Mësimi i Studimit në Shtëpi
2 Nefi 26–31 (Njësia 8)
Hyrje
Ky mësim thekson se çdo gjë që Ati Qiellor bën është për të mirën e botës dhe është nxitur nga dashuria për fëmijët e Tij. Ky mësim gjithashtu prek atë se si Libri i Mormonit demaskon mësimet e rreme të Satanit që janë mbizotëruese në kohën tonë dhe se si jeta e përjetshme vjen tek ata që ndjekin doktrinën e Krishtit.
Sugjerime për Mësimdhënien
Pyetini studentët nëse kanë ndonjë mendim apo ide nga studimi i shkrimeve të shenjta vetjake që do të donin ta ndanin me klasën përpara se ju të filloni orën mësimore. Nxitini studentët të drejtojnë çfarëdo pyetje që kanë rreth asaj që kanë studiuar. Ftojini t’i hedhin në letër mbresat shpirtërore që marrin ndërsa lexojnë dhe i përsiatin shkrimet e shenjta dhe detyrat e tyre. Kjo do të ftojë shpirtin e zbulesës në jetën e tyre.
Kërkojuni studentëve t’ju ndihmojnë të renditni në tabelë ose në një copë letër disa përgjigje për pyetjen vijuese: Nëse do ta dinit se kohës tuaj në tokë po i afrohej fundi dhe se ju mund të shkruanit një letër që pasardhësit tuaj dhe pjesa tjetër e botës do ta lexonte, çfarë çështjesh do të zgjidhnit të përfshinit në mesazhin tuaj?
Ftojini studentët të lexojnë shpejt 2 Nefin 26–31 dhe ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta për të parë çfarë çështjesh preku Nefi kur po i afrohej fundit të jetës së vet. Krahasoni atë që gjejnë me përgjigjet që ata shkruan në tabelë. Këshilla e fundit e Nefit u shkrua për ata prej nesh që jetojnë në ditët e fundit dhe përmban të dhëna që na ndihmojnë të dallojmë të vërtetën, të shmangim pengesat e Satanit dhe të ndjekim doktrinën e Jezu Krishtit.
2 Nefi 26
Pasi Nefi profetizoi lidhur me shkatërrimin e popullit të tij, ai profetizoi rreth ditëve të fundit dhe i fton të gjithë të vijnë te Krishti
Ftojini studentët të lexojnë 2 Nefin 26:29–31 dhe të kërkojnë një nga taktikat e Satanit rreth së cilës na paralajmëroi Nefi. Pasi disa studentë të përgjigjen për atë që kanë gjetur, drejtoni pyetjet vijuese:
-
Sipas 2 Nefit 26:29, çfarë janë intrigat e priftërinjve?
-
Cila duket të jetë shtysa për disa që praktikojnë intrigat e priftërinjve?
-
Nga se pret Zoti që ne të nxitemi ndërsa punojmë në Kishë? Cilin njihni ju që është një shembull i mirë për këtë?
Rishikoni 2 Nefin 26:23–28, 33 dhe ditën 1, detyra 3. Pyetni: Çfarë e nxit Zotin në punën e Tij?
Pasi disa studentë të jenë përgjigjur, vëreni klasën t’u përgjigjet pyetjeve vijuese:
-
Cilat fraza te 2 Nefi 26:23–28, 33 na mësojnë se Zoti i do të gjithë njerëzit dhe i fton të gjithë të vijnë tek Ai dhe të marrin pjesë në shpëtimin e Tij dhe se gjithçka që Zoti bën është në dobi të botës?
-
Përse do të ishte e rëndësishme për ne të mësojmë të jemi të nxitur nga dashuria për të tjerët sesa nga lakmia apo dëshira për të marrë lëvdatën e të tjerëve?
-
Si mendoni se mund të jemi më bamirës, më të dashur dhe më shumë si Krishti në punët tona në Kishë?
2 Nefi 28
Nefi paralajmëron për mashtrimet e Satanit
Tregojuni studentëve se te 2 Nefi 28, Nefi vazhdoi të demaskojë idetë e rreme që jepen mësim nga djalli. Rishikoni “doktrina[t e] rreme dhe të kota dhe të marra” të përshkruara te 2 Nefi 28:3–9, dhe drejtojuni studentëve pyetjet vijuese. Ato mund të përfshijnë përgjigje nga ato që shkruan në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta gjatë javës së kaluar.
-
Çfarë do të thotë të “përfitoni nga ndonjë për shkak të fjalëve të tij”? (2 Nefi 28:8). (Shembujt mund të përfshijnë talljen e të tjerëve dhe keqcitim apo teprim të asaj që të tjerët kanë thënë.)
-
Në çfarë mënyrash munden njerëzit sot të “hapin gropën” (2 Nefi 28:8) për fqinjin e tyre?
-
Cili është rreziku te përpjekja për të fshehur mëkatet nga Zoti apo që t’i mbajmë punët tona në errësirë? (Shih 2 Nefi 28:9.)
-
Cila mësimdhënie e rreme te 2 Nefi 28:3–9 mendoni se është më e dëmshme për rininë sot? Përse mendoni se është e dëmshme? Si joshet rinia nga ajo mësimdhënie e rreme? (Shih dita 2, detyra 1.)
Rishikoni 2 Nefin 28:20–23 dhe historinë e Presidentit Bojd K. Paker mbi krokodilët shpirtërorë nga mësimi i ditës 2. Ftoni studentët të ndajnë me klasën shenjat paralajmëruese që vizatuan në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta (dita 2, detyra 5) që ilustrojnë rreziqet shpirtërore që mendojnë se rinia ka nevojë të paralajmërohet për kohën e sotme.
Pyetni: Nga të gjitha gjërat që Nefi mund të ketë shkruar ndërsa përfundonte analin e tij, përse mendoni se shkroi rreth mashtrimeve dhe taktikave të Satanit? (Ju mund të doni të dëshmoni për ndihmën dhe fuqinë që marrim për t’u rezistuar taktikave të Satanit kur studiojmë me kujdes Librin e Mormonit.)
2 Nefi 31
Nefi jep mësim se si Shpëtimtari vendosi shembullin e përsosur për ne
Vizatoni një pikturë të thjeshtë të një shtegu që të çon nëpër një portë. Ftojini studentët të lexojnë 2 Nefin 31:17–18 dhe të shohin mënyrat se si e përdori Nefi këtë figurë të shtegut dhe portës për të theksuar udhën e vetme për të ardhur te Jezu Krishti. Pastaj bëni pyetjet e mëposhtme:
-
Sipas këtyre vargjeve, çfarë përfaqësojnë porta dhe shtegu? (Porta përfaqëson pendimin, pagëzimin dhe marrjen e Frymës së Shenjtë.)
-
Nga sa mësuat në studimin tuaj vetjak të 2 Nefit 31, përse përmendet marrja e Frymës së Shenjtë si “pagëzim [i] zjarrit”? (Shih 2 Nefi 31:13; shih edhe vargun 17.)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Nefin 31:19–21. Kërkojuni studentëve të shohin çka kërkohet prej nesh pasi kalojmë nëpër “portë”. Pasi studentët përgjigjen me atë që kanë gjetur, drejtojuni pyetjet vijuese:
-
Çfarë mendoni se donte të thoshte Nefi kur shkroi: “Kjo është doktrina e Krishtit”? (2 Nefi 31:21).
-
Duke shqyrtuar atë që keni studiuar sot, çfarë mendoni se Ati Qiellor dëshiron që ju të bëni për t’ju ndihmuar të përparoni në shtegun e ngushtë dhe të ngushtuar? (Ju mund të doni t’i nxitni studentët të vendosin një objektiv në përgjigje të kësaj pyetjeje.)
Njësia Tjetër (2 Nefi 32–Jakobi 4)
A ju pëlqen të hani? Në njësinë tjetër, studentët do të mësojnë rreth asaj se çfarë do të thotë të “ushqeh[esh] me bollëk me fjalët e Krishtit” (2 Nefi 32:3). Si duhet një profet të korrigjojë një popull që fillon të ndikohet nga dashuria për pasuri ose nga njerëz që shkelin ligjin e dëlirësisë? Vini re se si i trajton Jakobi këto probleme.