjes?

  4. Për ata që studiojnë përpjekjen e parë: Nefi dhe vëllezërit e tij ishin “jashtëzakonisht të brengosur” pasi nuk arritën t’i merrnin fletët prej tunxhi (shih 1 Nefi 3:14). Si qe reagimi i Nefit ndaj këtij dështimi i ndryshëm nga ai i vëllezërve të tij? (Shih 1 Nefin 3:15–16.)

    Për ata që studiojnë përpjekjen e dytë: Lamani dhe Lemueli ishin të zemëruar me Nefin pasi dështoi përpjekja e tyre e dytë. Ata e goditën dhe i folën rëndë. Edhe pasi një engjëll u premtoi se Zoti do t’ua dorëzonte Labanin në duart e tyre, ata vazhduan të murmurisin dhe vunë në dyshim aftësinë e tyre për t’ia dalë me sukses. Si mund të ketë ndikuar zemërimi i Lamanit dhe Lemuelit në aftësinë e tyre për të pasur besim te premtimi i engjëllit? Si na pengon zemërimi, grindja, murmuritja dhe mosbesimi nga të kuptuarit e mesazheve të Perëndisë për ne? (Shih 1 Nefi 3:28–31; 3 Nefi 11:29.)

  5. Çfarë pikëpamjesh fituat nga vargjet që studiuat?

Pasi studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për t’iu përgjigjur pyetjeve, ftojini disa të tregojnë përgjigjet e tyre.

1 Nefi 4:1–38

Nefi siguron fletët prej tunxhi

Kërkojuni studentëve të përcaktojnë pyetjet që bënë Lamani dhe Lemueli te 1 Nefi 3:31.

Ftoni një student të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 4:1–3. Kërkojini klasës të dëgjojë për [të vënë re] përgjigjet e Nefit ndaj pyetjeve të vëllezërve të tij.

  • Si lidhet historia e Moisiut me pyetjet e Lamanit dhe Lemuelit?

Nëse studentët kanë nevojë për ndihmë për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, shpjegoni se Moisiu u përball me një sfidë të ngjashme kur iu kërkua të nxirrte fëmijët e Izraelit nga Egjipti. Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme, Moisiu nuk qe në gjendje ta bindte Faraonin të lironte fëmijët e Izraelit nga skllavëria. Megjithatë, Moisiu ngulmoi në bërjen e saj që Zoti e urdhëroi dhe Zoti siguroi një rrugë për të që t’i çlironte fëmijët e Izraelit. Nefi zbatoi shembullin e Moisiut në rrethanat e familjes së tij. Ai kishte mirëbesim se Perëndia do të përgatiste një udhë edhe për ta.

  • Çfarë parimi mësoni nga përgjigjja e Nefit për vëllezërit e tij?

Edhe pse studentët mund t’i shprehin përgjigjet e tyre pak ndryshe, ata duhet të shprehin se nëse vazhdojmë me besnikëri në bërjen e asaj që Zoti kërkon, pavarësisht vështirësisë, Ai do të përgatitë një udhë për ne që të plotësojmë atë që urdhëron. (Ju mund të dëshironi ta shkruani këtë parim në tabelë.)

Drejtojuni thënieve që paraqitët në tabelë në fillim të mësimit.

  • Tashmë që e keni studiuar përvojën e Nefit, cila thënie mendoni se përmbledh më mirë parimin që sapo përcaktuat?

Ndërkohë që studentët shqyrtojnë pjesën e mbetur të rrëfimit të Nefit, nxitini të kërkojnë pohim për këtë parim te rrjedhojat e këmbënguljes së Nefit.

Vëreni një student të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 4:4–6. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët ta shenjojnë 1 Nefin 4:6 në shkrimet e tyre të shenjta.

Ndihmojini studentët të kuptojnë se Zoti mund të na frymëzojë për të bërë diçka pa na i zbuluar menjëherë mënyrën, kohën apo arsyen pse duhet ta bëjmë atë. Nefi mësoi mënyrën, kohën dhe arsyen që Zoti do ta ndihmonte vetëm pasi e lejoi Frymën e Shenjtë ta drejtonte atë dhe pasi vendosi të shkonte përpara me besim.

Tregojuni studentëve se Presidenti Harold B. Li vërejti se ne shpesh dëshirojmë të shohim “fundin që në fillim”, ose përfundimin përpara se të ndjekim drejtimin e Zotit. Ai këshilloi:

“Ju duhet të mësoni të ecni në buzë të dritës, dhe ndoshta disa hapa drejt errësirës [të panjohurës], dhe do të zbuloni se drita do të shfaqet e lëvizë përpara jush” (në Lucile C. Tate, Boyd K. Packer: A Watchman on the Tower [1995], f. 137–138).

Ftoni një student të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 4:7.

  • Çfarë është e rëndësishme rreth frazës “Megjithatë, vazhdova të ecja”, te 1 Nefi 4:7?

  • Çfarë na mëson përvoja e Nefit rreth marrëdhënies midis gatishmërisë sonë për “të shk[uar] dhe bë[rë]” dhe aftësisë sonë për t’u drejtuar nga Zoti?

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë nga 1 Nefi 4:8–18.

  • Çfarë arsyesh i dha Shpirti Nefit për urdhrin e Zotit për ta vrarë Labanin?

Përmblidhni pjesën e mbetur të rrëfimit të Nefit për marrjen me sukses të fletëve (shih 1 Nefi 4:19–38) ose ftoni një student që e di pjesën e mbetur të historisë që ta përmbledhë. Kërkojuni studentëve të përcaktojnë parimet që shohin të ilustruara në këtë përpjekje përfundimtare për të marrë fletët. Pasi të japin pikëpamjet e tyre, shtoni dëshminë tuaj se kur ushtrojmë besim në Perëndi dhe kërkojmë të bëjmë atë që Ai kërkon, edhe kur nuk mund ta shohim përfundimin, Ai do të na drejtojë përmes ndikimit të Frymës së Shenjtë.

Për t’i ndihmuar studentët të thellojnë dëshmitë e tyre për këtë parim, ftojini të tregojnë përvoja të rasteve kur kanë vepruar me besim pa ditur më parë se si ose kur do t’i ndihmonte Perëndia.

Ftojini studentët të përsiatin rreth një situate me të cilën po përballen tani, në të cilën kërkesat e Zotit janë të vështira për ta. Kërkojuni atyre të hedhin në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta atë që do të bëjnë për t’i treguar Zotit gatishmërinë e tyre për të “shk[uar] dhe bë[rë]” atë që Ai ka urdhëruar. Kur të kenë përfunduar së shkruari, shprehni mirëbesimin tuaj se ndërsa tregojmë besimin tonë, Zoti do të na ndihmojë të përmbushim çfarëdo që kërkon prej nesh.

Zotërim i Shkrimit të Shenjtë – 1 Nefi 3:7

Shkruani në tabelë bindje, besim dhe mirëbesim. Pyetni:

  • Çfarë dëshmie të bindjes, besimit dhe mirëbesimit të Nefit shihni te 1 Nefi 3?

  • Në ç’mënyrë mund ta ndihmojnë këto cilësi dikë që është thirrur për të shërbyer në një mision?

Ftojeni secilin student t’i shkruajë një letër një misionari, duke e pyetur atë se si ai apo ajo e ka parë të funksionojë vargun te 1 Nefin 3:7. Nxitini studentët të tregojnë çfarëdo përgjigje që do marrin për letrat e tyre.

Shënim: Në fund të çdo mësimi që përmban një fragment për zotërimin e shkrimit të shenjtë, ju do të zbuloni një veprimtari shtesë të planifikuar për t’i ndihmuar studentët të zotërojnë fragmentin. Ju mund t’i përdorni këto veprimtari në çdo kohë (për më shumë informacion, shihni shtojcën dhe manualin Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit). Për shkak të natyrës dhe kohëzgjatjes së mësimit të sotëm, ju mund të dëshironi ta përdorni këtë veprimtari një ditë tjetër, kur të keni më shumë kohë.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

1 Nefi 4:10.PD-12 Urdhri për të vrarë Labanin

Çfarë shfajësimi ka për një njeri të drejtë si Nefi që t’i marrë jetën një personi tjetër? Profeti Jozef Smith dha mësim se Zoti vendos standardin për të drejtën dhe të gabuarën:

“Perëndia tha: ‘Nuk do të vrasësh’; në një rast tjetër Ai tha: ‘Ti do të vendosësh shfarosjen’. Ky është parimi sipas të cilit drejtohet qeveria e qiellit – me anë të zbulesës përshtatur me rrethanat në të cilat ndodhen bijtë e mbretërisë. Çfarëdolloj gjëje që Perëndia kërkon është e drejtë, pavarësisht se çfarë është, edhe pse mund të mos e kuptojmë arsyen për të deri shumë kohë pasi ngjarjet të ndodhin” (History of the Church, 5:135).

Për ta kuptuar më mirë urdhrin e Zotit që Labani të vritej, mund t’ju ndihmojë të kuptoni sa vijon:

  1. Zoti i dha Labanit të paktën dy mundësi për të hequr dorë nga fletët prej tunxhi përpara se të kërkohej jeta e tij. Labani ishte gënjeshtar dhe hajdut, dhe kërkoi të paktën dy herë të vriste. Sipas ligjit të Moisiut, vjedhja dhe atentati për vrasje, mund të ndëshkoheshin të dyja me vdekje (shih Eksodi 21:14; 22:2; Ligji i Përtërirë 24:7).

  2. Zoti dëshironte që Lehi dhe pasardhësit e tij ta kishin analin e shkrimeve të shenjta të përfshirë në fletët prej tunxhi, edhe nëse duhej “që të mbaro[nte] një njeri” (1 Nefi 4:13) që kjo të ndodhte. Fletët prej tunxhi jo vetëm i bekuan kombet e nefitëve dhe mulekitëve, ato gjithashtu siguruan një pjesë të përmbajtjes së fletëve të arit (si p.sh. citate nga Isaia dhe nga alegoria e Zenosit për pemët e buta dhe të egra të ullirit). Libri i Mormonit ka bekuar miliona njerëz dhe do të bekojë miliona më shumë. Në fund të fundit, e gjitha kjo qe në rrezik kur Nefi qëndroi mbi Labanin dhe ndoqi drejtimin e Shpirtit.

Disa njerëz kanë ndier gabimisht se Shpirti i Zotit i ka nxitur të bëjnë diçka në kundërshtim me atë që Zoti ka urdhëruar më parë. Deklarata vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson ofron tri prova të shkurtra që mund të përdorim për të shmangur mashtrimin dhe për të ditur me besim në vete se kur mbresat shpirtërore janë nga Zoti:

“1. Çfarë thuhet në veprat standarde rreth kësaj? ‘Përmbahuni ligjit dhe dëshmisë! ‘Përmbahuni ligjit dhe dëshmisë! Në rast se një popull nuk flet në këtë mënyrë, kjo do të thotë se ai nuk ka dritë’, tha Isaia.(Isaia 8:20.) …

Ne duhet t’i studiojmë me zell shkrimet e shenjta. Me rëndësi të veçantë për ne janë Libri i Mormonit dhe Doktrina e Besëlidhjeve.

2. Udhëzuesi i dytë është: çfarë kanë për të thënë Presidentët e ditëve të mëvonshme të Kishës lidhur me çështjen – veçanërisht Presidenti i gjallë?

Ka vetëm një njeri mbi tokë sot që flet për Kishën. (Shih DeB 132:7; 21:4.) Ai njeri është President[i] [i Kishës]. Për shkak se ai jep fjalën e Zotit për ne sot, fjalët e tij kanë madje një rëndësi më të drejtpërdrejtë sesa ato të profetëve që kanë ndërruar jetë. Kur flet nën ndikimin e Frymës së Shenjtë fjalët e tij janë shkrim i shenjtë. (Shih DeB 68:4.) …

3. Prova e tretë dhe përfundimtare është Fryma e Shenjtë – prova e Shpirtit. Nëpërmjet atij Shpirti ne ‘… mund të di[më] të vërtetën e të gjitha gjërave’.Moroni 10:5. Kjo provë mund të jetë plotësisht efektive vetëm nëse kanalet e komunikimit me Perëndinë janë të pastra e të dëlira dhe të zhveshura nga mëkati” (në Conference Report, tetor 1963, f. 16–17).

Shtyp në Letër