Biblioteka
Mësimi 153: Moroni 4–5


Mësimi 153

Moroni 4–5

Hyrje

Moroni regjistroi udhëzimet e Shpëtimtarit për nefitët lidhur me administrimin e sakramentit, duke përfshirë lutjet që mbajtësit e priftërisë duhej të përdornin në bekimin e bukës dhe të verës.

Sugjerime për Mësimdhënien

Moroni 4–5

Moroni shpjegon se si duhet të administrohet sakramenti

Nëse është e mundur, tregoni një mbajtëse buke të sakramentit dhe një mbajtëse uji të sakramentit. (Ndërsa mund të jetë e përshtatshme të shfaqen këto gjëra, ju nuk duhet të tentoni të imitoni në çfarëdo mënyre ordinancën e sakramentit.) Jepuni studentëve një copë letër dhe kërkojuni të shkruajnë nga ajo që kujtojnë, aq sa munden, një nga lutjet e sakramentit. Pasi studentët të kenë pasur kohë të mjaftë, shpjegoni se, si pjesë të këtij anali, Moroni i përfshiu këto lutje siç janë dhënë nga Zoti për administrimin e sakramentit. Vërini të kthehen te Moroni 4:3 ose Moroni 5:2 dhe kontrolloni përgjigjet e tyre. Më pas pyetni:

  • Nëse një mik i një besimi tjetër do të vendoste të merrte pjesë me ju në një mbledhje sakramenti, si do ta shpjegonit domethënien e sakramentit dhe rëndësinë e tij për ju?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë një nga qëllimet e sakramentit, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Moronin 4:1–3 dhe një student tjetër të lexojë me zë të lartë Moronin 5:1–2. Ftojini studentët të gjejnë fraza që shpjegojnë se çfarë përfaqëson buka dhe uji i sakramentit te Moroni 4:3 dhe Moroni 5:2. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë këto fraza në shkrimet e tyre të shenjta. (Ju mund të doni t’i kujtoni klasës se sot Kisha përdor ujë në sakrament në vend të verës, siç lejohet nga një zbulesë që i është dhënë Jozef Smithit [shih DeB 27:2].)

  • Çfarë përfaqëson buka? (Trupin e Jezu Krishtit. Shih Mateu 26:26; 3 Nefi 18:6–7.)

  • Çfarë përfaqëson uji? (Gjakun e Jezu Krishtit. Shih Mateu 26:27–28; 3 Nefi 18:8 11.)

  • Përse janë domethënës trupi dhe gjaku i Shpëtimtarit për ne? (Ndërsa studentët i përgjigjen kësaj pyetjeje, ata duhet të përmendin vuajtjen fizike të Shpëtimtarit dhe vdekjen e Tij në kryq. Ata duhet të përmendin Ringjalljen e Tij, kur trupi i Tij u ribashkua me shpirtin e Tij tri ditë më vonë pasi Ai mori vdekjen mbi Vete. Ata duhet të përmendin gjithashtu vuajtjen shpirtërore dhe ankthin e Tij të skajshëm kur mori mbi Vete mëkatet tona, duke bërë që gjaku i Tij të derdhej nga çdo por. Ngaqë Ai mori mbi Vete vdekjen fizike, të gjithë njerëzit do të ringjallen. Për shkak se Ai vuajti për mëkatet tona, ne mund të falemi për mëkatet tona kur pendohemi.)

Shkruani thënien e paplotë vijuese në tabelë: Simbolet e sakramentit na ndihmojnë të kujtojmë … Pyetini studentët se si do ta përmblidhnin këtë qëllim të rëndësishëm të sakramentit. Pastaj plotësojeni të vërtetën në tabelë si më poshtë: Simbolet e sakramentit na ndihmojnë të kujtojmë Shlyerjen e Jezu Krishtit.

Ftoni studentët të përsiaten mbi pyetjen vijuese shtruar nga Plaku Dejvid B. Heit, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Dejvid B. Heit

“Si po veprojmë ne si anëtarë të Kishës për ta kujtuar Zotin dhe Shpëtimtarin tonë, sakrificën e Tij dhe borxhin tonë ndaj Tij?” (“Remembering the Savior’s Atonement”, Ensign, prill 1988, f. 7).

  • Çfarë mund të bëjmë ne për t’u përqendruar në të kujtuarit e Shlyerjes gjatë sakramentit?

  • Çfarë keni përjetuar kur keni përsiatur sinqerisht mbi Shlyerjen e Shpëtimtarit gjatë sakramentit?

Pasi studentët të kenë ndarë këndvështrimet e tyre, ftojini të shkruajnë në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta një mënyrë se si mund t’i përqendrojnë mendimet e tyre mbi Shlyerjen gjatë mundësisë së tyre të radhës për të marrë sakramentin. (Ju mund të doni të ftoni disa studentë të tregojnë atë që kanë shkruar.)

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë synime të tjera të sakramentit, vizatoni skemën vijuese në tabelë përpara se të fillojë ora mësimore, duke mos përfshirë përgjigjet në kllapa. Ftojini studentët ta kopjojnë skemën në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta.

Çfarë besëlidhem të bëj

Çfarë mendoj se do të thotë ta mbaj këtë pjesë të besëlidhjes sime

Çfarë mund të bëj për ta mbajtur këtë pjesë të besëlidhjes sime

  1. (Jam i gatshëm të marr mbi vete emrin e Zotit)

  1. (Gjithmonë ta kujtoj Atë)

  1. (Të mbaj urdhërimet e Tij)

Kujtojuni studentëve se, kur marrim sakramentin, ne bëjmë besëlidhje, apo marrëveshje të shenjta, me Perëndinë. Ftojini studentët të rishikojnë në heshtje Moronin 4:3. Në kolonën e parë të skemës i vini të shkruajnë tre premtimet që bëjnë kur marrin sakramentin. Kërkojuni t’i kontrollojnë përgjigjet e tyre me dikë që është ulur pranë tyre. Pastaj ftojini të plotësojnë individualisht kolonën e dytë. Pas një kohe të mjaftueshme, ftoni disa studentë të tregojnë se çfarë kanë shkruar. Ndërsa studentët tregojnë atë që kanë shkruar, përdorni një pjesë apo të gjithë materialin vijues për t’i ndihmuar të thellojnë kuptimin e tyre për secilën pjesë të besëlidhjes.

Për t’i ndihmuar studentët të thellojnë kuptimin e tyre mbi domethënien e të marrit mbi vete të emrit të Jezu Krishtit, ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë:

Pamja
Presidenti Henri B. Ajring

“Ne premtojmë të marrim emrin e Tij mbi vete. Kjo do të thotë që ne duhet ta shohim veten tonë si të Tijët. Ne do ta vëmë Atë të parin në jetën tonë. Ne do të duam më shumë atë që Ai do sesa atë që ne duam apo çka bota na mëson që të duam” (“That We May Be One”, Ensign, maj 1998, f. 67).

Shpjegoni se, kur e vërtetojmë gatishmërinë tonë për të marrë mbi vete emrin e Jezu Krishtit, ne zotohemi të jetojmë si dishepuj të Tij. Ne premtojmë se nuk do t’i sjellim turp ose qortim emrit të Tij. Ne zotohemi t’i shërbejmë Atij dhe bashkënjerëzve tanë. Ne gjithashtu tregojmë se jemi të gatshëm të identifikohemi me Të dhe me Kishën e Tij.

  • Si jeni përpjekur ta tregoni gatishmërinë tuaj për të marrë emrin e Zotit mbi vete? Çfarë ndikimi ka pasur kjo në jetën tuaj?

Ftojini studentët të krahasojnë lutjen për bukën te Moroni 4:3 me lutjen për verën te Moroni 5:2. Pyetini mbi ndryshimet dhe ngjashmëritë që vënë re. Theksoni se premtimi që “gjithmonë ta kujtojnë atë” duket në të dyja lutjet.

  • Çfarë mendoni se do të thotë “gjithmonë ta kujtojnë atë”?

Ftojeni një student të lexojë deklaratën vijuese nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojini klasës të dëgjojë dhe të gjejë se çfarë mund të bëjmë që të na ndihmojë që gjithmonë ta kujtojmë Shpëtimtarin.

Pamja
Plaku D. Tod Kristoferson

“Ne duhet së pari të vendosim në vend gjërat që e bëjnë të mundur që ne gjithmonë ta kujtojmë Atë – lutje dhe studim të shpeshtë të shkrimeve të shenjta, studim të kujdesshëm të mësimeve apostolike, përgatitje të përjavshme për të marrë pjesë denjësisht në sakrament, në adhurimin e së dielës dhe në shënimin dhe kujtimin e asaj çka Shpirti dhe përvoja na mësojnë neve rreth të qenit dishepull.

Gjëra të tjera mund t’ju vijnë ndër mend që ju përshtaten veçanërisht juve në këtë kohë të jetës suaj. …

… Unë mund të vërtetoj se me kohë dëshira dhe aftësia jonë për të kujtuar dhe ndjekur gjithmonë Shpëtimtarin do të rriten. Ne duhet të punojmë me durim për këtë qëllim dhe të lutemi gjithmonë për mprehtësinë dhe ndihmën hyjnore që na nevojiten” (“Gjithmonë Kujtojeni Atë”, Liahona, prill 2011, f. 23).

  • Çfarë keni bërë ju që “gjithmonë ta kujto[ni] atë”?

  • Si na ndihmon të kujtuarit e Shpëtimtarit gjithmonë për t’i mbajtur pjesët e tjera të besëlidhjes sonë?

  • Përse mendoni se është e rëndësishme për ne që ta marrim sakramentin çdo javë?

Për të theksuar premtimin tonë për të mbajtur urdhërimet, ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga broshura Për Forcën e Rinisë:

“Ati Qiellor ju ka dhënë lirinë e zgjedhjes, aftësinë për të zgjedhur të drejtën nga e gabuara dhe për të vepruar për veten tuaj. Krahas dhuratës së vetë jetës, një nga dhuratat më të mrekullueshme të Perëndisë për ju është e drejta për të zgjedhur drejtimin e jetës suaj. Ndërsa jeni këtu në tokë, ju po provoheni për të parë nëse do ta përdorni lirinë tuaj të zgjedhjes për të treguar dashurinë tuaj për Perëndinë duke mbajtur urdhërimet e Tij” (Për Forcën e Rinisë [2011], f. 2).

  • Çfarë bëni çdo ditë për ta ndihmuar veten që të mbani urdhërimet e Perëndisë?

Pasi studentët të kenë diskutuar premtimet që i ripërtërijmë çdo javë nëpërmjet sakramentit, kërkojuni të shkruajnë në kolonën e tretë të skemës një gjë që do të bëjnë gjatë javës për të mbajtur më mirë secilën pjesë të besëlidhjes. Ftojini të tregojnë disa nga idetë e tyre (por siguroni që të kuptojnë se nuk duhet të tregojnë asgjë që është tepër vetjake apo e brendshme).

Shpjegoni se, kur i mbajmë besëlidhjet që bëjmë me Zotin, Ai premton të na bekojë (shih DeB 82:10). Ftojini studentët të kërkojnë te Moroni 4:3 dhe Moroni 5:2, duke parë për atë që Zoti na premton nëse i mbajmë premtimet që i ripërtërijmë kur marrim sakramentin. Shkruajeni thënien e mëposhtme të paplotë në tabelë poshtë skemës: Kur e mbajmë besnikërisht besëlidhjen e sakramentit … Ftoni studentët ta plotësojnë thënien në tabelë bazuar në atë që mësuan nga Moroni 4:3 dhe Moroni 5:2. (Një mënyrë për ta mbyllur thënien do të ishte si më poshtë: Kur e mbajmë besnikërisht besëlidhjen e sakramentit, ne mund të kemi gjithmonë Shpirtin e Zotit me ne.)

  • Në ç’mënyrë ky premtim që Shpirti mund të jetë gjithmonë me ne, ia vlen për përpjekjet tona për ta mbajtur këtë besëlidhje?

Ftojeni një student të lexojë thënien në vijim nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojini klasës të dëgjojë se çfarë mund të bëjë Shpirti për ne.

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“Shpirti i Zotit mund të jetë udhërrëfyesi ynë dhe do të na bekojë me drejtim, udhëzim dhe mbrojtje shpirtërore gjatë udhëtimit tonë në vdekshmëri” (“That We May Always Have His Spirit to Be with Us”, Ensign ose Liahona, maj 2006, f. 31).

  • Kur keni marrë udhëzim, drejtim, mësim apo mbrojtje në saje të shoqërimit nga Fryma e Shenjtë? (Përveç të kërkuarit nga studentët që të tregojnë përvoja, mund të dëshironi të tregoni një përvojë tuajën.)

  • Çdo javë gjatë sakramentit, ne kemi rastin të shqyrtojmë se sa mirë po e mbajmë besëlidhjen e përshkruar në lutjet e sakramentit. Si mund të na ndihmojë kjo në përpjekjet tona që gjithmonë ta kemi Shpirtin me ne?

  • Ndërsa përsiatni mbi atë që keni mësuar sot rreth marrjes së sakramentit, cila pjesë e lutjeve të sakramentit është veçanërisht domethënëse për ju? Përse?

Nxitini studentët të përsiatin mbi Shlyerjen e Shpëtimtarit ndërsa marrin sakramentin. Ftojini të rishikojnë skemat e tyre dhe të ndjekin deri në fund idetë e tyre për mbajtjen e besëlidhjes së sakramentit më plotësisht. Kujtojuni studentëve premtimin e Zotit për ne kur e mbajmë këtë besëlidhje: do të kemi gjithmonë me vete Shpirtin e Tij. Dëshmoni për bekimet që do të na vijnë në jetën tonë kur kujtojmë dhe mbajmë besëlidhjen që bëjmë çdo javë kur marrim sakramentin.

Përsëritja e Zotërimit të Shkrimit të Shenjtë

Ju mund të doni të programoni një provë përfundimtare të zotërimit të shkrimit të shenjtë ose të përsërisni veprimtari për t’i ndihmuar studentët të përforcojnë zotërimin prej tyre të fragmenteve të përzgjedhura nga Libri i Mormonit. Vendosni se si do të donit ta provonit njohurinë e tyre dhe planifikoni një veprimtari që i përshtatet atij qëllimi. Ju mund të krijoni një test me përputhje ose një fletë prove me hapësira për plotësim të gjetur me referenca dhe fjalë apo skenare kyç, ose mund t’i testoni studentët për të parë sa i kanë mësuar përmendsh disa fragmente. Një mënyrë tjetër mund të ishte t’i caktoni çdo studenti të japë një mësim të shkurtër apo të japë një bisedë duke përdorur fragmente për zotërimin e shkrimit të shenjtë si burimin kryesor. Sido që të vendosni ta formoni një përvojë përfundimtare me fragmentet për zotërimin e shkrimit të shenjtë, jepuni studentëve kohë për të studiuar dhe për t’u përgatitur. Kohëzgjatja e mësimit të sotëm mund të sigurojë kohë për ta filluar këtë përgatitje.

Shtyp në Letër