Biblioteka
Mësimi 85: Alma 23–24


Mësimi 85

Alma 23–24

Hyrje

Pas kthimit të tij në besim, mbreti i lamanitëve shpalli liri fetare mes popullit të tij. Kjo shpallje i lejoi Aaronin dhe vëllezërit e tij ta predikonin ungjillin dhe të krijonin kisha në qytetet lamanite. Mijëra lamanitë u kthyen në besim dhe nuk hoqën dorë kurrë nga besimi i tyre. Këta të kthyer lamanitë bënë besëlidhje për të ulur armët e tyre të luftës dhe u dalluan nga lamanitët e pakthyer në besim duke e quajtur veten anti-nefi-lehitë. Kur lamanitët e pakthyer në besim i sulmuan ata, disa nga anti-nefi-lehitët flijuan jetën e tyre për ta mbajtur besëlidhjen e tyre.

Shënim: Në mësimin 83, ju mund t’i keni nxitur studentët që t’i lejojnë dëshmitë dhe shembujt e tyre të drejtë për t’i ndikuar të tjerët, sikurse një gur bën dallgëzime në një pellg. Nëse e bëtë këtë, merrni parasysh ta filloni këtë mësim duke u kërkuar studentëve të raportojnë për përpjekjet e tyre.

Sugjerime për Mësimdhënien

Alma 23

Mijëra lamanitë kthehen në besim te Zoti

Në tabelë, vizatoni një pikturë të dy njerëzve (figura të thjeshta si shkopinj do të mjaftojnë). Më pas lexoni thënien vijuese nga Plaku Riçard Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Vëreni klasën të dëgjojë përshkrimet e Plakut Skot për dy lloje të ndryshëm njerëzish.

Pamja
Plaku Riçard G. Skot

“Secili prej nesh ka vëzhguar se si disa individë e kalojnë jetën e tyre duke bërë gjëra të drejta në mënyrë të vazhdueshme. Ata duken të lumtur, madje entuziastë për jetën. Kur duhet të bëhen zgjedhje të vështira, ata duket se i bëjnë zgjedhjet e duhura pa u lëkundur, edhe pse ka mundësi të tjera joshëse në dispozicion të tyre. Ne e dimë se ata ndeshen me tundimin, por duken se janë të pavëmendshëm ndaj tij. Në mënyrë të ngjashme, ne kemi parë se si të tjerët nuk janë kaq guximtarë në vendimet që marrin. Në një mjedis të fuqishëm shpirtëror, ata marrin vendim të bëjnë më mirë, ta ndryshojnë drejtimin e tyre të jetës, t’i lënë mënjanë zakonet dobësuese. Ata janë shumë të sinqertë në vendosmërinë e tyre për të ndryshuar, por shpejt kthehen te bërja e gjërave të njëjta, të cilat vendosën t’i braktisnin.

Cila është gjëja që e sjell ndryshimin në jetën e këtyre dy grupeve? Si mund t’i bëni vazhdimisht zgjedhjet e drejta?” (“Full Conversion Brings Happiness”, Ensign, maj 2002, f. 24).

I pyetni studentët se si mund t’i emërtojnë dy figurat në tabelë bazuar në komentet e Plakut Skot. Emërtojeni një figurë në tabelë Besnik dhe figurën tjetër I paqëndrueshëm. U kërkoni studentëve se si do t’u përgjigjeshin pyetjeve që bëri Plaku Skot:

  • Cila është gjëja që e sjell ndryshimin në jetën e këtyre dy grupeve?

  • Si mund t’i bëni vazhdimisht zgjedhjet e drejta?

Ndërsa klasa studion Almën 23–24, i nxitni studentët të mendojnë rreth asaj që i shtyn shumë anëtarë të Kishës për të qëndruar të vërtetë dhe besnikë gjatë gjithë jetës së tyre.

Përmblidhni Almën 23:1–5 duke shpjeguar se, pasi mbreti i lamanitëve u kthye në besim, ai dërgoi një shpallje mes njerëzve duke deklaruar se ata duhej t’i lejonin Aaronin dhe vëllezërit e tij të predikonin fjalën e Perëndisë nëpër gjithë tokën pa pengesë dhe pa u dëmtuar. Kjo shpallje bëri të mundur për misionarët që të krijonin kisha mes lamanitëve. Si rrjedhim, mijëra lamanitë u kthyen në besim.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 23:6. Vëreni klasën ta ndjekë atë, duke kërkuar dy gjëra që ndihmuan për të bërë të ndodhë kthimi në besim i lamanitëve. I ftoni studentët të raportojnë atë që zbulojnë.

  • Si mendoni ju, përse ishte e rëndësishme që Amoni dhe vëllezërit e tij i mësuan lamanitët “sipas shpirtit të zbulesës dhe të profecisë”?

  • Si mendoni ju, çfarë do të thotë që “fuqi[a] e Perëndisë … bë[ri] mrekulli” te lamanitët?

  • Kur e keni përjetuar fuqinë e Perëndisë duke ju ndihmuar të bëheni të kthyer në besim? Kur e keni parë fuqinë e Perëndisë duke punuar për të ndihmuar dikë tjetër të bëhet i kthyer në besim?

I ftoni studentët të lexojnë përsëri Almën 23:6, duke përcaktuar fraza që përshkruajnë lamanitët, të cilët besuan në predikimin e Amonit dhe të vëllezërve të tij. (Sigurohuni që studentët të kuptojnë se këta lamanitë u “kthyen në besim te Zoti”, jo te Kisha apo te misionarët që i kishin mësuar ata. Gjithashtu sigurohuni që studentët të kuptojnë se këta njerëz “nuk hoqën dorë kurrë nga besimi i tyre”. Shkruani Të kthyer në besim te Zoti dhe Nuk hoqën dorë kurrë nga besimi i tyre në tabelë nën figurën e titulluar Besnik.)

  • Kur përballemi me rrethana të vështira dhe kundërshtim, përse është e rëndësishme që ne të jemi të kthyer në besim te Zoti, në vend që të jemi të kthyer në besim te njerëz të tjerë apo tek ide të tjera?

I ftoni studentët të lexojnë në heshtje Almën 23:7, 16–18, duke kërkuar fjalë dhe fraza që japin prova për kthimin në besim të lamanitëve. U kërkoni atyre të raportojnë për atë që zbulojnë. Ju mund t’i renditni këto fjalë dhe fraza në tabelë nën figurën e titulluar Besnik. Për t’i ndihmuar studentët të analizojnë më tej këto vargje, ju mund të doni të bëni pyetjet vijuese:

  • Si ishte dëshira e njerëzve për një emër të ri provë se ata kishin ndryshuar?

  • Si mund të “dallohe[n]” nga të tjerët ata që kthehen në besim sot?

  • Sipas Almës 23:18, lamanitët e kthyer në besim filluan të ishin punëtorë dhe të ishin miqësorë me nefitët. Kur një njeri po përpiqet të pendohet ose ta ndryshojë jetën e vet, si mund të jetë e dobishme për të që të shoqërohet me njerëz të tjerë që kthehen në besim?

Shkruani fjalët vijuese në tabelë: Kthimi në besim do të thotë …

I ftoni studentët të përmbledhin atë që kanë mësuar nga Alma 23 duke plotësuar thënien në tabelë. Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme në përgjigjet e tyre, por ata duhet të shprehin të vërtetën vijuese: Kthimi në besim do të thotë të ndryshosh dhe të bëhesh një njeri i ri nëpërmjet fuqisë së Perëndisë. Plotësoni thënien në tabelë.

I drejtoni studentët te fjalët Besnik dhe I paqëndrueshëm në tabelë. I nxitni ata të marrin parasysh se cilat nga këto terma e përshkruajnë më mirë nivelin e tyre të kthimit në besim.

Alma 24

Anti-nefi-lehitët lidhin besë që kurrë të mos i marrin armët përsëri

I ftoni studentët të marrin parasysh në heshtje nëse kanë marrë vendim ndonjëherë për ta shmangur përsëritjen e një gabimi ose mëkati të caktuar, por më vonë e kanë bërë atë gabim ose mëkat përsëri. Shpjegoni se, nëse e kanë përjetuar këtë gjë, ata duhet të vazhdojnë të përpiqen që të përmirësohen. Ndërsa studiojnë Almën 24, ata do të mësojnë të vërteta të cilat do t’i ndihmojnë.

Përmblidhni Almën 24:1–5 duke shpjeguar se amalekitët dhe amulonitët, që ishin nefitë më parë, i nxitën shumë lamanitë në zemërim kundër mbretit të tyre dhe anti-nefi-lehitëve të tjerë. Në zemërimin e tyre, këta lamanitë u përgatitën t’i sulmonin anti-nefi-lehitët. Në këtë kohë grindjeje, mbreti i anti-nefi-lehitëve vdiq. Mbretëria iu dha njërit prej bijve të tij. Amoni u takua me mbretin e ri dhe me Lamonin e të tjerët për t’u këshilluar së bashku dhe për të përcaktuar se si të mbroheshin ndaj lamanitëve.

I ftoni studentët të lexojnë në heshtje Almën 24:6, duke kërkuar për atë që anti-nefi-lehitët vendosën se nuk do të bënin. Pasi studentët të raportojnë se çfarë kanë gjetur, u kërkoni disa studentëve të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Alma 24:7–10, 12–14. E bëni klasën t’i ndjekë, duke dëgjuar për të gjitha mënyrat që mbreti i anti-nefi-lehitëve bëri të njohur se Perëndia i kishte bekuar ata.

  • Bazuar në Almën 24:9, cili ishte një prej mëkateve që kishin kryer më parë anti-nefi-lehitët?

  • Bazuar në Almën 24:13, përse nuk pranuan ata të luftonin në betejë?

Ndajeni klasën në dy grupe. Ftojeni grupin e parë të lexojë Almën 24:11, 15, duke kërkuar fraza që tregojnë përpjekjet e anti-nefi-lefitëve për t’u penduar. I kërkoni grupit të dytë të lexojë Almën 24:16–19, duke kërkuar atë që anti-nefi-lehitët bënë për të siguruar që ata do të mbeteshin të pastër. Pasi studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për të lexuar, i ftoni ata të tregojnë atë që kanë zbuluar. Ju mund të përdorni pyetjet e mëposhtme për të nxjerrë në pah ide shtesë:

  • Çfarë mendoni se donte të thoshte mbreti kur tha: “Kjo ishte e gjitha që mund të bënim … për t’u penduar”? (Alma 24:11). (Kjo frazë përshkruan përpjekjet e mëdha dhe vendosmërinë e madhe të anti-nefi-lehitëve për t’u penduar për mëkatet e tyre.)

  • Fjala dëshmi shfaqet tri herë tek Alma 24:15–16, 18. Si shërbeu si dëshmi varrosja e armëve të tyre thellë në tokë? (U tregoi njerëzve të tjerë dhe Perëndisë se ata me të vërtetë i kishin braktisur mëkatet e tyre ose kishin hequr dorë prej tyre).

Ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Presidenti Spenser Kimball:

Pamja
Presidenti Spenser W. Kimball

“Në braktisjen e mëkatit dikush nuk mund të urojë thjesht për kushte më të mira. … Ai duhet të jetë i sigurt jo vetëm që e ka braktisur mëkatin, por që ka ndryshuar situatat që e rrethonin mëkatin. Ai duhet t’u shmanget vendeve dhe kushteve, dhe rrethanave ku ndodhi mëkati, sepse këto ka shumë mundësi të mund ta shkaktojnë atë përsëri. Ai duhet të braktisë njerëzit me të cilët u krye mëkati. Ai mund të mos i urrejë njerëzit që u përfshinë, por ai duhet t’u shmanget atyre dhe gjithçkaje që shoqërohet me mëkatin” (The Miracle of Forgiveness [1969], f. 171–172).

  • Çfarë bënë anti-nefi-lehitët për t’iu shmangur kushteve dhe njerëzve që mund t’i joshnin ata për të rifilluar mëkatet e tyre të mëparshme?

Ju mund të dëshironi t’u jepni studentëve një çast për të përsiatur, nëse ka ndonjë rrethanë në jetën e tyre që ata kanë nevojë ta ndryshojnë, me qëllim që të pendohen për një mëkat, me të cilin ata janë duke u ndeshur, dhe ta braktisin atë.

Shkruani sa vijon në tabelë: Nëse ne … erëndia do të …

Vërini studentët të rishikojnë Almën 24:10–18, duke kërkuar mënyra se si mund ta plotësojnë thënien në tabelë. (Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët të shkruajnë një thënie si e mëposhtmja në shkrimet e tyre të shenjta: Nëse ne bëjmë gjithçka mundemi për t’u penduar, Perëndia do të na e largojë fajin tonë dhe do të na ndihmojë të mbetemi të pastër).

I drejtoni studentët përsëri te Alma 24:17.

  • Cilat janë disa shembuj të armëve të rebelimit (shih Alma 23:7), të cilat njerëzit mund t’i ulin ose varrosin kur kthehen në besimin te Zoti? (I ndihmoni studentët të kuptojnë se armët e rebelimit mund të përfshijnë sjellje ose veprime mëkatare, nga të cilat njerëzit duhet të heqin dorë me qëllim që të bëhen të kthyer në besimin te Zoti).

Ftojeni një student të lexojë thënien e mëposhtme nga Plaku Xhefri Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Kërkon po aq kohë të pendohesh sa të duhet të thuash ‘Do të ndryshoj’ – dhe ta keni me gjithë mend. Sigurisht do të ketë probleme për t’u zgjidhur dhe zhdëmtime për t’u bërë. Ju mund ta kaloni – në të vërtetë ju do të bënit më mirë ta kalonit – pjesën e mbetur të jetës suaj duke dhënë provë për pendimin tuaj nëpërmjet qëndrueshmërisë së tij” (“For Times of Trouble”, New Era, tetor 1980, f. 11–12).

U kërkoni studentëve të shpjegojnë veprimet që një i ri ose e re mund të ndërmarrë për ta shmangur përsëritjen e secilit prej mëkateve që vijojnë: thyerjen e Fjalës së Urtësisë, shikimin e pornografisë dhe të qenit i ashpër ndaj një motre apo vëllai.

I ftoni studentët të përfytyrojnë se si anti-nefi-lehitët mund të ishin ndier, pasi i varrosën armët e tyre dhe më pas zbuluan se një ushtri lamanite po vinte t’i sulmonte. U kërkoni studentëve të marrim parasysh këtë situatë, ndërsa lexojnë në heshtje Alma 24:20–22.

Shkruani të vërtetën që vijon në tabelë: Ndërsa i mbajmë besëlidhjet tona, ne mund t’i ndihmojmë të tjerët të bëhen të kthyer në besim. I ftoni dy ose tre studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Alma 24:23–27. Vëreni klasën t’i ndjekë ata, duke kërkuar fjalë ose fraza që u mësojnë parimin e shkruar në tabelë.

  • Si ndikon ky tregim në dëshirën tuaj për t’i mbajtur besëlidhjet tuaja?

  • Çfarë mund të bëjmë për ta forcuar dëshirën dhe aftësinë tonë për t’i mbajtur besëlidhjet që kemi bërë me Zotin?

I ftoni studentët të tregojnë për ndonjë përvojë që kanë pasur me parimin në tabelë. Përfundoni duke dhënë dëshminë tuaj për parimet e mësuara në këtë mësim.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Alma 23:17. “Ata u quajtën me emrin Anti-Nefi-Lehi”

“Lamanitët e kthyer në besim nga katër bijtë e Mosias dhe shokët e tyre misionarë morën mbi vete emrin e ‘Anti-Nefi-Lehi[tëve]’.(Alma 23:17; Alma 24:1–5.) Pjesa ‘Nefi-Lehi’ e titullit ndoshta pati më shumë referim te vendet e Nefit dhe të Lehit (ose njerëzit që jetonin atëherë në ato vende) sesa te pasardhësit e Nefit ose të Lehit.

Megjithatë, Dr. Hju Nibli ka gjetur ‘një rrënjë semitike dhe indo-europiane të përbashkët që përputhet me parashtesën anti, e cila do të thotë ‘para’ ose ‘përballë’, sikurse dikush që ndodhet përballë pasqyrës, dhe duke u shtrirë do të thotë ‘dikush që kundërshton’ ose ‘dikush që imiton’. (Cituar në Eldin Ricks, Book of Mormon Study Guide, f. 63.) Kështu termi ‘Anti-Nefi-Lehi[të]’ mund t’iu referohet atyre që imitojnë mësimet e pasardhësve të Nefit dhe të Lehit” (Daniel H. Ludlow, A Companion to Your Study of the Book of Mormon [1976], f. 209–210).

Shtyp në Letër