Biblioteka
Njësia 22 e Studimit në Shtëpi


Mësimi i Studimit në Shtëpi

Helamani 1–9 (Njësia 22)

Materiali Përgatitor për Mësuesin e Studimit në Shtëpi

Përmbledhje e Mësimeve të Studimit të Përditshëm në Shtëpi

Përmbledhja e mëposhtme e doktrinave dhe e parimeve që studentët mësuan ndërsa studiuan Helamanin 1–9 (njësia 22), nuk ka për qëllim të jepet si pjesë e orës suaj mësimore. Mësimi që jepni përqendrohet vetëm te disa nga këto doktrina dhe parime. Ndiqni nxitjet e Shpirtit të Shenjtë ndërsa i mbani parasysh nevojat e studentëve.

Dita 1 (Helamani 1–2)

Kur studentët studiuan mospajtimet dhe vrasjet politike mes nefitëve dhe pushtimin e qytetit të Zarahemlës nga lamanitët, mësuan se grindja është përçarëse dhe na bën të cenueshëm nga ndikimi i kundërshtarit. Gjithashtu mësuan se lidhjet e fshehta mund të çojnë në shkatërrim shoqërish.

Dita 2 (Helamani 3–4)

Duke studiuar se si nefitët pasues të përulur të Shpëtimtarit duruan shumë përndjekje, studentët mësuan se, pavarësisht përndjekjes dhe sprovës, besimi ynë te Jezu Krishti mund të rritet kur ne i thërrasim Perëndisë dhe ia japim zemrën Atij. Kur studentët studiuan se si krenaria në rritje e nefitëve i lejoi lamanitët të merrnin gjysmën e tokës së nefitëve, mësuan se krenaria dhe ligësia na ndajnë nga Shpirti i Zotit dhe na lënë në fuqinë tonë.

Dita 3 (Helamani 5)

Duke studiuar këshillën që Helamani u dha të bijve Nefi dhe Lehi, studentët mësuan se, nëse e ndërtojmë themelin tonë te Jezu Krishti, Satani nuk do të ketë fuqi mbi ne. Nëpërmjet fuqisë së Perëndisë si dhe besimit dhe përpjekjeve misionare të Nefit dhe Lehit, shumë lamanitë u penduan. Studentët mësuan se, kur ushtrojmë besim te Jezu Krishti dhe pendohemi për mëkatet tona, Fryma e Shenjtë e mbush zemrën tonë me paqe dhe gëzim.

Dita 4 (Helamani 6–9)

Studentët mësuan se, kur i besojmë dhe u bindemi fjalëve të Zotit, Ai do të derdhë Shpirtin e Tij mbi ne. Nefi i paralajmëroi nefitët e ligj për pasojat e ligësisë së tyre dhe theksoi se, nëse nuk pranojmë të pendohemi për mëkatet tona, do ta humbasim mbrojtjen e Zotit dhe bekimet e jetës së përjetshme. Pasi i dëgjuan fjalët e Nefit, disa njerëz u ngritën në përkrahje të tij. Studentët mësuan se, nëse i bëjmë ballë së ligës, mund ta parandalojmë përparimin e saj. Nefi i kujtoi popullit se shumë profetë kishin dëshmuar për Shpëtimtarin dhe mësoi se, kur përqendrohemi te Jezu Krishti dhe ushtrojmë besim tek Ai, do të marrim jetë të përjetshme. Nga mësimet e Nefit që shënohen te Helamani 7–9, studentët mësuan se fjalët e profetëve do të përmbushen.

Hyrje

Mes shtimit të grindjes dhe ligësisë, Nefi u mësoi bijve të tij se themeli i besimit të tyre duhej të ishte Jezu Krishti. Mësimet e Nefit për pendimin dhe dëgjesën ndaj fjalëve të profetëve të Zotit ishin jetike për lumturinë e popullit.

Sugjerime për Mësimdhënien

Helamani 1–5

Nefitët pësojnë disfata për shkak të grindjes dhe ligësisë; shumë lamanitë kthehen në besim kur Nefi dhe Lehi predikojnë ungjillin

Kërkojuni studentëve të gjykojnë përse disa ndërtesa qëndrojnë për një kohë të gjatë, ndërsa të tjerat rrëzohen. Më pas pyetni: Pse është e rëndësishme që një ndërtesë të ketë themel të fortë?

Ftojeni një student ta lexojë me zë Helamanin 5:12. Meqenëse ky është një varg për zotërimin e shkrimit të shenjtë, ftojini disa studentë të përpiqen ta përsëritin atë me sa mbajnë mend. Nxitini ta provojnë edhe pse mund të mos e kenë mësuar plotësisht përmendsh. Pastaj bëni pyetjet e mëposhtme:

  • Çfarë premtohet në këtë varg, nëse e ndërtojmë jetën mbi themelin e Jezu Krishtit? (Përgjigjet e studentëve duhet të shprehin që, nëse ne e ndërtojmë themelin tonë mbi Jezu Krishtin, Satani nuk do të ketë fuqi mbi ne.)

  • Çfarë keni bërë për ta ndërtuar jetën tuaj mbi themelin e Jezu Krishtit?

Ftojini studentët të tregojnë për raste kur dëshmitë e tyre për Shpëtimtarin i kanë ndihmuar t’u bëjnë ballë tundimeve apo t’i durojnë sprovat. Tregoni dëshminë tuaj për forcën shpirtërore që keni marrë për shkak se e keni ndërtuar jetën tuaj mbi themelin e Jezu Krishtit. Nxitini studentët të mendojnë për një a më shumë mënyra se si do të përpiqen për ta ndërtuar më mirë jetën e tyre mbi shkëmbin e Krishtit.

Helamani 6–7

Lamanitët bëhen më të drejtë, ndërsa nefitët bëhen më të ligj; Nefi u predikon nefitëve të ligj dhe i urdhëron të pendohen

Kujtojuni studentëve se, ndërsa lamanitët u penduan dhe u forcuan në ungjill, nefitët jetuan në ligësi dhe Fryma e Shenjtë u largua prej tyre. Kërkojuni studentëve të mendojnë për një kohë të jetës së tyre kur ndien se Shpirti iu largua për shkak të zgjedhjeve të tyre.

Shpjegoni se, kur Nefi pa gjendjen e popullit të tij, “zemra iu enjt … nga keqardhja” (Helamani 7:6). Ai u ngjit në një kullë në oborrin e tij, që të lutej e të vajtonte për ligësinë e popullit. Një turmë e popullit u mblodh rreth tij dhe Nefi e përdori atë mundësi që t’i mësonte.

Ftojeni një student të dalë përpara klasës për të përfaqësuar Nefin në kullën e tij. Kërkojini studentit ta lexojë me zë Helamanin 7:15–22, 26–28, ndërsa pjesa tjetër e klasës e ndjek. Para se ai ose ajo të lexojë, ndajeni klasën përgjysmë. Kërkojini njërës gjysmë për të parë për ato që Nefi dha mësim se ishin mëkatet e nefitëve dhe kërkojini gjysmës tjetër të gjejë pasojat që Nefi dëshmoi se do të vinin, nëse nefitët nuk pendoheshin. Pastaj ftojini studentët të raportojnë se çfarë kanë gjetur.

Pasi studentët të jenë përgjigjur, ftojini të shprehin parimet që mund të mësojmë nga kjo përmbledhje. Studentët mund të thonë parime të ndryshme, por duhet të shprehin se, nëse nuk pranojmë të pendohemi për mëkatet tona, do ta humbasim mbrojtjen e Zotit dhe bekimet e jetës së përjetshme.

Për t’i ndihmuar studentët që ta kuptojnë këtë parim, ftojini të shpjegojnë se çfarë pasojash mund t’u vijnë njerëzve të ndodhur në situatat që vijojnë: 1) Një i ri nuk pranon të pendohet për një varësi nga pornografia. 2) Një e re ka si përparësinë më të madhe të bëhet shumë e njohur e të gëzojë popullaritet, pavarësisht se prindërit e mësojnë ndryshe. 3) Një i ri e ka dëgjuar udhëzimin e profetëve që të kërkojë në shkrimet e shenjta e të lutet, por ai nuk pranon të bëjë asnjërën.

Ftojini studentët të mendohen nëse ka ndonjë gjë për të cilën duhet të pendohen, që të mund ta kenë më të plotë fuqinë e Zotit në jetën e tyre.

Helamani 8

Nefi jep mësimin se të gjithë profetët dëshmojnë për Jezu Krishtin

Shkruani në tabelë fjalët pranoj dhe mohoj. Kërkojuni studentëve të shpjegojnë ndryshimin midis këtyre dy fjalëve. Ftojeni një student të lexojë Helamanin 8:13 ndërsa klasa gjen se çfarë tha Nefi të cilën populli e mohoi. Mund të jetë mirë t’i nxitni studentët t’i nënvizojnë ato që zbulojnë.

Tregojuni studentëve pikturën “Moisiu dhe Gjarpri prej Bronzi” (62202; Libri i Figurave Artistike të Ungjillit (2009), nr. 16). Ftojini të lexojnë Helamanin 8:14–15 dhe të përcaktojnë se ç’mësim dha Moisiu për Shpëtimtarin. Ftojini t’i raportojnë ato që gjejnë. Më pas pyetni:

  • Cilat janë disa mënyra se si një person mund të shohë te Shpëtimtari me besim?

  • Ç’do të thotë të kesh “shpirt të penduar”? (Të jesh i përulur, i penduar dhe pranues ndaj vullnetit të Zotit.) Përse është thelbësor ky qëndrim, kur shikojmë te Shpëtimtari?

  • Si mund të na ndihmojë njohuria për Shlyerjen e Shpëtimtarit që t’i bëjmë ballë së ligës e të pendohemi kur mëkatojmë?

Ftojini studentët të shprehin një parim që mund ta mësojmë nga këto vargje. Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të shprehin se, nëse ne përqendrohemi te Jezu Krishti dhe ushtrojmë besim tek Ai, do të marrim jetën e përjetshme.

Ftojeni një student ta lexojë me zë Helamanin 8:16 dhe kërkojini klasës të përcaktojë se kush tjetër dha mësim mbi misionin e Shpëtimtarit. Kërkojuni studentëve të kërkojnë shpejt e shpejt te Helamani 8:17–22 për emra profetësh të tjerë të cilët dëshmuan për Jezu Krishtin. Ftojini studentët të mendojnë se në ç’mënyrë kanë dhënë dëshmi profetët e kohëve të lashta, si dhe të kohës sonë, për misionin e Shpëtimtarit dhe sakrificën shlyese.

Ftojini studentët të tregojnë dëshmitë e tyre lidhur me domethënien që ka Shlyerja e Shpëtimtarit në jetën e tyre. Mund të jetë mirë të tregoni dëshminë tuaj.

Njësia Tjetër (Helamani 10–16)

Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë sikur Zoti u ka premtuar se do të bëjë çfarëdo që ata t’i kërkojnë. Nefi ishte aq besnik, saqë Zoti ia bëri këtë premtim dhe i dha fuqinë vulosëse. Nxitini studentët të studiojnë këtë javë Helamanin 10–11, duke kërkuar të gjejnë mënyrat si e përdori Nefi fuqinë që i dha Zoti, për të ndihmuar popullin e tij. Gjithashtu ftojini të kërkojnë të gjejnë se sa shenja të lindjes dhe vdekjes së Jezu Krishtit mund të gjejnë ndërsa studiojnë profecinë e Samuel Lamanitit te Helamani 13–16.

Shtyp në Letër