Biblioteka
Mësimi 6: 1 Nefi 1


Mësimi 6

1 Nefi 1

Hyrje

Libri i Mormonit fillon me Lehin duke përmbushur besnikërisht rolin e tij si profet. Lehi ishte një nga “shumë profetë, duke profetizuar te njerëzit se ata duhej të pendoheshin” (1 Nefi 1:4). Kur ai profetizoi për shkatërrimin e Jerusalemit dhe dëshmoi për shëlbimin përmes Mesias, shumë njerëz e përqeshën dhe donin ta vrisnin. Megjithatë, Lehi gëzohej në mëshirën dhe fuqinë çliruese të Zotit. Teksa studentët mësojnë rreth shërbesës së Lehit, ata mund të rriten në kuptueshmërinë e tyre për rolin e profetëve sot. Ndërsa ata kërkojnë fakte për mëshirën dhe interesimin e Perëndisë në jetën e tyre, marrëdhënia e tyre me Të do të thellohet.

Sugjerime për Mësimdhënien

1 Nefi 1:1–3

Nefi fillon analin e tij

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje 1 Nefin 1:1–3. Kërkojuni atyre të përcaktojnë arsyen përse Nefi e shkroi analin e tij.

  • Çfarë arsyesh dha Nefi për bërjen e analit mbi përvojat e tij?

  • Përse mendoni se Nefi u ndje “jashtëzakonisht i favorizuar nga Zoti” edhe pse kishte provuar “shumë vuajtje”?

1 Nefi 1:4–20

Lehi sheh një vegim dhe paralajmëron popullin se Jerusalemi do të shkatërrohet

Ftojini studentët të mendojnë rreth një rasti kur prindërit e tyre i paralajmëruan për rrezikun.

  • Përse ju paralajmëruan prindërit tuaj për rrezikun?

  • Në ç’mënyra i paralajmëron Ati Qiellor fëmijët e Tij?

Shpjegoni se rrëfimi i parë në Librin e Mormonit fillon në një kohë kur shumë njerëz në Jerusalem ishin të këqij. Ftoni një student të lexojë 1 Nefin 1:4. Vëreni klasën që të kërkojë për mënyrën si Zoti i paralajmëroi njerëzit në Jerusalem.

Shpjegoni se i ati i Nefit, Lehi, u bashkua me “shumë profetë” të përmendur në këtë varg. Ai i paralajmëroi njerëzit se ata duhej të pendoheshin. Për t’i ndihmuar studentët të zbulojnë paralajmërimet dhe mësimet e Lehit, organizojini ata në çifte dhe vëreni secilin çift të lexojë 1 Nefin 1:5–13. Kërkojuni atyre të përcaktojnë atë që Lehi pa në vegim, ose duke shenjuar shkrimet e tyre të shenjta ose duke bërë një listë në fletë. Jepuni çifteve disa minuta kohë për të diskutuar pyetjen në vijim. (Ju mund të dëshironi ta shkruani në tabelë këtë pyetje.)

  • Si do të ndiheshit nëse do shihnit në vegim se qyteti juaj do të shkatërrohej?

Pas veprimtarisë, ftojini studentët të këqyrin në heshtje 1 Nefin 1:15, duke kërkuar të gjejnë ndjenjat e Lehit pas këtij vegimi.

  • Cila qe përgjigjja e Lehit për gjërat që kishte parë?

Ftoni një student të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 1:14–15. Nxiteni klasën që të kërkojë arsyet përse Lehi u gëzua. (Ju mund të dëshironi të shpjegoni se edhe pse Lehi mësoi se Jerusalemi do të shkatërrohej, ai gjithashtu pa se ata që patën mirëbesim në Perëndi nuk do të mbaronin.)

  • Kur keni qenë në gjendje të lëvdoni Perëndinë, edhe gjatë periudhave të vështira në jetën tuaj?

  • Cilat janë disa bekime të njohjes së “mirësi[së] dhe mëshir[ës]” së Zotit gjatë kohëve të vështira?

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë thënien në vijim:

“Ashtu si profetët e lashtë, profetët e sotëm dëshmojnë për Jezu Krishtin dhe mësojnë ungjillin e Tij. Ata bëjnë të njohur vullnetin dhe cilësitë e vërteta personale të Perëndisë. Ata flasin me guxim dhe qartë, duke e dënuar mëkatin e duke na paralajmëruar për pasojat e tij. Nganjëherë ata mund të frymëzohen që të profetizojnë për ngjarje të ardhshme, që kjo të na vlejë” (Të Vërtetë Ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2004], f. 133).

Theksoni se Lehi është një shembull i të vërtetës se profetët paralajmërojnë kundër mëkatit dhe japin mësim për shpëtimin nëpërmjet Jezu Krishtit. (Ju mund të dëshironi ta shkruani në tabelë këtë të vërtetë.)

Ftojini studentët të lexojnë 1 Nefin 1:19–20.

  • Çfarë dha mësim Lehi?

  • Si iu përgjigj populli mësimeve të Lehit?

  • Përse disa njerëz në kohën tonë i refuzojnë mesazhet nga profetët e Zotit?

  • Kur jeni bekuar ose mbrojtur për shkak se ndoqët profetin?

1 Nefi 1:20

Nefi dëshmon për mëshirat e dhembshura të Zotit

Vini në dukje se në fjalinë e dytë të 1 Nefit 1:20, Nefi ndërpret tregimin e tij për të ndarë një mesazh me ata që lexojnë fjalët e tij. Vërini studentët të lexojnë veç e veç 1 Nefin 1:20, duke kërkuar mesazhin që Nefi dëshiron që ne të kuptojmë. Sipas nevojës, drejtojeni vëmendjen e tyre te fraza që Nefi përdori për të prezantuar mesazhin (“unë, Nefi, do t’ju tregoj …”).

  • Si mund t’ju ndihmojë të kushtuarit e vëmendjes së kujdesshme ndaj kësaj lloj fraze në studimin tuaj individual të Librit të Mormonit?

  • Çfarë donte të na tregonte Nefi?

Vëreni një student të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 1:20. Ftoni një student tjetër të lexojë Moronin 10:3. Vëreni klasën që të kërkojë pikat e përbashkëta në të dyja vargjet.

  • Çfarë ideje të ngjashme dëshironin Nefi dhe Moroni që të vinin re lexuesit e Librit të Mormonit?

Ndihmojini studentët të përcaktojnë këtë parim: Mëshirat e dhembshura të Zotit shtrihen tek ata që ushtrojnë besim në Të. (Ju mund të dëshironi ta shkruani parimin në tabelë.)

Me qëllim që t’i ndihmoni studentët të kuptojnë se çfarë janë mëshirat e dhembshura të Zotit dhe si t’i njohin ato në jetën e tyre, ndani deklaratën vijuese nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“Mëshirat e dhembshura të Zotit janë bekimet tepër personale dhe individuale, forcë, mbrojtje, siguri, drejtim, dashamirësi, ngushëllim, mbështetje dhe dhuratat shpirtërore të cilat i marrin nga dhe nëpërmjet Zotit Jezu Krisht. …

… Mëshirat e dhembshura të Zotit nuk ndodhin rastësisht ose thjesht për koinçidencë. Besnikëria dhe bindja na lejojnë të marrin këto dhurata të rëndësishme dhe shpesh koha e zgjedhur nga Zoti na ndihmon t’i kuptojmë ato.

Ne nuk duhet të nënvlerësojmë ose të mos vëmë re fuqinë e mëshirave të dhembshura të Zotit” (“The Tender Mercies of the Lord”, Ensign ose Liahona, maj 2005, f. 99–100; “Mëshirat e Dhembshura të Zotit”, Konferenca e Përgjithshme, prill 2005 (nr. art. 00074 101), f. 119–121).

  • Si e shpjegoi Plaku Bednar frazën “mëshirat e dhembshura të Zotit”?

  • Çfarë shembujsh të mëshirave të dhembshura të Zotit keni parë të tregohen ndaj jush ose dikujt që njihni?

Pasi studentët të kenë pasur kohë t’u përgjigjen këtyre pyetjeve, ftojini ata të marrin në konsideratë se si mund t’i dallojnë më mirë mëshirat e dhembshura të Zotit në jetën e tyre. Nxitini ata të jenë më të vetëdijshëm për mëshirat e dhembshura që Zoti shfaq ndaj tyre. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që ata t’i hedhin në ditarët vetjakë përvojat e tyre me mëshirat e dhembshura. Merrni parasysh që t’u jepni kohë të shkruajnë në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta ose fletoret e klasës rreth një ose dy mënyrave si Zoti i ka shprehur së fundi mëshirat e Tij të dhembshura kundrejt tyre.

Mbylleni duke përsëritur dëshminë e Nefit te 1 Nefi 1:20 lidhur me mëshirat e dhembshura të Zotit. Jepni dëshminë tuaj për vërtetësinë e bekimeve dhe kujdesit që jepen në mënyrë specifike nga Zoti. Nxitini studentët të kërkojnë shembuj të mëshirave të dhembshura të Zotit në jetën e tyre dhe përgjatë gjithë Librit të Mormonit.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

1 Nefi 1:2. “Gjuha e Egjiptianëve”

Nefi tha se e përgatiti analin e tij në “gjuh[ën] e Egjiptianëve” (1 Nefi 1:2). Rreth 470 vjet më vonë, Mbreti Beniamin u mësoi të bijve “gjuhën e Egjiptianëve” (Mosia 1:1–4). Termi “egjiptiane të reformuara” shfaqet te Mormoni 9:32. Moroni tregoi se deri në kohën e tij, përafërsisht 1.000 vjet nga koha e Lehit dhe Nefit, populli e kishte ndryshuar gjuhën egjiptiane dhe hebraike që kishin përdorur Lehi dhe Nefi.

1 Nefi 1:4. “Shumë profetë”

Nefi tha se “shumë profetë” erdhën mes popullit në Jerusalem. Ne e dimë se Jeremia, Abdia, Nahumi, Habakuku dhe Sofonia ishin të gjithë profetë bashkëkohës, që dëshmuan në Mbretërinë e Judës. Jeremia 35:15 përfshin një koment të ngjashëm për profetët e shumtë që u dërguan nga Zoti për të paralajmëruar popullin (shih edhe 2 Kronikave 36:15–16).

Jeremia ishte një profet i fuqishëm në kohën e Lehit dhe Nefit dhe përmendet te 1 Nefi 5:13 dhe 7:14. Ai u shërbeu judenjve nga viti 626 Pr. K. deri në vitin 586 Pr. K. Ndryshe nga Lehi, Jeremia qëndroi në Jerusalem dhe vazhdoi t’i bënte thirrje popullit për t’u penduar (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Jeremia”, f. 72). Pasi Lehi u largua nga Jerusalemi, Jeremia u fut në burg. Ndërsa qe në burg, ai shkroi librin e Vajtimeve, ku vajtoi për shkatërrimin e Jerusalemit dhe faktin që njerëzit nuk u penduan.

Shtyp në Letër