Biblioteka
Mësimi 49: Enosi


Mësimi 49

Enosi

Hyrje

Pas reflektimit për fjalët e atit të tij, Enosi u lut për falje dhe mori falje të mëkateve të tij. Ai atëherë u lut për mirëqenien shpirtërore të nefitëve dhe të lamanitëve dhe e kaloi jetën e tij duke punuar për shpëtimin e tyre.

Sugjerime për Mësimdhënien

Enosi 1:1–8

Pas reflektimit për fjalët e atit të tij, Enosi lutet për falje dhe merr falje për mëkatet e tij.

Shkruajini fjalët shpirti im ishte i uritur në tabelë. Ftojini studentët të mendojnë për një kohë kur ata ndiheshin shumë të uritur.

  • Cilat janë disa fjalë që do të përdornit për të përshkruar atë që ndieni kur jeni i uritur? (Studentët mund ta përshkruajnë urinë si një ndjenjë zbrazëtie, dhembjeje, dobësie apo dëshire për t’u plotësuar.)

  • Çfarë mund të thotë një person me frazën “shpirti im ishte i uritur”? (Ndjenja të zbrazëtisë shpirtërore, dhembjes apo dobësisë ose dëshirës për t’u mbushur shpirtërisht.)

Pamja
Enos Praying

Ftojini studentët të mendojnë për një kohë kur shpirti i tyre qe i uritur. Shpjegoni se sot ata do të studiojnë përvojën e një personi shpirti i të cilit qe i uritur. Paraqitni figurën Enosi duke u Lutur (62604; Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 72).

  • Çfarë dini rreth personit në pikturë? (Nëse studentët janë të pasigurt, shpjegoni se kjo është një pikturë e Enosit, që ishte nip i Lehit dhe i Sarias dhe bir i Jakobit. Atij iu besuan fletët e vogla pak pas vdekjes së atit të tij [shih Jakobi 7:27].)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Jakobi 1:1, 3. Kërkojini klasës të gjejë se si Jakobi kishte ndikuar tek Enosi. Ftojini disa studentë t’i tregojnë klasës atë që gjejnë.

Tregoni tabelën vijuese në dërrasë. (Për kursim kohe, ju mund të doni ta shkruani tabelën në dërrasë para fillimit të orës mësimore.) Tabela synon të ndihmojë grupet e studentëve të përqendrohen në hollësi të ndryshme të përvojës së Enosit ndërsa studiojnë Enosi 1:2–8.

Çfarë dëshironte Enosi

Çfarë bëri Enosi

Rezultatet e asaj që bëri Enosi

Enosi 1:2

Enosi 1: 3

Enosi 1:2

Enosi 1:4

Enosi 1:8

Enosi 1:5

Enosi 1:6

Enosi 1:8

Shpjegoni se ndërsa Enosi mendonte rreth mësimeve të atit të tij, ai përjetoi ndjenja shpirtërore që e çuan të bënte disa gjëra, të cilat më tej dhanë disa rezultate në jetën e tij.

Ndajeni klasën në tri grupe. Lexoni me zë të lartë Enosin 1:2–8. Ndërsa lexoni, vëreni grupin një të shohë për fraza që tregojnë dëshirat e Enosit. Ftojeni grupin dy të shohë për atë që Enosi bëri. Kërkojini grupit të tretë të kërkojë përfundimet e dëshirave dhe veprimeve të Enosit. (Theksoni se vargjet e renditura në tabelë përmbajnë informacion lidhur me detyrën e secilit grup.)

Pasi të keni mbaruar së lexuari Enosin 1:2–8, ftojini studentët e grupit të parë të tregojnë frazat që gjetën lidhur me dëshirat e Enosit. Ndërsa studentët përmendin këto fraza, vërini t’i shkruajnë frazat në tabelë. Ju mund të dëshironi t’i nxitni studentët që t’i shënojnë këto fraza në shkrimet e tyre të shenjta. Studentët mund të përmendin fraza të tilla si “heqje të mëkateve të mia”, “jetën e përjetshme” dhe “gëzimin e shenjtorëve”.

Pasi plotësohet kolona e parë, ftojeni klasën të lexojë kalimthi fillimin e Enosit 1:4. Vërini të gjejnë çfarë përjetoi Enosi ndërsa fjalët e atit të tij “në lidhje me jetën e përjetshme dhe me gëzimin e shenjtorëve, … hynë thellë në zemrën [e tij]” (Enosi 1:3). Studentët duhet të vënë re frazën “dhe shpirti im ishte i uritur”. (Ju mund të dëshironi t’i nxitni studentët që ta shënojnë këtë frazë në shkrimet e tyre të shenjta.)

  • Si mundet që të menduarit mbi mësimet e një profeti lidhur me jetën e përjetshme dhe gëzimin e shenjtorëve ta bëjnë shpirtin e një personi të jetë i uritur? (Kjo mund ta ndihmojë një person që të dëshirojë të jetë i denjë për të qenë me Zotin dhe të dëshirojë lumturinë që vjen nga të jetuarit e ungjillit.)

Theksoni se Enosi gjithashtu dëshironte falje të mëkateve të tij. Shpjegoni se fraza “shpirti im ishte i uritur” mund të tregojë një ndjenjë zbrazëtie shpirtërore që vjen nga mëkati. Ajo mund të tregojë edhe dëshirën e madhe të një personi për t’u afruar më shumë te Zoti dhe për të mësuar për Të.

  • Përse mëkati na bën të ndihemi shpirtërisht të zbrazët? (Mëkati bën që Fryma e Shenjtë të largohet nga ne dhe ne ndihemi të larguar nga Zoti.)

Për t’i ndihmuar studentët të lidhin përvojën e Enosit me veten, kërkojuni të shqyrtojnë në heshtje nëse kanë disa nga po ato ndjesi të urisë shpirtërore që përshkroi Enosi.

Për ta ndihmuar klasën të shohë se çfarë bëri Enosi për të kënaqur urinë e tij shpirtërore, ftojini studentët e grupit dy të tregojnë gjetjet e tyre dhe të shënojnë përgjigjet e tyre në tabelë. Përgjigjet duhet të përfshijnë sa vijon: “përleshjen … para Perëndisë”, “iu përgjërova atij në lutje të fuqishme” dhe “[ushtrova besim] në Krishtin”.

  • Si mundet që fraza “përleshjen … para Perëndisë” të përshkruajë përpjekjen e një personi për të marrë një heqje të mëkateve? (Theksoni se Enosi nuk u përlesh me Perëndinë, por para Perëndisë në lutje. Kjo përleshje tregon përpjekjen e Enosit për t’i treguar Atit Qiellor sinqeritetin e dëshirës së tij dhe të gatishmërisë së tij për t’u penduar duke bërë ndryshimet e nevojshme në jetën e tij.) Përse është përleshja një fjalë e mirë për të përshkruar përpjekjet tona për t’u penduar?

  • Te Enosi 1:4, çfarë të dhënash shihni që Enosi ishte i sinqertë ndërsa kërkonte heqje të mëkateve të tij? (Ju mund të keni nevojë t’i ndihmoni studentët të kuptojnë se përgjërim do të thotë të kërkosh përulësisht dhe me dëshirë të madhe.)

  • Në çfarë mënyrash mund ta tregojmë sinqeritetin tonë ndërsa kërkojmë faljen e Zotit? (Ju mund të dëshironi të theksoni se lutjet tona nuk kanë nevojë të jenë aq të gjata sa të Enosit, por ato duhet të jenë të sinqerta.)

Për ta ndihmuar klasën të shohë përfundimet e asaj që bëri Enosi, ftojini studentët e grupit tre të tregojnë gjetjet e tyre dhe të shënojnë përgjigjet e tyre në tabelë. Përgjigjet duhet të përfshijnë sa vijon: “mëkatet e tua të janë falur”, “fajësia ime u fshi” dhe “besimi yt të ka bërë ty të shëruar”. (Ju mund të doni të shpjegoni se të jesh i shëruar do të thotë të jesh shëruar ose pastruar nga mëkati.)

  • Sipas Enosit 1:7–8, çfarë ia mundësoi Enosit të jetë i falur dhe i shëruar? (Besimi i tij te Jezu Krishti.)

  • Çfarë mësimesh mund të marrim nga Enosi rreth procesit të marrjes së faljes për mëkatet tona? (Përveç të vërtetave të tjera që studentët mund të përmendin, sigurohuni që të kuptojnë se ndërsa ushtrojmë besim te Jezu Krishti, mëkatet tona mund të falen dhe ne mund të shërohemi. Përse ushtrimi i besimit te Jezu Krishti është i nevojshëm për ne që t’i marrim këto bekime? (Jezu Krishti shleu për mëkatet tona. Është vetëm nëpërmjet Shlyerjes së Tij që ne mund të shërohemi.)

  • Sipas Enosit 1:5–6, si e mësoi Enosi se ishte falur? (Ju mund të doni të theksoni se zëri i përmendur te Enosi 1:5 qe një zë që erdhi te mendja e Enosit [shih Enosi 1:10].)

  • Si mund ta dini se jeni falur nga mëkatet tuaja?

Si pjesë e diskutimit të pyetjes së fundit më sipër, lexoni thënien e mëposhtme nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë:

“Sapo ne të jemi penduar vërtet, Krishti do të heqë barrën e fajit për mëkatet tona. Ne mund ta dimë vetë se ne jemi falur dhe bërë të pastër. Fryma e Shenjtë do të na e vërtetojë këtë; Ai është Shenjtëruesi. Asnjë dëshmi tjetër për falje nuk mund të jetë më e madhe” (“Pikë Kthimi të Sigurt”, Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 101; Konferenca e Përgjithshme, Prill 2007, f. 125).

  • Përse është e dobishme të dimë që Krishti do të heqë barrën e fajit për mëkatet tona pasi ne të jemi penduar me të vërtetë ?

Kërkojuni studentëve të përsiaten në heshtje për pyetjet vijuese:

  • Kur keni ndier se Zoti ju ka falur për mëkatet tuaja?

  • Si e ushtruat besimin te Shlyerja e Jezu Krishtit?

  • Si e dinit se u falët?

  • A e keni ndier së fundi faljen e Zotit?

Dëshmoni që ne do të falemi ndërsa ushtrojmë besim te Jezu Krishti dhe pendohemi vërtet për mëkatet tona. Në saje të Shpëtimtarit, faji ynë mund të fshihet dhe ne mund të shërohemi.

Enosi 1:9–27

Enosi lutet për mirëqenien shpirtërore të nefitëve e të lamanitëve dhe punon me zell për shpëtimin e tyre.

Vizatojeni diagramën vijuese në tabelë. Shpjegoni se pasi Enosi u lut për veten, ai i zgjeroi lutjet e tij për të përfshirë kërkesa për mirëqenien e të tjerëve. Caktojini studentët që të punojnë në çifte. Ftojini studentët në secilin çift që me radhë të lexojnë me zë të lartë nga Enosi 1:9–14. Kërkojuni të gjejnë dy grupet e njerëzve për të cilët Enosi u lut dhe për çfarë u lut ai në secilin rast. Ndërsa studentët tregojnë çka kanë mësuar, shtoni në skemë fjalët Nefitë dhe Lamanitë në vend të pikëpyetjeve.

Pamja
skema e lutjes
  • Sipas Enosit 1:14, cilat qenë synimet e lamanitëve ndaj nefitëve?

  • Çfarë mësojmë rreth Enosit nga lutja e tij për lamanitët?

Lexoni thënien e mëposhtme nga Presidenti Hauard W. Hanter. Kërkojuni studentëve të dëgjojnë me vëmendje se si lidhet ajo me përvojën e Enosit:

“Kurdo që përjetojmë bekimet e Shlyerjes në jetën tonë, ne nuk mund veçse të kemi një shqetësim për mirëqenien e vëllezërve tanë. …

Një tregues i madh i kthimit vetjak në besim te dikush është dëshira për të ndarë ungjillin me të tjerët” (The Teachings of Howard W. Hunter, red. Clyde J. Williams [1997], f. 248–249).

  • Si lidhet kjo thënie me përvojën e Enosit? (Enosi provoi se ndërsa përjetojmë bekimet e Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne do të kërkojmë t’i ndihmojmë të tjerët të marrin shpëtim. Ju mund të doni t’i nxitni studentët që ta shkruajnë këtë parim në shkrimet e tyre të shenjta.)

Kërkojuni studentëve të studiojnë në heshtje Enosin 1:12, 15–20, duke parë për çka tregoi Enosi rreth marrëdhënies midis lutjes, besimit dhe zellit.

  • Çfarë mendoni se do të thotë të lutesh me besim?

  • Sipas Enosit 1:12, 19–20, si e tregoi zellin Enosi gjatë dhe pas lutjes së tij?

  • Çfarë mund të mësojmë rreth lutjes nga shembulli i Enosit? (Studentët duhet të jenë në gjendje të shohin se Zoti u përgjigjet lutjeve tona sipas besimit dhe zellit tonë.)

Për t’i ndihmuar studentët të shqyrtojnë mënyra me të cilat mund të ndjekin shembullin e Enosit, shkruajini thëniet e mëposhtme në tabelë ose jepuani në një fletushkë. Ftojini studentët të zgjedhin një thënie dhe t’i përgjigjen asaj në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta.

  1. Si Enosi, unë dëshiroj të marr një heqje të mëkateve të mia. Unë do t’i tregoj Zotit se jam i sinqertë në këtë dëshirë duke …

  2. Si Enosi, unë dëshiroj t’i ndihmoj anëtarët e familjes dhe miqtë e mi të vijnë te Krishti. Një person që unë do të përpiqem ta ndihmoj është … Unë do të përpiqem ta ndihmoj këtë person duke …

  3. Enosi u lut për lamanitët, që qenë konsideruar si armiq të tij. Si Enosi, unë dua të tregoj dashurinë e Zotit ndaj atyre që janë të ashpër me mua. Një mënyrë me të cilën do ta bëj këtë është …

Pasi studentët të kenë mbaruar së shkruari, vini një student të lexojë Enosin 1:26–27. Ftojeni klasën të shohë për fakte të gëzimit që përjetonte Enosi për shkak të përpjekjeve të tij. Pasi studentët të kenë treguar çfarë gjetën, nxitini të plotësojnë atë që kanë shkruar në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta. Dëshmoni se ndërsa ushtrojmë besim te Jezu Krishti, ne mund të përjetojmë falje dhe gëzim, dhe dëshirat tona për t’i ndihmuar të tjerët që të vijnë te Krishti do të rriten.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Enosi 1:2. “Unë [mora] një heqje të mëkateve të mia”

Enosi nuk e përmendi natyrën apo shtrirjen e mëkateve të tij, por më shumë përshkroi procesin e pendimit që secili prej nesh duhet ta ndërmarrë për të marrë falje hyjnore. Presidenti Spenser W. Kimball na mësoi:

“Unë e kam pëlqyer gjithmonë historinë e Enosit, që pati një nevojë të madhe. Si të gjithë ne – sepse askush prej nesh nuk është i përsosur – ai pati dalë nga udha. Sa të errëta qenë mëkatet e tij unë nuk e di, por ai shkroi: ‘Unë do t’ju tregoj për përleshjen që unë pata para Perëndisë, para se unë të merrja një heqje të mëkateve të mia’ [Enosi 1:2]. …

Çfarë bekimi dhe gëzimi është për secilin prej nesh të dijë se Ati ynë jeton dhe se ai na do, se ai na fal kur pendimi ekziston, se është gjithmonë i gatshëm të ndihmojë dhe t’u japë dashuri fëmijëve të tij të dashur” (“Pray Always”, Ensign, tetor 1981, f. 6).

Shtyp në Letër