Biblioteka
Jakobi


Hyrje në Librin e Jakobit

Përse të studiohet ky libër?

Duke studiuar librin e Jakobit, studentët mund të marrin mësime të rëndësishme nga një njeri që pati besim të patundur në Jezu Krisht. Jakobi vazhdimisht dëshmoi për Shpëtimtarin dhe i ftoi njerëzit e tij dhe ata që do t’i lexonin fjalët e tij, që të pendoheshin. Ai dha mësim dhe e tregoi me vepra rëndësinë e plotësimit me zell të thirrjeve nga Zoti. Ai i paralajmëroi njerëzit e tij kundër rreziqeve nga krenaria, pasuritë dhe pamoralshmëria. Jakobi gjithashtu citoi dhe komentoi alegorinë e Zenosit për pemët e ullirit, që ilustron përpjekjet e palodhura të Shpëtimtarit për të sjellë shpëtimin e të gjithë fëmijëve të Perëndisë dhe jep një vështrim të përgjithshëm të marrëdhënieve të Perëndisë me shtëpinë e Izraelit. Në përballjen e tij me Sheremin, një anti-Krisht, Jakobi tregoi me vepra se si të përgjigjesh drejt ndaj atyre që vënë në dyshim apo kritikojnë besimin tonë.

Kush e shkroi këtë libër?

Jakobi, biri i pestë i Sarias dhe Lehit, e shkroi këtë libër. Ai u lind në shkretëtirë gjatë udhëtimit të familjes së tij për në tokën e premtuar. Në rininë e tij, Jakobi “vuajt[i] hidhërime dhe shumë brenga, për shkak të ashpërsisë së vëllezërve të [tij]” (2 Nefi 2:1). Gjithsesi, Lehi i premtoi Jakobit se Perëndia do të “shenjtëro[nte] hidhërimet e [tij] për të mirë” dhe se ai do t’i kalonte ditët e tij “në shërbimin e Perëndisë [së tij]” (2 Nefi 2:2–3). Në rininë e tij, Jakobi pa lavdinë e Shpëtimtarit (shih 2 Nefi 2:3–4). Nefi e përkushtoi Jakobin që të ishte prift dhe mësues i nefitëve (shih 2 Nefi 5:26) dhe më vonë i besoi atij fletët e vogla të Nefit (shih Jakobi 1:1–4). Si udhëheqës priftërie dhe mësues besnik, Jakobi punoi me zell për t’i bindur njerëzit e tij që të besonin në Krisht (shih Jakobi 1:7). Ai mori zbulesa lidhur me Shpëtimtarin, përjetoi shërbesa nga engjëj, dëgjoi zërin e Zotit (shih Jakobi 7:5) dhe pa Shëlbuesin e tij (shih 2 Nefi 11:2–3). Jakobi ishte babai i Enosit, të cilit ai i besoi fletët para vdekjes së vet.

Për kë u shkrua ky libër dhe përse?

Nefi e udhëzoi Jakobin që të shënonte mësimet, zbulesat dhe profecitë e shenjta “për hir të Krishtit dhe për hir të popullit tonë” (Jakobi 1:4). Jakobi iu bind këtij udhëzimi dhe i ruajti shkrimet që ai “i konsideron[te] më të çmueshme” (Jakobi 1:2). Ai shkruante: “Ne punojmë me zell për t’i gdhendur këto fjalë mbi fletë, duke shpresuar se vëllezërit tanë të dashur dhe fëmijët tanë do t’i marrin ato me zemra mirënjohëse. … Pasi, për këtë qëllim ne i kemi shkruar këto gjëra, që ata të mund të dinë se ne dinim për Krishtin dhe ne kishim një shpresë të lavdisë së tij, shumë qindra vjet para ardhjes së tij” (Jakobi 4:3–4). Jakobi komentoi mbi një çështje qendrore të shkrimeve të tij kur vërente: “Pse të mos flasim për shlyerjen e Krishtit dhe të arrijmë te një njohuri e përkryer për të … ?” (Jakobi 4:12).

Kur dhe ku u shkrua ai?

Libri i Jakobit fillon afërsisht në vitin 544 Pr.K., kur Nefi i besoi Jakobit fletët e vogla. Ai përfundon afër fundit të jetës së Jakobit, kur ai ia kaloi fletët birit të tij Enosit. Jakobi e shkroi këtë anal kur jetonte në tokën e Nefit.

Cilat janë disa tipare dalluese të këtij libri?

Libri i Jakobit jep informacion lidhur me qeverinë nefite pas vdekjes së Nefit. Nefi vajosi një burrë për ta pasuar atë si mbret dhe sundimtar të popullit, ndërsa Jakobi dhe vëllai i tij, Jozefi, vazhduan si udhëheqës shpirtërorë të nefitëve. Një karakteristikë tjetër dalluese e këtij libri është dënimi nga Jakobi i praktikës së paautorizuar të martesës me më shumë se një grua. E vetmja referencë për këtë çështje në Librin e Mormonit është te Jakobi 2. Libri i Jakobit përfshin gjithashtu kapitullin më të gjatë të Librit të Mormonit, Jakobi 5, që përmban alegorinë e Zenosit me pemët e ullirit. Për më tepër, libri i Jakobit shënon rastin e parë të një profeti të Librit të Mormonit që i paralajmëron nefitët drejtpërdrejt kundër krenarisë – mëkatit që do të shkaktonte shkatërrimin e tyre përfundimtar (shih Jakobi 2:12–22; Moroni 8:27). Ai shënon gjithashtu shfaqjen e parë të një anti-Krishti midis nefitëve.

Përmbledhje

Jakobi 1 Jakobi i bindet urdhërimit të Nefit për të mbajtur një anal të shenjtë. Nefi vdes. Jakobi dhe Jozefi shërbejnë midis njerëzve, duke u dhënë mësim atyre fjalën e Perëndisë.

Jakobi 2–3 Duke folur në tempull, Jakobi i paralajmëron nefitët kundër krenarisë, etjes për pasuri dhe imoralitetit.

Jakobi 4–6 Jakobi dëshmon për Krishtin dhe citon alegorinë e pemëve të ullirit. Ai i nxit njerëzit e tij të pendohen, të marrin mëshirën e Zotit dhe të përgatiten për gjykim.

Jakobi 7 Me ndihmën e Zotit, Jakobi e huton Sheremin, një anti-Krisht. Ai përmend konfliktet midis nefitëve dhe lamanitëve dhe ia kalon fletët e vogla Enosit.

Shtyp në Letër