Biblioteka
Mësimi 145: Ethëri 3


Mësimi 145

Ethëri 3

Hyrje

Në përgjigje të pyetjes së Zotit – “Ç’do që të bëj që të keni dritë në barkat tuaja?” – vëllai i Jaredit përgatiti gjashtëmbëdhjetë gurë dhe përulësisht i kërkoi Zotit t’i prekte ata “që të ndriço[nin] në errësirë” (Ethëri 2:23; 3:4). Për shkak se vëllai i Jaredit pati besim të madh, ai e pa gishtin e Shpëtimtarit t’i prekte gurët. Zoti atëherë e shfaqi Veten te vëllai i Jaredit dhe i zbuloi shumë gjëra. Zoti e urdhëroi vëllanë e Jaredit të shkruante atë që pati parë e dëgjuar dhe t’i vuloste këto shkrime gjersa Zoti do të donte që ato të dilnin në dritë.

Sugjerime për Mësimdhënien

Ethëri 3:1–20

Zoti prek gurët për të dhënë dritë për maunet jaredite dhe e shfaq Veten te vëllai i Jaredit

Ftojeni një student të veprojë si shkrues. Pastaj bëjuni studentëve pyetjen vijuese dhe kërkojini shkruesit të renditë përgjigjet e studentëve në tabelë.

  • Cilat janë disa gjëra për të cilat adoleshentët luten sinqerisht?

Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë sikur një nga miqtë e tyre po lutet për një nga gjërat e renditura në tabelë. Ky mik do të donte të dinte se si të përmirësonte lutjet dhe veprimet e tij apo saj, për të qenë në gjendje të marrë ndihmën dhe drejtimin nga Zoti. Nxitini studentët të mendojnë rreth kësaj kërkese ndërsa studiojnë shembullin e vëllait të Jaredit tek Ethëri 3, duke kërkuar kuptime që mund t’i ndajnë me mikun e tyre.

Kujtojuni studentëve se në mësimin e mëparshëm, ata diskutuan për rrëfimin e vëllait të Jaredit që i kërkoi Zotit se si të siguronte ndriçim në maunet jaredite.

  • Çfarë bëri vëllai i Jaredit për të ndihmuar të sigurohej ndriçim për maunet? (Shih Ethëri 3:1.)

  • Çfarë i kërkoi vëllai i Jaredit Zotit që të bënte për të siguruar ndriçim? (Shih Ethëri 3:1, 4.)

  • Çfarë ju bën përshtypje nga përpjekjet e vëllait të Jaredit?

Theksoni se vëllai i Jaredit bëri përpjekje të madhe për të përgatitur gurët. Pastaj ftojini studentët të marrin parasysh se sa të efektshëm do të kishin qenë gurët në sigurimin e ndriçimit nëse Zoti nuk do t’i kishte prekur. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Ethërin 3:2–5, duke kërkuar fraza që tregojnë se vëllai i Jaredit e njihte varësinë e tij nga Zoti.

Pasi studentët të kenë pasur kohë të lexojnë, ndajini në çifte. Kërkojuni t’ia tregojnë njëri-tjetrit gjetjet e tyre. Gjithashtu sugjeroni që të tregojnë atë që u bën përshtypje nga lutja e vëllait të Jaredit.

Ndërsa studentët lexojnë Ethërin 3:2, ata mund të kenë pyetje rreth frazave “ne jemi të padenjë para teje” dhe “natyra jonë është bërë e ligë vazhdimisht”. Ndihmojini ata të kuptojnë se, kur vëllai i Jaredit përdori këto fjalë, ai iu referua gjendjes që ne kemi trashëguar “për shkak të rënies”. Ne jemi fizikisht dhe shpirtërisht të ndarë nga Perëndia dhe ne e ndajmë edhe më shumë veten prej Tij kur mëkatojmë. Krahasuar me Atë, ne jemi të dobët dhe të padenjë. Pa ndihmën e Tij, ne nuk mund të kthehemi kurrë të banojmë në praninë e Tij.

Për t’i ndihmuar studentët të kapin më mirë kuptimin e vargjeve që kanë lexuar, bëni pyetjet vijuese:

  • Përse mendoni se është e rëndësishme për ne që të njohim varësinë tonë nga Zoti kur kërkojmë ndihmën e Tij?

  • Tek Ethëri 3:1–5, çfarë faktesh shihni që vëllai i Jaredit pati besim se Zoti mund ta ndihmonte për ta zgjidhur problemin e tij? (Kur nevojitet, i nxitni studentët të kërkojnë fraza që përshkruajnë përpjekjen e vëllait të Jaredit dhe fraza që tregojnë besimin e tij te Zoti.)

Për të theksuar fuqinë e besimit të vëllait të Jaredit, kërkojini një studenti të lexojë thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

“Sigurisht Perëndia, ashtu si edhe lexuesi, ndien diçka shumë të mrekullueshme te çiltërsia fëmijërore dhe e zjarrtë e besimit të këtij njeriu. ‘Vëre re, O Zot, ti mund ta bësh këtë.’ Ndoshta nuk ka një rresht të vetëm më të fuqishëm besimi, thënë nga njeriu në shkrimin e shenjtë. … Sado i pasigurt që është profeti rreth aftësisë së vet, ai nuk ka asnjë pasiguri rreth fuqisë së Perëndisë” (“Rending the Veil of Unbelief”, te Nurturing Faith through the Book of Mormon: The 24th Annual Sidney B. Sperry Symposium [1995], f. 12).

Tregoni figurën Vëllai i Jaredit Sheh Gishtin e Zotit (62478; Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 85). Ftojeni një student të lexojë Ethërin 3:6. Kërkojini klasës ta ndjekë dhe të përfytyrojë se si mund të ketë qenë përvoja e shenjuar në këtë varg për vëllanë e Jaredit.

Pamja
Vëllai i Jaredit Sheh Gishtin e Zotit
  • Çfarë do të mendonit apo ndienit nëse do të kishit një përvojë të ngjashme me atë të vëllait të Jaredit?

Përmblidhni Ethërin 3:6–8 duke shpjeguar se, kur vëllai i Jaredit pa gishtin e Zotit, ai “ra përpara Zotit” (Ethëri 3:6). Ai u befasua të shihte se gishti i Zotit “qe si gishti i një njeriu prej mishi dhe gjaku” (Ethëri 3:6). (Vëllai i Jaredit më vonë mësoi se ai pati parë një pjesë të trupit shpirtëror të Zotit [shih Ethëri 3:16].)

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Ethërin 3:9, duke kërkuar shkakun përse vëllai i Jaredit ishte në gjendje të shihte gishtin e Zotit.

Pasi studentët të përgjigjen, shkruani thënien e paplotë vijuese në tabelë:

Ndërsa ne përulësisht i lutemi Zotit, Ai do të na bekojë sipas … tonë dhe vullnetit të Tij.

Kërkojuni studentëve të sugjerojnë fjalë që mund të përdoren për ta plotësuar këtë thënie. Studentët duhet të sugjerojnë që fjala besim e plotëson fjalinë. Ata mund të sugjerojnë gjithashtu fjalë të tilla si përpjekje, përulësi, nevoja dhe sinqeritet. Ndihmojini të shohin se të gjitha këto fjalë përfaqësojnë shprehje të besimit tonë. Pastaj plotësojeni thënien në tabelë: Ndërsa ne përulësisht i lutemi Zotit, Ai do të na bekojë sipas besimit tonë dhe vullnetit të Tij.

Drejtojuni sërish listës në tabelë, që u bë në fillim të mësimit. Zgjidhni një ose dy elementë nga lista. Ftojini studentët të japin mendimet e tyre mbi mënyrën se si dikush mund të shfaqë besim te Zoti në ato situata të veçanta. Pasi studentët t’i kenë ndarë, drejtojuni parimit që sapo keni shkruar në tabelë.

  • Çfarë përvojash keni pasur që ju kanë ndihmuar të dini se ky parim është i vërtetë?

Për t’i ndihmuar studentët ta zbatojnë këtë parim në jetën e tyre, ftojini të mendojnë mbi një situatë në të cilën u duhet ndihma e Zotit. Jepuni kohë të shkruajnë në fletoret e klasës apo ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta rreth një mënyre si ata mund të ushtrojnë më shumë besim kur kërkojnë përulësisht ndihmën e Zotit. Nxitini studentët që t’i zbatojnë deri në fund ato që kanë shkruar. Ju mund të doni të tregoni një përvojë që keni pasur kur morët bekime ngaqë ushtruat besim te Zoti.

Ftojeni një student të lexojë thënien në vijim, ku Plaku Xhefri R. Holland shpjegon se përvojat tona të shkuara mund të përforcojnë besimin tonë.

“Besimi përgatitor formohet nga përvoja në të kaluarën – nga e njohura, e cila siguron një bazë për besim” (Christ and the New Covenant: The Messianic Message of the Book of Mormon [1997], f. 18).

  • Duke filluar te Kulla e Babelit, cilat janë disa përvoja që vëllai i Jaredit pati, të cilat me gjasa forcuan besimin e tij te Zoti? Si mendoni se e përgatitën këto përvoja atë, për të ushtruar një besim të tillë të madh kur i çoi gurët te Zoti?

Ftojini studentët të ndahen në çifte për të diskutuar për pyetjet në vijim:

  • Cilat përvoja e kanë forcuar besimin tuaj te Zoti? Si mund t’ju përgatitin ato përvoja për të ushtruar një besim edhe më të madh më vonë në jetën tuaj?

Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë me zë vargjet nga Ethëri 3:9–12. Kërkojini klasës që t’i ndjekë. Pastaj bëni pyetjen e mëposhtme:

  • Kur Zoti pyeti: “A do t’u besosh fjalëve që unë do të të them?” vëllai i Jaredit tha: “Po, Zot” (Ethëri 3:11–12). Përse mendoni se është e rëndësishme që vëllai i Jaredit do të zotohej të besonte te fjalët e Zotit përpara se t’i dëgjonte ato?

Shpjegoni se pasi Plaku Holland dha mësim rreth besimit që bazohet në përvojat e kaluara, ai dha mësim rreth një besimi më të kompletuar që duhet të zhvillojmë. Ftojeni një student të lexojë me zë thënien vijuese nga Plaku Holland:

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Besimi shëlbues duhet të ushtrohet shpesh ndaj përvojave të së ardhmes – së panjohurës, që jep një mundësi për të mrekullueshmen. Besimi këmbëngulës, besimi që lëviz male, besimi si ai i vëllait të Jaredit, paraprin mrekullinë dhe njohjen. … Besim do të thotë të biesh dakord pa kushte – dhe paraprakisht – ndaj çfarëdo kushtesh që Perëndia mund të kërkojë edhe në të ardhmen e afërt edhe në atë të largët.

Besimi i vëllait të Jaredit ishte i kompletuar” (Christ and the New Covenant, f. 18–19).

Nxitini studentët të shqyrtojnë nëse kanë mjaft besim te Zoti, për t’u zotuar të besojnë dhe të ndjekin atë që Ai do t’u zbulojë edhe përpara se Ai ta zbulojë atë.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Ethërin 3:13–20, duke parë për bekimin që vëllai i Jaredit mori për shkak të besimit të tij. Ju mund të doni t’u jepni kohë për të shkruar rreth të vërtetave që ai mësoi dhe përvojës që pati. Kur studentët të kenë pasur kohë të shkruajnë, merrni parasysh t’u kërkoni disa prej tyre të tregojnë atë që kanë shkruar.

Në fillim të këtij mësimi, kur studentët lexuan rreth vëllait të Jaredit që pa gishtin e Zotit, ju pyetët se si do të ndiheshin nëse do të kishin një përvojë të ngjashme. Tani, pasi kanë lexuar më shumë rreth përvojës së vëllait të Jaredit, ju mund të merrni parasysh ta bëni atë pyetje përsëri.

Dëshmoni se, kur ushtrojmë besim si ai i vëllait të Jaredit, ne do të vijmë më afër Zotit.

Ethëri 3:21–28

Zoti e urdhëron vëllanë e Jaredit të shkruajë gjërat që ka parë dhe ta vulosë analin e tij

Ftojeni një student të lexojë Ethërin 3:25–26 dhe i kërkoni klasës të gjejë çka Zoti i shfaqi vëllait të Jaredit në vegim. Ftojini studentët të raportojnë për atë që mësojnë.

Përmblidhni Ethërin 3:21–24, 27–28, duke shpjeguar se Zoti e urdhëroi vëllanë e Jaredit të shkruajë gjërat që pati parë e dëgjuar dhe të vulosë shkrimet e tij. Zoti shpjegoi gjithashtu se Ai do të përgatiste një mënyrë për shkrimet e vëllait të Jaredit që të përktheheshin në të ardhmen – nëpërmjet dy gurëve. Këta gurë qenë pjesë e asaj që quhet Urim dhe Thumim (shih DeB 17:1; shih gjithashtu Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Urim dhe Thumim”, f. 200–201).

Përfundojeni mësimin duke i nxitur studentët të zbatojnë atë që kanë mësuar sot – të kërkojnë mënyra për të treguar besimin e tyre te Zoti. Shprehni sigurinë tuaj se, ndërsa ushtrojmë besim te Jezu Krishti, Perëndia do të na bekojë siç bekoi vëllanë e Jaredit.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Ethëri 3:7, 9. Zoti i bën pyetje vëllait të Jaredit

Zoti i bëri pyetje vëllait të Jaredit: “Ngrihu, pse re?”(Ethëri 3:7). “Ke parë ti më shumë se këtë?”Ethëri 3:9). Shkrimet e shenjta përfshijnë shumë shembuj të Zotit që bën pyetje, edhe pse tashmë Ai i di përgjigjet. Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi përse Zoti drejton pyetje të tilla:

“Është premisë bazë e teologjisë së shenjtorëve të ditëve të mëvonshme se Perëndia ‘i di të gjitha gjërat dhe nuk ka asgjë që ai nuk e di’.[2 Nefi 9:20. ] Shkrimet e shenjta, edhe antike edhe moderne, janë plot me këtë pohim gjithëdijenie. Sidoqoftë, Perëndia shpesh ka bërë pyetje për njerëzit e vdekshëm, zakonisht si mënyrë për ta vënë në provë besimin e tyre, për të matur ndershmërinë e tyre ose për të zhvilluar diturinë e tyre” (Christ and the New Covenant: The Messianic Message of the Book of Mormon [1997], f. 19–20).

Ethëri 3:15. “Kurrë unë nuk i jam shfaqur njeriut”

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, paraqiti një shpjegim të mundshëm për thënien e Jezusit që Ai kurrë nuk e kishte shfaqur Veten te njeriu, përpara se ta shfaqte Veten te vëllai i Jaredit:

“Krishti po i thoshte vëllait të Jaredit: ‘Kurrë nuk i jam shfaqur njeriut në këtë mënyrë, pa dëshirën time, i nxitur vetëm nga besimi i vërejtësit’. Si rregull, profetët ftohen në praninë e Zotit, ftohen të hyjnë në praninë e Tij prej Tij dhe vetëm me sanksionimin e Tij. Vëllai i Jaredit, nga ana tjetër, duket ta ketë shtyrë veten përmes velit, jo si mik i pamirëpritur por ndoshta si një i paftuar nga ana teknike. … Duket qartë se Zoti Vetë po bashkonte një besim të pashembullt me këtë vegim të pashembullt. Nëse vetë vegimi nuk ishte i pashembullt, atëherë duhej të ishte besimi dhe mënyra se si ishte arritur vegimi që ishte aq e pashoqe. E vetmja mënyrë si besimi të mund të ishte aq i mrekullueshëm, ishte aftësia e tij për ta çuar profetin, të paftuar, atje ku të tjerët kishin qenë në gjendje të shkonin vetëm me ftesën e Perëndisë” (Christ and the New Covenant: The Messianic Message of the Book of Mormon [1997], f. 23).

Ethëri 3:16. “Ky trup … është trupi i shpirtit tim”

Plaku Sesil O. Samuelson, i Të Shtatëdhjetëve, theksoi se, nëpërmjet rrëfimit të vëllait të Jaredit, ne mësojmë rreth trupit paratokësor dhe perëndishmërisë së Shpëtimtarit:

“Askund në shkrimet e shenjta nuk jepet një rrëfim më i qartë për natyrën e trupit shpirtëror të Zotit Jezu Krisht dhe, vërtet, për karakteristikat e vetë shpirtrave tanë. Vëllai i Jaredit jo vetëm pa gishtin e Jezu Krishtit paratokësor por vërtet perceptoi tërë trupin e Tij shpirtëror (shih Ethëri 3:6, 13). Kuptimi i perëndishmërisë paratokësore të Jezu Krishtit së bashku me vetë identitetet tona shpirtërore përpara lindjes sonë në mish është një bekim dhe epërsi e madhe. Këto depërtime që thyejnë kufijtë tradicionalë, qenë rezultati i drejtpërdrejtë i besimit të pakufizuar të vëllait të Jaredit” (“The Brother of Jared”, në Heroes from the Book of Mormon [1995], f. 185).

Ethëri 3:23–24. “Këta dy gurë”

Dy gurët që Zoti i dha vëllait të Jaredit, qenë pjesë e asaj që është quajtur një Urim dhe Thumim. Shkrimet e shenjta i referohen më shumë se një Urimi dhe Thumimi, por ne kemi dijeninë se Jozef Smithi pati Urimin dhe Thumimin e përdorur nga vëllai i Jaredit (shih Ethëri 3:22–28; DeB 10:1; 17:1). Te Joseph Smith – Historia 1:35, Profeti Jozef jep një përshkrim të pjesshëm të këtij Urimi dhe Thumimi. Ai e përdori atë në përkthimin e Librit të Mormonit dhe në fitimin e zbulesave të tjera.

Shtyp në Letër