Biblioteka
Mësimi 142: Mormoni 9


Mësimi 142

Mormoni 9

Hyrje

Moroni përfundon analin e atit të tij duke u bërë thirrje atyre që nuk besuan në Jezu Krisht, për t’u kthyer te Zoti nëpërmjet pendimit. Ai na mëson se Perëndia është një Perëndi i mrekullive, që nuk ndryshon, dhe se mrekullitë pushojnë vetëm për shkak të mosbesimit. Ai i nxiti njerëzit të besojnë në Jezu Krishtin dhe t’i luten Atit me gjithë zemrën e tyre në emër të Jezu Krishtit, me qëllim që të marrin gjërat që ata kanë nevojë.

Sugjerime për Mësimdhënien

Mormoni 9:1–6

Mormoni u bën thirrje atyre që nuk besojnë në Jezu Krishtin, që të pendohen

Kërkojuni studentëve të mendojnë për një situatë në të cilën ata nuk u ndien rehat. Ftojini disa studentë të tregojnë rreth përvojave të tyre dhe të shpjegojnë përse nuk u ndien rehat. Ju gjithashtu mund t’i pyetini se çfarë mund t’i bënte të ndiheshin më rehat në ato situata.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Mormonin 9:1–5, duke parë për situatën e parehatshme që përshkroi Moroni. (Ju gjithashtu mund të dëshironi t’i ftoni studentët të lexojnë Almën 12:12–15 dhe ta shkruajnë këtë referencë pranë Mormonit 9:1–5.)

  • Në Gjykimin e Fundit, si do të ndihen të ligjtë në praninë e Perëndisë, Atit, dhe Jezu Krishtit? Përse do të ndihen në këtë mënyrë?

Ftojeni një student të lexojë thënien në vijim nga Presidenti Jozef Filding Smith:

Pamja
Presidenti Jozef Filding Smith

“Nuk mund të ketë shpëtim pa pendim. Një njeri nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë me mëkatet e tij. Do të ishte një gjë shumë e papajtueshme për një njeri që të hynte në praninë e Atit dhe të jetonte në praninë e Perëndisë me mëkatet e tij. …

Mendoj se ka shumë njerëz në tokë, shumë prej tyre ndoshta në Kishë – të paktën disa në Kishë – që kanë një ide se mund të kalojnë përmes kësaj jete duke bërë si të duan, duke shkelur urdhërimet e Zotit dhe prapë në përfundim të hyjnë në praninë e Tij. Ata mendojnë se do të pendohen, ndoshta në botën e shpirtrave.

Ata duhet t’i lexojnë këto fjalë nga Moroni [duke cituar Mormonin 9:3–5].

A mendoni se një njeri, jeta e të cilit është mbushur me korrupsion, që ka qenë kryengritës kundrejt Perëndisë, që nuk e ka pasur shpirtin e pendimit, do të ishte i lumtur ose rehat nëse do të lejohej të hynte në praninë e Perëndisë?” (Doctrines of Salvation, red. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–1956], 2:195–196; hiqen shkronjat kursive nga origjinali).

  • Përse duhet të pendohemi për mëkatet tona sot dhe të mos presim deri në Gjykimin? (Për t’i ndihmuar studentët që t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, ju mund të dëshironi t’i ftoni të lexojnë Almën 34:33–38.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Mormonin 9:6. Kërkojini klasës që ta ndjekë, duke parë për atë që duhet të bëjnë ata që janë mosbesues, kështu që të mund të ndihen rehat në praninë e Perëndisë. Pasi studentët të raportojnë mbi atë që kanë gjetur, kërkojuni atyre të përcaktojnë fjalë dhe fraza tek Mormoni 9:6, të cilat përshkruajnë ata që janë kthyer te Zoti dhe janë lutur për falje. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë fjalët dhe frazat që gjejnë.

Ftojini studentët të shkruajnë në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta një parim që përmbledh Mormonin 9:6. Thërrisni dy ose tre studentë që të lexojnë atë që kanë shkruar. Megjithëse studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, përgjigjet e tyre duhet të shprehin të vërtetën vijuese: Nëse pendohemi, ne do të gjendemi të panjollë kur të hyjmë në praninë e Perëndisë.

Dëshmoni se, nëpërmjet pendimit dhe jetesës së drejtë, ne mund të përgatitemi për të qenë rehat në praninë e Zotit. Ftojini studentët të përsiatin se çfarë duhet të bëjnë tani, për të qenë të përgatitur që ta takojnë Zotin.

Mormoni 9:7–20

Moroni shpall se Perëndia kryen mrekulli dhe u përgjigjet lutjeve të besnikëve

Shkruani mrekulli në tabelë. Pyetini studentët se si do ta përkufizonin këtë fjalë. Pasi disa studentë të jenë përgjigjur, ftojeni klasën të shohë mrekulli në Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta. Kërkojuni atyre të lexojnë hyrjen, duke parë për informacionin që mund t’i qartësojë përkufizimet që ata kanë sugjeruar, ose t’u shtohet atyre.

  • Përse mendoni se disa njerëz nuk besojnë në mrekulli?

Përmblidheni Mormonin 9:7–8 duke shpjeguar se Moroni iu drejtua njerëzve në ditët e fundit, të cilët do të pretendonin se zbulesa, profecia, dhuratat shpirtërore dhe mrekullitë nuk ndodhin më.

Ndajini studentët në dyshe. Ftojeni një partner të lexojë në heshtje Mormonin 9:9–11, ndërkohë që tjetri lexon në heshtje Mormonin 9:15–19. Kërkojini secilit student të shkruajë pikat kryesore që hartoi Moroni për t’i bindur njerëzit të besonin në mrekullitë. Kur studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për të përfunduar, ftojini ata t’u raportojnë partnerëve të tyre atë që kanë shkruar.

Në anën e majtë të tabelës, shkruani Mrekullitë pushojnë kur ne …

Në anën e djathtë të tabelës, shkruani Mrekullitë mund të ndodhin kur ne …

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Mormonin 9:20 dhe kërkojini klasës të shohë për tri arsyet përse Perëndia mund të pushojë së bëri mrekulli mes fëmijëve të Tij. Ftojeni një student t’i shkruajë këto arsye në tabelë për të përfunduar thënien në të majtë të tabelës, siç tregohet në skemën vijuese.

Kërkojuni studentëve ta rishprehin secilën thënie në lidhje me arsyen përse mrekullitë pushojnë, në një mënyrë që shpreh një kusht që i bën të mundura mrekullitë. Përgjigjet e tyre duhet të jenë të ngjashme me shembujt në anën e djathtë të tabelës.

Mrekullitë pushojnë kur ne …

Mrekullitë mund të ndodhin kur ne …

Venitemi në mosbesim

Rritim besimin tonë

Largohemi nga udha e drejtë

Jetojmë në mënyrën e duhur ose zbatojmë urdhërimet e Perëndisë

Nuk e njohim Perëndinë në të cilin duhet të kemi besim

Arrijmë ta njohim dhe të besojmë në Perëndinë

Ftojini studentët të rishikojnë me të shpejtë Mormonin 9:9, 19, duke kërkuar mësimet e Moronit për natyrën e Perëndisë. Pasi studentët të raportojnë atë që kanë gjetur, pyetini:

  • Duke qenë se ne e dimë që Perëndia është i pandryshueshëm dhe që Ai kreu mrekulli mes fëmijëve të Tij në kohët e mëparshme, çfarë mund të dimë rreth gatishmërisë së Tij për të kryer mrekulli në jetën tonë sot? (Megjithëse studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, ata duhet të shprehin parimin vijues: Perëndia gjithmonë ka kryer mrekulli dhe për shkak se Ai është i pandryshueshëm, Ai ende kryen mrekulli në përputhje me besimin tonë. Ju mund të dëshironi ta shkruani këtë parim në tabelë dhe të sugjeroni që studentët ta shkruajnë atë pranë Mormonit 9:19–20 në shkrimet e tyre të shenjta.)

Shpjegoni se ne mund ta përjetojmë fuqinë çudibërëse të Perëndisë në jetën tonë në shumë mënyra. Për t’i ndihmuar studentët të marrin parasysh mënyrat në të cilat Perëndia është ende një Perëndi mrekullish, ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Motra Sidni S. Rejnolds, nga presidenca e përgjithshme e Fillores:

“Unë kam mësuar … se Zoti do të na ndihmojë në çdo aspekt të jetës sonë kur përpiqemi t’i shërbejmë Atij dhe të bëjmë vullnetin e Tij.

Unë besoj se të gjithë ne mund të dëshmojmë për këto mrekulli të vogla. Ne njohim fëmijë që luten për ndihmë që të gjejnë një send të humbur dhe e gjejnë atë. Ne njohim të rinj që e mbledhin kurajën për të qëndruar si dëshmitarë të Perëndisë dhe e ndiejnë dorën e Tij mbështetëse. Ne njohim miq që paguajnë të dhjetat e tyre me paratë e tyre të fundit dhe pastaj, nëpërmjet një mrekullie, e gjejnë veten e tyre të aftë për të paguar shkollimin apo qiranë e tyre, ose në një farë mënyre të sigurojnë ushqim për familjen e tyre. Ne mund të tregojmë përvoja të lutjeve që kanë marrë përgjigje dhe të bekimeve të priftërisë që dhanë kurajë, sollën ngushëllim apo rikthyen shëndetin. Këto mrekulli të përditshme na njohin me dorën e Zotit në jetën tonë” (“A God of Miracles”, Ensign, maj 2001, f. 12).

  • Çfarë përvojash keni pasur që vërtetojnë se Perëndia është ende një Perëndi mrekullish?

Mormoni 9:21–37

Mormoni i këshillon jobesimtarët të besojnë në Jezu Krishtin dhe të luten në emrin e Tij

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Mormonin 9:21. Kërkojini klasës ta ndjekë, duke parë për atë që Moroni na mësoi rreth lutjes drejtuar Atit Qiellor.

  • Çfarë premtimi dha Moroni? (Përgjigjet e studentëve duhet të pasqyrojnë parimin vijues: Nëse lutemi me besim dhe në emrin e Krishtit, Ati Qiellor do të na japë çfarëdo gjëje që ne kërkojmë.)

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se çfarë do të thotë të lutesh “në emrin e Krishtit”, ftojeni një student të lexojë thënien vijuese:

“Ne lutemi në emrin e Krishtit kur mendja jonë është mendja e Krishtit dhe dëshirat tona janë dëshirat e Krishtit – kur fjalët e Tij qëndrojnë me ne (Gjoni 15:7). Atëherë ne kërkojmë gjëra që janë të mundura për Perëndinë për t’i dhënë. Shumë lutje mbeten pa përgjigje, sepse ato nuk janë aspak në emrin e Krishtit; ato, në asnjë mënyrë nuk përfaqësojnë mendjen e Tij, por burojnë nga zemra egoiste e një njeriu” (Bible Dictionary, “Prayer”).

Ju mund të dëshironi të bëni pyetjet e mëposhtme:

  • Si mund të sigurohemi se gjërat për të cilat lutemi, pasqyrojnë atë që Zoti do për ne?

  • Kur e keni parë të përmbushet premtimi i dhënë te Mormoni 9:21? (Ju mund të keni nevojë t’u jepni studentëve kohë për ta menduar këtë pyetje përpara se të përgjigjen.)

Përmblidhni Mormonin 9:22–25 duke shpjeguar se Shpëtimtari u premtoi dishepujve të Tij bekime, kur Ai i dërgoi të jepnin mësim ungjillin. Kërkojuni studentëve t’i hedhin një sy Mormonit 9:22–25 dhe të përcaktojnë disa nga ato bekime.

  • Çfarë do të thotë për ju se Shpëtimtari do t’i “vërtetoj[ë] të gjitha fjalët e [Tij]”? (Mormoni 9:25).

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Mormonin 9:27–29, duke kërkuar për qëndrime dhe veprime që do t’i ndihmojnë ata të kualifikohen dhe të marrin ndihmën e Perëndisë. Ju mund të dëshironi t’u kërkoni studentëve t’i shkruajnë përmbledhjet e atyre vargjeve në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta.

Për ta përfunduar këtë mësim, përmblidhni Mormonin 9:30–34 duke u thënë studentëve se Moroni ishte i shqetësuar se disa njerëz në ditët e fundit do ta hidhnin poshtë mesazhin e Librit të Mormonit, për shkak të papërsosmërive të atyre që e shkruan atë dhe të gjuhës që ishte shkruar në të. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Mormonin 9:35–37. Kërkojini klasës ta ndjekë, duke parë për arsyet përse Moroni dhe të tjerët u lutën që Libri i Mormonit do të dilte në dritë në ditët e mëvonshme. (Kështu që pasardhësit e vëllezërve e tyre, lamanitëve, të mund të ktheheshin në “njohurinë e Krishtit” dhe te besëlidhjet që Perëndia kishte bërë me shtëpinë e Izraelit.)

Për t’i ndihmuar studentët të përmbledhin atë që kanë mësuar sot, bëni pyetjet vijuese:

  • Si është Libri i Mormonit një provë se Perëndia është Perëndi i mrekullive dhe se Ai u përgjigjet lutjeve?

  • Çfarë të vërtetash keni mësuar sot që do t’i ndikojnë lutjet tuaja vetjake?

Rishikimi i librit të Mormonit

Shpenzoni pak kohë për t’i ndihmuar studentët të rishikojnë librin e Mormonit. U kërkoni të mendojnë rreth asaj që kanë mësuar nga ky libër, si në seminar edhe në studimin e tyre vetjak të shkrimeve të shenjta. Ftojini ata të rishikojnë shkurtimisht disa nga përmbledhjet e kapitujve te libri i Mormonit për t’i ndihmuar të kujtojnë. Kërkojuni disa studentëve që të tregojnë diçka nga Mormoni, që i ka frymëzuar ose që i ka ndihmuar të kenë besim më të madh te Jezu Krishti.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Mormoni 9:9–10. “Perëndia është i njëjtë dje, sot dhe përgjithmonë”

Moroni shpalli se Perëndia është një qenie e pandryshueshme, i cili është “i njëjtë dje, sot dhe përgjithmonë” (Mormoni 9:9). Sipas Doktrinës e Besëlidhjeve 20:11–12, dalja në dritë e Librit të Mormonit vërteton se Perëndia vazhdon t’i “frymëzo[jë] njerëzit dhe i thërret ata në punën e tij të shenjtë” në kohën tonë, ashtu siç ka bërë në të kaluarën, “duke treguar se ai është i njëjti Perëndi dje, sot dhe përgjithmonë”.

Lectures on Faith [Leksione mbi Besimin] shpreh se, me qëllim që të ketë besim të përsosur në Perëndinë, një njeri duhet të ketë “një ide të saktë për karakterin, përsosuritë dhe cilësitë [e Perëndisë]” (Lectures on Faith [1985], f. 38). Një nga karakteristikat e Perëndisë është se Ai nuk do të ndryshojë: “[Perëndia] nuk ndryshon, as nuk ka ndryshueshmëri në të; por që Ai është i njëjtë nga përjetësia në përjetësi, duke qenë i njëjtë dje, sot dhe përgjithmonë; dhe se drejtimi i Tij është një cikël i përjetshëm, pa ndryshim” (Lectures on Faith, f. 41).

Merrini parasysh bekimet e dijenisë se Perëndia e vazhdon punën e Tij të shenjtë në kohën tonë dhe do të mbetet i njëjtë dje, sot dhe përgjithmonë.

Mormoni 9:10–26. Mrekullitë

Moroni dha shumë prova që dëshmojnë për mrekullitë e Perëndisë – krijimin e qiellit dhe të tokës, krijimin e njeriut dhe mrekullitë e bëra nga Jezusi dhe Apostujt (shih Mormoni 9:17–18). “Perëndi[a i] mrekulli[ve]”, i përshkruar nga Moroni, mund të gjendet ende sot. Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi se shumë mrekulli ndodhin në kohën tonë dhe janë të pranishme në Kishën e vërtetë të Jezu Krishtit:

“Shumë mrekulli ndodhin çdo ditë në punën e Kishës sonë dhe në jetën e anëtarëve tanë. Shumë prej jush kanë dëshmuar mrekulli, ndoshta më shumë se mund ta përfytyroni.

Një mrekulli është përkufizuar si ‘një ngjarje e dobishme, e shkaktuar nëpërmjet fuqisë hyjnore, të cilën njerëzit e vdekshëm nuk e kuptojnë dhe vetë ata nuk mund ta përsëritin’. [Në Daniel H. Ludlow, red., Encyclopedia of Mormonism, 5 vëll. (1992), 2:908. ] Ideja se ngjarjet shkaktohen nëpërmjet fuqisë hyjnore, hidhet poshtë nga pjesa më e madhe e njerëzve jofetarë dhe madje nga disa që janë fetarë.

… Mrekullitë e bëra nga fuqia e priftërisë janë gjithmonë të pranishme në Kishën e vërtetë të Jezu Krishtit. [Shih George Q. Cannon, Gospel Truth (1987), përzgj. Jerreld L. Newquist, f. 151–152.] Libri i Mormonit na mëson se ‘Perëndia ka dhënë një mjet që njeriu, nëpërmjet besimit, të mund të punojë mrekulli të mëdha’ (Mosia 8:18). ‘Mjet[i]’ i siguruar është fuqia e priftërisë (shih Jakobi [Bibël] 5:14–15; DeB 42:43–48) dhe se ajo fuqi i bën mrekullitë nëpërmjet besimit (shih Ethëri 12:12; Moroni 7:37)” (“Miracles”, Ensign, qershor 2001, f. 6, 8).

Mormoni 9:32–34. Moroni shkroi në gjuhën egjiptiane të reformuar

Moroni deklaroi se ai kishte aftësinë për të shkruar në të paktën dy gjuhë: gjuhën hebraike dhe gjuhën egjiptiane të reformuar. Ai vuri në dukje se, nëse “[do] të kishin qenë fletët … mjaft të mëdha”, ai do të kishte shkruar në gjuhën hebraike; megjithatë, ata që e mbajtën analin, përdorën gjuhën “egjiptiane të reformuar” për shkak të mungesës së hapësirës (shih Mormoni 9:32–33). Më parë në Librin e Mormonit, si Nefi dhe mbreti Beniamin, e pranuan përdorimin egjuhës egjiptiane nga ana e tyre. Nefi shpalli se ai shkroi në “gjuhën e Egjiptianëve” kur gdhendi fletët e vogla (1 Nefi 1:2). Kur u foli djemve të tij për rëndësinë e fletëve prej tunxhi, mbreti Beniamin vuri në dukje se Lehi mund ta lexonte analin, sepse ai kishte “qenë i mësuar në gjuhën e Egjiptianëve” (Mosiah 1:4). Prandaj, ne e kuptojmë se Lehi u mësoi si ungjillin dhe gjuhën egjiptiane “fëmijëve të tij, që ata të mund t’ua mësonin fëmijëve të tyre” (Mosia 1:4). Dukshëm, ky model vazhdoi gjatë gjithë brezave të mbajtësve të analeve që pasuan, derisa Moroni e mësoi gjuhën e atit të tij. Megjithatë, Moroni pranoi se ai shkroi në gjuhën “egjiptiane të reformuar” që kishte qenë “pasua[r] dhe … ndryshua[r] … sipas mënyrës [së tyre] të të folurit” (Mormoni 9:32), duke treguar se kishin ndodhur disa përshtatje në përdorimin e gjuhës gjatë mijëra viteve që nga koha e Lehit. Kjo mund të shpjegojë arsyen përse Moroni përfundoi me komentin se “asnjë popull tjetër nuk e di gjuhën tonë”, por që Perëndia kishte “përgatitur mjetet për” interpretimin dhe përkthimin përfundimtar të analit (Mormon 9:34). Gjuha egjiptiane përdorej gjerësisht në kohën e Lehit, veçanërisht nga shitësit dhe tregtarët që udhëtonin shumë, kudo në krahinën përreth Jerusalemit. Nëse, siç kanë sugjeruar disa, profesioni i Lehit i kërkonte atij që të udhëtonte kudo në krahinë, ka të ngjarë që ai do të siguronte që bijtë e tij ta mësonin gjuhën e egjiptianëve për të mbështetur zanatin e familjes.

Shtyp në Letër