Biblioteka
Mësimi 141: Mormoni 8:12–41


Mësimi 141

Mormoni 8:12–41

Hyrje

Pasi shkroi rreth shkatërrimit të popullit të tij dhe vdekjes së atit të tij, Moroni profetizoi për daljen në dritë të Librit të Mormonit dhe paralajmëroi për pasojat e hedhjes poshtë të tij. Moroni pa se anali nefit do të dilte në dritë në një kohë ligësie të madhe, kur shumë do t’i donin pasuritë e kësaj bote më shumë sesa Perëndinë. Ai dëshmoi se Libri i Mormonit do të ishte me vlerë të madhe në mes të kushteve të rrezikshme shpirtërore që do të ekzistonin në ditët e fundit.

Sugjerime për Mësimdhënien

Mormoni 8:12–32

Moroni profetizon për daljen në dritë të Librit të Mormonit

Përpara fillimit të orës mësimore, përgatitni një paraqitje të objekteve ose fotografive që pasqyrojnë përparimet teknologjike. Në fillim të orës mësimore, drejtojeni vëmendjen e studentëve te paraqitja. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson:

Pamja
Presidenti Ezra Taft Benson

“Do të doja të flisja për një prej dhuratave më domethënëse dhënë botës në kohët moderne. Dhurata që po mendoj, është më e rëndësishme sesa ndonjë nga shpikjet që ka ardhur nga revolucionet industriale dhe teknologjike. Kjo është një dhuratë me vlerë më të madhe për njerëzimin sesa edhe përparimet e shumta, të mrekullueshme që kemi parë në mjekësinë moderne. Është me vlerë më të madhe për njerëzimin sesa zhvillimi i udhëtimit ajror ose në hapësirë. E kam fjalën për dhuratën e …” (“The Book of Mormon – Keystone of Our Religion”, Ensign, nëntor 1986, f. 4).

  • A do të donit ta kishit dhuratën për të cilën foli Presidenti Benson? Përse?

  • Cila mendoni se mund të jetë dhurata?

Shpjegoni se Moroni na mësoi rreth kësaj dhurate. Kërkojuni studentëve të lexojnë Mormonin 8:12 për të zbuluar se cila është dhurata. Ndihmojini studentët të kuptojnë se fraza “këtë anal” i referohet Librit të Mormonit. Shpjegoni se Presidenti Benson foli për dhuratën e Librit të Mormonit.

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë vlerën e Librit të Mormonit, ftojini ata të lexojnë në heshtje Mormonin 8:13–16. Përpara se të lexojnë, kërkojuni atyre të shohin atë që Moroni na mësoi për vlerën e Librit të Mormonit. Më pas bëni disa ose të gjitha pyetjet vijuese, për t’i ndihmuar ata të diskutojnë dhe të analizojnë atë që kanë gjetur:

  • Disa njerëz mund të mendojnë për vlerën monetare të fletëve të arta. Sipas Mormonit 8:14, cili aspekt i fletëve ishte me të vërtetë “[me] vler[ë] të madhe”? (Ndihmojini studentët të kuptojnë se, për shkak se Zoti nuk do ta lejojë askënd për të “nxjerrë fitime” nga fletët e arta, vetë fletët “nuk janë të çmueshme”. Megjithatë, anali që u shkrua tek fletët, “është i një vlere të madhe”.)

  • Moroni tha se Libri i Mormonit mund të dilte në dritë vetëm nga dikush që kishte “një sy të vetëm në lavdinë e [Perëndisë]” (Mormoni 8:15). Çfarë mendoni se do të thotë kjo? (Ndërsa studentët diskutojnë mbi këtë pyetje, ju mund të dëshironi t’i ftoni ata të lexojnë Joseph Smith – Historia 1:46, që përmban udhëzimet e mëvonshme të Moronit për Jozef Smithin, përpara se ai të nxirrte në dritë Librin e Mormonit.)

  • Te Mormoni 8:16, si ndihmon përshkrimi i Moronit për daljen në dritë të Librit të Mormonit, për të shpjeguar vlerën e madhe të librit?

Siç është shënuar te Mormoni 8:17–21, Moroni i paralajmëroi ata që do ta dënonin ose kundërshtonin Librin e Mormonit. Ftojini studentët t’i lexojnë këto vargje dhe të kërkojnë paralajmërimet e Moronit.

  • Cilat janë paralajmërimet e Moronit ndaj atyre që e hedhin poshtë ose e dënojnë Librin e Mormonit?

  • Çfarë të vërtete mësoni nga Mormoni 8:22? Si ndihmon dalja në dritë e Librit të Mormonit në ditët e fundit që të plotësohen qëllimet e përjetshme të Zotit?

Shpjegoni se Mormoni 8:23–25 përmban fjalët e Moronit rreth lutjeve të shenjtorëve besnikë që kishin jetuar përpara kohës së tij. Ai foli për ata që i luten Zotit “nga pluhuri”. Kërkojuni studentëve ta lexojnë këtë fragment në heshtje, duke parë për atë që shenjtorët në kontinentin e lashtë amerikan u lutën në lidhje me Librin e Mormonit.

  • Për kë u lutën shenjtorët e lashtë? (Ata u lutën për vëllezërit e tyre – që do të thotë, lamanitët dhe pasardhësit e tyre – dhe për njeriun që do ta nxirrte në dritë Librin e Mormonit – domethënë Profetin Jozef Smith.)

Shpjegoni se Moroni përshkroi kushtet që do të ekzistonin kur Libri i Mormonit do të dilte në dritë. Pastaj u kërkoni që ta përfytyrojnë veten e tyre në vend të Moronit, duke jetuar më shumë se 1.600 vjet më parë dhe duke marrë një vegim për kohën tonë.

Ftojini studentët që të shkruajnë një paragraf në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta, duke përshkruar gjendjen shpirtërore të kohës sonë. Kur studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për të shkruar, ftojini disa prej tyre të tregojnë atë që kanë shkruar. Më pas, kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Mormonin 8:26–32 dhe t’i krahasojnë paragrafët e tyre me përshkrimin profetik të Moronit për kohën tonë. Ndajeni klasën në dyshe. Kërkojini secilës dyshe të thotë disa ngjashmëri dhe ndryshime midis përshkrimeve të tyre dhe përshkrimit të Moronit.

  • Çfarë gjeni të saktë rreth përshkrimit të Moronit për kohën tonë?

Shkruani në tabelë përmbledhjen vijuese të profecive të Moronit: Libri i Mormonit do të dalë në dritë nga fuqia e Perëndisë gjatë një kohe ligësie të madhe. Nëse keni paraqitur objekte ose fotografi që pasqyrojnë shpikje teknologjike ose mjekësore, merrni parasysh vendosjen e një kopjeje të Librit të Mormonit pranë tyre. Për t’i ndihmuar studentët të përsiatin dhe dëshmojnë për vlerën e Librit të Mormonit në jetën e tyre, bëni pyetje të tilla si vijojnë:

  • Si mund të na ndihmojë Libri i Mormonit për t’i bërë ballë ligësisë në kohën tonë?

  • Në çfarë mënyrash Libri i Mormonit është më i vlefshëm sesa shpikjet teknologjike ose mjekësore?

  • Përse mendoni se Libri i Mormonit është “një prej dhuratave më domethënëse dhënë botës në kohët moderne”, siç tha Presidenti Benson?

  • Nëse një mik do t’ju pyeste përse Libri i Mormonit është i vlefshëm për ju, çfarë do t’i thonit?

Mormoni 8:33–41

Moroni shikon ditët e fundit dhe dënon ligësinë shpirtërore të kohës sonë

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Mormonin 8:35. Përpara se ai ose ajo të lexojë, vini në dukje se në këtë varg Moroni po na flet drejpërdrejt neve.

  • Si mund të ndikojë ky varg në mënyrën se si e lexojmë Librin e Mormonit?

Kur studentët ta kenë diskutuar këtë pyetje, lexoni thënien vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson, në të cilën ai foli për profetët e Librit të Mormonit:

“Nëse ata e panë ditën tonë dhe zgjodhën ato gjëra që do të jenë me vlerën më të madhe për ne, a nuk është kjo se si ne duhet ta studiojmë Librin e Mormonit? Ne duhet vazhdimisht të pyetim veten: ‘Përse Zoti e frymëzoi Mormonin (ose Moronin apo Almën) që ta përfshijë atë në analin e tij? Çfarë mësimi mund të nxjerr unë nga ajo, që të më ndihmojë të jetoj në këtë kohë dhe epokë?’” (“The Book of Mormon—Keystone of Our Religion”, f. 6).

Nxitini studentët që ta ndjekin këtë këshillë, ndërsa studiojnë pjesën tjetër të fjalëve të Moronit te Mormoni 8.

Kërkojuni studentëve të mendojnë për një rast kur ata panë dikë në nevojë – materiale, emocionale, shoqërore ose shpirtërore. Ftojini ata të marrin parasysh se çfarë bënë për ta ndihmuar atë njeri – ose, nëse nuk dhanë ndihmë, se çfarë mund të kishin bërë. Ftojini që të përsiatin gjithashtu për arsyen përse zgjodhën të ndihmonin ose jo.

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Mormoni 8:33–41. Kërkojini klasës që t’i ndjekë, duke parë për arsyet pse disa njerëz në ditët e fundit nuk do t’i ndihmonin nevojtarët.

  • Përse disa njerëz në ditët e fundit nuk do t’i ndihmonin nevojtarët? (Përgjigjet mund të përfshijnë krenarinë, paudhësinë, dashurinë më shumë për para dhe veshje të mira sesa për njerëzit nevojtarë dhe dëshirën për lëvdatat e botës.)

  • Te Mormoni 8:38, Mormoni përdor fjalën të fëlliqur. Cilat janë disa ndikime në botë sot që mund të konsiderohen të fëlliqura? (Përgjigjet mund të përfshijnë krenarinë, pornografinë dhe dashurinë për para.)

Kërkojuni studentëve të shkruajnë një fjali që përmbledh atë që kanë mësuar nga Mormoni 8:36–41 rreth përgjegjësisë sonë për t’u kujdesur për të varfërit dhe nevojtarët. Ftoni dy ose tre studentë që t’ua lexojnë fjalitë e tyre klasës. Edhe pse fjalët e studentëve mund të ndryshojnë, ata duhet të jenë në gjendje të dallojnë të vërtetën vijuese: Perëndia do të na mbajë përgjegjës për mënyrën se si i trajtojmë të varfërit dhe nevojtarët.

  • Cilat mendoni se janë disa nga nevojat më të zakonshme në shkollën apo komunitetin tuaj? Çfarë mund të bëjë rinia e Kishës që të ndihmojë në përkujdesjen për njerëzit me këto nevoja? (Ndihmojini studentët të kuptojnë se nuk pritet nga ata që të japin paratë dhe kohën e tyre për çdo kauzë të vlefshme ose për çdo njeri që kërkon ndihmë. Në familjet e tyre dhe në Kishë, të rinjtë kanë shumë mundësi për t’i ndihmuar nevojtarët. Për më tepër, ata mund të ndjekin udhëheqjen e Shpirtit për të dhënë shërbim vetjak.)

  • Çfarë mendoni se mund të bëjnë të rinjtë në Kishë, që të kujdesen për të varfërit? (Nëse studentët nuk e përmendin ofertën e agjërimit, ju mund të dëshironi të theksoni pagimin e ofertës së agjërimit, duke lexuar paragrafët nën “E Diela e Agjërimit” te Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2004], faqet 11–13.)

Pas këtij diskutimi, ftojini studentët të shkruajnë në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta për një ose dy gjëra që ata mund të bëjnë, për t’u kujdesur për të varfërit dhe nevojtarët. Ata mund të shkruajnë sugjerime që i kanë dëgjuar gjatë orës mësimore, ose vetë idetë e tyre. Ftojini të shkruajnë një synim për ta bërë njërën nga këto gjëra në javët e ardhshme. Nxitini ata që t’i përmbushin synimet e tyre.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Mormoni 8:14–18. “Bekuar qoftë ai që do ta nxjerrë këtë gjë në dritë”

Moroni profetizoi për Profetin Jozef Smith, i cili ishte zgjedhur për t’i sjellë botës Librin e Mormonit (shih Mormoni 8:15–16). Shumë profetë të tjerë të lashtë gjithashtu kishin dijeni për Jozef Smithin dhe u lutën për suksesin e tij në përkthimin dhe botimin e fletëve të arta, duke përmbushur kështu qëllimet e Perëndisë (shih Mormoni 8:23–25; DeB 10:46). Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, foli për rolin e Jozef Smithit në sjelljen në dritë të Librit të Mormonit:

“E vërteta është, thjesht, se ai ishte një profet i Perëndisë – as më shumë e as pak më pak!

Shkrimet e shenjta nuk erdhën kaq shumë nga Jozef Smithi sa ç’erdhën nëpërmjet tij. Ai ishte përcjellësi nëpërmjet të cilit u dhanë zbulesat.

Profeti Jozef Smith ishte një djalë ferme i pashkolluar. Leximi i disa prej letrave të tij të hershme në origjinal e tregon atë të jetë paksa i parafinuar në drejtshkrim e gramatikë dhe në shprehi.

Që zbulesat erdhën nëpërmjet tij në cilëndo formë të një përsosjeje letrare nuk është asgjë tjetër veçse një mrekulli” (“We Believe All That God Has Revealed”, Ensign, maj 1974, f. 94).

Mormoni 8:37–38. Si lidhet përkujdesja për të varfrit dhe nevojtarët me lumturinë e përjetshme?

Peshkopi H. Dejvid Barton, Peshkop Kryesues, dëshmoi për pasojat e përjetshme të përkujdesjes për të varfrit dhe nevojtarët:

“Synimi, premtimet dhe parimet që përforcojnë punën tonë të përkujdesjes për të varfrin dhe nevojtarin, shtrihen shumë më larg se kufijtë e vdekshmërisë. Kjo punë e shenjtë nuk është vetëm për t’u sjellë dobi e për të bekuar ata që vuajnë ose janë në nevojë. Si bij dhe bija të Perëndisë, ne nuk mund të trashëgojmë shkallën më të lartë të jetës së përjetshme pa qenë plotësisht të përfshirë në përkujdesjen për njëri-tjetrin, ndërsa jemi këtu në tokë. Ne i mësojmë parimet qiellore të sakrificës dhe përkushtimit nëpërmjet ushtrimit mirëdashës të sakrificës dhe shërbimit ndaj të tjerëve” (“Puna Shenjtëruese e Mirëqenies”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 81–82).

Shtyp në Letër