Mësimi 147
Ethëri 6
Hyrje
Pasi bënë përgatitjet sipas urdhërimeve të Zotit, jareditët hipën në barkat e tyre, duke besuar se Zoti do t’i ndihmonte të duronin udhëtimin e tyre të vështirë për në tokën e premtuar. Zoti dërgoi një erë që i shtyu maunet mbi valë dhe i mbuloi shumë herë në det ata, por prapë ajo erë i shtyu barkat drejt tokës së premtuar. Me vendosjen e tyre në tokën e re, njerëzit zgjodhën një mbret, me gjithë paralajmërimet nga vëllai i Jaredit.
Sugjerime për Mësimdhënien
Ethëri 6:1–12
Zoti shkakton një erë për t’i shtyrë maunet jaredite për në tokën e premtuar
Përpara se të fillojë mësimi, shkruani sa vijon në tabelë:
Theksoni se këto janë shembuj gjërash që Zoti do që ne të bëjmë. Sidoqoftë, disa njerëz mendojnë se këto gjëra janë tepër të vështira. Ftojini studentët të mendojnë për shembuj të tjerë që mund t’i shtohen listës. Shpjegoni se rrëfimi i udhëtimit të jareditëve për në tokën e premtuar përmban parime që mund të na drejtojnë kur e shohim të vështirë të bëjmë atë që Zoti urdhëron. Nxitini studentët ndërsa studiojnë Ethërin 6 që të kërkojnë parime që do t’i ndihmojnë me sfida si ato të renditura në tabelë.
Ftojeni një student të lexojë me zë Ethërin 2:24–25. Kërkojini klasës ta ndjekë, duke kërkuar për paralajmërimin e Zotit ndaj jareditëve rreth vështirësisë së udhëtimit të tyre për në tokën e premtuar.
-
Çfarë premtoi Zoti se do të bënte për t’i ndihmuar jareditët të shkonin të sigurt në tokën e premtuar?
Kujtojuni studentëve se, me qëllim që t’i rezistonin valëve dhe erës, jareditët bënë maune që ishin “[të] puthitura si një tas” (Ethëri 2:17), me vrima në krye dhe në fund që të mund të kishin hapje për ajër. Ftojeni një student të lexojë me zë Ethërin 6:1–4. Kërkojini klasës ta ndjekë dhe të gjejë mënyra të tjera se si u përgatitën jareditët për këto vështirësi.
-
Çfarë mendoni se do të thotë që jareditët nisën lundrimin “duke ia dorëzuar veten Zotit, Perëndisë së tyre”? (Ata ia besuan veten Perëndisë për kujdes dhe ruajtje.)
-
Përse mendoni se ishte e rëndësishme për jareditët t’ia dorëzonin veten Zotit, pasi patën bërë gjithçka që mund të përgatitnin vetë?
-
Përse mund të ketë qenë e vështirë të kishe besim në Zot në këtë situatë? (Në qoftë se studentët nuk përmendin sa më poshtë, ju mund të doni të theksoni se jareditët duhej të ndërtonin maunet e tyre, ata nuk mund t’i manovronin barkat e tyre dhe me shumë gjasa nuk e dinin udhën për në tokën e premtuar apo se sa do të zgjaste udhëtimi.)
Për t’i ndihmuar studentët të përfytyrojnë ngjarjet e treguara tek Ethëri 6, u kërkoni të vizatojnë një skicë të thjeshtë të maunes jaredite në fletoret e klasës apo ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta. Pastaj i vini të vizatojnë apo të renditin ngarkesat e mauneve sipas Ethërit 6:1–4.
Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë me zë nga Ethëri 6:5–11. Kërkojini klasës të shohin te vizatimet e tyre ndërsa dëgjojnë dhe të përfytyrojnë si mund të ketë qenë të udhëtoje në barka të tilla.
-
Çfarë mendoni se do të ishte e vështirë rreth të udhëtuarit në një maunë jaredite?
-
Sipas Ethërit 6:11, sa gjatë udhëtuan jareditët në këtë mënyrë?
-
Cili mendoni se është kuptimi i frazës “dallgët si male”? (Ethëri 6:6.) Si mendoni se do të ndiheshit nëse do të ishit në një maunë jaredite kur një dallgë e tillë do të bënte që ajo të “mbul[ohej] në thellësinë e detit”? (Ju mund të doni t’u kujtoni studentëve se jareditët duhej të prisnin që maunët e tyre të dilnin në sipërfaqe përpara se ata të mund të hapnin një vrimë dhe të merrnin ajër.)
Për t’i ndihmuar studentët të gjejnë një parim, pyetni:
-
Si e treguan jareditët besimin e tyre në Zot ndërsa kalonin detin? (Shih Ethëri 6:7, 9.)
-
Cilat janë disa fraza tek Ethëri 6:5–11 që përshkruajnë atë që Zoti bëri për jareditët për shkak të besimit të tyre tek Ai?
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Ethërin 6:12, duke gjetur përfundimin e udhëtimit të jareditëve.
-
Përse jareditët derdhën lotë gëzimi? Çfarë “mëshir[e] … të dashur” u pati dhënë Zoti atyre?
Për t’i ndihmuar studentët të gjejnë një parim të ilustruar nga shembulli i jareditëve, pyetni:
-
Bazuar në ato që keni mësuar nga udhëtimi i jareditëve, çfarë do të bëjë Zoti për ne kur i besojmë Atij dhe bëjmë vullnetin e Tij? (Një nga parimet që duhet të gjejnë studentët, është se, kur i besojmë Zotit dhe bëjmë vullnetin e Tij, Ai do të drejtojë rrjedhën e jetës sonë. Shkruajeni këtë parim në tabelë. Kërkojuni studentëve të përsiatin për parimin dhe të tregojnë përvoja që i kanë ndihmuar ta dinë se ai është i vërtetë. Ju gjithashtu mund të doni të thoni se si e dini që ai është i vërtetë.)
Ftojini studentët të mendojnë me kujdes se si mund t’i besojnë më mirë Zotit dhe të ndjekin drejtimet e Tij në situata të vështira me të cilat mund të përballen pikërisht tani. Shpjegoni se ata mund të zbulojnë parime të tjera tek Ethëri 6:1–12. Fshini çdo gjë në tabelë përveç thënies rreth të besuarit te Zoti. Vizatoni një maunë të thjeshtë në një anë të tabelës. Në anën tjetër, shkruani Toka e Premtuar.
-
Me çfarë mund të krahasohet toka e premtuar në planin e shpëtimit? (Jetën e përjetshme.)
-
Kur përballemi me vështirësi të jetës, si mund ta ndjekim shembullin e këtyre jareditëve? Si na ndihmon Zoti ne, siç Ai ndihmoi jareditët, gjatë udhëtimit tonë nëpër vdekshmëri? (Përgjigjet e studentëve duhet të pasqyrojnë parimin që vijon: Nëse ne besojmë në Zot, Ai do të na mbështesë kur përparojmë dhe përgatitemi të marrim jetë të përjetshme. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shkruajnë këtë parim në shkrimet e tyre të shenjta tek Ethëri 6:5–12.)
Ftojini studentët të mendojnë rreth vështirësive me të cilat janë përballur ose po përballen aktualisht në jetën e tyre. Vërini të shkruajnë në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta rreth asaj se si ndihen se i janë përgjigjur besnikërisht këtyre vështirësive dhe se si Zoti i ka mbështetur.
Nxitini disa studentë të tregojnë atë që kanë shkruar. Pastaj bëni pyetjet e mëposhtme:
-
Bazuar në ato që keni studiuar sot, çfarë këshille do t’i jepnit dikujt që është duke përjetuar fatkeqësi apo vështirësi?
Ethëri 6:13–18
Jareditët u mësuan fëmijëve të tyre të ecnin përulësisht para Zotit
Përmblidhni Ethërin 6:13–18 duke shpjeguar se, kur arritën në tokën e premtuar, jareditët filluan të krijojnë familjet e tyre dhe të rritin të lashta. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Ethërin 6:17, duke parë për çka jareditët u mësuan fëmijëve të tyre. Pastaj bëni pyetjet e mëposhtme:
-
Çfarë mendoni se do të thotë të “ec[ësh] përulësisht para Zotit”? Cilët janë disa shembuj që keni parë të njerëzve që ndjekin këtë parim? Si ju kanë nxitur prindërit tuaj dhe të tjerë që të ecni përulësisht përpara Zotit?
-
Çfarë do të thotë të mësohesh “nga lart”?
-
Çfarë lidhjeje mendoni se ka midis të ecurit përulësisht para Zotit dhe të qenit i mësuar nga lart? (Përgjigjet e studentëve duhet të pasqyrojnë parimin që vijon: Nëse ecim përulësisht para Zotit, ne mund të mësohemi nga lart.)
Ju mund të doni t’i ftoni studentët të shkruajnë rreth kohës kur ata ndien se qenë “mësua[r] nga lart”. Nxitini disa prej tyre të tregojnë atë që kanë shkruar. I ftoni studentët të ndjekin parimet e shënuara tek Ethëri 6:17.
Ethëri 6:19–30
Jareditët zgjedhin një mbret
Përmblidhni Ethërin 6:19–22 duke shpjeguar se, kur Jaredi dhe vëllai i tij u plakën, jareditët kërkonin një mbret. U thoni studentëve të kërkojnë tek Ethëri 6:23 për të gjetur se çfarë paralajmëroi vëllai i Jaredit se do të ndodhte nëse do të zgjidhnin një mbret.
Përfundoni me dëshminë tuaj për parimet në këtë mësim.