Mësimi 27
2 Nefi 5
Hyrje
Duke mbajtur vesh një paralajmërim të Zotit, Nefi dhe ndjekësit e tij u ndanë nga Lamani, Lemueli dhe bijtë e Ishmaelit. Ata jetuan në drejtësi dhe lumturi, ndërsa ndjekësit e Lamanit dhe Lemuelit e shkëputën veten nga Zoti.
Sugjerime për Mësimdhënien
2 Nefi 5:1–8
Zoti i ndan ndjekësit e Nefit nga ndjekësit e Lamanit dhe Lemuelit
Ftojini studentët të përsiaten rreth disa prej problemeve dhe vendimeve të vështira me të cilat përballen. Nxitini ata t’i mbajnë këto sfida personale në mendje ndërsa studiojnë se si iu përgjigj Nefi sfidave. Kujtojuni atyre se kur Lehi vdiq, Nefi u la të ishte drejtuesi shpirtëror i familjes. Vërini studentët të lexojnë qetësisht 2 Nefin 5:1–4 për të parë sfidën që përjetoi Nefi.
-
Sipas 2 Nefit 5:1, çfarë bëri Nefi për t’u ndihmuar të gjente zgjidhje për sfidën e tij?
-
Edhe pasi Nefi ishte lutur për ndihmë, çfarë u përpoqën të bënin Lamani dhe Lemueli?
Ndërsa studentët japin përgjigjet e tyre, ju mund të doni të theksoni se lutjet tona jo gjithmonë mundet të marrin përgjigje menjëherë ose në mënyrën që ne duam.
Ftoni një student të lexojë me zë të lartë 2 Nefin 5:5–8. Vëreni klasën t’ju ndjekë së bashku, duke kërkuar atë çka bëri Zoti për të ndihmuar Nefin e ndjekësit e tij.
Kërkojuni studentëve të përmbledhin atë që kanë mësuar nga 2 Nefi 5:1–8. Një e vërtetë që mund të theksoni është se Zoti i drejton ata që besnikërisht e kërkojnë Atë në lutje. Në lidhje me këto vargje, bëni pyetjet vijuese:
-
Përse është e rëndësishme të vazhdojmë të jemi besnikë kur lutjet tona nuk marrin përgjigje menjëherë apo në mënyrën që ne dëshirojmë?
-
Në cilat mënyra mund Zoti të na japë paralajmërime?
Ndërsa studentët i përgjigjen kësaj pyetjeje, merrni parasysh të lexoni thënien vijuese nga Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Ne nuk mund të fillojmë një kurs të gabuar pa kundërshtuar më parë një paralajmërim” (cituar në Kenneth Johnson, “Yielding to Enticings of the Holy Spirit”, Ensign, nëntor 2002, f. 90).
-
Në cilat mënyra mund të ndjekim shembullin e Nefit kur përballemi me sfida?
Si pjesë e diskutimit të studentëve të 2 Nefit 5:1–8, theksoni se ndarja e nefitëve nga lamanitët ishte rezultat i urrejtjes së Lamanit dhe Lemuelit për Nefin. Kjo ndarje vazhdoi për shekuj, me pasardhësit e Lamanit dhe Lemuelit që u mësonin fëmijëve të tyre të urrenin pasardhësit e Nefit (shih Mosia 10:12–17).
2 Nefi 5:9–18, 26–27
Nefitët jetojnë sipas mënyrës së lumturisë
Drejtojini studentët në leximin së bashku me zë të lartë të 2 Nefit 5:27. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shënojnë këtë varg. Shkruani fjalën lumturi në tabelë.
-
Çfarë mendoni se do të thotë të jetosh “sipas mënyrës së lumturisë”?
Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Marlin K. Xhensen, i Të Shtatëdhjetëve:
“Disa parime dhe të vërteta të pandryshueshme sjellin lumturi në jetën tonë. Kjo temë ka qenë me interes për mua për shumë vite sepse edhe pse unë jam bekuar mjaft dhe kam çdo arsye të jem i lumtur, unë ndonjëherë luftoj dhe jo gjithmonë kam prirjen e natyrshme drejt lumturisë dhe një gjendje gazmendi që disa njerëz duket se e gëzojnë.
Për këtë arsye, disa vite përpara një fragment nga Libri i Mormonit më tërhoqi vëmendjen.… Nefi krijoi një shoqëri të bazuar në të vërteta të ungjillit; dhe për atë shoqëri ai thotë: ‘Dhe ndodhi që ne jetuam sipas mënyrës së lumturisë’ (2 Nefi 5:27). Fragmenti më la një përshtypje të thellë.… Unë pyetja veten.… cilët mund të jenë elementë të veçantë të një shoqërie dhe jete vërtet të lumtur, dhe unë fillova të shqyrtoj shkrimet e Nefit për të dhëna. Unë.… ju ftoj të kryeni shqyrtimin tuaj vetjak. Ai mund të jetë një kërkim për gjatë gjithë jetës dhe i vlefshëm. …
… Të njëjtat modele dhe elementë të jetës së përditshme që i mundësuan Nefit dhe popullit të tij të jetë i lumtur 560 vite përpara Krishtit funksionojnë po aq mirë sot” (“Living after the Manner of Happiness”, Ensign, dhjetor 2002, f. 56, 61).
Nxitini studentët të pranojnë ftesën e Plakut Xhensen. Kërkojuni atyre të lexojnë qetësisht 2 Nefin 5:6, 10–18, 26–27, duke kërkuar për “elementë të një shoqërie dhe jete vërtet të lumtur”. Ju mund të doni të sugjeroni që ata t’i shënojnë parimet që kontribuan në lumturinë e Nefit. Pas disa minutash, ftoni disa studentë të shkruajnë në tabelë gjetjet e tyre. (Përgjigjet mund të përfshijnë që Nefi dhe ndjekësit e tij shkuan me familjet e tyre [shih vargu 6]; iu bindën Zotit [shih vargun 10]; punuan shumë për të ndihmuar veten [shih vargjet 11, 15–17]; morën me vete shkrimet e shenjta [shih vargun 12]; ndërtuan një tempull [shih vargun 16] dhe ndoqën udhëheqësit e drejtë [shih vargjet 18, 26].)
Ftojini studentët të zgjedhin një apo dy nga parimet në tabelë dhe tregoni se si këto parime i kanë ndihmuar ata të “jet[ojnë] sipas mënyrës së lumturisë”.
Në vartësi të asaj që theksojnë studentët, ju mund të doni të vijoni me disa pyetje të tilla si më poshtë:
-
Sipas 2 Nefit 5:10–11, 16, çfarë bekimesh morën njerëzit ngaqë zbatuan urdhërimet e Zotit? Kur keni ndier se Zoti ka qenë me ju? Si ka ndihmuar ndikimi i Zotit në jetën tuaj për lumturinë tuaj?
-
Si mund t’i ketë ndihmuar tempulli njerëzit të “jet[ojnë] sipas mënyrës së lumturisë”? Si ju ka sjellë tempulli një lumturi më të madhe juve ose dikujt që ju e njihni?
-
Në çfarë mënyrash ndihmon puna e madhe për lumturinë?
Ftojini studentët të përmbledhin atë që kanë mësuar rreth mënyrës se si të rritin lumturinë e tyre. Edhe pse studentët mund të thonë parime të ndryshme, sigurohuni që ata e kuptojnë se ndërsa ungjilli i Jezu Krishtit bëhet mënyra jonë e jetës, ne rritemi në lumturi. Ju mund të doni ta shkruani këtë parim në tabelë.
Ftojini studentët të shqyrtojnë jetën e tyre dhe të përcaktojnë diçka që do të bënin për të jetuar më plotësisht “sipas mënyrës së lumturisë”. Nxitini ata që ta shkruajnë këtë veprim në ditarët e tyre të studimit të shkrimit të shenjtë ose në fletoret e klasës. Jepni dëshminë tuaj rreth parimeve dhe praktikave që kanë sjellë lumturi në jetën tuaj.
2 Nefi 5:19–25
Lamanitët janë mallkuar për shkak të mosbindjes së tyre
Ftojini studentët të lexojnë qetësisht 2 Nefin 5:19–24, duke kërkuar për ndryshime midis mënyrës që jetonin lamanitët dhe mënyrës që jetonin nefitët.
-
Sipas 2 Nefit 5:20, cila ishte pasoja e mosbindjes së lamanitëve?
-
Si ju ndihmon 2 Nefi 5:21 të kuptoni arsyen përse lamanitët u përjashtuan nga Zoti? (Ju mund të doni të shpjegoni se stralli është një gur i fortë. Duke thënë se lamanitët “ishin bërë si strall”, Nefi theksonte ngurtësimin e zemrave të lamanitëve.)
-
Çfarë paralajmërimi dha Zoti rreth nefitëve që martoheshin me lamanitë që nuk kishin pranuar ungjillin? (Shih 2 Nefi 5:23.)
-
Përse është e rëndësishme të shmangim takimet dhe martesat me ata që nuk e dëgjojnë me vëmendje Zotin? Si mendoni se do të ndikojnë njerëzit me të cilët dilni në takime dhe përfundimisht martoheni në përpjekjet tuaja për ta jetuar ungjillin? (Mund të jetë e dobishme t’u kujtoni studentëve se Presidenca e Parë ka këshilluar: “Zgjidhni të dilni në takime vetëm me ata që kanë standarde të larta morale dhe në shoqërimin e të cilëve ju mund të mbani standardet tuaja” [Për Forcën e Rinisë (broshurë, 2011), f. 4].)
-
Cilët janë disa parime që mund të mësojmë nga 2 Nefi 5:20–24? (Ndërsa studentët thonë parime, sigurohuni që ata kuptojnë se kur njerëzit ngurtësojnë zemrat e tyre ndaj Zotit, ata e ndajnë veten nga Ai.)
Theksoni se 2 Nefi 5 paraqet një kontrast të madh midis nefitëve dhe lamanitëve. Ne mund të zgjedhim se cilin shembull do të ndjekim. Nxitini studentët të kujtojnë atë që kanë përcaktuar se do të bëjnë për të jetuar më plotësisht “sipas mënyrës së lumturisë”. Shprehni besimin tuaj në vetvete se ata mund ta ndjekin shembullin e nefitëve dhe të jenë vërtet të lumtur.