Mësimi 97
Alma 40
Hyrje
Kur Alma e paralajmëroi të birin, Koriantonin, rreth pasojave të mëkatit, ai gjithashtu i mësoi për jetën pas vdekjes. Ai i shpjegoi se nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, i gjithë njerëzimi do të ringjallet. Ai i mësoi për botën e shpirtrave, ku të vdekurit, në varësi të zgjedhjeve të tyre në vdekshmëri, presin ose në parajsë ose në burg deri në ringjallje.
Shënim: Në këtë mësim, studentët do të kenë mundësinë t’i japin mësim njëri-tjetrit. Përpara fillimit të orës mësimore, përgatitni fletushka që përmbajnë udhëzime shoqëruese për dyshet. Njihuni mirë me secilin grup udhëzimesh në mënyrë që të mund t’i ndihmoni studentët ndërsa përgatiten të japin mësim.
Sugjerime për Mësimdhënien
Alma 40
Alma i mëson Koriantonit për botën e shpirtrave dhe ringjalljen
Shkruajini pyetjet vijuese në tabelë përpara fillimit të orës mësimore:
Ftojini studentët të përfytyrojnë sikur janë misionarë dhe se kanë lënë takim me dikë i cili po kërkon përgjigje për pyetjet e shkruara në tabelë. Shpjegoni se Alma 40 është vijimësi e mësimeve të Almës dhënë të birit, Koriantonit, dhe se përmban përgjigjet e këtyre pyetjeve.
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Almën 40:1. Kërkojuni studentëve të përcaktojnë arsyen përse Alma diskutoi për ringjalljen me të birin.
-
Përse i mësoi Alma Koriantonit për ringjalljen?
-
Ndërsa sillni ndërmend zgjedhjet e Koriantonit, përse mund të ketë qenë i shqetësuar ai për ringjalljen?
Ndajeni klasën në dyshe. Secilës dyshe caktojini një numër: 1, 2 ose 3. Ftojeni secilën dyshe të punojë sikur të ishin shokë misionarë, duke u përgatitur për të dhënë një mësim të shkurtër për t’iu përgjigjur pyetjeve në tabelë të cilat përputhen me numrat e caktuar atyre. Për t’i ndihmuar që të përgatiten, jepuni një kopje të udhëzimeve që lidhen me numrin e tyre (shih më poshtë). Ndërsa studentët punojnë, ju mund të dëshironi të ecni nëpër klasë që të mund të dëgjoni dhe të ndihmoni sipas nevojës.
Grupi misionar 1 – Alma 40:1–5
Pyetjet: Çfarë e bën të mundur për ne që të jetojmë pas vdekjes? Kush do të ringjallet?
Përgatituni të përdorni Almën 40:1–5 për t’ju përgjigjur këtyre pyetjeve. Ndërsa përgatiteni, vendosni se cilat pjesë të mësimit do të japë secili shok misionar. Përgatituni të bëni sa vijon:
Jepni disa rrethana për fragmentin që ju caktua juve. (Kur të jepni mësim nga shkrimet e shenjta, shpjegoni se kush po flet, kujt po i flet dhe çfarëdo rrethanash të tjera që mund t’i ndihmojnë nxënësit ta kuptojnë fragmentin.)
Lexoni vargjet që u përgjigjen pyetjeve. Shpjegoni se si të vërtetat në këto vargje ndihmojnë për t’iu përgjigjur pyetjeve. Ndërsa e bëni këtë, sigurohuni që çdonjëri e kupton se për shkak të Jezu Krishtit, i gjithë njerëzimi do të ringjallet. Gjithashtu ju mund të sugjeroni që ata, të cilëve u jepni mësim, ta shkruajnë këtë të vërtetë në shkrimet e tyre të shenjta, pranë Almës 40:1–5.
Tregoni arsyen përse premtimi i ringjalljes është i rëndësishëm për ju. Ju gjithashtu mund t’i pyetni ata, të cilëve u jepni mësim, se përse e vlerësojnë premtimin e ringjalljes.
Dëshmoni për të vërtetat që keni dhënë mësim.
Grupi misionar 2 – Alma 40:6–14
Pyetjet: Ku do të shkojmë kur të vdesim? Si është atje?
Përgatituni të përdorni Almën 40:6–7, 11–14 për t’ju përgjigjur këtyre pyetjeve. Ndërsa përgatiteni, vendosni se cilat pjesë të mësimit do të japë secili shok misionar. Përgatituni të bëni sa vijon:
Jepni disa rrethana për fragmentin që ju caktua juve. (Kur të jepni mësim nga shkrimet e shenjta, shpjegoni se kush po flet, kujt po i flitet dhe çfarëdo rrethanash të tjera që mund t’i ndihmojnë nxënësit ta kuptojnë fragmentin.)
Lexoni vargjet që u përgjigjen pyetjeve. Shpjegoni se si të vërtetat në këto vargje ndihmojnë për t’iu përgjigjur pyetjeve. (Mund të jetë e dobishme të vini në dukje se, kur Alma përdori frazën “errësirën e mëtejshme”, nuk iu referua gjendjes përfundimtare të Satanit dhe të atyre që janë mallkuar. Ai iu referua gjendjes së të ligjve midis kohës së vdekjes së tyre dhe kohës së ringjalljes së tyre. Sot, zakonisht këtë gjendje e quajmë burgu i shpirtrave.) Ndërsa i lexoni këto vargje, sigurohuni që çdonjëri e kupton se midis vdekjes dhe ringjalljes, shpirtrat e të drejtëve banojnë në parajsë dhe shpirtrat e të ligjve banojnë në burg. Ju mund të sugjeroni që ata, të cilëve u jepni mësim, ta shkruajnë këtë të vërtetë në shkrimet e tyre të shenjta, pranë Almës 40:11–14.
Tregoni se si të kuptuarit tuaj për këtë të vërtetë ndikon në zgjedhjet që bëni në këtë jetë. Ju gjithashtu mund t’i pyetni ata, të cilëve u jepni mësim, se si i ka ndihmuar të kuptuarit e tyre për jetën pas vdekjes.
Dëshmoni për të vërtetat që keni dhënë mësim.
Grupi misionar 3 – Alma 40:21–26
Pyetjet: Çfarë është ringjallja? Në ç’mënyrë do të jenë të ndryshëm trupat tanë të ringjallur nga trupat tanë të vdekshëm? Çfarë do të bëjmë pasi të ringjallemi?
Përgatituni të përdorni Almën 40:21–26 për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve. Ndërsa përgatiteni, vendosni se cilat pjesë të mësimit do t’i japë secili shok misionar. Përgatituni të bëni sa vijon:
Jepni disa rrethana për fragmentin që ju caktua juve. (Kur të jepni mësim nga shkrimet e shenjta, shpjegoni se kush po flet, kujt po i flet dhe çfarëdo rrethanash të tjera që mund t’i ndihmojnë nxënësit ta kuptojnë fragmentin.)
Lexoni vargjet që iu përgjigjen pyetjeve. Shpjegoni se si të vërtetat në këto vargje ndihmojnë për t’iu përgjigjur pyetjeve. (Teksa përgatiteni për të dhënë mësim, mund të jetë e dobishme të kuptoni se fjala shpirt në këto vargje i referohet shpirtit të një personi.) Sigurohuni që çdonjëri e kupton se ringjallja është ribashkimi i shpirtit dhe i trupit, me të gjitha gjërat e rikthyera në formën e tyre të përshtatshme dhe të përkryer. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që ata të cilëve u jepni mësim, ta shkruajnë këtë të vërtetë në shkrimet e tyre të shenjta, pranë Almës 40:21–23.
Ndani arsyen përse jeni mirënjohës që e dini se trupi dhe shpirti juaj një ditë do të rikthehen në formën e tyre të përshtatshme dhe të përkryer. Ju gjithashtu mund të përshkruani se si zgjedhjet tuaja ndikohen nga njohuria juaj se një ditë do të qëndroni përpara Perëndisë dhe do të gjykoheni. Kërkojuni atyre që mësoni të japin ndjenjat e tyre rreth doktrinave të ringjalljes dhe gjykimit përfundimtar.
Dëshmoni për të vërtetat që keni dhënë mësim.
Pasi studentët të jenë përgatitur për t’iu përgjigjur pyetjeve që iu caktuan, organizojini ata në grupe të vogla, në mënyrë që ta mësojnë njëri-tjetrin në një interpretim me role si misionarë. Secili grup duhet të përbëhet nga tri dyshe misionarësh, ku secila dyshe misionari të ketë përgatitur përgjigjet ndaj një grupi të ndryshëm pyetjesh. (Nëse klasa është e vogël, vëreni secilin grup t’i jap mësim të gjithë klasës.) Nxitini studentët që të jenë vetvetja ndërsa japin mësim dhe mësojnë nga të tjerët gjatë interpretimit me role. Sigurojini se Fryma e Shenjtë mund t’i frymëzojë ata dhe studentët që u japin mësim, nëse janë të sinqertë në udhëzimin dhe përgjigjet e tyre. Dëgjojini ndërsa i japin mësim njëri-tjetrit dhe shprehni pikëpamje kur të ndiheni të nxitur.
Pasi studentët të kenë pasur kohë për ta mësuar njëri-tjetrin në grupe, merrni parasysh që t’i bëni klasës disa prej pyetjeve të mëposhtme:
-
Çfarë mësuat ndërsa u përgatitët për t’iu përgjigjur pyetjeve të caktuara juve? Çfarë mësuat ndërsa ju dha mësim nga dyshet e tjera misionare?
-
Duke e ditur se Koriantoni ishte përpjekur për t’iu bindur ligjit të dëlirësisë, si mendoni se mund ta ketë ndihmuar atë kuptimi i natyrës së jetës pas vdekjes për t’iu bërë ballë tundimeve të ardhshme?
-
Përse kanë rëndësi për ju të vërtetat që kemi diskutuar sot?
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Almën 40:25–26, duke kërkuar ndryshimet midis gjendjes përfundimtare të të drejtëve dhe gjendjes përfundimtare të të ligjve. Pasi të përshkruajnë atë që zbuluan, kërkojuni të tregojnë se si ky fragment ndikon në zotimin e tyre për ta jetuar ungjillin. Ju mund të dëshironi të jepni përgjigjen tuaj për të njëjtën pyetje. Dëshmoni për rolin e Jezu Krishtit në bërjen të mundshme të bekimeve të ringjalljes.