Mësimi 149
Ethëri 12:1–22
Hyrje
Pas rrëfimit të shumë viteve të historisë jaredite, Moroni paraqiti shërbesën e profetit Ethër. Moroni atëherë e ndërpreu rrëfimin historik për të regjistruar disa nga bekimet që erdhën tek ata që ushtrojnë besim në Jezu Krisht. Ky mësim trajton Ethërin 12:1–22, ndërsa mësimi 150 shqyrton Ethërin 12:23–41.
Sugjerime për Mësimdhënien
Ethëri 12:1–4
Ethëri u predikon pendim jareditëve
Fillojeni orën mësimore duke ftuar një student të vijë në tabelë dhe të vizatojë disa dallgë dhe një barkë të siguruar nga një spirancë.
-
Përse është e rëndësishme për një barkë të ketë një spirancë?
-
Çfarë rreziqesh apo vështirësish mund të përballë një barkë nëse nuk ka spirancë?
-
Çfarë ndikimi kanë dallgët mbi një barkë? (Përgjigjet mund të përfshijnë se dallgët bëjnë që barka të vijë rrotull, ta marrë era apo të hidhet nga një anë në tjetrën.)
Etiketojeni barkën me fjalët jeta juaj.
-
Nëse barka përfaqëson jetën tonë, me çfarë mund të krahasohen dallgët? (Përgjigjet mund të përfshijnë presione shoqërore, mbrapshti, mësime të rreme apo ligësi.)
-
Si mundet të jetë jeta e një personi si një barkë pa spirancë? (Ju mund të doni të sugjeroni që studentët të lexojnë Mormonin 5:17–18 për t’i ndihmuar ata t’i përgjigjen kësaj pyetjeje.)
-
Cilat janë disa gjëra që Zoti ka siguruar, të cilat mund të veprojnë si spiranca shpirtërore në jetën tonë? (Studentët mund të japin një larmi përgjigjesh. Shumë aspekte të ungjillit mund të krahasohen me një spirancë.)
Nxitini studentët të kërkojnë shembuj të spirancave shpirtërore ndërsa studiojnë Ethërin 12.
Shpjegoni se Ethëri 12 fillon me prezantimin nga Moroni të Ethërit, një profet jaredit që predikoi gjatë një kohe kur njerëzit kundërshtonin profetët dhe jetonin në ligësi. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Ethërin 12:1–3, duke gjetur ndonjë gjë që u bën përshtypje nga veprimet e Ethërit. I vini të raportojnë mbi atë që gjejnë.
Ftojeni një student të lexojë me zë Ethërin 12:4. Kërkojini klasës ta ndjekë, duke gjetur se për çfarë “mund të shpresoj[në]” ata që besojnë në Perëndi, megjithëse janë të rrethuar nga vështirësi dhe ligësi. Ndërsa studentët përgjigjen, ju mund të doni të theksoni se “bot[a] më [e] mirë” për të cilën duhet të shpresojmë është “një vend në krahun e djathtë të Perëndisë”.
-
Çfarë do të thotë të kesh një vend në krahun e djathtë të Perëndisë? (Të kthehesh në praninë e Tij dhe të marrësh jetë të përjetshme.)
-
Si mendoni se pasja e shpresës “me siguri” ndryshon nga thjesht të dëshiruarit e diçkaje? (Në shkrimet e shenjta, shpresa i referohet të pasjes së mirëbesimit se ne mund të marrim bekimet që Perëndia na premton, nëse i mbajmë besëlidhjet tona me Të.)
-
Sipas Ethërit 12:4, si fitojmë shpresë për marrjen e një vendi në krahun e djathtë të Perëndisë? (Ndërsa studentët përgjigjen, shpjegoni se besimi i përmendur tek Ethëri 12:4 i referohet besimit te Jezu Krishti.) Si na mundëson besimi te Jezu Krishti të shpresojmë “me siguri” për një vend në krahun e djathtë të Perëndisë?
Në tabelë, etiketoni spirancën me fjalët besim dhe shpresë.
-
Sipas Ethërit 12:4, çfarë ndodh kur dikush ka shpresë dhe besim te Jezu Krishti? (Edhe pse studentët mund të përgjigjen me fjalë të ndryshme, ata duhet të shprehin parimin vijues: Kur kemi shpresë dhe besim te Jezu Krishti, ne do të bëhemi të vendosur dhe do të gëlojmë në vepra të mira.)
-
Çfarë mendoni se do të thotë të “gëlojnë” në vepra të mira? (Të bësh shumë gjëra të mira.)
-
Cilat janë disa vepra të mira që “lavdër[ojnë] Perëndinë”? (Përgjigjet mund të përfshijnë lutjen, studimin e shkrimeve të shenjta, shërbimin ndaj të tjerëve dhe zhvillimin e talenteve.)
-
Mendoni për njerëz që i njihni, të cilët gjithmonë duken se gëlojnë në vepra të mira dhe nuk u vjen turp të lavdërojnë Perëndinë. Çfarë janë disa gjëra të veçanta që ata bëjnë, të cilat i bëjnë ata shembuj të mirë të këtij parimi?
Ftojini studentët të përsiatin mbi kohët kur ka qenë e vështirë për ta që të jenë të vendosur dhe të gëlojnë në vepra të mira. Për t’i ndihmuar studentët të përgatiten për situata të ngjashme gjatë gjithë jetës së tyre, nxitini të kërkojnë mënyra me të cilat mund të rritin besimin dhe shpresën e tyre ndërsa vazhdojnë të studiojnë Ethërin 12.
Ethëri 12:5–22
Moroni tregon mrekulli dhe vepra të mëdha që erdhën nëpërmjet besimit
Shkruani frazën vijuese në tabelë: Unë do të doja të fitoja një dëshmi shpirtërore që …
Ftojini studentët të sugjerojnë çfarëdo të vërtetash, parime apo doktrina të ungjillit për të cilat njerëzit mund të kërkojnë dëshmi shpirtërore. Ndërsa studentët përgjigjen, shkruajini përgjigjet e tyre në tabelë. (Përgjigjet mund të përfshijnë një dëshmi që Libri i Mormonit është i vërtetë; të jetuarit e një jete të pastër dhe të virtytshme është e rëndësishme; Fjala e Urtësisë është ligj i Perëndisë; unë duhet të përgatitem të shërbej në një mision.) Ftojini studentët të mendojnë për një të vërtetë të ungjillit për të cilën do të donin të merrnin një dëshmi shpirtërore ose dëshmi më të fortë.
Shpjegoni se disa njerëz kanë qëndrimin e mëposhtëm: “Unë nuk do të besoj apo jetoj sipas një parimi të ungjillit gjersa të shoh fakte se ai është i vërtetë”. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Ethërin 12:5–6, duke parë për atë se si lidhen këto vargje me këtë qëndrim. Vini në dukje se Ethëri 12:6 është fragment për zotërimin e shkrimit të shenjtë. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë këtë fragment në mënyrë të dallueshme që të mund ta gjejnë lehtësisht.
-
Sipas Ethërit 12:6, çfarë duhet të ndodhë përpara se ne të mund të marrim një dëshmi?
-
Çfarë mendimesh keni ndërsa mendoni rreth frazës “provës së besimit tuaj”?
Pasi studentët të përgjigjen, ju mund të doni të shpjegoni se disa njerëz gabimisht e interpretojnë “provë[n] e besimit” sikur gjithmonë i referohet vështirësisë. Fraza “provë [e] besimit” mund të përshkruajë çdo gjë që na jep mundësi ta tregojmë me vepra apo ta ushtrojmë besimin tonë te Jezu Krishti. Për t’i ndihmuar studentët të arrijnë një kuptim më të mirë të kësaj fraze, ftoni një student të lexojë me zë thënien e mëposhtme nga Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Përpara se të lexohet thënia, kërkojini klasës të dëgjojë shpjegimin e Plakut Skot për frazën “provë [e] besimit”.
“Ju mund të mësoni të përdorni më efektivisht besimin duke zbatuar këtë parim të mësuar nga Moroni: ‘… Ju nuk do të merrni asnjë dëshmi, deri pas provës së besimit tuaj’ [Ethëri 12:6; theksimi i shtuar]. Kështu, çdo herë që ju provoni besimin tuaj, që domethënë, të veproni me denjësi sipas një përshtypjeje, ju do të merrni provën vërtetuese të Shpirtit. Këto ndjenja do të fortifikojnë besimin tuaj. Duke e përsëritur këtë model, besimi tuaj do të bëhet më i fortë” (“The Sustaining Power of Faith in Times of Uncertainty and Testing”, Ensign ose Liahona, maj 2003, f. 76).
-
Si ndryshon procesi i përshkruar nga Plaku Skot nga qëndrimi i atyre që duan fakte përpara se të besojnë apo të veprojnë?
Shkruajini referencat vijuese të shkrimeve të shenjta në tabelë: Ethëri 12:7–12; Ethëri 12:13–18; Ethëri 12:19–22, 30–31. Ndajeni klasën në tri grupe dhe caktoni një nga fragmentet e shkrimeve të shenjta për secilin grup. Kërkojuni studentëve të kërkojnë bekimet që erdhën si rezultat i besimit të njerëzve të përshkruar në çdo fragment. Nxitini të shënojnë përdorimin e frazës “pasi ata patën besim” ose “deri pas besimit të tyre” te vargjet 7, 12, 17, 18 dhe 31. (Ju mund të doni të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë këto fraza sa herë që shfaqen.)
Pasi studentët të raportojnë atë që kanë gjetur, ftojini të përmbledhin atë që Zoti jep pasi ne tregojmë me vepra besim te Jezu Krishti. Edhe pse studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, ata duhet të shprehin një të vërtetë të ngjashme me sa më poshtë: Nëse dëshirojmë një dëshmi shpirtërore, atëherë ne duhet së pari të ushtrojmë besim te Jezu Krishti. Shpjegoni se, ashtu si me dëshmitë shpirtërore, mrekullitë nuk ndodhin deri pasi ne të kemi ushtruar besimin tonë.
Paraqitini klasës situatat e mëposhtme. Ftojini studentët të shpjegojnë se si individi në çdo situatë mund të tregojë me vepra besim në Zot.
-
Një e re dëshiron të marrë një dëshmi për vërtetësinë e Librit të Moronit.
-
Një i ri ka një dëshirë të fortë të ndihmojë njerëzit e tij të dashur që ta pranojnë ungjillin.
Ftojini studentët të përsiatin për një kohë kur ata apo njerëzit që njohin, kanë marrë dëshmi shpirtërore apo mrekulli pasi kanë shfaqur besim në Zot. Ftojini disa studentë të tregojnë përvojat që kanë menduar. (Sigurohuni që studentët ta kuptojnë se nuk duhet të ndihen të detyruar të tregojnë përvoja që janë tepër personale apo e brendshme.) Ju mund të doni gjithashtu të tregojnë një përvojë.
Ftojini studentët të kujtojnë një të vërtetë të ungjillit, për të cilën do të donin të merrnin një dëshmi shpirtërore. Ftojini të shkruajnë në fletoret e klasës apo ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta diçka që mund të bëjnë për të ushtruar më shumë besim në Zot.