Biblioteka
Mësimi 21: 1 Nefi 20–22


Mësimi 21

1 Nefi 20–22

Hyrje

Ndërsa Nefi u dha mësim pjesëtarëve të familjes së tij, ai lexoi nga fletët prej tunxhi, duke u përqendruar te profecitë e Isaias rreth shpërndarjes dhe mbledhjes së Izraelit. Pastaj ai iu përgjigj pyetjeve të vëllezërve të tij rreth atyre profecive. Ai shpjegoi se profecitë zbatoheshin drejtpërdrejt për familjen e tyre. Duke u bërë jehonë fjalëve të Isaias, Nefi dëshmoi se Zoti do ta mblidhte popullin e Tij të besëlidhjes – që madje edhe kur njerëzit nuk jetonin sipas besëlidhjeve të tyre, Zoti i donte ata dhe i ftonte të pendoheshin e të ktheheshin tek Ai.

Sugjerime për Mësimdhënien

1 Nefi 20

Zoti e qorton popullin e Tij dhe e fton atë të kthehet tek Ai

Pamja
Isaia Shkruan për Lindjen e Krishtit

Tregojuni studentëve figurën Isaia Shkruan për Lindjen e Krishtit (62339; Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 22). Shpjegoni se kjo pikturë portretizon profetin Isaia duke shkruar një profeci rreth lindjes së Jezu Krishtit. Pyetini se sa prej tyre kanë dëgjuar për Isaian.

Shpjegoni se Isaia qe një profet që jetoi në Jerusalem dhe i profetizoi popullit në vitet mes 740 Pr. K. dhe 701 Pr. K., jo shumë kohë përpara se Lehi dhe familja e tij të niseshin për në tokën e tyre të premtuar. Nefi kënaqej në fjalët e Isaias dhe i përdori profecitë e Isaias që t’i jepte mësim familjes së tij (shih 1 Nefi 19:23; 2 Nefi 25:5). Duke qenë se fjalët e Isaias janë poetike dhe të mbushura me simbolika, mësimet e tij ndonjëherë njerëzve u duken të vështira për t’u kuptuar. Megjithatë, ne mund të marrim bekime ndërsa i studiojmë fjalët e tij dhe kërkojmë t’i kuptojmë ato.

Shpjegoni se kur Nefi i dha mësim familjes së tij, Ai lexoi disa nga fjalët e Isaias që qenë përfshirë në fletët prej tunxhi. Ai e bëri këtë që të “mund t’i bind[te] më plotësisht ata të besonin në Zotin, Shëlbuesin e tyre” (1 Nefi 19:23; shih edhe vargun 24).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë vargjet te 1 Nefi 20:1–2. Përpara se ai apo ajo të lexojë, shpjegoni se në këtë fragment, Isaia u flet njerëzve të pagëzuar që nuk kanë qenë besnikë ndaj besëlidhjeve të tyre. Ju mund të dëshironi ta shpjegoni frazën “shtëpi e Izraelit” duke përmendur sa vijon: Dhiata e Vjetër përmban historinë e Jakobit, i cili ishte biri i Isakut dhe nipi i Abrahamit. Zoti i dha Jakobit emrin Izrael (shih Zanafilla 32:28). Termi “shtëpia e Izraelit” u drejtohet pasardhësve të Jakobit dhe popullit të besëlidhur të Zotit (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta “Izrael” f. 68).

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje vargjet te 1 Nefi 20:3–4, 8. Kërkojuni atyre të gjejnë fjalë dhe fraza që tregojnë se shtëpia e Izraelit nuk ka qenë besnike ndaj Zotit. Nxitini studentët që të tregojnë atë që zbulojnë.

Paraqitni një copë metali që është i vështirë të përkulet. Pyetini studentët çfarë mendojnë se do të thotë që qafa e dikujt të jetë “një brez i hekurt” (1 Nefi 20:4). Shpjegoni se një brez [këtu] është një gilcë. Ashtu sikurse hekuri nuk përkulet kollaj, një njeri krenar nuk do ta ulë qafën e tij apo të saj në përulësi. Fraza “brez i hekurt” tregon se shumë njerëz në shtëpinë e Izraelit qenë të mbushur me krenari.

Vëreni një student të lexojë me zë të lartë vargun te 1 Nefi 20:22.

  • Përse mendoni se njerëzit e ligj nuk gjejnë paqe?

Kujtojuni studentëve se kur Nefi tregoi profecitë e Isaias, ai u bëri thirrje vëllezërve të tij: “I përshtatni te vetja juaj” (1 Nefi 19:24).

  • Si ngjasonin disa pjesëtarë të familjes së Nefit me njerëzit të cilëve Isaia u bëri thirrje për pendim?

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë vargjet te 1 Nefi 20:14, 16, 20.

  • Çfarë dëshironte Zoti që të bënte e të thoshte populli i Tij i besëlidhur? (Ju mund të dëshironi të shpjegoni se largimi nga Babilonia dhe kaldeasit simbolizon lënien prapa të gjërave të botës dhe ardhjen te Zoti.)

Ftojini studentët të japin shembuj të njerëzve që i kanë parë të vijnë te Zoti dhe t’i lënë prapa gjërat e botës. Bëjini studentët të hetojnë vargun te 1 Nefi 20:18, duke kërkuar bekimet që Zoti u jep atyre që vijnë tek Ai dhe u vënë veshin urdhërimeve të Tij.

  • Si mund të jetë paqja si një lumë? Si mund të jetë drejtësia si dallgët e detit?

Ftojini disa studentë që të përmbledhin të vërtetat që kanë mësuar nga 1 Nefi 20. Edhe pse ata mund të përdorin fjalë të ndryshme, sigurohuni që ata ta kuptojnë se Zoti i fton ata që kanë qenë të pabindur, që të pendohen dhe të kthehen tek Ai.

Vëreni një student të lexojë deklarimin e mëposhtëm nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë. Ftojini studentët të përsiatin se si lidhet kjo me 1 Nefin 20.

“Satani … dëshiron që ne të ndiejmë se ne nuk mund të marrim më falje (shih Zbulesa 12:10). Satani dëshiron që ne të mendojmë se kur kemi mëkatuar ne kemi shkuar në një ‘pikë pa kthim’ – që është shumë vonë për ta ndryshuar drejtimin tonë. …

… Shlyerja e Jezu Krishtit është dhurata e Perëndisë për fëmijët e Tij që të korrigjojnë e të kapërcejnë pasojat e mëkatit. Perëndia i do të gjithë fëmijët e Tij dhe Ai nuk do të pushojë kurrë së na dashuri dhe së shpresuari për ne. …

Krishti erdhi që të na shpëtonte. Nëse kemi marrë një drejtim të gabuar, Shlyerja e Jezu Krishtit na jep sigurinë se mëkati nuk është një pikë e moskthimit. Një kthim i sigurt është i mundur nëse do të ndjekim planin e Perëndisë për shpëtimin tonë. …

… Është gjithmonë një pikë e kthimit të sigurt; gjithmonë ka shpresë” (“Pikë Kthimi të Sigurt”, Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 99, 101).

  • Si ngjason mesazhi i Presidentit Uhtdorf me mesazhin e Isaias?

Dëshmoni se Zoti i fton ata që kanë qenë të pabindur, që të pendohen dhe të kthehen tek Ai. Sigurojini studentët se Zoti na do individualisht dhe gjithnjë na fton të vijmë tek Ai. Ftojini ata të përsiatin se për çfarë do t’i ftonte Zoti që të linin prapa në mënyrë që ata të mund të vijnë tek Ai më plotësisht.

1 Nefi 21:1–17

Isaia profetizon se Jezu Krishti nuk do ta harrojë popullin e Tij të besëlidhur.

Përmblidhini shkurtimisht vargjet te 1 Nefi 21:1–13 duke u tërhequr vëmendjen studentëve për dy pohimet e para në përmbledhjen e kapitullit: “Mesia do të jetë një dritë për Johebrenjtë dhe do të lirojë të burgosurit” dhe “Izraeli do të mblidhet me fuqi në ditët e fundit”. Shpjegoni se te vargjet 1–13, fjalët e Zotit zbulojnë dashurinë e Tij për popullin e Tij – madje edhe për ata që kanë humbur rrugën dhe e kanë harruar Atë.

Shkruani në tabelë Zoti na do dhe nuk do të na harrojë kurrë. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë vargun te 1 Nefi 21:14.

  • Përse mendoni se njerëzit ndonjëherë ndiejnë se Zoti i ka harruar ata?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë vargjet te 1 Nefi 21:15–16. Pastaj bëni disa ose të gjitha pyetjet e mëposhtme:

  • Përse Isaia jep mësim duke e krahasuar Shpëtimtarin me nënën e një foshnjeje?

  • Çfarë nënkupton fjala gdhendur? (Ju mund të dëshironi të vini në dukje se ne zakonisht mendojmë rreth gdhendjes në gur ose metal në një mënyrë që do të jetë e përhershme.)

  • Çfarë do të thotë për ju që të gdhendeni “në pëllëmbët e duarve të [Shpëtimtarit]”?

  • Cilat përvoja ju kanë ndihmuar të dini se Zoti nuk ju ka harruar?

Ndërkohë që studentët mendojnë rreth këtyre pyetjeve dhe dëgjojnë përgjigjet e njëri-tjetrit, ata do të jenë të përgatitur të ndiejnë Frymën e Shenjtë duke dhënë dëshmi për Shpëtimtarin. Jepni dëshminë tuaj për dashurinë e Shpëtimtarit. Kujtojuni studentëve se Nefi i tregoi profecitë e Isaias për të na bindur ne që të besojmë te Shëlbuesi dhe për të na ndihmuar të kemi shpresë.

1 Nefi 21:18–26; 22:1–22

Nefi shpjegon profecinë e Isaias për shpërndarjen dhe mbledhjen e Izraelit

Vendosni së bashku sende të ndryshme (të tilla si filxhane) mbi një tavolinë ose karrige. Vërini studentët në dijeni se këto sende përfaqësojnë grupe njerëzish. Shpjegoni se Nefi dha mësim se Izraeli do të shpërndahej në të gjitha kombet sepse ata i ngurtësuan zemrat kundër Shpëtimtarit (shih 1 Nefi 22:1–5). Ndërsa flisni, lëvizini sendet për në pjesë të ndryshme të dhomës. Shpjegoni se kjo ishte një temë e rëndësishme për Nefin. Familja e tij ishte pjesë e shpërndarjes. Ata qenë shpërndarë nga Jerusalemi, atdheu i tyre, për shkak të ligësisë së njerëzve që jetonin në atë zonë.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje vargjet te 1 Nefi 21:22–23 dhe 22:6–8. Përpara se të lexojnë, shpjegoni se 1 Nefi 21 përfshin një profeci nga Isaia rreth mbledhjes së Izraelit dhe se 1 Nefi 22 përfshin mësimet e Nefit rreth profecisë së Isaias.

  • Cila është “pun[a e] mrekullueshme” e përmendur te 1 Nefi 22:7–8? (Rivendosja e ungjillit.)

  • Si mund të jetë përhapja e ungjillit ashtu si mbajtja e të tjerëve në krahët dhe supet tona?

Për t’i ndihmuar studentët që të kuptojnë shpërndarjen dhe mbledhjen e Izraelit, ju mund të dëshironi të lexoni thënien e mëposhtme nga Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

“Përse u shpërnda Izraeli? Përgjigjja është e qartë; e dukshme; rreth saj nuk ka asnjë dyshim. Paraardhësit tanë izraelitë u shpërndanë sepse ata nuk e pranuan ungjillin, e ndynë priftërinë, e braktisën kishën dhe u larguan nga mbretëria. …

Atëherë, çfarë përfshihet në mbledhjen e Izraelit? Mbledhja e Izraelit përbëhet nga besimi dhe pranimi si dhe të jetuarit në harmoni me gjithçka që Zoti i ofroi dikur popullit të tij të zgjedhur në lashtësi. … Përbëhet nga besimi në ungjill, bashkimi me Kishën dhe hyrja në mbretëri. … Ajo mund të përbëhet gjithashtu nga mbledhja në një vend ose tokë të caktuar adhurimi” (A New Witness for the Articles of Faith [1985], f. 515).

Lexoni vargjet te 1 Nefi 22:9–12. Shpjegoni se kur shkrimet e shenjta e përmendin Zotin “[duke] zhvesh[ur] krahun”, ato nënkuptojnë se Zoti po tregon fuqinë e Tij.

  • Te 1 Nefi 22:11, çfarë thotë Nefi se do të bëjë Zoti në ditët e fundit për të treguar fuqinë e Tij?

  • Si i mban njerëzit larg robërisë dhe errësirës mbledhja e tyre në Kishë?

Kërkojuni studentëve t’i marrin sendet përreth dhomës dhe t’i grumbullojnë sërish në një vend. Shpjegoni se mbledhja mund të jetë shpirtërore si dhe fizike. Ndërsa e ndajmë ungjillin me të tjerët dhe ata pagëzohen e marrin dhuratën e Frymës së Shenjtë, ata mblidhen shpirtërisht në Kishën e Zotit. Gjatë ditëve të hershme të Kishës, të sapokthyerve në besim iu kërkua të mblidheshin fizikisht në një vend (për shembull, Kirtland në Ohajo, Navu në Ilinois dhe Solt-Lejk-Siti në Juta). Sot të kthyerit në besim nxiten që ta ndërtojnë Kishën kudo që të jenë dhe të mblidhen në degët, lagjet dhe kunjet e tyre vendore.

  • Sipas vargut te 1 Nefi 22:25, çfarë bekimesh u vijnë atyre që mblidhen nga Zoti? Çfarë mendoni se do të thotë që do të “ketë një vathë”? (Ju mund të dëshironi të shpjegoni se vatha është një vend ku mbrohet një tufë delesh.) Çfarë mendoni se do të thotë se do të “gjejnë kullotë”?

Në kohën tonë, Perëndia kërkon që të gjithë anëtarët e Kishës të ndihmojnë për t’i mbledhur “fëmijët e tij nga të katër anët e tokës” (1 Nefi 22:25). Dëshmoni se Zoti premtoi ta rivendosë ungjillin dhe ta mbledhë Izraelin në ditët e mëvonshme.

  • Si mendoni se do të ndihen ata që janë mbledhur (të kthyerit në besim) rreth atyre që i kanë mbledhur ata (atyre që kanë ndarë ungjillin me ta)?

  • Çfarë mund të bëni për ta ndarë ungjillin e Jezu Krishtit me të tjerët?

Kujtojuni studentëve se Nefi e citoi Isaian për t’i ndihmuar pjesëtarët e tij të familjes të kishin bindje dhe shpresë më të madhe te Jezu Krishti. Profecitë e Isaias dhe dëshmia e Nefit mund të na ndihmojnë ne në të njëjtën mënyrë. Dëshmoni se Jezu Krishti nuk do të na harrojë dhe se Ai po kërkon në mënyrë aktive që të na mbledhë.

Përsëritje për 1 Nefin

Gjeni pak kohë për të përsëritur librin 1 Nefi duke u kërkuar studentëve të sjellin ndër mend atë që kanë mësuar në seminar dhe në studimin e tyre vetjak deri më tani gjatë këtij viti. Ju mund t’i nxitni ata të shqyrtojnë përmbledhjet e kapitujve te 1 Nefi. Kërkojuni atyre të përgatiten për të treguar diçka nga libri i 1 Nefit që i ka frymëzuar apo që ua ka forcuar besimin në Jezu Krisht. Pasi të kenë pasur kohë të mjaftueshme, kërkojuni disa studentëve që të shprehin mendimet dhe ndjenjat e tyre. Mbani parasysh që të tregoni një prej përvojave tuaja vetjake rreth mënyrës se si e kanë bekuar jetën tuaj mësimet te 1 Nefi.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

1 Nefi 9:15-16 Jezu Krishti nuk do të harrojë

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha dëshminë e tij rreth të vërtetave te 1 Nefi 21:15–16:

“Ky fragment poetik jep sërish një kujtues tjetër për rolin shpëtues të Krishtit, rolin e prindit mbrojtës, shëlbues të fëmijëve të Sionit. Ai e ngushëllon popullin e tij dhe tregon mëshirë kur ata janë të pikëlluar, ashtu si çdo baba apo nënë do të bënte kundrejt një fëmije, por, ashtu siç nga kujton Nefi këtu nëpërmjet Isaias, shumë më tepër seç do të mund të bënte një baba apo nënë e vdekshme. Edhe pse një nënë mund ta harrojë fëmijën e gjirit të saj (aq e pazakontë sa çdo prind mund të mendojë se është kjo), Krishti nuk do t’i harrojë fëmijët që Ai i ka shëlbuar dhe as besëlidhjen që Ai ka bërë me ta për shpëtimin në Sion” (Christ and the New Covenant: The Messianic Message of the Book of Mormon [1997], 84).

1 Nefi 22:6–9. “Një komb [i] fuqishëm” dhe “një punë [e] mrekullueshme”

Plaku Mark E. Petersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se te 1 Nefi 22:7, fraza “komb të fuqishëm mes Johebrenjve” u drejtohet Shteteve të Bashkuara të Amerikës (shih “The Great Prologue” [fjalim i dhënë në Universitetin “Brigam Jang”, më 29 shtator 1974], f. 4, speeches.byu.edu).

Te 1 Nefi 22:8, Nefi përmend “një punë të mrekullueshme mes Johebrenjve” në ditët e mëvonshme. Kjo punë e mrekullueshme përfshin Rivendosjen e ungjillit të Jezu Krishtit dhe të çelësave të priftërisë të nevojshme për t’i sjellë besëlidhjet e Perëndisë te “të gjitha fiset e tokës” (1 Nefi 22:9).

Ngjarjet e përshkruara te 1 Nefi 22:7 duhet t’u paraprinin atyre që përshkruhen te 1 Nefi 22:8–9. Në fillim të viteve 1800, pjesa më e madhe e shteteve në botë i kishin të imponuara fetë shtetërore. Ungjilli mund të rivendosej vetëm në një vend ku liria e fesë qe vendosur me ligj dhe praktikohej lirisht. Amendamenti i Parë i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara përfshin një proklamatë të lirisë së fesë. Ky amendament dhe të tjerë u ratifikuan më 15 dhjetor 1791, duke e lejuar lirinë e fesë që të hidhte rrënjë në botën moderne. Jozef Smithi lindi në dhjetor 1805, vetëm 14 vjet pas ratifikimit të këtyre amendamenteve të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara.

Shtyp në Letër