Biblioteka
Mësimi 106: Helamani 1–2


Mësimi 106

Helamani 1–2

Hyrje

Pasi vdiq Pahorani, mes nefitëve buroi një grindje se cili duhej të ishte kryegjykatësi tjetër. Biri i tij, Pahorani, u emërua me anë të zërit të popullit. Megjithatë, kryegjykatësi i ri u vra nga Kishkumeni, i cili vepronte si pjesë e një lidhjeje të fshehtë. Duke përfituar nga kjo grindje dhe përçarje, lamanitët pushtuan kryeqytetin e Zarahemlës. Nefitët rimarrin Zarahemlën dhe Kishkumeni vritet teksa përpiqet të vrasë Helamanin (bir i Helamanit), kryegjykatësin e ri.

Sugjerime për Mësimdhënien

Helamani 1

Grindja i përçan nefitët dhe i lejon lamanitët ta pushtojnë Zarahemlën

Përpara orës së mësimit, shkruani në tabelë sa vijon:

Helamani 1:1–4. Çfarë e shkaktoi grindjen dhe ndarjet mes popullit nefit?

Helamani 1:5–8. Cili u caktua kryegjykatës dhe si reaguan dy vëllezërit e tij?

Për ta filluar mësimin, kërkojuni studentëve të përshkruajnë dallimet mes diskutimit të një çështjeje dhe grindjes mbi një çështje. Nëse studentëve u nevojitet ndihmë për t’i kuptuar këto dallime, kërkojuni që të marrin parasysh situatat në vijim dhe të përcaktojnë se cilat janë shembuj grindjeje. (Ata duhet të përcaktojnë situatën e dytë dhe të tretë.)

  1. Shpjegimi i pikëpamjes suaj nëpërmjet bindjes miqësore dhe fakteve

  2. Shfaqja e mungesës së respektit ndaj një personi, pikëpamjet e të cilit janë të ndryshme nga tuajat

  3. Mendimi se, të fitosh në një diskutim, është më e rëndësishme sesa mirëqenia e një personi tjetër

Ftojini studentët që të kërkojnë rreziqet e grindjes, ndërsa studiojnë Helamanin 1. Nxitini të shqyrtojnë personalisht mënyrat se si grindja mund të jetë e dukshme në jetën e tyre.

Kërkojuni studentëve t’i lexojnë në heshtje fragmentet e shkrimit të shenjtë që keni shkruar në tabelë, duke kërkuar të gjejnë përgjigjet e pyetjeve përkatëse. Ftojini t’i raportojnë ato që gjejnë.

Vizatoni në tabelë një rrugëkalim dhe emërtojeni me fjalën grindje.

Pamja
rrugëkalimi

Shpjegoni se grindja mund të jetë si një rrugëkalim që të çon drejt mëkateve dhe pasojave të tjera negative. Ftojeni një student ta lexojë me zë Helamanin 1:9.

Kërkojini klasës të përcaktojë se ku çoi përfundimisht grindja mes nefitëve. (Vrasja.) Shkruani në tabelë vrasja, diku gjatë rrugëkalimit që keni vizatuar.

Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Helamanin 1:10–12, duke përcaktuar se çfarë bënë Kishkumeni dhe ata që e kishin dërguar atë, për të mbuluar vrasjen që kishin kryer.

  • Përse do të dëshironin Kishkumeni dhe pasuesit e tij t’i mbanin sekret veprimet e tyre?

  • Cilët janë disa shembuj të ditëve moderne për njerëzit që përpiqen t’i mbajnë të fshehta veprimet e tyre të padrejta? (Përgjigjet mund të përfshijnë të gënjesh prindërit apo në intervista me peshkopin ose presidentin e degës.)

  • Përse do të ishte pamaturi që të ndihmoje dikë tjetër t’i mbulonte mëkatet e veta?

Ftojeni një student ta lexojë me zë Helamanin 1:18–21. Kërkojini klasës ta ndjekë dhe të përcaktojë pasojat e tjera të grindjes së nefitëve. Teksa studentët i raportojnë ato që gjejnë, kërkojuni t’i shkruajnë përgjigjet e tyre diku mbi rrugëkalimin në tabelë. Gjithashtu ju mund t’i ftoni të sugjerojnë e të shkruajnë të tjera pasoja grindjeje që kanë parë.

Përmblidheni Helamanin 1:22–30 duke shpjeguar se, pasi lamanitët mposhtën Zarahemlën, ushtritë nefite i mundën ata në një betejë ku u vranë shumë veta.

Ftojini studentët që lidhur me grindjen të përmbledhin një parim që e kanë mësuar nga studimi i Helamanit 1. Një parim që studentët mund të përcaktonin, është që grindja na bën të cenueshëm nga ndikimi i kundërshtarit. Do të ishte mirë ta shkruani këtë në tabelë.

Që t’i ndihmoni studentët ta kuptojnë më mirë këtë parim e ta zbatojnë në jetën e tyre, merrni parasysh t’u bëni disa nga pyetjet që vijojnë:

  • Nëse një e re ka bërë fjalë me prindërit lidhur me miqtë e saj, si mund të ndikonte kjo mbi qëndrimin e saj ndaj këshillës së prindërve në sfera të tjera të jetës së saj?

  • Nëse vëlla e motër kanë qenë grindavecë, si mund të ndikonte sjellja e tyre në marrëdhënien e tyre afatgjatë. Si mund të ndikonte ajo tek e gjithë familja?

  • Në ç’mënyrë grindja në një lagje ose degë mund t’i bëjë anëtarët e Kishës më të cenueshëm nga sulmet e Satanit?

  • Nëse një i ri ka ndjenja zemërimi kundrejt dikujt në kuorumin e tij të priftërisë, si mund të ndikonin ndjenjat e tij te veprimet e tij në kishë? Si mund të ndikonin ato te pjesëmarrja e tij në kishë?

  • Në ç’mënyrë mund të na dobësonin ndjenjat kundërshtuese kur përballemi me tundimin?

Ftojini studentët të sugjerojnë situata të tjera në të cilat grindja mund të na bëjë të dobët e të cenueshëm nga planet e kundërshtarit.

Jepuni studentëve kohë që të mendohen për sfera të jetës së tyre ku ata mund të jenë duke kontribuar për ndjenja grindjeje. Ftojini që të përcaktojnë një veprim të veçantë që ata mund të bëjnë për të shmangur sjelljen grindavece.

Helamani 2

Helamani bëhet kryegjykatës dhe shërbëtori i tij e pengon Kishkumenin që t’i marrë jetën

  • Përse është më mirë ta spastrosh një padrejtësi, sesa ta mbulosh atë?

  • Përse mund të donte dikush ta mbulonte diçka që ai ose ajo ka bërë?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Helamani 2:3–4 dhe DeB 58:43.

  • Sipas këtyre vargjeve, cili është ndryshimi mes mënyrës se si dëshiron Zoti që ta trajtojmë mëkatin dhe mënyrës si e trajtonin mëkatin hajdutët e Gadiantonit?

Shpjegoni që te Helamani 2 ne lexojmë për përpjekjen e Kishkumenit për të vrarë Helamanin, kryegjykatësin vijues. Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë sikur ata janë gazetarë të caktuar që të raportojnë përpjekjen për vrasjen e kryegjykatësit. Ftojini të lexojnë bashkë me një partner Helamanin 2:2–9 dhe të shkruajnë një titull për të përmbledhur çfarë ndodhi. Kërkojuni disa studentëve t’ua lexojnë titujt e tyre klasës.

Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Helamanin 2:10–11, duke kërkuar të gjejnë veprimin që ndërmori Helamani kundër hajdutëve të Gadiantonit. Kërkojuni studentëve që t’i përmbledhin këto vargje.

Shpjegoni se banda e Gadiantonit është shembull i një lidhjeje të fshehtë. Ftojeni një student ta lexojë me zë Helamanin 2:12–14. Kërkojini klasës të përcaktojë ndikimin që patën mbi nefitët lidhjet e fshehta.

  • Çfarë mund të mësojmë nga këto vargje lidhur me rrezikun e lidhjeve të fshehta? (Ndërsa studentët përgjigjen, sigurohuni që të jetë e qartë kjo e vërtetë: Lidhjet e fshehta mund të çojnë në shkatërrimin e shoqërive. Mund të jetë mirë të shpjegoni se, përveç që shkaktuan shkatërrimin e nefitëve, lidhjet e fshehta çuan në shkatërrimin e jareditëve, për të cilët studentët do të lexojnë te libri i Ethërit; shih Ethëri 8:20–21.)

Lexoni thënien e mëposhtme nga Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojuni studentëve të dëgjojnë me vëmendje për shembuj të lidhjeve të fshehta sot:

Pamja
Plaku M. Rasëll Ballard

“Libri i Mormonit mëson se lidhjet e fshehta që merren me krimin, paraqitin një sfidë serioze, jo vetëm për individët dhe familjet, por për mbarë qytetërimet. Ndër lidhjet e fshehta të sotme janë bandat, kartelet e drogës dhe familjet e krimit të organizuar. …

Nëse ne nuk jemi të kujdesshëm, lidhjet e fshehta të sotme mund të fitojnë pushtet dhe ndikim po aq shpejt dhe po aq plotësisht, siç arritën ato në kohët e Librit të Mormonit. …

… [Djalli] i përdor lidhjet e fshehta, përfshirë bandat, ‘nga brezi në brez, sipas mundësisë [për të vënë] nën kontroll zemrat e fëmijëve të njerëzve’. [Helamani 6:30.] Synimi i tij është që të shkatërrojë individë, familje, komunitete dhe kombe. [Shih 2 Nefi 9:9.] Deri diku, ai ishte i suksesshëm gjatë kohëve të Librit të Mormonit. Dhe po arrin shumë më tepër sukses sot. Kjo është arsyeja pse është aq e rëndësishme që ne … të kemi një qëndrim të patundur për të vërtetën dhe të drejtën duke bërë ç’të mundim për të ndihmuar t’i mbajmë të sigurta komunitetet tona” (“Standing for Truth and Right”, Ensign, nëntor 1997, f. 38).

Ftojini studentët të mendohen se në ç’mënyra mund të gjejë zbatim mësimi i Plakut Ballard. Ftojini që të shkruajnë në fletore apo në ditarë studimi të shkrimeve të shenjta se çfarë do të bëjnë për të shmangur çdo formë lidhjeje të fshehtë dhe çfarë do të bëjnë për të “[pasur] një qëndrim të patundur për të vërtetën dhe të drejtën” në komunitetet e tyre.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Helamani 1:1–21. Grindja është shkatërrimtare

Libri i Helamanit rrëfen për një periudhë ligësie të madhe mes nefitëve. Hajdutët e Gadiantonit lulëzuan dhe populli përjetoi cikle ligësie, shkatërrimi dhe pendese, vetëm për t’u rikthyer te ligësia. Shumë nga këto telashe filluan me grindjen, sikurse përshkruhet në kapitullin e parë të Helamanit. Disa njerëz gjykojnë se grindja është mëkat i vogël. Mirëpo, dy thëniet e mëposhtme nga profetë të ditëve të mëvonshme theksojnë seriozitetin e këtij mëkati:

Presidenti Xhejms E. Faust, nga Presidenca e Parë, paralajmëroi: “Kur ka grindje, Shpirti i Zotit do të largohet, pavarësisht se kush është në faj” (“What I Want My Son to Know before He Leaves on His Mission”, Ensign, maj 1996, f. 41).

Plaku Jozef B. Uirthlin, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, paralajmëroi: “Mëkatet e korrupsionit, pandershmërisë, konfliktit, grindjes dhe të këqijave të tjera në këtë botë, nuk janë këtu rastësisht. Ato janë dëshmi të përpjekjes së papajtueshme të Satanit dhe të atyre që e ndjekin. Ai përdor çdo mjet e mënyrë që ka në dispozicion, për të mashtruar, ngatërruar dhe çorientuar” (“Deep Roots”, Ensign, nëntor 1994, f. 76).

Në dallim me ndikimin shkatërrues të grindjes, Presidenti Henri B. Ajring, nga Presidenca e Parë, theksoi unitetin dhe paqen që sjell Shpirti i Zotit:

“Aty ku njerëzit e kanë atë Shpirt me vete, mund të presim harmoni. Shpirti e vendos dëshminë e së vërtetës në zemrën tonë, gjë që i bashkon ata që e shprehin atë dëshmi. Shpirti i Perëndisë asnjëherë nuk krijon grindje (shih 3 Nefi 11:29). Asnjëherë nuk krijon ndjenja të dallimeve midis njerëzve të cilat çojnë në konflikt (shih Joseph F. Smith, Gospel Doctrine, bot. 13-të (1963), f. 131). Ai të çon drejt paqes dhe një ndjenje bashkimi me të tjerët. Ai i bashkon shpirtrat njerëzorë. Një familje e bashkuar, një Kishë e bashkuar dhe një botë në paqe varen nga shpirtrat e bashkuar” (“That We May Be One”, Ensign, maj 1998, f. 67).

Shtyp në Letër