Biblioteka
Mësimi 160: Moroni 10:8–26, 30–34


Mësimi 160

Moroni 10:8–26, 30–34

Hyrje

Pasi dha mësim si fitohet një dëshmi për vërtetësinë e të gjitha gjërave nëpërmjet Frymës së Shenjtë, Moroni i këshilloi ata që do t’i lexonin fjalët e tij, që të marrin dhe të dallojnë dhurata shpirtërore. Moroni e përfundoi analin e Librit të Mormonit duke i këshilluar të gjithë njerëzit që të vijnë te Jezu Krishti, të mbahen fort në çdo dhuratë të mirë që Ai ofron dhe të përsosen nëpërmjet Tij.

Sugjerime për Mësimdhënien

Moroni 10:8–26

Moroni na mëson rreth dhuratave të Shpirtit dhe qëllimin e tyre në punën e Zotit

Ftojini studentët të mendojnë për një kohë kur Ati Qiellor i ndihmoi të bëjnë diçka që nuk kanë mundur ta bëjnë vetë. Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Moronin 10:8, duke parë për frazën që përshkruan aftësitë apo bekimet shpirtërore që Perëndia u jep besnikëve (“dhuratat e Perëndisë”). Shpjegoni se ne shpesh u referohemi këtyre dhuratave si dhurata të Shpirtit ose dhurata shpirtërore.

  • Sipas Moronit 10:8, përse u jep Perëndia dhurata të Shpirtit fëmijëve të Tij? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruani të vërtetën vijuese në tabelë: Perëndia jep dhurata të Shpirtit për përfitimin e fëmijëve të Tij. Ju mund të keni nevojë ta shpjegoni atë në këtë kontekst: përfitim do të thotë të japësh bekim apo ndihmë.)

Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Moronin 10:9–16, duke parë për dhuratat e Perëndisë që Moroni i përshkroi në këto vargje. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë atë që gjejnë.

  • Cilat dhurata të Shpirtit gjetët në këto vargje? (Ndërsa studentët përgjigjen, ju mund të dëshironi t’i shkruani përgjigjet e tyre në tabelë.)

  • Cilët shembuj të këtyre dhuratave keni parë në Kishë?

  • Kur keni parë njerëz të marrin bekime ngaqë të tjerë kanë përdorur dhuratat e tyre shpirtërore? (Ju mund të doni të jeni të përgatitur për të treguar një shembull që keni parë.)

  • Si mund t’i japin dobi dhuratat e Shpirtit personit që i merr ato?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Moronin 10:19, 24. Kërkojini klasës ta ndjekë, duke kërkuar një pengesë për të marrë dhe njohur dhuratat shpirtërore.

  • Çfarë pengese zbuluat për marrjen dhe njohjen e dhuratave shpirtërore?

  • Përse mendoni se njerëzit në gjendje mosbesimi nuk mund t’i njohin apo marrin fuqinë dhe dhuratat e Perëndisë?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Moronin 10:25–26, duke parë për atë që do t’u ndodhë atyre që i kundërshtojnë dhuratat dhe fuqinë e Perëndisë. Kërkojuni të raportojnë atë që zbulojnë.

Ftoni pak studentë që të lexojnë me radhë me zë nga Moroni 10:20–23. Kërkojini klasës t’i ndjekë, duke parë për bekimet e të pasurit besim, shpresë dhe dashuri hyjnore. (Përpara se studentët të lexojnë, ju mund të doni të shpjegoni se fraza “të përshtatshme për mua” te Moroni 10:23 u referohet gjërave që janë në përputhje me vullnetin e Perëndisë.)

  • Çfarë bekimesh na mësoi Moroni se do t’u vinin atyre që kanë besim, shpresë dhe dashuri hyjnore?

Ndërsa studentët përgjigjen, shkruani parimin vijues në tabelë: Nëse kemi besim, ne do të jemi në gjendje të bëjmë atë që Shpëtimtari do që ne të bëjmë. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që ata ta shenjojnë këtë parim te Moroni 10:23.

  • Si mendoni se mund të lidhen me njëri-tjetrin dy parimet në tabelë? (Nëse kemi besim, Perëndia do të na japë dhuratat që kemi nevojë me qëllim që të bëjmë punën që Ai do që ne të bëjmë.)

  • Si mundet njohja e këtyre dy parimeve t’ju ndihmojë tani dhe në të ardhmen?

Shkruajini thëniet e paplota të mëposhtme në tabelë. Për t’i ndihmuar studentët të shohin se si premtimi që gjendet te Moroni 10:23 është plotësuar ose mund të plotësohet në jetën e tyre, jepuni disa minuta për të plotësuar një nga thëniet në fletoret e klasës apo ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta:

Unë përjetova premtimin te Moroni 10:23 kur …

Premtimi që gjendet te Moroni 10:23 mund të më ndihmojë kur …

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët që të ndajnë me një partner atë që kanë shkruar.

Moroni 10:30–34

Moroni na fton të gjithëve të vijmë te Jezu Krishti dhe të përsosemi në Të

Shkruajeni fjalën Përsosje në tabelë. Nën të, shkruani E mundur apo e pamundur?

Ftojini studentët të japin mendimet e tyre lidhur me pyetjen në tabelë. Pas një diskutimi të shkurtër, kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 12:48.

  • Cili tha Shpëtimtari se është qëllimi i fundit për secilin prej nesh? (Të bëhemi të përsosur.) Si është e mundur kjo?

Pasi studentët të japin idetë e tyre, ftojeni një student të lexojë shpjegimin që vijon nga Presidenti Xhejms E. Faust, i Presidencës së Parë:

Pamja
Presidenti Xhejms E. Faust

“Përsosja është një qëllim i përjetshëm. Edhe pse nuk mund të jemi të përsosur në vdekshmëri, përpjekja për të është një urdhërim, që më së fundi, nëpërmjet Shlyerjes, ne mund ta mbajmë” (“This Is Our Day”, Ensign, maj 1999, f. 19).

Shpjegoni se, edhe pse përsosja nuk është e arritshme në këtë jetë, ne më së fundi mund të bëhemi të përsosur. Moroni na mësoi se çfarë mund të bëjmë që të bëhemi të përsosur nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Kopjojeni në tabelë pasqyrën përmbledhëse vijuese, pa përfshirë përgjigjet në kllapa.

Çfarë duhet të bëj unë …

Çfarë premton Perëndia …

(Përgjigjet mund të përfshijnë atë që ne duhet të vijmë te Jezu Krishti; të kërkojmë dhe të marrim dhurata të mira; të shmangim dhuratat e liga dhe gjërat e papastra; t’i mohojmë vetes çdo ligësi; dhe ta duam Perëndinë me të gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën tonë.)

(Përgjigjet mund të përfshijnë që Ai do t’i përmbushë besëlidhjet e Tij; hiri i Tij do të jetë i mjaftueshëm për ne; ne do të jemi të përsosur në Jezu Krishtin; ne do të marrim hirin e Perëndisë; ne do të shenjtërohemi dhe marrim heqje të mëkateve tona; dhe do të bëhemi të shenjtë, pa njollë.)

Vërini studentët të kërkojnë te Moroni 10:30–33 për fraza që përshkruajnë se çfarë duhet të bëjmë ne dhe çfarë premton Perëndia të bëjë që të na ndihmojë të bëhemi të pastër e të përsosur. Ftojeni një student t’i shënojë përgjigjet e studentëve në kolonat e duhura të pasqyrës. Vini në dukje se fjala hir i referohet ndihmës dhe fuqisë hyjnore që marrim në saje të Shlyerjes së Jezu Krishtit.

  • Çfarë thënie do të shkruanit nën këtë pasqyrë për të përmbledhur atë që Moroni na mëson rreth të bërit i pastër dhe i përsosur? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por përgjigjet e tyre duhet të pasqyrojnë të vërtetën vijuese: Ndërsa vijmë te Jezu Krishti, ne mund të bëhemi të pastër dhe të përsosur nëpërmjet Shlyerjes së Tij.)

Nëse është e mundur, jepuni studentëve një kopje të thënies në vijim nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ftojeni një student të lexojë me zë thënien, ndërsa pjesa tjetër e klasës e ndjek. Përpara se studenti të lexojë, nxiteni klasën të dëgjojë me vëmendje, duke shqyrtuar se çfarë mund të bëjnë ata për të ardhur te Jezu Krishti, si rrjedhim i studimit të Librit të Mormonit gjatë këtij viti.

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Ajo thirrje përfundimtare, e fundit, e vetmuar e gurit kyç të fesë sonë dhe libri më i saktë i shkruar ndonjëherë është që të mos e prekim gjënë e papastër; është që të jemi të shenjtë dhe pa njollë; është që të jemi të pastër. Dhe ajo pastërti mund të vijë vetëm nëpërmjet gjakut të atij Qengji që mbajti hidhërimet tona dhe mbajti brengat tona, Qengjit që u plagos për shkeljet tona dhe u vra për padrejtësitë tona, Qengjit që u përçmua dhe u vreros, por që ne nuk e vlerësuam (shih Mosia 14). …

Pastërti – nëpërmjet gjakut të Qengjit. Kjo është ajo për të cilën bën thirrje ky libër” (“A Standard unto My People” [fjalim drejtuar mësuesve të fesë së SAK-ut, 9 gusht 1994], f. 13–14, si.lds.org).

Kërkojuni studentëve të gjejnë fraza te Moroni 10:32–33 që theksojnë se ne mund të jemi të përsosur vetëm “në Krisht”, ose nëpërmjet fuqisë dhe hirit pastrues të Shlyerjes së Tij.

  • Përse na duhet Shlyerja e Jezu Krishtit për t’u bërë të pastër dhe të përsosur?

  • Cilat fraza te Moroni 10:32–33 i gjeni nxitëse, ndërkohë që përpiqeni për pastërti dhe për qëllimin e përjetshëm të përsosjes?

Ftojini studentët të zgjedhin një apo dy prej frazave nga kolona e parë e pasqyrës në tabelë. Jepuni disa minuta të shkruajnë në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta çfarëdo mendimesh apo mbresash që kanë mbi atë se si mund të përmirësohen në këto fusha.

Përfundojeni këtë mësim duke i lexuar klasës Moronin 10:34. Ftojini studentët t’ju ndjekin, duke parë për fakte që Moroni pati besim dhe shpresë në Jezu Krishtin. Pasi raportojnë atë që kanë gjetur, ftojini studentët të shkruajnë çfarëdo mendimi apo mbrese që kanë ndërsa përfundojnë kursin e këtij viti studimi të Librit të Mormonit. Merrni parasysh të ftoni studentë për të ndarë me klasën atë që kanë shkruar. Dëshmoni për bekimet që Ati Qiellor u ka premtuar nëse do të vijnë te Jezu Krishti, duke ndjekur mësimet e Tij dhe duke ushtruar besim te Shlyerja e Tij. Nxitini studentët ta bëjnë studimin e Librit të Mormonit një veprimtari që zgjat gjatë gjithë jetës.

Përsëritje e Moronit

Harxhoni pak kohë për t’i ndihmuar studentët të përsëritin librin e Moronit. Kërkojuni të mendojnë rreth asaj që kanë mësuar nga ky libër, si në seminar edhe në studimin e tyre vetjak të shkrimeve të shenjta. Nëse është e nevojshme, i ftoni të rishikojnë shkurtimisht disa nga përmbledhjet e kapitujve te Moroni për t’i ndihmuar ata të kujtojnë. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë të tregojnë diçka nga Moroni që ishte frymëzuese për ta ose që i ka ndihmuar të kenë besim më të madh te Jezu Krishti.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Moroni 10:8–19. Dhurata të Shpirtit

Plaku Brus R. Mek-Konki përshkroi qëllimet dhe arsyet për marrjen e dhuratave shpirtërore:

“[Qëllimi i dhuratave shpirtërore] është për të ndriçuar, nxitur dhe lartësuar besnikët në mënyrë që ata të trashëgojnë paqe në këtë jetë dhe të udhëhiqen drejt jetës së përjetshme në botën që vjen. Prania e tyre është provë e shenjtërisë së punës së Zotit; atje ku ato nuk janë, atje nuk është Kisha dhe mbretëria e Perëndisë. Premtimi është se ato nuk do të mbarohen kurrë për sa kohë që toka do të vazhdojë në gjendjen e tanishme, veçse nga mosbesimi (Moroni 10:19), por kur dita e përsosur të vijë dhe shenjtorët të arrijnë ekzaltimin, nuk do të ketë më nevojë për to. Siç e shprehu Pali: ‘Kur të vijë përsosmëria, atëherë ajo që është e pjesshme do të shfuqizohet’.(1 Korintasve 13.)

Personat besnikë pritet t’i kërkojnë dhuratat e Shpirtit me gjithë zemrën e tyre. Ata duhet të ‘kërko[jnë] me zemër të zjarrtë dhuntitë më të mira’ (1 Korintasve 12:31; DeB 46:8), të ‘lyp[in] me zemër të zjarrtë dhuntitë frymërore’ (1 Korintasve 14:1), ‘t’i kërko[jnë] Perëndisë, i cili jep me zemërgjerësi’.DeB 46:7; Mateu. 7:7–8). Disave do t’u jepet një dhuratë; të tjerëve, një tjetër; dhe ‘disave mund t’u jepet t’i kenë gjithë këto dhurata, që të ketë një kre, me qëllim që çdo anëtar të mund të përfitojë në këtë mënyrë’.(DeB 46:29.)”(Mormon Doctrine, bot. i 2-të [1966], f. 314).

Plaku Marvin J. Ashton, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi:

“Një nga tragjeditë e mëdha të jetës, më duket mua, është kur një njeri e klasifikon veten si dikush që nuk ka talente apo dhurata. …

Nga Doktrina e Besëlidhje 46:11–12, kemi këtë të vërtetë: ‘Sepse të gjithë nuk e kanë çdo dhuratë të dhënë atyre; sepse ka shumë dhurata dhe çdo njeriu i jepet një dhuratë me anë të Shpirtit të Perëndisë.

Disave u jepet një dhuratë dhe disave u jepet një tjetër, me qëllim që të gjithë të mund të përfitojnë në këtë mënyrë.’

Perëndia i ka dhënë secilit prej nesh një apo më shumë talente të veçanta. Varet nga secili prej nesh të kërkojë për dhuratat që Perëndia i ka dhënë dhe t’i shtojë ato.

Perëndia vërtet jeton. Ai vërtet na bekon me dhurata. Kur ne i zhvillojmë dhe i ndajmë dhuratat tona, të dhëna nga Perëndia, dhe përfitojmë nga dhuratat e atyre përreth nesh, bota mund të jetë një vend më i mirë dhe puna e Perëndisë do të shkojë përpara me një ritëm më të shpejtë” (“There Are Many Gifts”, Ensign, nëntor 1987, f. 20, 23).

Moroni 10:22. “Dëshpërimi vjen nga paudhësia”

Presidenti Ezra Taft Benson ndau këtë ide lidhur me nevojën për të bërë mirë që të shmangim dëshpërimin:

“Në Librin e Mormonit ne lexojmë se ‘dëshpërimi vjen nga paudhësia’.(Moroni 10:22.) ‘Kur unë bëj mirë, unë ndihem mirë’, tha Abraham Linkolni, ‘dhe kur unë bëj keq, unë ndihem keq’. Mëkati e tërheq njeriun poshtë në zymti dhe dëshpërim. Ndërsa një njeri mund të marrë një kënaqësi kalimtare në mëkat, rezultati përfundimtar është mungesa e lumturisë. ‘Ligësia kurrë nuk ka qenë lumturi.’(Alma 41:10.) Mëkati krijon mospërputhje me Perëndinë dhe është dëshpërues për shpirtin. Prandaj, një njeri do të bënte mirë ta shqyrtonte veten për të parë që është në përputhje me të gjitha ligjet e Perëndisë. Çdo ligj i mbajtur sjell një bekim të veçantë. Çdo ligj i shkelur sjell një plagë të veçantë. Ata që janë të ngarkuar rëndë me dëshpërim, duhet të vijnë te Zoti, sepse zgjedha e Tij është e ëmbël dhe barra e Tij është e lehtë. (Shih Mateu 11:28–30.)” (“Do Not Despair”, Ensign, tetor 1986, f. 2.)

Moroni 10:34. Lamtumira e Moronit

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mendimet e mëposhtme mbi fjalët përmbyllëse të Moronit në Librin e Mormonit:

“Pastërtia. Shenjtëria. Karakteri dhe vetëdija pa njollë. Të gjitha këto nëpërmjet hirit të Krishtit, që pastron rrobat tona, shenjtëron shpirtrat tanë, na shpëton nga vdekja dhe na rivendos në origjinën tonë hyjnore.

Me frymën e tij të fundit të regjistruar, Moroni dha dëshmi për besimin e vet të fortë te një shëlbim i tillë hyjnor. …

Kështu Libri i Mormonit mbaron, duke fluturuar si të ishte me Moronin, në premtimin e Ringjalljes Hyjnore. [Shih Zbulesa 14:6.] Ajo është më e përshtatshmja, sepse kjo dëshmi e shenjtë – e shkruar nga profetë, e dhënë nga engjëj, e mbrojtur nga Perëndia – flet si një njeri ‘që thërret nga varri’, duke i nxitur të gjithë të vijnë te Krishti dhe të përsosen në Të, një proces që kulmon në përsosjen për lavdinë çelestiale” (Christ and the New Covenant: The Messianic Message of the Book of Mormon [1997], f. 339).

Shtyp në Letër