Mësimi 72
Alma 5:37–62
Hyrje
Ndërsa Alma vazhdonte predikimin në Zarahemla, ai i paralajmëroi njerëzit që vendimi për t’i ndjekur ose për të mos i pranuar fjalët e tij mbante pasoja të rënda. Alma gjithashtu e krahasoi Jezu Krishtin me një bari të mirë, i cili i thirri ata dhe dëshironte t’i kthente në tufën e tij. Ai i nxiti njerëzit të pendoheshin dhe t’u shmangeshin gjërave të papastra të botës që të mund të trashëgonin mbretërinë e qiellit.
Sugjerime për Mësimdhënien
Alma 5:37–42, 53–62
Alma i paralajmëron të ligjtë dhe i fton të gjithë t’i binden zërit të Bariut të Mirë
Paraqitni fotografinë Jezusi Mban një Dele të Humbur (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 64).
-
Në çfarë mënyrash është Shpëtimtari Bariu i Mirë?
Pasi të jenë përgjigjur dy ose tre studentë, lexoni thënien vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson:
“Në kohën e Jezusit, bariu palestinez shquhej për mbrojtjen e deleve të tij. Ndryshe nga ruajtësit modernë të deleve, bariu gjithmonë ecte në krye të tufës së tij. Ai e udhëhiqte atë. Bariu e njihte secilën dele dhe zakonisht kishte një emër për secilën. Delet e njihnin zërin e tij dhe e besonin atë e nuk do të ndiqnin një të panjohur. Prandaj, kur i thërriste, delet do të vinin tek ai. (Shih Gjoni 10:14, 16.) …
Jezusi e përdori këtë ilustrim të zakonshëm të kohës së tij për të shpallur se Ai ishte Bariu i Mirë, Bariu i Vërtetë. Për shkak të dashurisë së Tij për vëllezërit dhe motrat e Tij, Ai me dëshirë dhe vullnetarisht do ta jepte jetën e Tij për ta” (“A Call to the Priesthood: ‘Feed My Sheep’”, Ensign, maj 1983, f. 43; shih edhe John Lasater, “Shepherds of Israel”, Ensign, maj 1988, f. 74–75).
I ndihmoni studentët të kujtojnë përmbajtjen e Almës 5 duke shpjeguar se Alma shkoi për t’i predikuar popullit të Zarahemlës, i cili ishte si “dele që nuk kanë bari” (Alma 5:37). U kërkoni studentëve të rikujtojnë sfidat që hasi populli i Zarahemlës dhe atë që Alma i nxiti të bënin. Ju shkurtimisht mund të rishikoni disa vargje kyç nga mësimi i mëparshëm, të tilla si Alma 5:14–20, për t’i ndihmuar studentët të kujtojnë një pjesë të këtij sfondi të ngjarjeve. Sigurohuni që studentët e kuptojnë se populli i Zarahemlës ishte në një gjendje të mjerueshme për shkak të ligësisë së tyre (shih Alma 7:3).
I ftoni dy ose tre studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Alma 5:37–42. Vëreni klasën të kërkojë mënyrat se si një njeri mund ta dallojë nëse ai ose ajo është një nga delet e Shpëtimtarit. Pasi studentët tregojnë atë që kanë gjetur, bëni pyetjet vijuese:
-
Në ç’mënyrë janë njerëzit si delet që kanë nevojë për një bari?
-
Sipas Almës 5:37–38, si e tregon Bariu i Mirë dashurinë dhe përkujdesjen e Tij për delet? (Ai vazhdon t’i thërrasë ato me vetë emrin e Tij.)
-
Sipas Almës 5:41, si mund ta dallojmë nëse po i bindemi zërit të Bariut të Mirë?
-
Cilat janë disa vepra që mund të tregojnë se një njeri po e ndjek Bariun e Mirë?
Pasi të jenë përgjigjur studentët, i kërkoni një studenti të lexojë thënien e mëposhtme nga Presidenti Ezra Taft Benson, i cili përshkroi burrat dhe gratë që zotohen për ta ndjekur Jezu Krishtin. (Ju mund të dëshironi të përgatitni një kopje të kësaj thënieje për secilin student.)
“Kur zgjidhni për të ndjekur Krishtin, ju zgjidhni të ndryshoheni. …
Burrat [dhe gratë] e ndryshuara për Krishtin do të kryesohen nga Krishti. …
Vullneti i tyre përpihet brenda vullnetit të Tij. (Shih Gjoni 5:30.)
Ata gjithmonë bëjnë ato gjëra që e kënaqin Zotin. (Shih Gjonin 8:29.)
Jo vetëm ata do të vdisnin për Zotin, por për më tepër ata dëshirojnë të jetojnë për Të.
… Hyni në shtëpitë e tyre dhe pikturat në muret e tyre, librat në raftet e tyre, muzika që dëgjohet, fjalët dhe veprimet e tyre i tregojnë ata si të krishterë.
Ata qëndrojnë si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat, dhe në të gjitha gjërat, dhe në të gjitha vendet. (Shih Mosia 18:9.)
Ata kanë Krishtin në mendje, ndërsa shohin drejt Tij në çdo mendim. (Shih DeB 6:36.)
Ata kanë Krishtin në zemër, ndërsa dashuria e tyre vendoset tek Ai përgjithmonë. (Shih Alma 37:36.)
Pothuajse çdo javë ata marrin sakramentin dhe i dëshmojnë sërish Atit të tyre të Amshuar se janë të gatshëm të marrin mbi vete emrin e Birit të Tij, gjithmonë ta kujtojnë Atë dhe t’i zbatojnë urdhërimet e Tij. (Shih Moroni 4:3.)” (“Born of God”, Ensign, nëntor 1985, f. 5, 6–7).
I ftoni studentët të lexojnë në heshtje Almën 5:53–56, duke kërkuar për sjellje dhe veprime që e bëjnë të vështirë për dikë që t’i bindet zërit të Shpëtimtarit. Pas pak minutash, ftoni dy ose tre studentë t’i shkruajnë në tabelë gjetjet e tyre. I bëni t’i shkruajnë përgjigjet e tyre me qëllim që ata të mbulojnë në tabelë sa më shumë vend që është e mundshme. U kërkoni të shtojnë ndonjë sjellje apo veprim tjetër që e kanë parë përreth tyre, që e bën të vështirë për t’iu bindur zërit të Shpëtimtarit. (Përgjigjet e studentëve mund të përfshijnë lënien mënjanë [shpërfilljen] e mësimeve të Perëndisë, krenarinë, kotësinë, dhënien e zemrës pas pasurive dhe gjërave të botës, të menduarit se jemi më të mirë se të tjerët, përndjekjen e të drejtëve ose lënien pas dore të të varfërve dhe nevojtarëve. Ju mund të doni ta tërhiqni vëmendjen e studentëve te përdorimi i përsëritur nga Alma i fjalës vazhdoni, duke theksuar se populli i Zarahemlës vazhdoi në këto sjellje dhe qëndrime mëkatare.)
Krijoni një hapësirë për të shkruar në mes të tabelës duke fshirë një pjesë të përgjigjeve të studentëve. Në atë hapësirë, shkruani ndiqni zërin e Bariut të Mirë.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 5:57. I kërkoni klasës të përcaktojnë fraza që na mësojnë se si duhet t’u përgjigjemi ndikimeve të liga. (“Dilni nga të këqijat”, “veçohuni” dhe “mos prekni gjërat e tyre të papastra”.) Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë këto fraza në shkrimet e tyre të shenjta. Vini në dukje që këto fraza theksojnë nevojën për të shmangur gjithçka që mund të na korruptojë ose ndotë shpirtërisht. Për t’i ndihmuar studentët të diskutojnë se si mund t’i lënë jashtë gjërat që u shkëpusin vëmendjen, se si të mund t’i shmangin ndikimet e liga dhe se si mund ta ndjekin zërin e Bariut të Mirë, bëni pyetje të tilla si ato që vijojnë:
-
Çfarë mund të bëjë një i ri shenjtor i ditëve të mëvonshme për të qëndruar i veçuar nga të ligjtë? (Për t’i përforcuar përgjigjet e studentëve, merrni parasysh të tregoni për një shembull pozitiv që keni parë te njëri nga studentët në klasën tuaj. Ju gjithashtu mund t’i ftoni studentët të tregojnë për shembuj të mirë që kanë parë te njëri-tjetri.)
-
Sipas Almës 5:56–57, cilat janë pasojat e vazhdimit në ligësi? (Nëse vazhdojmë në ligësi, ne vërtet do të jemi të paaftë për ta dëgjuar zërin e Bariut të Mirë dhe nuk mund të numërohemi mes të drejtëve.)
Nëse keni kohë, u jepni studentëve pak minuta për ta përsiatur pyetjen vijuese. Ju mund të dëshironi t’i bëni ata t’i përgjigjen pyetjes në fletoret e klasës ose në ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta.
-
Çfarë do t’ju bënte Zoti të bënit për ta pranuar më mirë ftesën e Tij për të ardhur tek Ai? Ju mund të sugjeroni se përgjigjja mund të jetë diçka që ata ndiejnë nevojë për ta bërë më mirë ose mund të jetë diçka që ata duhet të mos e bëjnë më.)
I ftoni studentët të lexojnë në heshtje Almën 5:58–62, duke kërkuar bekime të premtuara atyre që mblidhen me Zotin dhe popullin e Tij. (Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë këto bekime në shkrimet e tyre të shenjta.)
-
Si do t’jua përmblidhnit premtimet e Zotit atyre që i binden zërit të Tij? (Edhe pse studentët mund të sugjerojnë parime të ndryshme, sigurohuni që ata kuptojnë se nëse e ndjekim zërin e Zotit [Bariut të Mirë], ne vërtet do të mblidhemi në mbretërinë e Tij. Ju mund të dëshironi ta shkruani këtë parim në tabelë.)
-
Çfarë zakonesh keni zhvilluar që ju ndihmojnë t’i bindeni zërit të Bariut të Mirë?
-
Si ju kanë ndihmuar këto zakone për të mos i përfillur ndikimet e liga të renditura në tabelë?
Dëshmoni se, kur iu bindemi fjalëve të Shpëtimtarit, ne vërtet do të jemi mes të drejtëve të cilët mblidhen në mbretërinë e Zotit.
Alma 5:43–52
Alma përmbush përgjegjësinë e tij për të predikuar pendim
U kërkoni studentëve të renditin pesë shqisat fizike (pamja, tingulli, prekja, era dhe shija). Merrni parasysh të sillni disa objekte që do t’i lejojnë studentët t’i përdorin këto shqisa.
-
Çfarë është diçka që keni mësuar nga secila prej këtyre pesë shqisave?
-
A ka ndonjë mënyrë për të ditur ose mësuar diçka pa i përdorur të pesë shqisat tuaja?
I ftoni dy ose tre studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Alma 5:44–48. I kërkoni klasës të kërkojnë atë që Alma tha se dinte dhe se si tha se e dinte atë.
-
Sipas Almës 5:48, çfarë dinte Alma?
-
Si tha Alma, çfarë ishte burimi i dëshmisë së tij?
-
Çfarë kishte bërë Alma me qëllim që ta merrte këtë dëshmi nga Fryma e Shenjtë?
-
Si mund të na ndihmojnë lutja dhe agjërimi për të fituar ose forcuar një dëshmi për ungjillin?
-
Kur e keni ndier se dëshmia juaj është forcuar nëpërmjet lutjes ose agjërimit?
Dëshmoni se ne mund ta dimë vetë, nëpërmjet Frymës së Shenjtë, se Jezu Krishti është Shëlbuesi i njerëzimit. Për ta theksuar rëndësinë e kërkimit dhe fitimit të një dëshmie vetjake se Jezu Krishti është Shëlbuesi i njerëzimit, lexoni thënien vijuese nga Plaku M. ëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Dëshmia individuale, vetjake për të vërtetën e ungjillit, veçanërisht për jetën dhe misionin hyjnor të Zotit Jezu Krisht, është thelbësore për jetën tonë të përjetshme. … Me fjalë të tjera, jeta e përjetshme bazohet në vetë diturinë tonë individuale, vetjake për Atin tonë në Qiell dhe Birin e Tij të Shenjtë. Thjesht të dimë për ta nuk mjafton. Ne duhet të kemi përvoja vetjake, shpirtërore për të na mbështetur. Këto vijnë nëpërmjet kërkimit të tyre me të njëjtën mënyrë të fortë, të përqendruar se si një njeri i uritur kërkon ushqim” (“Feasting at the Lord’s Table”, Ensign, maj 1996, f. 80).
U jepni studentëve kohë për t’i shkruar përgjigjet e tyre për pyetjen që vijon. Gjithashtu i nxitni ata të shkruajnë atë që do të bëjnë për t’i fituar ose forcuar dëshmitë e tyre për Jezu Krishtin. I nxitni ata t’i plotësojnë synimet e tyre, edhe nëse do të duhen “shumë ditë” (Alma 5:46).
-
Kur e keni ndier Frymën e Shenjtë t’ju dëshmojë që Jezu Krishti është Shëlbuesi i botës?
I ftoni studentët të lexojnë në heshtje Almën 5:49–52, duke kërkuar atë që Alma u tha njerëzve se kishin nevojë të bënin që të përgatiteshin për të trashëguar mbretërinë e qiellit.
-
Përse është pendimi thelbësor për të hyrë në mbretërinë e Perëndisë?
Për t’i ndihmuar studentët t’i zbatojnë mësimet e Almës rreth përgatitjes për të hyrë në mbretërinë e Perëndisë, i kërkoni një studenti të lexojë thënien vijuese nga Plaku Dallin Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Po sikur dita e ardhjes së Tij të ishte nesër? Sikur ta dinim që do ta takonim Zotin nesër – nëpërmjet vdekjes sonë të parakohshme ose nëpërmjet ardhjes së papritur të Tij – çfarë do të bënit ju sot? Çfarë rrëfimesh do të bënim? Çfarë praktikash nuk do të vazhdonim? Cilat llogari do t’i shlyenim? Çfarë faljesh do të jepnim? Çfarë dëshmish do të jepnim?
Nëse do t’i bënim ato gjëra atëherë, përse jo tani? Përse të mos kërkojmë paqe, ndërkohë që paqja mund të fitohet?” (“Preparation for the Second Coming”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 9).
Përfundoni duke u dhënë studentëve kohë për të përsiatur për atë që do të kishin nevojë të ndryshonin në jetën e tyre për t’u përgatitur të takojnë Shpëtimtarin dhe për të hyrë në mbretërinë e Tij. I ftoni t’i shkruajnë mendimet dhe ndjenjat e tyre që të mund t’i rilexojnë mendimet e tyre më vonë dhe të kujtohen që të vazhdojnë me nxitjet që marrin.