Biblioteka
Mësimi 63: Mosia 21–22


Mësimi 63

Mosia 21–22

Hyrje

Pasi dështuan tri herë për t’u çliruar nga robëria lamanite, populli i Limhit përfundimisht iu drejtua Zotit që t’i shpëtonte ata. Më pas, Amoni dhe vëllezërit e tij mbërritën në tokën e Lehi-Nefit. Pasi u besëlidh që t’i shërbente Zotit, populli i Limhit u arratis nga robëria lamanite dhe Amoni i udhëhoqi ata drejt Zarahemlës.

Sugjerime për Mësimdhënien

Mosia 21:1–22

Pasi populli i Limhit rebelohet kundër lamanitëve dhe mundet tri herë, ata përulen përpara Zotit dhe fillojnë të përparojnë

Shkruani në tabelë fjalët robëri dhe çlirim.

  • Çfarë pamjesh ju vijnë në mendje kur mendoni për këto fjalë?

  • Për çfarë emocionesh mendoni në lidhje me këto fjalë?

  • Ç’lidhje mund të kenë këto fjalë me planin e shpëtimit?

Shpjegoni që Mosia 21–24 përmban rrëfimet e dy grupe popujsh të cilët ishin nën zgjedhën e forcave lamanite dhe përfundimisht u çliruan nga Zoti. Te Mosia 21–22, ne lexojmë për Limhin dhe popullin e tij, që u zunë robër për shkak të paudhësive të tyre. Robërimi i tyre fizik pasqyronte robërinë shpirtërore që përjetuan për shkak të mëkateve të tyre. Rrëfimi për grupin e dytë, te Mosia 23–24, do të trajtohet në mësimin tjetër. Ai flet për popullin e Almës, të cilët ranë në robëri e vuajtje pasi ishin pagëzuar. Të dyja rrëfimet na japin mësim të vërteta të rëndësishme rreth fuqisë së Zotit për të na çliruar nga mëkati dhe fatkeqësitë. Nxitini studentët të mendojnë rreth fuqisë së Zotit për të na çliruar nga mëkati ndërsa studiojnë robërimin dhe çlirimin e popullit te Mosia 21–22.

Ftojini studentët që të lexojnë në heshtje Mosian 21:2–6. Kërkojuni që të gjejnë fjalë dhe fraza që përshkruajnë atë që po përjetonin Limhi dhe populli i tij, dhe si ndiheshin ata rreth asaj. Për të theksuar vështirësinë që përjetoi populli i Limhit, ju mund të dëshironi t’i nxitni studentët ta shenjojnë frazën “nuk kishte mënyrë sesi ata të mund të shpëtonin” te Mosia 21:5.

  • Çfarë hollësish te Mosia 21:6 sugjerojnë që populli ende nuk ishte përulur dhe nuk ishte kthyer te Zoti?

  • Çfarë zgjidhjeje sugjeroi populli i Limhit, që të gjenin lehtësim nga fatkeqësitë e tyre?

Përmblidhni Mosian 21:7–12 duke u thënë studentëve që populli i Limhit shkoi të luftonte tri herë për t’u çliruar nga lamanitët, por, secilën herë, u mundën dhe pësuan humbje të mëdha.

  • Cilat janë disa mënyra se si populli mund të kishte reaguar pas përpjekjes së tyre të tretë të pasuksesshme për t’u çliruar?

Ftoni disa studentë të lexojnë me radhë me zë nga Mosia 21:13–16 për të mësuar se si u përgjigj populli. Merrni parasysh të bëni disa nga pyetjet në vijim ose të gjitha:

  • Si ndryshoi populli pas shpartallimit të tyre të tretë?

  • Sipas Mosias 21:15, përse qe Zoti i ngadaltë të dëgjonte lutjet e tyre?

  • Te Mosia 11:23–25, çfarë i kishte thënë Abinadi popullit se do të kishin nevojë përpara se Zoti të dëgjonte lutjet e tyre për shpëtim?

  • Edhe pse populli nuk u çlirua menjëherë nga robëria, si i bekoi Zoti kur ata filluan të pendoheshin? (Ndërsa studentët përgjigjen, merrni parasysh t’i nxitni që ta shenjojnë frazën “të përparonin pjesërisht” te Mosia 21:16.)

  • Çfarë mësimi jep kjo lidhur me atë që Zoti do të bëjë kur njerëzit përulen, fillojnë të pendohen dhe i thërrasin Atij për ndihmë?

Përmblidhni Mosian 21:16–22 duke shpjeguar se gjatë pjesës tjetër të kohës që populli i Limhit qe në robëri, Zoti i begatoi kështu që ata nuk ishin të uritur. Gjithashtu nuk pati “më trazira mes Lamanitëve dhe popullit të Limhit” (Mosia 21:22).

Ftojini studentët të përmendin parimet që kanë mësuar nga rrëfimi i popullit të Limhit. Megjithëse studentët mund të thonë parime të ndryshme, sigurohuni që e kuptojnë se kur përulemi, i thërrasim Zotit dhe pendohemi për mëkatet tona, Ai do t’i dëgjojë lutjet tona dhe do të lehtësojë barrën e mëkateve tona në kohën e Tij të caktuar. (Ju mund të dëshironi ta shkruani këtë parim në tabelë. Ju gjithashtu mund të dëshironi t’i ftoni studentët që ta shkruajnë në shkrimet e tyre të shenjta pranë Mosias 21:15–16 ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta apo në fletoret e tyre të klasës.)

  • Si mendoni se mund të përfitojmë kur detyrohemi të presim që të na çlirojë Zoti nga barra e mëkateve tona?

Për t’i ndihmuar studentët që të zbatojnë atë që kanë mësuar, jepuni disa çaste që të përsiaten rreth pyetjeve në vijim dhe t’i shkruajnë përgjigjet në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta. (Ju mund të dëshironi t’i shkruani pyetjet në tabelë.)

  • Çfarë po bëni që të kërkoni fuqinë e Zotit për çlirim nga mëkatet tuaja?

  • Në çfarë mënyrash keni “përpar[uar] pjesërisht” kur keni kërkuar ndihmën e Zotit?

Mosia 21:23–22:16

Limhi, Amoni dhe Gideoni punojnë bashkërisht për ta ndihmuar popullin që të arratiset nga robëria dhe të kthehet në Zarahemla

Shënim: Ju mund të dëshironi t’u kujtoni studentëve që Mosia 7 dhe 8 përfshin rrëfimin e Amonit dhe të vëllezërve të tij që gjejnë mbretin Limhi dhe popullin e tij. 14 kapitujt në vijim, Mosia 9–22, rrëfejnë historinë e populli të Limhit, duke filluar që rreth 80 vjet përpara se Amoni t’i gjente. Kjo histori përfundon me ritregimin e disa prej ngjarjeve që trajtohen në kapitujt e mëparshëm. Për këtë arsye, shumica e përmbajtjes nga Mosia 21:23–30 u trajtua te mësimet mbi Mosian 7–8 dhe Mosian 18. Për t’i ndihmuar studentët që të kujtojnë ngjarjet e shënuara te Mosia 21:23–30, mund të jetë e dobishme që të përsëritni shkurtimisht përmbledhjen e udhëtimeve te Mosia 7–24 te shtojca në fund të këtij manuali.

Kujtojuni studentëve që populli i Limhit e pranoi se mjerimet e tyre kishin ardhur për shkak se ata e kishin hedhur poshtë ftesën e Zotit për t’u penduar (shih Mosia 12:1–2; 20:21). Me këtë pranim të mëkateve të tyre, populli i Limhit filloi procesin e pendimit dhe të kthimit në besim. Ndani përkufizimin vijues të pendimit:

“[Pendimi] është thelbësor për lumturinë tuaj në këtë jetë dhe gjatë gjithë përjetësisë. Pendimi është shumë më tepër sesa thjesht të pranosh gabimet. Është një ndryshim i mendjes dhe i zemrës. … Ai përfshin largimin nga mëkati dhe kthimin tek Perëndia për falje. Është i motivuar nga dashuria për Perëndinë dhe dëshira e sinqertë për t’iu bindur urdhërimeve të Tij” (Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2004], f. 115).

Ftojini studentët që të lexojnë në heshtje Mosian 21:32–35. Vërini që të gjejnë fjalë dhe fraza që tregojnë se Limhi dhe populli i tij ishin penduar dhe i kishin kthyer zemrat e tyre te Zoti. Ju mund të dëshironi t’u sugjeroni që t’i shenjojnë këto fjalë dhe fraza. Ftoni disa studentë të tregojnë atë që kanë gjetur. (Përgjigjet e tyre duhet të përfshijnë që Limhi dhe shumë nga njerëzit e tij kishin hyrë në një besëlidhje për t’i shërbyer Perëndisë dhe për të mbajtur urdhërimet e Tij, që ata dëshironin të pagëzoheshin dhe se ishin të gatshëm t’i shërbenin Perëndisë me gjithë zemrat e tyre.)

Veprimtaria në vijim do t’i ndihmojë studentët të kuptojnë që Zoti e ndihmoi popullin e Limhit të arratisej nga robëria kur ata nderuan besëlidhjen e tyre për t’i shërbyer Atij dhe për të mbajtur urdhërimet e Tij. Përpara fillimit të orës mësimore, shkruajini pyetjet dhe referencat në vijim të shkrimeve të shenjta në tabelë:

Si qe mbërritja e Amonit dhe e vëllezërve të tij një përgjigje për lutjet e popullit të Limhit? (Shih Mosia 7:14–15, 18–20; 21:14–15, 22–24.)

Përveçse kërkoi ndihmën e Zotit përmes lutjes, çfarë bëri populli i Limhit për t’u çliruar me udhëheqjen nga Gideoni? (Shih Mosia 21:36; 22:1–10.)

Çfarë hollësish në këto vargje tregojnë se Zoti e ndihmoi popullin e Limhit që të arratisej pa rrezik? (Shih Mosia 22:11–16; 25:15–16.)

Ndajini studentët në tri grupe. Vëreni secilin grup të përgatitet për t’iu përgjigjur njërës prej pyetjeve në tabelë duke studiuar fragmentet shoqëruese të shkrimeve të shenjta. Pas disa minutash, ftoni një student nga secili grup të tregojë përgjigjet që kanë përgatitur. Kjo do të jetë gjithashtu një kohë e përshtatshme t’i vini studentët që të shtojnë “Populli i Limhit arratiset” te skicat e tyre të përmbledhjes së udhëtimeve te Mosia 7–24. (Për skicën e plotë, shihni shtojcën në fund të këtij manuali.) Ju gjithashtu mund të dëshironi t’i vini studentët që t’i drejtohen libërshenjuesit të Librit të Mormonit për të përcaktuar se çfarë i ndodhi vërtet popullit të Limhit (shih Mosia 22:13–14).

Pamja
udhëtimet te Mosia 7–24

Vini në dukje se ndërkohë që ne mund të mos keni nevojë të kërkojmë çlirim nga robëria fizike si populli i Limhit, ne të gjithë kemi nevojë për çlirim nga mëkati.

  • Çfarë keni mësuar nga Mosia 21–22 që do t’i jepte kurajë kujtdo që ka nevojë të përjetojë fuqinë e Zotit për të na çliruar nga mëkati?

Përmbylleni duke dhënë dëshminë tuaj për fuqinë e Zotit për të na çliruar nga mëkati. Theksoni se kur e përulim veten tonë, i thërrasim Zotit dhe pendohemi për mëkatet tona, Ai do t’i dëgjojë lutjet tona dhe do të lehtësojë barrën e mëkateve tona në kohën e Tij të caktuar.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Mosia 21:15, 29–30. Vuajtja që vjen nga mëkati, mund t’i shërbejë një qëllimi

Kur mëkatojmë dhe nuk pranojmë të pendohemi, ashtu si populli i mbretit Limhi, ne i sjellim vetes më shumë dhembje – ndonjëherë fizike dhe gjithmonë shpirtërore. Plaku Kent Riçards, i Të Shtatëdhjetëve, shpjegoi se si dhembja mund të jetë pjesë e nevojshme e shërimit dhe rritjes sonë shpirtërore:

“Dhembja është një mjet [matës] i procesit shërues. Ajo shpesh na mëson neve durimin.

Plaku Orson Uitni shkroi: ‘Asnjë dhembje që ne vuajmë, asnjë provë që ne përjetojmë, nuk shkon kot. Ajo i shërben edukimit tonë, zhvillimit të cilësive të tilla si durimi, besimi, qëndresa dhe përulësia. Ndodh nëpërmjet brengës dhe vuajtjes, mundit dhe fatkeqësisë që ne fitojmë edukatën për të cilën vijmë këtu që ta arrijmë.’

Po ashtu, Plaku Robert D. Hejls ka thënë:

‘Dhembja ju sjell në një përulësi që ju lejon të mendoni thellë. Ajo është një përjetim që unë jam mirënjohës që e kam duruar.

Unë mësova se dhembja fizike dhe shërimi i trupit … janë shumë të ngjashme me dhembjen shpirtërore dhe shërimin e shpirtit në procesin e pendimit’” (“Shlyerja Mbulon të Gjitha Dhembjet”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 15).

Mosia 21:15–16. Cilat janë qëndrimet tuaja gjatë fatkeqësive?

Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim për qëndrimet që duhet të përpiqemi t’i shmangim dhe për qëndrimet që duhet të përpiqemi të zhvillojmë gjatë brengave tona:

“Zoti do të na japë lehtësim me fuqi hyjnore kur e kërkoni çlirimin me përulësi dhe besim në Jezu Krisht.

Mos thoni: ‘Askush nuk më kupton; nuk mund ta zgjidh këtë gjë ose të marr ndihmën që më duhet’. Këto komente janë disfatiste. Askush nuk mund t’ju ndihmojë pa besim dhe përpjekje nga ana juaj. Rritja juaj vetjake e kërkon këtë. Mos kërkoni një jetë pothuaj pa shqetësim, dhembje, trysni, sfidë apo brengë, pasi këto janë mjete që një Atë i dashur i përdor për të nxitur rritjen dhe kuptimin tonë vetjak. Ashtu siç pohojnë vazhdimisht shkrimet e shenjta, ju do të merrni ndihmë kur ushtroni besim në Jezu Krisht. … Besimi në Krisht do të thotë që ne i mirëbesojmë Atij; ne u mirëbesojmë mësimeve të Tij. Ky besim çon në shpresë dhe shpresa sjell dashurinë hyjnore, dashurinë e pastër të Krishtit – atë ndjenjë paqeje që vjen kur ndiejmë shqetësimin e Tij, dashurinë e Tij dhe aftësinë e Tij për të na shëruar apo për të lehtësuar barrat tona me fuqinë e Tij shëruese” (“To Be Healed”, Ensign, maj 1994, f. 8).

Shtyp në Letër