Mësimi 43
Jakobi 1–Jakobi 2:11
Hyrje
Pas vdekjes së Nefit, nefitët filluan të “jepe[n] pak a shumë në praktika të liga” nën sundimin e një mbreti të ri (Jakobi 1:15). Jakobi dhe vëllai i tij Jozefi patën qenë përkushtuar nga Nefi si priftërinj dhe mësues të popullit, dhe ata punonin me zell për të bindur njerëzit që të pendoheshin dhe të vinin te Krishti. Jakobi iu bind urdhërimit të Nefit për të shënuar mësimet, zbulesat dhe profecitë e shenjta në fletët e vogla.
Sugjerime për Mësimdhënien
Jakobi 1:1–8
Jakobi shënon të vërteta të shenjta dhe punon për t‘i ndihmuar të tjerët të vijnë te Jezu Krishti
Kërkojuni studentëve të japin shembuj titujsh të ndryshëm të udhëheqësve të priftërisë. (Përgjigjet mund të përfshijnë profetë dhe apostuj, Autoritete të Përgjithshme, presidentë kunji, peshkopë dhe presidentë kuorumi.) Ftojini disa studentë të tregojnë shkurtimisht disa mënyra me të cilat udhëheqësit e priftërisë kanë bekuar jetën e tyre nëpërmjet shërbimit të priftërisë.
Shpjegoni që Nefi pati përkushtuar vëllezërit e tij më të vegjël, Jakobin dhe Jozefin, si priftërinj dhe mësues të njerëzve (shih 2 Nefi 5:26; Jakobi 1:18). Ndërsa Nefi i afrohej fundit të jetës së vet, ai i dha përgjegjësi Jakobit për fletët që përmbanin analin e popullit të tyre.
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Jakobi 1:1–4. Kërkojuni atyre të gjejnë se çfarë e urdhëroi Nefi Jakobin të shënonte në fletët dhe përse. (Ju mund të doni të sugjeroni që studentët të shënojnë udhëzimet e Nefit për Jakobin.) Pasi studentët të kenë pasur mjaft kohë për të lexuar, ftoni disa prej tyre që t’i tregojnë klasës se çfarë kanë gjetur.
Nëse studentët nuk e përmendin, theksojeni frazën e fundit të Jakobit 1:4 – “për hir të popullit tonë”.
-
Çfarë do të thotë fraza “për hir të popullit tonë”? (Për përfitim të tyre.)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Jakobi 1:5–6. Kërkojini klasës të gjejë se çfarë i zbuloi Zoti Jakobit dhe Jozefit që do t’i ndihmonte ata t’i jepnin mësim popullit të tyre. (Ju mund të doni të shpjegoni se “shqetësimi [i] madh” nënkupton shqetësimin e tyre të thellë për njerëzit.)
-
Çfarë i zbuloi Zoti Jakobit dhe Jozefit? (Ai u tregoi atyre atë që do t’u ndodhte në të ardhmen nefitëve, dhe Ai zbuloi hollësira rreth ardhjes së Krishtit.)
-
Si mund t’i ketë ndihmuar njohja e këtyre gjërave Jakobin dhe Jozefin për mësimin e popullit të tyre?
Shkruani fjalën bind në tabelë. Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Jakobin 1:7–8, duke parë për atë që Jakobi dhe Jozefi donin t’i bindnin njerëzit të bënin. (Ju mund të doni të sugjeroni që studentët të shënojnë atë që gjejnë.) Ftojini disa studentë të shkruajnë në tabelë një gjë që zbulojnë.
Nga lista në tabelë, ftojini studentët të veçojnë një apo dy fraza që do të donin t’i kuptonin më mirë. Ndërsa studentët veçojnë këto fraza, pyetni nëse studentë të tjerë mund të ndihmojnë për t’i shpjeguar. Në këtë diskutim, përkufizimet pasuese mund të jenë të dobishme:
“Hynin në prehjen e tij” – Hyrje në prehjen e Zotit do të thotë të gëzosh paqe në këtë jetë dhe të marrësh “plotësi[në] e lavdisë së [Perëndisë]” në jetën tjetër (DeB 84:24).
“Konsideroj vdekjen [e Krishtit]” – Një përkufizim i konsideroj është të shikosh apo të shqyrtosh me vëmendje. Kur Jakobi shkruajti se donte t’i bindte njerëzit të “besojnë në Krisht dhe ta konsiderojnë vdekjen e tij”, ai mund të ketë dashur të thoshte se ai donte që ata të merrnin parasysh me vëmendje Shlyerjen e Jezu Krishtit, të kuptonin rëndësinë e saj dhe të fitonin dëshmi vetjake për të.
“Durojnë kryqin e tij” – Kjo frazë nënkupton gatishmërinë tonë për t’i mohuar vetes paperëndishmërinë dhe epshet e botës dhe për të mbajtur urdhërimet e Zotit (shih Joseph Smith Translation, Matthew 16:26 [në Matthew 16:24, shënimi i fundfaqes d]; Lluka 9:23; 2 Nefi 9:18). Ajo nënkupton gjithashtu gatishmërinë tonë për të duruar dhe sakrifikuar ndërsa ndjekim Shpëtimtarin.
“Mbajnë turpin e botës” – Kjo frazë nënkupton mbajtjen e urdhërimeve megjithë presionin, poshtërimin dhe kundërshtimin e botës që shpesh u vjen dishepujve të Jezu Krishtit.
Kërkojuni studentëve të përmbledhin atë që kanë mësuar nga Jakobi 1:1–8 rreth përgjegjësive të udhëheqësve të priftërisë. Ndërsa studentët japin idetë e tyre, theksoni se udhëheqësit e priftërisë punojnë me zell për të na ndihmuar të vijmë te Krishti. (Ju mund të dëshironi ta shkruani këtë parim në tabelë.)
-
Si punojnë udhëheqësit tanë të priftërisë për të na ndihmuar të vijmë te Krishti?
Jepuni studentëve disa minuta që të shkruajnë në ditarin e studimit të shkrimeve të shenjta rreth mënyrave me të cilat profetët apo udhëheqës të tjerë të priftërisë i kanë ndihmuar në një apo dy çështje që gjetën te Jakobi 1:7–8. Ftoni disa studentë të tregojnë atë që kanë shkruar. (Kujtojuni atyre që nuk ka nevojë të tregojnë ndonjë gjë që është tepër personale apo e brendshme.)
Jakobi 1:9–2:11
Jakobi i paralajmëron njerëzit rreth ligësisë së tyre
Nxitini studentët të përsiatin pyetjen vijuese gjatë pjesës tjetër të mësimit:
-
Përse udhëheqësit e Kishës na paralajmërojnë kundër mëkatit?
Jakobi shënoi se pas vdekjes së vëllait të tij Nefi, njerëzit filluan të jepen pas disa praktikave të liga. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Jakobi 1:15–16. Kërkojuni të gjejnë tri çështje që e shqetësonin Jakobin. (Kur studentët të jenë përgjigjur, ju mund të dëshironi të shkruani në tabelë fjalët pamoralshmëri, të qenit si bota dhe krenari.)
Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Jakobin 1:17–19, duke kërkuar atë që Jakobi dhe Jozefi bënë për të ndihmuar popullin e tyre. Ftojini ata të raportojnë atë që gjejnë. Ftojeni një student të shkruajë përgjigjet e tyre në tabelë.
-
Çfarë mendoni se do të thotë të marrësh një “detyrë nga Zoti”? (Jakobi 1:17). (Të mësosh çfarë Zoti do të na vinte të bënim.)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë deklaratën në vijim nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojini klasës të dëgjojë mënyrat me të cilat udhëheqësit e Kishës kërkojnë detyrat e tyre nga Zoti ndërsa përgatiten të japin mësim në konferencën e përgjithshme:
“Ndoshta ju e dini tashmë (por nëse nuk e dini duhet ta dini) se me përjashtime të rralla, asnjë burri ose gruaje që flet [në një konferencë të përgjithshme] nuk i caktohet një temë. Secili duhet të agjërojë e të lutet, të studiojë e të kërkojë, të fillojë të shkruajë, të ndalojë e të fillojë sërish, derisa ai ose ajo të ketë besim se për këtë konferencë, në këtë kohë, tema e tij ose e saj është ajo që Zoti dëshiron që ai ose ajo folëse të paraqesë, pavarësisht nga dëshirat vetjake ose parapëlqimet personale. … Secili ka qarë, është shqetësuar dhe ka kërkuar me zell drejtimin e Zotit për të udhëhequr mendimet dhe shprehjen e tij ose të saj” (“Një Flamur për Kombet”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 111).
-
Çfarë bëjnë folësit e një konference të përgjithshme për të kërkuar detyrën e tyre nga Zoti?
-
Përse është e rëndësishme të kuptohet se udhëheqësit e Kishës kërkojnë të na mësojnë atë që Zoti do që ne të dimë? Si mundet të ndikojë te qëndrimi ynë mbajtja në mendje e kësaj kur i dëgjojmë duke na mësuar?
-
Sipas Jakobit 1:19, cilat ishin përgjegjësitë e Jakobit dhe të Jozefit? (Ndërsa studentët përgjigjen, siguroni që ata të kuptojnë se udhëheqësit e priftërisë kanë një përgjegjësi të dhënë hyjnisht për të dhënë mësim fjalën e Perëndisë dhe të paralajmërojnë kundër mëkatit. Ju mund të dëshironi ta shkruani këtë të vërtetë në tabelë.)
-
Përse është bekim të kesh prindër dhe udhëheqës të Kishës që na paralajmërojnë për qëndrimet dhe sjelljet mëkatuese?
-
Çfarë fjalësh përdori Jakobi për të përshkruar se si duhej të jepnin mësim ata? Cilat do të ishin pasojat nëse ata nuk do t’i kryenin detyrat e tyre?
Kërkojuni studentëve të mendojnë rreth asaj se si do të ndiheshin nëse, si Jakobi, do të ishin në një pozitë udhëheqëse dhe do të frymëzoheshin t’i bënin thirrje popullit të pendohej për pamoralshmëri, të qenit si bota dhe krenari. Ndajeni klasën në çifte. Ftojini partnerët të lexojnë me radhë për njëri-tjetrin nga Jakobi 2:1–3, 6–7, 10–11. Kërkojuni të gjejnë fraza që tregojnë ndjenjat e Jakobit rreth detyrës së tij për t’i thirrur njerëzit për pendesë. Pas një kohe të mjaftueshme, ftoni disa studentë t’ia tregojnë klasës gjetjet e tyre.
-
Çfarë tregojnë këto fraza rreth ndjenjave të Jakobit ndaj thirrjes së njerëzve të tij për pendesë? (Sigurohuni që studentët të kuptojnë se edhe pse Jakobit iu duk e vështirë kjo përgjegjësi, ai e kreu atë sepse ai kujdesej për njerëzit dhe sepse ai donte t’u bindej urdhërave të Perëndisë.)
Për të përfunduar, vërini studentët të shkruajnë në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta rreth 1) çfarë u kanë mësuar udhëheqësit e Kishës së fundi dhe si mund ta zbatojnë atë në jetën e tyre apo 2) si mund ta zbatojnë atë që kanë mësuar sot në thirrjet e tyre në klasë apo në presidenca kuorumi, në përgjegjësitë e tyre si mësues shtëpie, apo në mundësi të tjera udhëheqjeje. (Ju mund të dëshironi t’i shkruani këto udhëzime në tabelë.) Nxitini studentët të ndjekin këshillën e udhëheqësve të tyre të priftërisë. Përfundoni duke dhënë dëshmi mbi parimet e dhëna në këtë mësim.