Biblioteka
Mësimi 28: 2 Nefi 6–8


Mësimi 28

2 Nefi 6–8

Hyrje

Kur Nefi regjistroi shërbesën e popullit të tij, ai përfshiu një predikim dyditor nga vëllai i tij më i ri Jakobi. Predikimi gjendet te 2 Nefi 6–10, dhe ky është i pari nga tre mësime rreth tij. Në fillim të predikimit, Jakobi lexon profeci të Isaias lidhur me shpërndarjen dhe mbledhjen e Izraelit, duke treguar se “Zoti Perëndi do t’i përmbushë besëlidhjet e tij, që u ka bërë fëmijëve të tij” (2 Nefi 6:12).

Sugjerime për Mësimdhënien

2 Nefi 6

Jakobi dëshmon se Zoti do ta kujtojë popullin e Tij të besëlidhjes

Për t’i ndihmuar studentët të shohin se mësimet e Jakobit lidhen me jetën e tyre, kërkojuni të përsiaten se si do të vepronin nëse një mik apo anëtar i familjes do t’i trajtonte ata në mënyrë të ashpër, nuk do të besonte ato që thoshin ata apo do të tregonin me veprimet apo qëndrimet e tyre se marrëdhënia për ta nuk kishte më rëndësi.

Kërkojuni studentëve të mendojnë për pyetjen vijuese:

  • A keni shfaqur ndonjëherë veprime apo qëndrime të ngjashme ndaj Zotit?

Shpjegojuni se te 2 Nefi 6–8, ne shohim se si Zoti u përgjigjet atyre që janë larguar prej Tij. Këta kapituj përmbajnë analin e Nefit për një pjesë të një predikimi nga vëllai i tij Jakobi. Pjesa tjetër e predikimit të Jakobit është regjistruar te 2 Nefi 9–10. Këta kapituj do të mbulohen në dy mësimet e tjera.

Ftoni një student të lexojë me zë të lartë 2 Nefin 6:3–4 dhe 9:1, 3. Kërkojini klasës të gjejë arsyet përse Jakobi e dha këtë predikim.

Ftoni një student të veprojë si shkrues. Kërkojini atij apo asaj të shkruajë titullin Qëllimet e Predikimit të Jakobit në tabelë. Pastaj kërkojuni studentëve të tregojnë atë që kanë zbuluar në vargjet që sapo janë lexuar. Vëreni shkruesin të shkruajë përgjigjet e tyre poshtë titullit. Ndihmojini studentët të shohin se Jakobi e mësoi popullin e tij për “mirëqenien e shpirtrave [të tyre]” (2 Nefi 6:3). Ai donte t’i ndihmonte ata “të lavdëroni[n] emrin e Perëndisë [së tyre]” (2 Nefi 6:4), “të dini[n] për besëlidhjet e Zotit” (2 Nefi 9:1) dhe “të gëzohe[shin] dhe të ngrini[n] kokat përgjithmonë” (2 Nefi 9:3). Sigurohuni që këto qëllime të jenë përfshirë në listën e studentëve. Sugjeroni që ndërsa studiojnë predikimin e Jakobit, ata mund të kërkojnë mësime që ndihmojnë të plotësohen këto qëllime.

Kopjojeni diagramën kohore në tabelë. (Ju mund të doni ta kopjoni atë përpara se të fillojë ora mësimore.) Ftoni një student të lexojë 2 Nefin 6:4. Theksoni se Jakobi e filloi predikimin e tij duke thënë se ai do të fliste rreth kushteve që ekzistonin në kohën e tij dhe do të ekzistonin në të ardhmen (“gjërat që janë dhe që do të vijnë”).

Pamja
Timeline

Tregoni numrin 1 në diagramën kohore.

  • Te 2 Nefi 6:8, çfarë thotë Jakobi se u ndodhi judenjve në Jerusalem ngaqë ata u larguan nga Zoti? (Disa u vranë dhe disa u morën robër. Ju mund të doni t’u kujtoni studentëve se Lehi, Jeremia dhe profetë të tjerë patën profetizuar se këto gjëra do të ndodhnin. Profecitë e tyre ishin përmbushur rreth 587 Pr.K., kur babilonasit pushtuan Jerusalemin dhe morën robër shumë judenj në Babiloni. Shih “Kronologji” te Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, f. 90 për këtë datë dhe të tjera.)

Tregoni numrin 2.

  • Sipas fjalisë së parë të 2 Nefit 6:9, çfarë do t’u ndodhte më në fund pasardhësve të judenjve që ishin marrë robër në Babiloni? (Ata do të ktheheshin përsëri në Jerusalem. Kjo profeci ishte përmbushur rreth 537 Pr.K., kur Mbreti Kiri i lejoi judenjtë të rikthehen në atdheun e tyre.)

Tregoni numrin 3, dhe shpjegojuni se Jakobi profetizoi që Shpëtimtari do ta jetonte jetën e Tij të vdekshme midis judenjve.

  • Te 2 Nefi 6:9–10, cilat fraza përshkruajnë se si disa nga judenjtë do të vepronin dhe ndiheshin përballë Shpëtimtarit gjatë shërbesës së Tij të vdekshme? (Përgjigjet mund të përfshijnë “ta fshikullojnë”, “kryqëzojnë atë” dhe “ngurtësua[n] zemrat e tyre dhe janë bërë kryelartë kundër” Tij.)

  • Sipas 2 Nefit 6:10–11, çfarë do t’u ndodhte judenjve që nuk do ta pranonin Mesian? (Ata do të pikëlloheshin në mish, do të shpërndaheshin, do të goditeshin dhe urreheshin.)

Ftojini studentët të lexojnë qetësisht 2 Nefin 6:6–7, 11–12, 14, 17. Ju mund të doni të shpjegoni se në vargjet 6–7, Jakobi lexon një profeci të Isaias rreth Rivendosjes së ungjillit dhe grumbullimit të shtëpisë së Izraelit. Kërkojuni studentëve të gjejnë fraza që përshkruajnë se si do t’i përgjigjej Zoti shtëpisë së Izraelit, popullit të besëlidhjes së Zotit, edhe pse ata nuk do ta pranonin Atë. Kërkojuni studentëve të tregojnë frazat që gjetën. Ndihmojini ata të kuptojnë domethënien e disa prej këtyre frazave duke iu drejtuar pyetjet vijuese:

  • Te 2 Nefi 6:7, çfarë mendoni se do të thotë “presin për” Zotin?

  • Jakobi premtoi se “Zoti do të [ishte] i mëshirshëm” me Izraelin (2 Nefi 6:11). Në ç’mënyra u referohen mëshirës së Zotit disa prej frazave që gjetët?

  • Jakobi gjithashtu premtoi se Zoti do të “shpëto[nte]” Izraelin (2 Nefi 6:14). Çfarë mendoni se do të thotë për Shpëtimtarin të shpëtojë dikë?

  • Sipas 2 Nefit 6:11–12, 14, çfarë duhet të bëjmë që të marrim mëshirën e Zotit?

Ndërsa studentët japin pikëpamjet e tyre, sigurohuni që ata e kuptojnë se Zoti është i mëshirshëm ndaj atyre që rikthehen tek Ai.

Theksoni se te 2 Nefi 6, Jakobi tregon për Zotin që është i mëshirshëm ndaj popullit të Tij të besëlidhjes madje edhe pasi ata kanë qenë shumë të këqinj. Sigurojini studentët se nëse Zoti do të jetë i mëshirshëm ndaj këtyre njerëzve, Ai me siguri do të jetë i mëshirshëm ndaj nesh individualisht kur vijmë tek Ai dhe mbajmë besëlidhjet tona me Të. Ftojini studentët të përsiaten mbi mënyrat se si Zoti ka qenë i mëshirshëm ndaj tyre. Kërkojuni atyre të shkruajnë frazën e mëposhtme në ditarët e tyre të studimit të shkrimit të shenjtë ose në fletoret e klasës. Unë e di se Zoti është i mëshirshëm sepse.… Pastaj ftojini ata të shkruajnë mendimet dhe ndjenjat e tyre për të plotësuar thënien. Pasi ata të kenë pasur kohë të mjaftueshme për të shkruar, ju mund të doni të ftoni disa për të treguar atë që kanë shkruar.

2 Nefi 7–8

Jakobi thotë profecinë e Isaias rreth aftësisë së Shpëtimtarit për të shëlbyer popullin e Tij të besëlidhjes

Shpjegojuni se te 2 Nefi 7 dhe 8, Jakobi lexon një profeci nga shkrimet e Isaias. Kapitulli 7 përmban fjalën e Zotit për anëtarët e shtëpisë së Izraelit që ishin të shpërndarë dhe ishin në robëri për shkak të mëkateve të tyre. Kërkojini një studenti të lexojë 2 Nefin 7:1. Ju mund të doni ta ftoni klasën t’i shënojnë pyetjet që bën Zoti.

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë pyetjet në vargun 1, shpjegoni se frazat “të kam shporrur”, “letra e shkurorëzimit të nënës suaj” dhe “të kam shitur” i referohen idesë së shkeljes apo prishjes së një besëlidhjeje. Ndihmojini studentët të kuptojnë se pyetjet e Zotit mund të rishpreheshin si më poshtë: “A ju jam larguar? A e kam lënë mënjanë besëlidhjen që kemi bërë?”

  • Cila është përgjigjja për këto pyetje? (Përgjigjja është jo. Zoti nuk do të largohet kurrë prej nesh apo të harrojë besëlidhjet që Ai ka bërë.)

  • Sipas fundit të 2 Nefit 7:1, përse këta njerëz qenë shkëputur nga Zoti dhe vuanin në robëri? (Sepse ata patën mëkatuar dhe ishin larguar nga Zoti.)

Theksoni se te 2 Nefi 7:2, Zoti bën një pyetje tjetër që mund të na ndihmojë të shohim se Ai do që të na ndihmojë dhe që Ai ka fuqi ta bëjë këtë. Ftojini studentët ta gjejnë dhe ta nënvizojnë pyetjen. (“Është shkurtuar dora ime kaq shumë, që ajo nuk mund të shëlbejë, ose nuk kam fuqi të shpëtoj?”)

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë këtë pyetje, kërkojuni atyre se si do ta rishprehnin pyetjen me fjalët e tyre. (Nëse ata e kanë të vështirë të kuptojnë shprehjen “është shkurtuar dora ime”, ftoni një student ta mbajë dorën e tij apo saj drejtuar një studenti tjetër si për t’i ofruar ndihmë. Pastaj kërkojini studentit të parë ta “shkurt[ojë]” dorën e tij apo saj, duke ilustruar idenë e tërheqjes së ndihmës apo mosdhënien e saj.) Studentët mund ta thonë përsëri pyetjen e Zotit duke thënë diçka si kjo: “Unë po përmbahem ose nuk po zgjatem për t’ju shëlbyer juve? A besoni se unë kam fuqi t’ju shpëtoj juve?”

Tregojuni studentëve se në përgjigje të kësaj pyetjeje, pjesa tjetër e 2 Nefit 7 dhe 8 përmban disa shembuj që tregojnë dëshirën e Shpëtimtarit për të shëlbuar popullin e Tij të besëlidhjes dhe shembuj që demonstrojnë se Ai ka fuqi ta bëjë këtë.

Për t’i ndihmuar studentët të zbulojnë të dhëna që Shpëtimtari dëshiron për ta shëlbuar popullin e Tij të besëlidhjes dhe ka fuqi ta bëjë këtë, ndajini të gjashtë fragmentet vijuese të shkrimit të shenjtë te 2 Nefi 8 midis grupeve të studentëve: vargjet 1–3, 4–6, 7–8, 10–11, 12–13 dhe 14–16. (Nëse keni 12 ose më shumë studentë në klasën tuaj, i caktoni fragmentet për çifte ose grupe të tjerë më të vegjël. Nëse keni më pak se 12 studentë, caktoni më shumë se një fragment për disa grupe.) Kërkojini secilit grup të gjejë një frazë në fragmentin ose fragmentet e tij që tregojnë dëshirën e Zotit për të na shëlbuar dhe fuqinë e Tij për ta bërë këtë. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojeni secilin grup të lexojë për klasën frazën që ka gjetur. Kërkojuni atyre të tregojnë atë që kanë mësuar nga fragmenti. Ju mund të doni t’i ftoni studentët të shënojnë frazat që tregojnë shokët e tyre të klasës.

Për ta përfunduar, drejtojuni listës së qëllimeve të Jakobit shkruar në tabelë. Ftojini studentët të mendojnë rreth besëlidhjeve që kanë bërë me Zotin dhe bekimet që Ai u ka premtuar atyre ndërsa i mbajnë ato besëlidhje. Jepni dëshminë tuaj për besnikërinë e Zotit ndaj nesh dhe besëlidhjeve të Tij me ne, dhe dëshmoni për mëshirën dhe shëlbimin që ne mund të marrim kur jemi besnikë ndaj besëlidhjeve tona me Të.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

2 Nefi 6:2. Çfarë priftërie mbanin Lehi, Nefi dhe Jakobi?

Jakobi tha se ai ishte “thirrur nga Perëndia dhe i shuguruar sipas mënyrës së urdhërit të tij të shenjtë dhe duke qenë shenjtëruar nga vëllai [i tij] Nefi” (2 Nefi 6:2). Kur foli për këtë “urdhër. … të shenjtë”, ai e kishte fjalën për Priftërinë Melkizedeke. Presidenti Jozef Filding Smith shkroi se “Nefitët mbanin cilësinë e Priftërisë Melkizedeke që nga koha e Lehit deri në ditët e shfaqjes së Shpëtimtarit tonë midis tyre” (Answers to Gospel Questions, përmb. Joseph Fielding Smith Jr., 5 vëll. [1957–66], 1:124).

2 Nefi 8. Mbledhja e ditëve të mëvonshme

Profecia e Isaias cituar te 2 Nefi 8 flet për mbledhjen e ditëve të mëvonshme të Izraelit. Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve na mësoi rreth natyrës shpirtërore të kësaj mbledhjeje:

“Atëherë, çfarë përfshihet në mbledhjen e Izraelit? Mbledhja e Izraelit është besimi, pranimi dhe të jetuarit në përputhje me të gjitha çka Zoti i ofroi dikur popullit të tij të lashtë të zgjedhur. Ajo përbëhet ngapasja e besimit në Zotin Jezu Krisht, pendimi, pagëzimi e marrja e dhuratës së Frymës së Shenjtë dhe të mbajturit të urdhërimeve të Perëndisë. Ajo përbëhet nga besimi në ungjill, bashkimi me Kishën dhe futja në mbretëri. Ajo përbëhet nga marrja e priftërisë së shenjtë, marrja e dhuratës në vende të shenjta me fuqi nga lart dhe marrja e të gjitha bekimeve të Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, nëpërmjet ordinancës së martesës çelestiale” (A New Witness for the Articles of Faith [1985], f. 515).

Shtyp në Letër