Biblioteka
Mësimi 18: 1 Nefi 17


Mësimi 18

1 Nefi 17

Hyrje

Pas udhëtimit në vendin e shkretë për tetë vjet, familja e Lehit mbërriti në një zonë bregdetare që e quajtën Begati. Pasi u sistemuan në Begati, Zoti e urdhëroi Nefin të ndërtonte një anije. Kur vëllezërit e tij e mësuan se çfarë po përpiqej të bënte, ata u tallën me të dhe më pas u ankuan dhe nuk pranuan ta ndihmonin. Nefi u mësoi vëllezërve të tij se megjithëse Zoti kishte kërkuar t’u fliste atyre nëpërmjet zërit të qetë e të vogël të Shpirtit, ligësia e tyre i kishte penguar që t’i ndienin fjalët e Tij. Ai i qortoi ata për ligësinë e tyre dhe i nxiti që të pendoheshin.

Sugjerime për Mësimdhënien

1 Nefi 17:1−51

Familja e Lehit udhëton për në Begati, ku Nefi urdhërohet të ndërtojë një anije

Vizatojeni grafikun vijues në tabelë.

Pamja
Easy Difficult

Kërkojuni studentëve të marrin parasysh nëse ata aktualisht do ta përshkruanin jetën e tyre si të lehtë apo të vështirë dhe përse. (Ju mund të dëshironi t’i nxitni studentët që të diskutojnë për përgjigjet e tyre me një partner. Ose ftoni disa studentë që t’i ndajnë mendimet e tyre me të gjithë klasën. Kujtojuni atyre që nuk nevojitet të tregojnë ndonjë gjë që është tepër personale ose e brendshme.)

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë te 1 Nefi 17:1, 4, 6. Ndërsa ai apo ajo lexon, vëreni klasën të kërkojë fjalë dhe fraza që tregojnë nëse koha që kaloi Nefi dhe familja e tij në vendin e shkretë ishte e lehtë apo e vështirë.

  • A i përshkroi Nefi çastet e tyre në vendin e shkretë si të lehta apo të vështira? Cilat fjalë tregojnë se qe e vështirë?

Shpjegoni se Nefi dhe familja e tij gjithashtu u bekuan bollshëm gjatë kësaj kohe. Ftojini studentët të këqyrin vargjet te 1 Nefi 17:2, 5, 12−13 për të dalluar disa nga mënyrat se si u bekua Nefi dhe familja e tij gjatë udhëtimit të tyre. Kërkojuni disa studentëve të shpjegojnë atë që kanë zbuluar.

Thuajuni studentëve se Nefi dha mësim një parim që shpjegon se përse familja e tij mundi të bekohej gjatë kësaj kohe të vështirë. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje te 1 Nefi 17:3 dhe të përcaktojnë parimin që fillon me fjalët në qoftë se. Shpjegoni shkurtimisht se në shkrimet e shenjta, parimet ndonjëherë shprehen në një model “në qoftë se – atëherë”. Fjalët në qoftë se paraqesin një veprim dhe fjala atëherë paraqet një pasojë (pozitive ose negative) që do të përjetojmë si rrjedhim i atij veprimi.

Edhe pse 1 Nefi 17:3 nuk e përmban fjalën atëherë, ai përshkruan një veprim, së bashku me disa bekime që do të vijnë si rrjedhim. Kërkojuni studentëve të shprehin pjesët “në qoftë se – atëherë” të parimit që përcaktuan. Ata duhet të shprehin diçka të ngjashme me sa vijon: Në qoftë se i mbajmë urdhërimet, atëherë Zoti do të na forcojë dhe do të sigurojë mjete që ne të plotësojmë atë që Ai ka urdhëruar. (Ju mund të dëshironi ta shkruani këtë parim në tabelë.) Ftojini studentët të kërkojnë fakte të këtij parimi ndërsa studiojnë përvojën e Nefit dhe ndërsa reflektojnë për vetë jetën e tyre.

Shpërndani një fletushkë që përmban pyetjet vijuese (ose shkruajini pyetjet në tabelë përpara se të fillojë ora mësimore):

  1. Çfarë e urdhëroi Zoti që të bënte Nefin? (1 Nefi 17:7−8) Si u përgjigj Nefi? (1 Nefi 17:9−11, 15−16) Si u përgjigjën vëllezërit e tij? (1 Nefi 17:17−21)

  2. Si e ndihmoi Zoti Moisiun që të përmbushte një detyrë për të cilën ishte urdhëruar? (1 Nefi 17:23−29)

  3. Si qenë vëllezërit e Nefit të ngjashëm me bijtë e Izraelit? (1 Nefi 17:30, 42)

  4. Çfarë ka urdhëruar Zoti që mund të jetë e vështirë për mua?

  5. Si mund të reagoj ashtu si Nefi dhe Moisiu? Si mund t’i shmang gabimet e vëllezërve të Nefit dhe të bijve të Izraelit?

Paraqitini pyetjet më lart duke shpjeguar se ato do t’i ndihmojnë studentët të kuptojnë se si vazhdoi ta jetonte parimin Nefi te 1 Nefi 17:3 pasi mbërriti në Begati. Pyetjet do t’i ndihmojnë studentët gjithashtu që ta zbatojnë parimin edhe vetë. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 17:7−8. Kërkojini pjesës tjetër të klasës që të dallojë se çfarë u urdhërua Nefi të bënte. Bëjini studentët ta shënojnë përgjigjen nën pyetjen 1 në fletushkë ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta.

  • Në çfarë mënyrash mund të ketë qenë i vështirë ky urdhërim për Nefin?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë te 1 Nefi 17:9−11 dhe një student tjetër të lexojë 1 Nefin 17:15–16. Përpara se të lexojnë, kërkojini klasës të dëgjojë për të gjetur përgjigjen e Nefit ndaj urdhërimit për të ndërtuar një anije.

  • Çfarë ju bën përshtypje rreth përgjigjes së Nefit?

Bëjini studentët të shkruajnë një përmbledhje të përgjigjes së Nefit nën pyetjen 1 në fletushkë ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta.

Kërkojuni disa studentëve që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga 1 Nefi 17:17−21. Bëjeni klasën të kërkojë fjalë dhe fraza që zbulojnë qëndrimin e Lamanit dhe të Lemuelit. Bëjini studentët të shkruajnë një përmbledhje të përgjigjes së Lamanit dhe të Lemuelit ndaj urdhërimit për të ndërtuar një anije. Ftoni një ose dy studentë që t’ua tregojnë klasës përmbledhjet e tyre.

Shpjegoni se Nefi iu përgjigj ankesave të vëllezërve të tij duke i kujtuar ata se Zoti e kishte ndihmuar Moisiun të përmbushte detyrën e vështirë të çlirimit të bijve të Izraelit nga robëria. Nefi gjithashtu e krahasoi zemërngurtësinë e vëllezërve të tij me atë të bijve të Izraelit. Ftojini studentët t’i studiojnë fragmentet e shkrimeve të shenjta dhe t’i shënojnë përgjigjet e tyre për pyetjet 2 dhe 3. Në varësi të nevojave të studentëve tuaj, ju mund t’i vini ata ta bëjnë këtë më vete ose me partnerë.

Pasi studentët t’i kenë plotësuar pyetjet 2 dhe 3, pyetni:

  • Si e ndihmoi Zoti Moisiun që të përmbushte një detyrë për të cilën ishte urdhëruar?

  • Si mendoni se shembulli i Moisiut mund ta ketë ndihmuar Nefin?

  • Në çfarë mënyrash qenë vëllezërit e Nefit të ngjashëm me bijtë e Izraelit?

Vini në dukje se kur Zoti na jep detyra apo urdhërime sfiduese, ne mund të zgjedhim të përgjigjemi siç bëri Nefi, ose mund të përgjigjemi siç bënë Lamani dhe Lemueli. Shpjegoni se megjithëse Perëndia nuk na ka kërkuar të përmbushim detyra si ndërtimi i një anijeje ose ndarja e Detit të Kuq, Ai na ka dhënë urdhërime dhe na kërkoi të përmbushim gjëra që disa njerëzve u duken të vështira. Për shembull, Ai na ka urdhëruar të kemi mendime të virtytshme dhe ta mbajmë ditën e Shabatit të shenjtë. Ai pret që ne t’i përmbushim thirrjet në Kishë (të tilla si president i kuorumit apo i klasës) dhe t’u shërbejmë të tjerëve. Ai gjithashtu pret që ne të mbajmë besëlidhjet tona dhe të qëndrojmë aktivë në Kishë, madje edhe përballë sfidave. Jepuni studentëve kohë për të shënuar përgjigjet për pyetjet 4 dhe 5. Nxitini ata që të përgjigjen për pyetjen 4 duke shkruar rreth çfarëdolloj gjëje që Zoti ka urdhëruar dhe që mund të jetë e vështirë për ta.

Pasi studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për të shkruar, lexoni me zë të lartë shprehjen e besimit të Nefit te 1 Nefi 17:50. Më pas kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje te 1 Nefi 17:51 dhe të marrin parasysh se si zbatohet në jetën e tyre. Nxitini ata që të shtojnë emrat e tyre pas fjalës unë dhe ta zëvendësojnë frazën të ndërtoj një anije me një detyrë apo urdhërim që u duket i vështirë. Mbani parasysh që t’i ftoni studentët që ndihen rehat me leximin, që ta lexojnë vargun te 1 Nefi 17:51 me zë të lartë me zëvendësimet që kanë bërë. Drejtojuni sërish parimit të shkruar në tabelë.

  • Çfarë përvoje kishte pasur tashmë Nefi me këtë parim që i dha atij sigurinë se Zoti do ta ndihmonte atë që të përmbushte cilindo urdhërim?

  • Çfarë keni përjetuar që ju jep sigurinë se Perëndia do t’ju ndihmojë të përmbushni çfarëdo që Ai kërkon prej jush?

Jepni dëshminë tuaj se ndërsa i mbajmë urdhërimet, Zoti na forcon dhe siguron mënyra që ne t’i plotësojmë gjërat që Ai urdhëron.

1 Nefi 17:45−55

Nefi qorton Lamanin dhe Lemuelin për ligësinë e tyre

Pamja
Nefi i Nënshtron Vëllezërit e Tij Rebelë

Paraqitni figurën Nefi i Nënshtron Vëllezërit e Tij Rebelë (62044; Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 70). Ftojini studentët që të përmbledhin atë që po ndodh në figurë. Nëse studentët nuk kanë përgjigje, ftojini ata të gjejnë një përgjigje te 1 Nefi 17:48, 53–54.

  • Sipas 1 Nefit 17:53, përse i tronditi Zoti vëllezërit e Nefit? (Ju mund të dëshironi ta tërhiqni vëmendjen e studentëve për te shënimi në fund të faqes nr. 53a për t’i ndihmuar ata të kuptojnë se fjala trondit në këtë kontekst do të thotë “të shkaktosh dridhje ose tundje”.)

Shpjegoni se tronditja që Zoti i dha Lamanit dhe Lemuelit ishte një nga shumë mënyrat me të cilat Zoti kishte komunikuar me ta. Ftojini studentët të lexojnë te 1 Nefi 17:45 dhe të dallojnë disa mënyra me të cilat Zoti kishte komunikuar me Lamanin dhe Lemuelin në të kaluarën.

  • Cilat janë disa mënyra se si Zoti kishte komunikuar me Lamanin dhe Lemuelin? Cila prej këtyre duket se është mënyra më e zakonshme me të cilën Zoti kërkon të komunikojë me ne?

Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët ta shenjojnë pohimin e mëposhtëm te 1 Nefi 17:45: “Ai ju ka folur me një zë të qetë, të ulët”. Kërkojini një studenti të lexojë deklarimin e mëposhtëm nga Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

“Fryma e Shenjtë flet me një zë që më shumë e ndieni sesa e dëgjoni. Ai përshkruhet si një ‘zë i vogël, i qetë’ [DeB 85:6]. Dhe ndërsa flasim për ‘dëgjimin’ e pëshpëritjeve të Shpirtit, më shpesh dikush përshkruan një shtysë shpirtërore duke thënë: ‘Pata një ndjenjë …’” (“Personal Revelation: The Gift, the Test, and the Promise”, Ensign, nëntor 1994, f. 60).

Ju mund të dëshironi t’i ftoni studentët ta shkruajnë të vërtetën vijuese në shkrimet e shenjta ngjitur me vargun 1 Nefi 17:45: Fryma e Shenjtë flet me një zë të qetë e të vogël, që më shumë e ndiejmë sesa e dëgjojmë. (Për ta theksuar këtë parim, ju mund të dëshironi t’i bëni studentët të lexojnë Doktrina e Besëlidhje 8:2–3.)

  • Kur e keni ndier zërin e vogël e të qetë të Frymës së Shenjtë duke ju folur?

  • Çfarë bëni ju që ju ndihmon ta ndieni dhe ta njihni zërin vogël e të qetë të Frymës së Shenjtë?

Pasi studentët të jenë përgjigjur, ju mund të dëshironi t’i nxitni ata ta shenjojnë frazën vijuese te 1 Nefi 17:45: “Por ju kishit humbur ndjesinë, që ju nuk mund të ndjenit fjalët e tij”. Bëjini studentët të lexojnë fjalinë e parë te 1 Nefi 17:45 dhe të dallojnë përse Lamani dhe Lemueli “kishi[n] humbur ndjesinë”. Ftojini ata të raportojnë atë që zbulojnë.

  • Përse të qenit “të shpejtë [për të bërë] paudhësi” shkaktoi që Lamani dhe Lemueli ta “humb[isnin] ndjesinë”?

  • Si mund të ndikojnë mëkatet tona tek aftësia jonë për të ndier ndikimin e Frymës së Shenjtë?

Pasi studentët të jenë përgjigjur, lexoni deklarimin e mëposhtëm nga Presidenti Xhejms E. Faust, që shërbeu si anëtar i Presidencës së Parë:

“Telefonat celularë përdoren për shumë për komunikim në kohën tonë. Megjithatë, me raste, ne gjejmë vende pa valë ku nuk vjen sinjal te një telefon celular. Kjo mund të ndodhë kur përdoruesi i telefonit celular është në një tunel apo kanion ose ku ka një ndërhyrje tjetër valësh.

Po kështu ndodh edhe me komunikimin hyjnor. … Ne shpesh e vendosim veten në vende e situata – pa valë që i bllokojnë mesazhet hyjnore. Disa nga këto vende pa valë përfshijnë zemërimin, pornografinë, shkeljen, egoizmin dhe situata të tjera që e fyejnë Shpirtin” (“Did You Get the Right Message?” Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 67).

Për ta mbyllur, ftojini studentët të mbajnë parasysh mesazhet që Zoti ka dashur t’ua komunikojë atyre së fundmi. Nxitini ata të përsiatin nëse ka ndonjë “vend shpirtëror pa valë” që mund të jetë duke i penguar ata nga marrja e një komunikimi të tillë. (Ju mund të dëshironi t’i vini studentët të shkruajnë rreth kësaj në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta.) Dëshmoni se Fryma e Shenjtë flet me një zë të qetë e të ulët, që më shumë e ndiejmë sesa e dëgjojmë. Dëshmoni gjithashtu se ne mund ta përjetojmë këtë komunikim ndërsa synojmë të jemi të denjë për këto shtysa të buta.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

1 Nefi 17:8-9. Sfida që hasi Nefi gjatë ndërtimit të një anijeje

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:

“Nefi nuk qe një lundërtar. Ai ishte rritur në Jerusalem, një qytet që shtrihet në brendësi e jo përgjatë kufijve të detit Mesdhe. Dukej e pabesueshme që ai të dinte shumë apo të kishte pasur përvojë me mjetet dhe aftësitë e nevojshme për të ndërtuar një anije. Ai mund të mos e ketë parë kurrë më parë një anije oqeanpërshkuese. Në thelb, pra, Nefi u urdhërua dhe u udhëzua të ndërtonte diçka që ai nuk e kishte ndërtuar kurrë më parë, në mënyrë që të shkonte në një vend ku nuk kishte qenë kurrë më parë” (“Learning to Love Learning” [fjalim hyrës në Universitetin “Brigam Jang”, 24 prill 2008], f. 4, speeches.byu.edu).

1 Nefi 5:45. “Ju kishit humbur ndjesinë”

Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, shpjegoi se mungesa e Shpirtit në jetën e një njeriu mund të sugjerojë nevojën për pendim:

“Një … kërkesë për shoqërimin dhe drejtimin e vazhdueshëm nga Fryma e Shenjtë është të qenit i pastër. Shpirti duhet të largohet nga ata që nuk janë të pastër.

… Nëse keni vështirësi për të ndier Frymën e Shenjtë, ju mund të përsiatni me urtësi nëse ka ndonjë gjë për të cilën ju duhet të pendoheni dhe të merrni falje.

Nëse e keni ndier ndikimin e Frymës së Shenjtë sot, ju mund ta merrni atë si fakt që Shlyerja po vepron në jetën tuaj. Për atë arsye dhe për shumë të tjera, ju do të bënit mirë ta vendosni veten në vende dhe punë që i ftojnë nxitjet e Frymës së Shenjtë. Të ndierit e ndikimit të Frymës së Shenjtë funksionon në të dyja mënyrat: Fryma e Shenjtë banon vetëm në një tempull të pastër dhe marrja e Frymës së Shenjtë na pastron nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Ju mund të luteni me besim për të ditur se çfarë të bëni për t’u pastruar dhe për t’u kualifikuar kështu për shoqërimin e Frymës së Shenjtë dhe për shërbimin e Zotit. Dhe me atë shoqërim, ju do të forcoheni kundër tundimit dhe do të fuqizoheni për të dalluar mashtrimin” (“Gifts of the Spirit for Hard Times”, Ensign, qershor 2007, f. 23).

Shtyp në Letër