Biblioteka
Mësimi 155: Moroni 7:1–19


Mësimi 155

Moroni 7:1–19

Hyrje

Moroni shënoi një predikim që babai i tij, Mormoni, pati bërë shumë vite përpara. Ky mësim pasqyron pjesën e parë të predikimit, në të cilin Mormoni na mësoi rreth bërjes së punëve të drejta me dëshirë të sinqertë dhe rreth mënyrës se si mund të dallojmë midis së mirës dhe së keqes. Mësimi 156 mbulon pjesën tjetër të predikimit.

Sugjerime për Mësimdhënien

Moroni 7:1–11

Mormoni i mëson pasuesit e Jezu Krishtit që të bëjnë vepra të mira me dëshirë të sinqertë

Paraqitni një frutë që duket e mirë nga jashtë.

  • A keni zbuluar ndonjëherë se ajo frutë nuk ishte aq i mirë nga brenda siç dukej nga jashtë? (Ftoni disa studentë të japin shembuj. Ju mund të doni që të tregoni një përvojë tuajën.)

  • Në çfarë mënyrash mundet një person të jetë si një frutë që duket e mirë nga jashtë, por është e kalbur nga brenda?

Shpjegoni se Moroni i regjistroi fjalët e babait të tij, Mormonit, rreth rëndësisë së të qenit të drejtë në zemrën tonë, si dhe të të bërit të punëve të drejta. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Moronin 7:2–3 dhe kërkojini klasës të gjejë grupin të cilit Moroni po i fliste. (Ai po u fliste anëtarëve të Kishës.)

Pasi studentët të raportojnë për atë që kanë mësuar, kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Moronin 7:4–5. Ftojeni klasën të ndjekë dhe të përcaktojë se si e dinte Mormoni që këta njerëz qenë “pasues paqësorë të Krishtit” (Moroni 7:3).

Shkruani frazën dëshirë e sinqertë në tabelë.

  • Si mendoni, çfarë do të thotë kjo frazë?

Ndërsa studentët diskutojnë mbi këtë pyetje, ju mund të doni t’i kërkoni njërit prej tyre të lexojë shpjegimin vijues nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Dallin H. Ouks

“Ne duhet jo vetëm të bëjmë çka është e drejtë. Ne duhet të veprojmë për arsye të drejta. Termi bashkëkohor është shtysë e mirë. Shkrimet e shenjta shpesh e shënojnë këtë qëndrim të drejtë të mendjes me fjalët qëllim i plotë i zemrës ose dëshirë e sinqertë.

Shkrimet e shenjta e bëjnë të qartë se Perëndia i kupton shtysat tona dhe do t’i gjykojë veprimet tona sipas tyre” (Pure in Heart [1988], f. 15).

Ftojini studentët të kërkojnë në heshtje te Moroni 7:6–10, duke parë për paralajmërimet e Zotit drejtuar njerëzve që bëjnë vepra të mira pa dëshirë të sinqertë.

  • Çfarë paralajmërimesh u bëri Zoti atyre që bëjnë vepra të mira pa dëshirë të sinqertë? (Ai paralajmëroi se veprat e tyre nuk do t’u sjellin dobi dhe se veprat e tyre do të llogariten për keq më shumë sesa për drejtësi.)

  • Çfarë parimesh mund të mësojmë nga këto vargje? (Ndërsa studentët mund të përmendin një numër të vërtetash, ndihmojini të gjejnë parimin vijues: Që të bekohemi për vepra tonat të mira, ne duhet të veprojmë me dëshirë të sinqerë.).

  • Përveç të dëshiruarit të bekimeve nga Zoti, përse mendoni se është e rëndësishme të bëjmë vepra të mira me dëshirë të sinqertë?

  • Çfarë ndryshimi keni vërejtur kur keni bërë vepra të mira me qëllim të drejtë?

Vini në dukje se Mormoni na nxiti të lutemi me dëshirë të sinqertë (shih Moroni 7:9). Ftojeni një student të lexojë këshillën vijuese nga Presidenti Brigam Jang:

Pamja
Presidenti Brigam Jang

“Nuk ka rëndësi nëse ju apo unë ndiejmë se duam të lutemi, kur vjen koha për t’u lutur, lutu. Nëse nuk ndiejmë se duam të lutemi, ne duhet të lutemi gjersa ta ndiejmë se duam” (Teachings of Presidents of the Church: Brigham Young [1997], f. 45).

  • Si mundet që të zgjedhurit për t’u lutur edhe kur nuk e duam, na ndihmon që më në fund të lutemi me dëshirë të sinqertë?

  • Si mund të lidhet këshilla e Presidentit Brigam Jang me të bindurit ndaj udhërimeve të tjera përveç lutjes? (Nëse studentët kanë vështirësi për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, merrni parasysh të tregoni shembullin vijues: Disa njerëz mund të mos marrin pjesë në kishë me dëshirë të sinqertë. Gjithsesi, nëse vazhdojnë të vijnë në kishë dhe bëjnë gjithçka munden për të ardhur dhe adhuruar, ata do të kenë përvoja që do t’i ndihmojnë të gjejnë gëzim tek ardhja në kishë. Arsyet e tyre për pjesëmarrje do të ndryshojnë. Ata do të vijnë ngaqë duan të jenë atje – ata duan të adhurojnë Perëndinë, të përtërijnë besëlidhjet e tyre dhe t’u shërbejnë të tjerëve.)

Për t’i ndihmuar studentët të zbatojnë mësimet e Mormonit në bërjen e veprave të mira me dëshirë të sinqertë, përgatitni aktivitetin vijues përpara orës mësimore: përgatitni disa copa të vogla letre. Në secilën copë letre, shkruani një urdhërim. Shembujt mund të përfshijnë agjërimin, pagimin e së dhjetës, shërbimin ndaj të tjerëve, studimin e shkrimeve të shenjta, respektimin e prindërve dhe çfarëdo urdhërimi tjetër që ndieni se mund të jetë i dobishëm për studentët që ta diskutojnë. Vendosini copat e letrës në një kuti.

Në klasë, ftojeni një student të vijë përpara dhomës. Kërkojini atij apo asaj të marrë një copë letër nga kutia dhe t’ia lexojë klasës. Pastaj kërkojini klasës të bëjë njërën apo të dyja nga sa vijon:

  1. Tregoni se si ata janë ndier të bekuar kur i janë bindur me dëshirë të sinqertë atij urdhërimi.

  2. Sugjeroni mënyra për t’iu bindur atij urdhërimi me dëshirë të sinqertë.

Ju mund të doni ta përsëritni këtë veprimtari disa herë.

Pas kësaj veprimtarie, merrni parasysh të tregoni një përvojë që keni pasur kur i jeni bindur një urdhërimi të Perëndisë me dëshirë të sinqertë.

Moroni 7:12–19

Mormoni jep mësim se si të gjykojmë midis së mirës dhe së keqes

Shpjegoni se Isaia profetizoi që në ditët e fundit, disa njerëz do ta quanin të keqen të mirë dhe të mirën të keqe (shih Isaia 5:20; 2 Nefi 15:20).

  • Cilët janë disa shembuj të njerëzve që e quajnë të keqen të mirë dhe të mirën të keqe?

  • Përse mendoni se është e rëndësishme të mos i ngatërrojmë të mirën dhe të keqen?

Ftoni disa studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Moroni 7:12–17. Kërkojini klasës ta ndjekë dhe të gjejë parimet që mund të na ndihmojnë të dallojmë të mirën nga e keqja. Ju mund të doni t’i nxitni të shenjojnë frazat që janë veçanërisht domethënëse për ta. Për t’i ndihmuar studentët të raportojnë mbi atë që kanë gjetur, bëni pyetjet vijuese:

  • Si mund ta dimë se diçka vjen nga Perëndia? (Sigurohuni që studentët të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Ajo që është nga Perëndia na fton të bëjmë mirë, të besojmë në Jezu Krishtin dhe ta duam Perëndinë dhe t’i shërbejmë Atij.)

  • Si mund ta dimë se diçka vjen nga djalli? (Sigurohuni që studentët të gjejnë të vërtetën vijuese: Gjithçka që na bind të bëjmë keq, të mohojmë Jezu Krishtin apo të luftojmë kundër Perëndisë vjen nga djalli.)

  • Cilat janë disa mënyra me të cilat Perëndia na fton dhe na nxit të bëjmë mirë vazhdimisht?

  • Si na fton dhe na nxit djalli që të mëkatojmë?

Për t’i përgatitur studentët të zbatojnë mësimet e Mormonit në gjykimin midis së mirës dhe së keqes, ftojini të shkruajnë një listë të shfaqjeve të tyre të parapëlqyera televizive, filmave, këngëve, grupeve muzikore, faqeve të internetit, programeve kompjuterike, videolojrave apo sendeve personale. (Ju mund të doni ta ndryshoni këtë listë sipas nevojave dhe interesave të studentëve.) Pasi studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme që të shkruajnë, kërkojuni t’i lënë mënjanë listat e tyre. U thoni se do të kenë mundësi të mendojnë më shumë rreth listave të tyre pas pak minutash.

  • Sipas Moronit 7:16, çfarë i është dhënë çdo personi për ta ndihmuar që të dallojë të mirën nga e keqja?

Shpjegoni se Shpirti i Krishtit quhet gjithashtu Drita e Krishtit (shih Moroni 7:18). Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë Dritën e Krishtit, lexoni thënien e mëposhtme nga Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Presidenti Bojd K. Paker

“Fryma e Shenjtë dhe Drita e Krishtit janë të ndryshme nga njëra-tjetra. …

Pavarësisht nëse kjo dritë e brendshme, kjo dijeni për të drejtën dhe të gabuarën, quhet Drita e Krishtit, ndjesia morale, apo vetëdija, mund të na drejtojë që t’i rregullojmë veprimet tona – nëse, pra, nuk e shtypim apo nuk e shuajmë atë. …

Çdo burrë, grua dhe fëmijë i çfarëdo kombi, besimi apo ngjyre – kushdo, pavarësisht se ku jeton apo çfarë beson ose çfarë bën – ka brenda tij Dritën e pavdekshme të Krishtit” (“The Light of Christ”, Ensign, prill 2005, f. 8–10).

  • Si mundet një person ta ndrydhë apo shuajë Dritën e Krishtit brenda tij apo saj?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Moronin 7:18–19 dhe të gjejnë këshillën e Mormonit rreth mënyrës se si t’i përgjigjemi Dritës së Krishtit brenda nesh. Kërkojuni studentëve të tregojnë atë që mësojnë.

  • Çfarë mendoni se do të thotë “të kërkoni me zell në dritën e Krishtit”?

  • Çfarë parimesh mund të mësojmë nga Moroni 7:19? (Studentët duhet të gjejnë parimet vijuese: Ndërsa kërkojmë me zell Dritën e Krishtit, ne mund të bëjmë dallimin midis së mirës dhe së keqes. Në qoftë se mbështetemi në çdo gjë të mirë, ne do të jemi fëmijë të Krishtit. Nëse studentët kanë nevojë për ndihmë për ta kuptuar frazën “fëmijë i Krishtit”, ju mund të doni t’i referoheni mësimit 55 në këtë manual.)

  • Kur keni kërkuar të dini nëse diçka ishte e mirë apo e përshtatshme? Çfarë bëtë ju për “të kërk[uar] me zell” që të mësonit nëse ishte e mirë apo e përshtatshme?

Kërkojuni studentëve t’u referohen listave që bënë më parë. Shfaqni ose lexoni me zë të lartë pyetjet vijuese dhe ftojini studentët të “kërko[jnë] me zell në dritën e Krishtit” (Moroni 7:19), ndërsa i shënojnë përgjigjet e tyre për këto pyetje. Mos e bëni me ngut këtë veprimtari. Jepuni studentëve kohë të mjaftueshme për të përsiatur e shkruar. Informojini studentët se nuk do t’u kërkoni ta tregojnë atë që shkruajnë.

  • Sa fort ju ftojnë këto gjëra që të bëni mirë, të besoni në Jezu Krishtin dhe ta doni Perëndinë e t’i shërbeni Atij?

  • A priret ndonjë nga këto gjëra që t’ju bindë për të bërë keq, për të dyshuar te Jezu Krishti ose për t’ju ndaluar së shërbyeri Perëndisë?

  • A ndieni se duhet ta largoni ndonjë nga këto gjëra prej jetës suaj? Nëse po, si do ta bëni?

Theksoni se ndonjëherë mund të jetë e vështirë të bëjmë atë që e dimë se është e drejtë kur kërkohet të lëmë diçka që e pëlqejmë. Për t’i ndihmuar studentët ta mbështesin njëri-tjetrin në këtë përpjekje, pyetni:

  • Çfarë këshille do të ofronit për ta ndihmuar dikë të lërë gjëra që nuk janë të mira apo të përshtatshme?

Për të përfunduar, pohoni se kur ndjekim Dritën e Krishtit, ne mund ta dallojmë atë që është e mirë, të shmangim mashtrimet e Satanit dhe të jetojmë si pasues të Jezu Krishtit.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Moroni 7:17. Djalli nuk bind askënd për të bërë mirë

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi:

“Satani ose Luciferi ose ati i gënjeshtrave – pavarësisht si e quani – është i vërtetë, pasqyrimi i vërtetë i së keqes. Arsyet e tij janë në çdo rast keqdashëse. … Ai është përjetësisht kundër dashurisë së Perëndisë, Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe punës së paqes e shpëtimit. Ai do të luftojë kundër këtyre gjërave kurdo dhe kudo që të mundet. Ai e di se do të mundet dhe do të flaket në fund, por është i vendosur që të shkatërrojë sa më shumë njerëz të tjerë që të mundet” (“Ne Jemi të Gjithë të Rekrutuar”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 44).

Shtyp në Letër