Biblioteka
Mësimi 101: Alma 45–48


Mësimi 101

Alma 45–48

Hyrje

Pasi Alma i dha udhëzimet e fundit birit të tij, Helamanit, ai u largua nga populli i Nefit dhe nuk u dëgjua më kurrë për të. Helamani u bë një udhëheqës shpirtëror i rëndësishëm dhe kapiten Moroni u bë një udhëheqës ushtarak i rëndësishëm gjatë një periudhe të vështirë për nefitët. Amalikia, udhëheqësi i një grupi nefitësh të shkëputur, vuri në veprim një plan dredharak për të fituar fuqi mbi nefitët. Kapiten Moroni i ndihmoi nefitët ta fortifikonin veten kundër sulmeve të armiqve të tyre, në mënyrë që ata të mund të ruanin lirinë e tyre dhe lirinë e adhurimit.

Sugjerime për Mësimdhënien

Alma 45

Helamani i beson fjalët e Almës dhe fillon shërbesën e tij

Ftojini studentët të mendojnë për një intervistë që kanë pasur me një prind apo udhëheqës priftërie.

  • Çfarë lloj pyetjesh bëjnë zakonisht prindërit dhe udhëheqësit e priftërisë në intervista?

Pas një diskutimi të shkurtër, shpjegoni se, përpara se Alma t’i jepte në ngarkim birit të tij, Helamanit, analet e shenjta dhe të largohej nga toka (shih Almën 45:18–19), ai i bëri Helamanit një varg pyetjesh. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Almën 45:2–8, duke kërkuar pyetjet që bëri Alma dhe përgjigjet që dha Helamani.

  • Nefitët ishin në luftë me lamanitët kur Alma dhe Helamani bënë këtë bisedë. Si mendoni se mund ta ketë ndihmuar Helamanin besimi i vet gjatë luftës dhe gjatë gjithë shërbesës së tij?

  • Kur keni marrë forcë nga besimi juaj në Jezu Krisht, fjalët e profetëve dhe nga zotimi juaj për të zbatuar urdhërimet?

Përmblidhni Almën 45:9–19 duke u thënë studentëve se, pasi Alma profetizoi rreth shkatërrimit përfundimtar të kombit nefit, ai u largua nga toka dhe nuk u dëgjua më kurrë për të. Përpara se të largohej, ai dha një profeci të fundit. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 45:16.

  • Çfarë të vërtetash mund të mësojmë nga kjo profeci? (Studentët mund të thonë disa parime, por sigurohuni që ata të shfaqin se e kuptojnë që Zoti nuk mund ta shikojë mëkatin as me lëshimin më të vogël.)

Shpjegoni se Helamani e filloi shërbesën e tij duke caktuar priftërinj dhe mësues në Kishë nëpër tërë vendin. Ftojini studentët të hetojnë Almën 45:23–24, duke kërkuar mënyrën se si populli iu përgjigj këtyre udhëheqësve të Kishës.

  • Si iu përgjigj populli udhëheqësve të tyre të Kishës? Përse disa njerëz refuzuan t’i dëgjonin udhëheqësit e Kishës?

Alma 46

Kapiten Moroni i ngre të drejtët për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe fenë e tyre

Përmblidhni Almën 46:1–3 duke shpjeguar se ata që nuk do t’ua vinin veshin udhëheqësve të Kishës, drejtoheshin nga një burrë i quajtur Amalikia. Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Almën 46:4–5, duke parë atë që Amalikia dhe pasuesit e tij dëshironin. Ftojini studentët të shpjegojnë atë që gjejnë.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Almën 46:6–7, duke kërkuar pasojat e ndikimit të Amalikias tek ata që e ndoqën atë.

  • Çfarë ndodhi si pasojë e ndikimit të Amalikias?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Almën 46:8–10, duke kërkuar mësimet që Mormoni dëshironte që ne të mësonim prej veprimeve të Amalikias. Ju mund të nxirrni në pah se disa prej këtyre mësimeve paraqiten nëpërmjet fjalëve “kështu shohim” ose “ne shohim”. (Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë këto mësime në shkrimet e tyre të shenjta.) Studentët mund të zbulojnë mësimet e mëposhtme:

Shumë njerëz janë të shpejtë për ta harruar Zotin dhe për të bërë paudhësi.

Një njeri i lig mund të shkaktojë shumë ligësi.

Për ta krahasuar Amalikian me kapiten Moronin, kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Almën 46:11–18 dhe Almën 48:11–13, 17. Ftojeni gjysmën e klasës të hetojë atë që dëshironte Moroni. Ftojeni gjysmën tjetër të klasës të kërkojë fjalë dhe fraza që përshkruajnë se si ishte Moroni. (Ndihmojini studentët të shohin ndryshimin midis arsyeve të drejta të Moronit dhe arsyeve të liga të Amalikias. Moroni mbronte çështjen e lirisë dhe të drejtësisë, ndërsa Amalikia dëshironte fuqi dhe kërkonte t’i çonte nefitët në robëri.)

  • Bazuar në ato që lexuat, si do ta përshkruanit kapiten Moronin? Çfarë parimesh mund të mësojmë nga këto vargje? (Studentët mund të sugjerojnë disa parime të ndryshme, përfshirë të vërtetën se një njeri i drejtë mund të shkaktojë shumë drejtësi.)

  • Sipas Almës 46:11–18, për çfarë u lut Moroni? (Për bekimet e pavarësisë dhe të lirisë që të qëndronin me nefitët dhe për “çështj[en] e të Krishterëve” që ajo të favorizohej nga Perëndia.)

Moroni u lut për “çështj[en] e të Krishterëve”. Sipas Almës 46:12, cilat prej tre idealeve mendoi Moroni se duhej të mbronin dhe përkrahnin të krishterët? (Ndihmojini studentët të kuptojnë se është detyra jonë të mbrojmë familjet tona, fenë tonë dhe lirinë tonë. Shih edhe Almën 43:45–48.)

  • Çfarë sfidash ekzistojnë kundër familjeve, të krishterëve dhe lirisë sot? Cilat janë disa mënyra të përshtatshme se si mund t’i mbrojmë familjet tona, fenë tonë dhe liritë tona?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Almën 46:18–22, duke parë për atë që Moroni i kërkoi popullit të tij që të bënte. (Ju mund të sugjeroni që studentët ta shenjojnë fjalën besëlidhje në këto vargje.)

  • Çfarë lidhi besë të bënte populli? (Të ruanin të drejtat e tyre dhe fenë e tyre; të mos e braktisin Zotin; të mos shkelnin urdhërimet e Perëndisë; të mos kishin turp për të marrë emrin e Krishtit mbi vete.)

  • Sipas Almës 46:22, çfarë bëri populli si shenjë të besëlidhjes që lidhi? (Ata copëtuan, ose grisën, rrobat e tyre dhe i hodhën copat te këmbët e Moronit.)

Mbani në dorë një copë rrobe dhe griseni në dysh. Ju mund të dëshironi të shpjegoni se përmes copëtimit ose grisjes së rrobave të tyre, populli po tregonte zotimin e tij ndaj besëlidhjes që kishte bërë.

  • Sipas Almës 46:21–22, çfarë tha populli se duhej të ndodhte nëse e thyenin besëlidhjen e tyre?

  • Si ju ndihmon kjo të kuptoni natyrën e rëndësishme të besëlidhjeve që bëjmë me Perëndinë?

Kujtojini studentët se Moroni dhe populli i tij po përballeshin me armiq që donin t’i shkatërronin.

  • Sipas Almës 46:18, çfarë tha Moroni se mund ta çonte popullin e tij në shkatërrim?

Shkruani sa vijon në tabelë: Nëse i mbajmë besëlidhjet tona, Perëndia do të …

Ftojini studentët të tregojnë se si mund ta plotësojnë thënien bazuar në atë që kanë mësuar nga Alma 46:18–22. Gjithashtu kërkojuni atyre të japin një shembull të mënyrës se si ata e dinë se thënia është e vërtetë. Përgjigjet mund të ndryshojnë. Përmblidhini përgjigjet duke e plotësuar frazën në tabelë si vijon: Nëse i mbajmë besëlidhjet tona, Perëndia do të na bekojë. Nxitini studentët të kërkojnë fakte që e mbështesin këtë parim, ndërsa studiojnë kapitujt e mbetur tek Alma. Ju mund të dëshironi të tregoni rreth një rasti kur Zoti ju bekoi për nderimin e besëlidhjeve tuaja.

Përmblidhni Almën 46:29–41. Shpjegoni se Amalikia dhe pasuesit e tij e kuptuan se ishin më të paktë në numër, prandaj shkuan në tokën e Nefit duke kërkuar të bashkoheshin me lamanitët. Ushtria e Moronit nuk e lejoi pjesën më të madhe të grupit të Amalikias të arrinte në tokën e Nefit. Shumë prej pasuesve të Amalikias hynë në besëlidhje për ta mbështetur lirinë. Ata pak të cilët nuk dëshironin të hynin në besëlidhje, u vranë. Amalikia dhe një numër i vogël i burrave të tij u arratisën dhe u bashkuan me lamanitët.

Alma 47

Amalikia, me mashtrim, bëhet mbret i lamanitëve

Pyetni studentët se si do të ndiheshin nëse do të ishin në një lojë konkurruese ose një garë tjetër dhe do të kishin në zotërim një libër, i cili përmbante një listë të gjërave që kundërshtari i tyre kishte për qëllim të bënte për ta fituar konkurrimin. Tregojuni studentëve se, duke e krahasuar Almën 47 me veten tonë, ne mund të marrim disa mësime të rëndësishme rreth taktikave të Satanit në përpjekjen për të na mposhtur.

Përmblidhni Almën 47:1–6 duke iu treguar studentëve se Amalikia nuk hoqi dorë nga qëllimi i tij për të fituar fuqi mbi nefitët. Ai sajoi një plan dredharak për ta rrëzuar mbretin e lamanitëve nga froni dhe për t’u bërë mbreti i tyre, që përfundimisht të mund t’i bënte lamanitët të luftonin kundër nefitëve. Kur Amalikia u bashkua me lamanitët, ai fitoi përkrahjen e mbretit të tyre, i cili i dha komandën mbi një pjesë të ushtrisë lamanite. Mbreti e urdhëroi Amalikian dhe ushtrinë e tij të ndiqnin një grup të pabindur të ushtrisë lamanite, të drejtuar nga një njeri i quajtur Lehonti. Amalikia u urdhërua ta detyronte ushtrinë e Lehontit të ngrinte armët kundër nefitëve, por Amalikia kishte plane të tjera.

Ftojini studentët ta studiojnë Almën 47:7–19 sikur ata të ishin [në vend të] Lehontit dhe sikur Amalikia të ishte Satani. Kërkojuni ta lexojnë në heshtje Almën 47:7–10, duke parë vendin se ku shkoi Lehonti për të mbrojtur ushtrinë e tij dhe se çfarë u përpoq Amalikia që ta detyronte të bënte Lehontin.

  • Ku e mblodhi Lehonti ushtrinë e tij në përgatitje për luftë? Çfarë epërsie ka një ushtri nëse është në një vend më të lartë sesa armiku i saj?

  • Çfarë dëshiroi Amalikia që të bënte Lehonti? Cilat janë disa taktika që përdor Satani për të na bërë të zbresim nga vendi më i lartë? (Përgjigjet e mundshme përfshijnë tundimin për të ulur standardet tona dhe joshjen për të shkuar në vende ku nuk jemi të sigurt shpirtërisht.)

Ftoni disa studentë të lexojnë me zë të lartë sipas radhës nga Alma 47:11–19. Kërkojini klasës që t’i ndjekë, duke marrë parasysh se si taktikat e Amalikias mund të krahasohen me taktikat që përdor Satani për të na shkatërruar.

  • Në ç’mënyra qenë taktikat e Amalikias të ngjashme me taktikat që përdor Satani për të na shkatërruar? (Përgjigjet e mundshme përfshijnë se Satani është këmbëngulës, mashtrues, dinak dhe keqdashës.)

  • Cilët janë disa shembuj të mënyrave që kërkon Satani për të na helmuar “pak nga pak”?

Përmblidhni Almën 47:20–36 duke shpjeguar se Amalikia vazhdoi të mashtronte dhe të vriste derisa u bë mbreti i lamanitëve. Theksoni se qëllimet dhe taktikat e Amalikias ngjanin shumë me qëllimet dhe taktikat e Satanit kundrejt nesh. Shkruani në tabelë parimin vijues: Satani kërkon të na shkatërrojë dhe na josh pak nga pak për të ulur standardet tona.

Alma 48

Kapiten Moroni i frymëzon nefitët të jenë të përgatitur dhe besnikë

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Almën 48:7–10, duke kërkuar për atë që Moroni po bënte ndërkohë që Amalikia po kërkonte pushtet mes lamanitëve.

  • Çfarë ishte duke bërë Moroni ndërkohë që Amalikia po kërkonte pushtet mes lamanitëve?

  • Çfarë bëri Moroni për të forcuar popullin e tij dhe qytetet e tyre kundër sulmeve të ardhshme? Cilave vende të veçanta u kushtoi vëmendje të posaçme Moroni?

Jepuni studentëve kohë për të medituar mbi zonat e dobësisë në jetën e tyre dhe se çfarë mund të bëjnë për t’i forcuar këto zona. Kërkojuni t’i shkruajnë mendimet e tyre.

  • Sipas Almës 48:10, përse Moroni punoi kaq shumë për ta fortifikuar popullin e tij kundër sulmeve të armiqve të tyre? (Theksoni se Moroni donte të ndihmonte që të ruhej liria e nefitëve për ta ushtruar fenë e tyre.)

  • Cilët janë disa shembuj të gjërave që na mësojnë udhëheqësit bashkëkohorë të Kishës për të na ndihmuar që t’i fortifikojmë zonat tona të dobësive shpirtërore?

  • Përse punojnë kaq shumë udhëheqësit e Kishës për të na fortifikuar shpirtërisht?

Sigurojini studentët se, kur e ndjekim këshillën e shërbëtorëve të Zotit, ne do të jemi të fortifikuar kundër tundimit.

Nxitini studentët të vëzhgojnë me kujdes kapitujt e mbetur të Almës për parime rreth vlerës së mbajtjes së besëlidhjeve dhe rëndësisë së fortifikimit të vetvetes për t’i bërë ballë Satanit.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Alma 46:21–22. Rëndësia e besëlidhjeve

Plaku Pol Koliker, i Të Shtatëdhjetëve, dëshmoi për rëndësinë e hyrjes në besëlidhje:

“Kushtimi e një vëmendjeje të kujdesshme bërjes së besëlidhjeve është vendimtar për shpëtimin tonë të përjetshëm. Besëlidhjet janë marrëveshje që bëjmë me Atin tonë Qiellor, në të cilat ne i zotojmë zemrat, mendjet dhe sjelljet tona për t’i zbatuar urdhërimet e përcaktuara nga Zoti. Kur jemi besnikë në mbajtjen e marrëveshjes tonë, Ai besëlidh, ose premton, të na bekojë, përfundimisht me gjithçka që Ai ka” (“Gospel Covenants Bring Promised Blessings”, Ensign ose Liahona, nëntor 2005, f. 94).

Alma 48:19. “[Jo] më pak [i] dobishëm”

Presidenti Hauard Hanter shpjegoi atë që Mormoni donte të thoshte kur shkroi se Helamani ishte “[jo] më pak [i] dobishëm ndaj popullit, sesa ishte Moroni”.

“Edhe pse Helamani nuk binte po aq në sy apo nuk ishte po aq i shquar sa Moroni, ai ishte po aq i dobishëm; që do të thotë, ishte po aq ndihmues ose me vlerë sa Moroni.

Jo të gjithë ne do të jemi si Moroni, duke marrë brohoritjet e kolegëve tanë gjithë ditën, çdo ditë. Shumica prej nesh do të jenë njerëz të heshtur, relativisht të panjohur që vijmë e shkojmë dhe bëjmë punën tonë pa trumbetim. Atyre prej jush që mund ta shikojnë këtë si vetmi apo frikë, ose thjesht jombresëlënëse, unë ju them, ju jeni ‘[jo] më pak [i] dobishëm’ sesa më mbresëlënësit e kolegëve tuaj. Ju, gjithashtu, jeni pjesë e ushtrisë së Perëndisë.

Për shembull, merrni parasysh, shërbimin e vazhdueshëm që një nënë ose baba jep në fshehtësinë e qetë të një shtëpie të denjë të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. Mendoni për mësuesit e Doktrinës së Ungjillit dhe drejtueset e muzikës në Fillore dhe udhëheqësit e Skautizmit dhe mësueset vizitore të Shoqatës së Ndihmës, që u shërbejnë milionave dhe i bekojnë ata, por emrat e të cilëve nuk do të duartrokiten apo nxirren publikisht në mediat kombëtare.

Dhjetëra mijëra njerëz të panjohur bëjnë të mundur mundësitë dhe lumturinë tonë çdo ditë. Sikurse shpallin shkrimet e shenjta, ata janë ‘[jo] më pak të dobishëm’ sesa ata jetët e të cilëve janë në faqet e para të gazetave.

Qendra e vëmendjes së historisë dhe përkujdesja e sotme tepër shpesh përqendrohen tek individi sesa tek masa” (“No Less Serviceable”, Ensign, prill 1992, f. 64).

Shtyp në Letër