Biblioteka
Njësia 4 e Studimit në Shtëpi


Mësimi i Studimit në Shtëpi

1 Nefi 15–19 (Njësia 4)

Materiali Përgatitor për Mësuesin e Studimit në Shtëpi

Përmbledhje e Mësimeve të Studimit të Përditshëm në Shtëpi

Përmbledhja e mëposhtme e doktrinave dhe e parimeve që studentët mësuan ndërsa studiuan kapitujt 1 Nefi 15–19 (Njësia 4) nuk ka për qëllim që të jepet si pjesë e orës tuaj mësimore. Mësimi që jepni, përqendrohet vetëm te disa nga këto doktrina dhe parime. Ndiqni nxitjet e Shpirtit të Shenjtë ndërsa i mbani parasysh nevojat e studentëve.

Dita 1 (1 Nefi 15)

Nefi dhe vëllezërit e tij reaguan ndryshe ndaj profecive të Lehit. Nga studimi i veprimeve të Nefit, studentët zbuluan që, nëse i kërkojmë Zotit me besim dhe u bindemi urdhërimeve të Tij, ne do të jemi të përgatitur të marrim zbulesë dhe drejtim prej Tij. Nefi e shpjegoi kuptimin e shufrës së hekurit, duke treguar se studimi dhe ndjekja e fjalës së Perëndisë çdo ditë na forcon ne kundër tundimeve të Satanit.

Dita 2 (1 Nefi 16)

Nga reagimet e Lamanit dhe të Lemuelit ndaj mësimeve të Nefit, studentët panë se “fajtorët e marrin të vërtetën të jetë e rëndë” (1 Nefi 16:2). Kur Nefi theu harkun, ai tregoi se nëse ne bëjmë gjithçka që mundemi dhe kërkojmë drejtimin e Zotit, Zoti do të na ndihmojë gjatë vështirësive tona. Nga studimi i mënyrës se si Liahona e drejtoi familjen e Lehit, studentët mësuan se “nëpërmjet mjeteve të vogla, Zoti mund të shkaktojë gjëra të mëdha” (1 Nefi 16:29).

Dita 3 (1 Nefi 17)

Nefi rrëfeu qëndrimin e familjes së tij në vendin e shkretë dhe mbërritjen në tokën Begati. Kur u urdhërua të ndërtonte një anije, ai tregoi që nëse i mbajmë urdhërimet, atëherë Zoti do të na forcojë dhe do të na sigurojë mjetet që ne të plotësojmë atë që Ai ka urdhëruar. Zoti u bëri thirrje për pendim në disa mënyra vëllezërve të Nefit. Studentët mësuan se Fryma e Shenjtë zakonisht flet me një zë të qetë e të ulët që më shumë e ndiejmë sesa e dëgjojmë. Ata renditën situata dhe vende që do t’i pengonin ata ta dallonin zërin e qetë e të ulët.

Dita 4 (1 Nefi 18–19)

Shembulli i Nefit në ndërtimin e anijes u tregoi studentëve se për të plotësuar atë që Zoti urdhëron, ne duhet të kërkojmë ndihmën e Tij dhe të vëmë në punë përpjekjet tona vetjake. Studimi i udhëtimit të familjes së Lehit për në tokën e premtuar u mësoi se mëkati çon në vuajtje për veten tonë dhe ndonjëherë për të tjerët. Shembulli i Nefit kur ai u përndoq nga vëllezërit e tij, u mësoi se ne mund të shikojmë te Perëndia dhe të qëndrojmë besnikë gjatë sprovave tona dhe se lutja mund të na ndihmojë të gjejmë paqe gjatë sprovave tona.

Hyrje

Këtë javë studentët studiuan ngjarje të rëndësishme që ndodhën teksa familja e Lehit udhëtoi përmes vendit të shkretë dhe oqeanit për në tokën e premtuar. Ky mësim do t’i ndihmojë studentët t’i rishikojnë ato ngjarje dhe të diskutojnë e të dëshmojnë për parimet që mësuan. Ndihmojini studentët të dallojnë se si Nefi qëndroi besnik në rrethana të vështira. Nxitini ata të ndjekin shembullin e tij të bindjes dhe mirëbesimit te Zoti gjatë kohëve të vështira.

Sugjerime për Mësimdhënien

1 Nefi 15–18

Nefi bëhet shembull i bindjes dhe i mirëbesimit te Zoti gjatë sprovave

Nëse figurat e mëposhtme janë të disponueshme, përgatituni për t’i paraqitur ato:

  • Liahona (62041; Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 68)

  • Nefi i Nënshtron Vëllezërit e Tij Rebelë (62044; Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 70)

  • Lehi dhe Njerëzit e Tij Arrijnë në Tokën e Premtuar (62045; Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 71)

Për t’i ndihmuar studentët që ta këqyrin dhe ta kuptojnë sfondin e asaj që studiuan këtë javë, paraqitini figurat në mënyrë rastësore dhe bëjini studentët t’i vendosin në rend kronologjik. Ftojini ata të përfytyrojnë se janë redaktorë lajmesh dhe u duhet të shkruajnë një titull kryesor me tri deri në gjashtë fjalë për secilën figurë. Paraqitini figurat sipas rendit dhe kërkojini klasës të përgjigjet me nga një titull kryesor. Ju mund të dëshironi t’i lexoni me zë të lartë përmbledhjet e kapitullit për 1 Nefin 15–18 për t’u dhënë atyre disa ide.

Për t’i përgatitur studentët që të diskutojnë për kapitullin 1 Nefi 15, vërini ata të tregojnë rreth një veprimtarie në të cilën marrin pjesë, që kërkon përpjekje nga ana e tyre përpara se të jenë në gjendje t’i gëzojnë rezultatet. Këto mund të përfshijnë veprimtari të tilla si detyra shkolle, luajtja e një instrumenti muzikor ose atletika.

Shkruani në tabelë 1 Nefi 15:2–3, 7–11 dhe jepuni studentëve kohë për t’i lexuar këto vargje. Pyetini ata se përse vëllezërit e Nefit nuk morën të njëjtën kuptueshmëri që mori Nefi lidhur me zbulesat e Lehit.

Pasi t’i dëgjoni përgjigjet e tyre, ndihmojini ata të dallojnë se marrja e frymëzimit dhe e drejtimit nga Zoti së pari kërkon jetesë me drejtësi, përpjekje dhe besim nga ana jonë. Ju mund të dëshironi ta nënvizoni këtë parim duke e shkruar atë në tabelë.

Kërkojuni studentëve të përsiatin dhe të përgjigjen për pyetjen në vijim: Cilat përvoja keni pasur që ju kanë ndihmuar të dini se ky parim është i vërtetë?

Shkruani i patundur në tabelë. Pyetini studentët se çfarë do të thotë të jesh i patundur. Pas përgjigjeve të tyre, shkruani në tabelë: i fortë dhe i pathyeshëm në situata vështirësie ose shtrëngimi.

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se si lidhet fjala i patundur me Nefin, caktojini secilit student një nga kapitujt e mëposhtëm: 1 Nefi 16, 17, ose 18. Nëse keni shumë studentë, mund t’ju vijë në ndihmë që t’i ndani studentët në grupe dhe t’i vini ata të punojnë së bashku me një kapitull.

Shkruajini pyetjet vijuese në tabelë. Nxitini studentët që ta përdorin kapitullin që u është caktuar dhe materialin përkatës të manualit të studentit për t’iu përgjigjur pyetjeve.

  • Çfarë provash përjetoi Nefi në kapitullin që shqyrtuat?

  • Si ushtroi Nefi besim në atë rrethanë? Cilat vargje apo fraza tregojnë fakte se besimi i Nefit qe i patundur?

  • Cilat parime të ungjillit ilustrohen në kapitull? Çfarë përvojash keni pasur me këto parime që e kanë rritur dëshminë tuaj?

Lëruni studentëve kohë të mjaftueshme për ta plotësuar këtë ushtrim. Më pas kërkojini të paktën një studenti për çdo kapitull të caktuar që të thotë përgjigjet e tij ose të saj. (Nëse keni mjaftueshëm studentë, ju mund të vini një student të ndryshëm që të raportojë për secilën pyetje të çdo kapitulli.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë deklarimin vijues nga Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

“Përse na duhet një besim kaq i patundur? Sepse përpara kemi ditë të vështira. Në të ardhmen, rrallë do të jetë e lehtë apo në modë që të jesh një shenjtor besnik i ditëve të mëvonshme. Secili prej nesh do provohet. … Persekutime[t] mund, ose t’ju dërrmojnë deri në dobësi të heshtur, ose t’ju motivojnë për të qenë më shembullor dhe të guximshëm në jetën tuaj të përditshme.

Mënyra se si përballeni me sprovat e jetës është pjesë e rritjes së besimit tuaj. Forcë vjen kur kujtoni që keni natyrë hyjnore, një trashëgimi me vlerë të pafundme” (“Të Përballosh të Ardhmen me Besim”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 35–36).

Ftojini studentët të japin ide rreth mënyrës se si mund t’i kalojnë sfidat e jetës dhe provat vetjake ashtu siç bëri Nefi.

1 Nefi 19

Nefi shënon profecitë rreth Jezu Krishtit për të na bindur ne që ta kujtojmë Atë

Si ta lejojë koha, kërkojuni studentëve të këqyrin atë që shkruan në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta për ditën 4, detyra 5. Pyetini nëse ndonjëri prej tyre do të ishte i gatshëm të tregonte se çfarë shkroi rreth dashurisë për Shpëtimtarin. Më pas tregoni ndjenjat tuaja rreth Shpëtimtarit.

Nefi e donte Shpëtimtarin dhe e kujtonte Atë në sprovat e tij. Dëshmoni se kur e duam dhe e kujtojmë Shpëtimtarin, Ai do të na ndihmojë e do të na mbështesë në sprovat tona.

Njësia Vijuese (1 Nefi 202 Nefi 3)

Në njësinë vijuese, studentët do të studiojnë disa nga fjalët e fundit të Lehit drejtuar familjes së tij përpara se të vdiste. Ata do të lexojnë gjithashtu një profeci të një kohe shumë të lashtë, shumë kohë përpara Krishtit, rreth Profetit Jozef Smith.

Shtyp në Letër