Biblioteka
Hyrje në Manualin e Librit të Mormonit për Mësuesin e Seminarit


Hyrje në Manualin e Librit të Mormonit për Mësuesin e Seminarit

Qëllimi Ynë

Synimi i Seminareve dhe Instituteve të Fesë thotë:

“Qëllimi ynë është të ndihmojmë rininë dhe të rinjtë në moshë madhore që t’i kuptojnë dhe të mbështeten te mësimet dhe Shlyerja e Jezu Krishtit, të kualifikohen për bekimet e tempullit, si dhe të përgatiten vetë, të përgatitin familjet e tyre dhe të tjerët për jetën e përjetshme me Atin e tyre në Qiell”.

Për të arritur qëllimin tonë, ne u mësojmë studentëve doktrinat dhe parimet e ungjillit siç gjenden në shkrimet e shenjta dhe në fjalët e profetëve. Këto doktrina e parime u jepen mësim në një mënyrë që çon drejt kuptueshmërisë dhe ngritjes shpirtërore. Ne i ndihmojmë studentët të përmbushin rolin e tyre në procesin e të nxënit dhe i përgatitim ata t’ua mësojnë ungjillin të tjerëve.

Për të ndihmuar në përmbushjen e këtyre synimeve, ju dhe studentët të cilëve u jepni mësim, nxiteni që të përfshini Bazat e Mësimdhënies dhe të Të Mësuarit në vijim ndërsa studioni shkrimet e shenjta bashkë:

  • Të jepni mësim dhe të mësoni me anë të Shpirtit.

  • Të kultivoni një mjedis të të mësuarit të mbushur me dashuri, respekt dhe qëllimshmëri.

  • T’i studioni shkrimet e shenjta çdo ditë dhe ta lexoni tekstin e kursit. (Tabelat për ndjekjen e ecurisë së leximit të shkrimit të shenjtë mund të gjenden te shtojca në fund të këtij manuali.)

  • Ta kuptoni kontekstin dhe përmbajtjen e shkrimeve të shenjta dhe të fjalëve të profetëve.

  • Ta dalloni, ta kuptoni, ta ndieni të vërtetën dhe rëndësinë e saj, si dhe t’i zbatoni doktrinat dhe parimet e ungjillit.

  • Të shpjegoni, të tregoni e të dëshmoni për doktrinat dhe parimet e ungjillit.

  • T’i zotëroni fragmentet kyçe të shkrimit të shenjtë dhe Doktrinat Bazë.

Ky manual i mësuesit është përgatitur për t’ju ndihmuar të jeni të suksesshëm në përmbushjen e këtyre synimeve.

Përgatitja e Mësimit

Zoti i urdhëroi ata që japin mësim ungjillin e Tij: “T’u mësojnë parimet e ungjillit tim, të cilat janë në Bibël dhe në Librin e Mormonit, në të cilin është plotësia e ungjillit” (DeB 42:12). Ai më tej udhëzoi se këto të vërteta duhet të jepen mësim ashtu siç “drejt[ohen] me anë të Shpirtit”, i cili “do t’[u] jepet me anë të lutjes së besimit” (DeB 42:13–14). Ndërsa përgatitni çdo mësim, kërkoni me lutje udhëheqjen e Shpirtit për t’ju ndihmuar të kuptoni shkrimet e shenjta dhe doktrinat e parimet që ato përmbajnë. Në të njëjtën mënyrë, ndiqni nxitjet e Shpirtit kur planifikoni mënyrën si t’i ndihmoni studentët tuaj që t’i kuptojnë shkrimet e shenjta, të marrin mësim nga Fryma e Shenjtë dhe të ndiejnë dëshirë që ta zbatojnë atë që mësojnë.

Në këtë kurs, Libri i Mormonit është materiali juaj parësor ndërsa përgatiteni dhe jepni mësim. Studiojini me lutje kapitujt apo vargjet që do të jepni mësim. Përpiquni që ta kuptoni kontekstin dhe përmbajtjen e bllokut të shkrimit të shenjtë, përfshirë radhën e ngjarjeve, njerëzit, vendet dhe ndodhitë. Ndërsa njiheni me kontekstin dhe përmbajtjen e secilit bllok të shkrimit të shenjtë, përpiquni që të dalloni doktrinat dhe parimet që përmban, si dhe të vendosni se cilat nga këto të vërteta janë më të rëndësishmet për studentët tuaj që t’i kuptojnë e t’i zbatojnë. Pasi të keni përcaktuar se ku do të përqëndroheni, ju mund të vendosni se cilat metoda, qasje dhe veprimtari do t’i ndihmojnë më mirë studentët tuaj që t’i mësojnë e t’i zbatojnë të vërtetat e shenjta që gjenden në shkrimet e shenjta.

Ky manual është hartuar që t’ju ndihmojë në këtë proces. Përsëriteni me kujdes materialin mësimor që përputhet me bllokun e shkrimit të shenjtë që do të jepni mësim. Ju mund të zgjidhni t’i përdorni të gjitha sugjerimet ose disa prej tyre për një bllok të shkrimit të shenjtë, ose mund t’ia përshtatni idetë e sugjeruara nevojave dhe rrethanave të studentëve që mësoni. Ndërsa merrni parasysh se si t’i përshtatni materialet mësimore, sigurohuni që të ndiqni këtë këshillë nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

“Shpesh e kam dëgjuar Presidentin Paker të japë mësim që ne së pari përvetësojmë, pastaj përshtatim. Nëse e ngulitim tërësisht mësimin e përshkruar që do të japim, atëherë mund të ndjekim Shpirtin për ta përshtatur atë” (“A Panel Discussion with Elder Dallin H. Oaks” [Transmetimi Satelitor i Seminareve dhe Instituteve të Fesë, 7 gusht 2012], f. 6, si.lds.org).

Ndërsa përgatiteni që të jepni mësim, jini të vëmendshëm ndaj studentëve që kanë nevoja të veçanta. Përshtatini veprimtaritë dhe pritshmëritë që t’i ndihmoni t’ia dalin mbanë. Bashkëbisedimi me prindërit dhe udhëheqësit do t’ju ndihmojë të ndërgjegjësoheni për nevojat e studentëve dhe do t’ju ndihmojë t’ia dilni me sukses në sigurimin e një përvoje kuptimplote dhe lartësuese për ta.

Pamja
mësuese duke u përgatitur me shkrimet e shenjta dhe manualin

Përdorimi i Manualit të Mësuesit që Jep Mësim Përditë

Pamja
shembull i manualit të mësuesit

Hyrje në Librin

Hyrjet e librave japin një vështrim të përgjithshëm për secilin libër në Librin e Mormonit. Mes të tjerash, ato shpjegojnë se kush e shkroi secilin libër, përshkruajnë qëllimet përse autori e shkroi dhe japin një përmbledhje të përmbajtjes të secilit libër.

Pamja
shembull i manualit të mësuesit

Hyrje në Bllokun e Shkrimit të Shenjtë

Hyrjet në bllokun e shkrimit të shenjtë japin një vështrim të përgjithshëm të shkurtër mbi kontekstin dhe përmbajtjen bllokut të shkrimit të shenjtë për secilin mësim.

Grupimi i Vargjeve dhe Përmbledhja e Kontekstit

Blloqet e shkrimit të shenjtë shpesh ndahen në segmente më të vegjël ose grupe vargjesh ku ndodh një ndryshim i temës ose veprimit. Referenca për secilin grupim të vargjeve ndiqet nga një përmbledhje e shkurtër e ngjarjeve ose e mësimeve brenda atij grupi vargjesh.

Ndihma për Mësimdhënien

Ndihmat për Mësimdhënien shpjegojnë parime dhe metoda të mësimdhënies së ungjillit. Ato mund t’ju ndihmojnë në përpjekjet tuaja për t’u përmirësuar si mësues.

Strukturae Mësimit

Struktura e mësimit përmban udhëzim për ju ndërsa studioni dhe jepni mësim. Ai sugjeron ide për mësimdhënie, përfshirë pyetje, veprimtari, citate, diagrame dhe tabela.

Doktrina dhe Parime

Ndërsa doktrinat dhe parimet dalin natyrshëm nga studimi i tekstit të shkrimit të shenjtë, ato vihen në dukje me germa të theksuara për t’ju ndihmuar që t’i përcaktoni dhe t’i theksoni në diskutimin tuaj me studentët.

Fotografi

Fotografitë e udhëheqësve të Kishës dhe të ngjarjeve nga shkrimet e shenjta përbëjnë mjete ndihmëse pamore që, nëse ju gjenden, mund t’i paraqitni ndërsa jepni mësim.

Hapësira e Kolonës Bosh

Hapësira e kolonës bosh mund të përdoret për përgatitjen e mësimit, përfshirë shkrimin e shënimeve, parimeve, përvojave ose ideve të tjera, siç ndiheni të nxitur nga Fryma e Shenjtë.

Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë

25 fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë që gjenden te Libri i Mormonit, janë theksuar te konteksti në mësimet në të cilat shfaqen. Secili nga këto mësime përmban edhe një ide për mësimdhënie për secilin nga këto fragmente. Për t’ju ndihmuar që të jeni të qëndrueshëm në mësimdhënien e zotërimit të shkrimit të shenjtë, nëpër manual gjenden të shpërndara veprimtari Përsëritjeje të Zotërimit të Shkrimit të Shenjtë. Për Ide Shtesë për Mësimdhënien të zotërimit të shkrimit të shenjtë, shihni shtojcën në fund të këtij manuali.

Pamja
shembull i manualit të mësuesit

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Në fund të disa mësimeve jepen citate dhe shpjegime shtesë për t’ju dhënë më tepër kuptim për koncepte ose fragmente të veçanta të shkrimit të shenjtë. Përdorini të dhënat në këtë nënndarje për t’u përgatitur që t’u përgjigjeni pyetjeve ose të jepni pikëpamje shtesë ndërsa jepni mësim.

Ide Shtesë për Mësimdhënien

Idetë shtesë për mësimdhënien shfaqen në fund të disa mësimeve. Ato japin sugjerime për mësimdhënien e doktrinave dhe parimeve që mund të mos përcaktohen ose theksohen në strukturën e mësimit. Ato gjithashtu mund të sigurojnë sugjerime në përdorimin e mjeteve pamore, të tilla si paraqitjet me DVD.

Programi i Përditshëm i Seminarit (Gjatë Orëve të Lira dhe Herët në Mëngjes)

Ky manual përmban elementet vijuese për mësuesit e seminarit të përditshëm: 160 mësime të përditshme të mësuesit, ndihmat për mësimdhënien dhe burime për mësimdhënien e zotërimit të shkrimit të shenjtë dhe të Doktrinave Bazë.

Mësimet e Mësuesit që Jep Mësim Përditë

Formati i Mësimit

Në këtë manual, çdo mësim përqendrohet te një bllok i shkrimit të shenjtë më tepër sesa te një koncept, doktrinë apo parim i veçantë. Ky format do t’ju ndihmojë ju dhe studentët tuaj që t’i studioni shkrimet e shenjta në mënyrë të njëpasnjëshme dhe të diskutoni për doktrinat dhe parimet ndërsa ato dalin natyrshëm nga teksti i shkrimit të shenjtë. Teksa studentët mësojnë kontekstin në të cilin gjendet një doktrinë apo parim, kuptimi i tyre për atë të vërtetë mund të thellohet. Përveç kësaj, studentët do të jenë akoma më në gjendje ta shohin dhe ta kuptojnë qëllimin e plotë të mesazheve që kishin ndër mend të përçonin shkruesit e frymëzuar të shkrimit të shenjtë. Mësimdhënia e shkrimeve të shenjta në këtë mënyrë do t’i ndihmojë gjithashtu studentët që të mësojnë se si t’i zbulojnë dhe t’i zbatojnë të vërtetat e përjetshme gjatë studimit të tyre vetjak të shkrimeve të shenjta.

Në secilin mësim, jo të gjitha fragmentet e bllokut të shkrimit të shenjtë theksohen. Disa fragmente marrin më pak vëmendje pasi janë më pak qendrore nga mesazhi i përgjithshëm i shkruesit të frymëzuar ose ngaqë mund të gjejnë më pak zbatim për rininë. Ju keni përgjegjësinë që t’i përshtatni këto materiale në përputhje me nevojat dhe interesat e studentëve që mësoni. Ju mund t’i përshtatni idetë mësimore në këtë manual duke përzgjedhur që t’i vini më shumë theks një doktrine apo parimi të veçantë nga sa i është dhënë në materialin mësimor ose duke përzgjedhur që t’i vini më pak theks një fragmenti të bllokut të shkrimit të shenjtë i cili është shtjelluar në thellësi në manual. Kërkoni udhëheqjen e Frymës së Shenjtë që t’ju ndihmojë t’i bëni këto përshtatje ndërsa përgatiteni dhe jepni mësim.

Doktrinat dhe Parimet

Në strukturën e secilit mësim, do të zbuloni që disa doktrina dhe parime kyçe janë vënë në dukje me germa të theksuara. Këto doktrina dhe parime dallohen te programi mësimor pasi: 1) ato pasqyrojnë një mesazh kryesor të bllokut të shkrimit të shenjtë, 2) ato gjejnë veçanërisht zbatim për nevojat dhe rrethanat e studentëve, ose 3) ato janë të vërteta kyçe që mund t’i ndihmojnë studentët të thellojnë marrëdhënien e tyre me Zotin. Kini parasysh që Libri i Mormonit jep mësim mjaft të vërteta veç atyre të përcaktuara në programin mësimor. Presidenti Bojd K. Paker dha mësim se shkrimet e shenjta përmbajnë “ndërthurje të pafundme të vërtetash që do të përputhen me nevojën e çdo individi në çdo rrethanë” (“The Great Plan of Happiness”, [CES Symposium on the Doctrine and Covenants/Church History, 10 gusht 1993], f. 2, si.lds.org).

Ndërsa jepni mësim, jepuni vazhdimisht studentëve mundësi të përcaktojnë doktrina e parime në shkrimet e shenjta. Ndërsa studentët shprehin të vërtetat që zbulojnë, shpesh mund të përdorin fjalë që ndryshojnë nga mënyra se si është përmendur një doktrinë apo parim në këtë manual. Ata gjithashtu mund të zbulojnë të vërteta që nuk janë përcaktuar në planin mësimor. Kini kujdes të mos sugjeroni që përgjigjet e studentëve janë të gabuara vetëm ngaqë fjalët që përdorin për t’i shprehur ato ndryshojnë nga ato të përdorura në manual ose ngaqë ata përcaktojnë një të vërtetë që nuk është përmendur në programin mësimor. Gjithsesi, nëse një thënie e një studenti është jo e saktë nga ana doktrinore, është përgjegjësia juaj ta ndihmoni studentin apo studenten me të butë që ta korrigjojë thënien e vet duke mbajtur ndërkohë një mjedis dashurie dhe mirëbesimi. Bërja e kësaj mund të sigurojë një përvojë të rëndësishme mësimi për studentët në klasën tuaj.

Ritmi

Ky manual përmban 160 mësime të seminarit të përditshëm, që duhet të mundësojë pushimet sipas programit shkollor e komunitar të studentëve dhe gjithashtu të lërë një numër ditësh për të përsëritur përmbajtjen e shkrimit të shenjtë ose për të punuar me zotërimin e shkrimit të shenjtë. Ju mund t’i përshtatni mësimet dhe ritmin sipas nevojës për periudhën e kohës që duhet ta jepni mësim këtë kurs. (Shihni shtojcën në fund të këtij manuali për një model të udhërrëfyesit të ritmit.)

Detyra për Shlyerje

Udhëzuesi i Studimit të Librit të Mormonit për Studentët e Seminarit që Studiojnë në Shtëpi mund të përdoret në programet e përditshme të seminarit si burim për t’u dhënë studentëve detyra për shlyerje. Mësimet tek udhëzuesi i studimit për studentët e studimit në shtëpi shkojnë paralel me ato të paraqitura në këtë manual. Studentëve që kanë tepër mungesa, mund t’u caktohet që të plotësojnë detyrat tek udhëzuesi i studimit, të cilat përputhen me përmbajtjen tek e cila kanë munguar në orën mësimore. Detyrat mund të shtypen nga faqja në internet e S&I-së, kështu që nuk ju duhet t’ua jepni të gjithë manualin studentëve të cilët duhet të bëjnë detyra për shlyerje. Te pjesa e titulluar “Programi i Studimit të Seminarit në Shtëpi” jepet më shumë informacion lidhur me Udhëzuesin e Studimit të Librit të Mormonit për Studentët e Seminarit që Studiojnë në Shtëpi.

Ndihmat për Mësimdhënien

Ndihmat për mësimdhënien shfaqen në anët e fletëve të këtij manuali. Këto ndihma për mësimdhënien shpjegojnë dhe paraqitin mënyrën se si ju dhe studentët të cilëve u jepni mësim, mund t’i zbatoni Bazat e Mësimdhënies dhe të Të Mësuarit të Ungjillit në studimin e Librit të Mormonit prej jush. Ato gjithashtu japin sugjerime mbi mënyrën se si të përdorni me efektshmëri një mori metodash, aftësish dhe qasjesh mësimdhënëse. Ndërsa arrini të kuptoni parimet e përmbajtura te ndihmat për mësimdhënien, kërkoni mënyra si t‘i praktikoni e zbatoni vazhdimisht në mësimdhënien tuaj.

Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë dhe Doktrinat Bazë

Për t’i ndihmuar studentët që t’i ruajnë si thesar të vërtetat e përjetshme dhe të rritin vetëbesimin e tyre në të mësuarin e shkrimeve të shenjta dhe dhënien mësim nga ato, Seminaret dhe Institutet e Fesë (S&I) kanë përzgjedhur një numër fragmentesh të shkrimit të shenjtë që studentët t’i zotërojnë gjatë secilit kurs studimi. Veç kësaj, një listë Doktrinash Bazë është përfshirë për të vënë në dukje doktrina kyçe që studentët duhet të arrijnë t’i kuptojnë, t’i besojnë dhe t’i jetojnë gjatë katër viteve të tyre në seminar dhe gjatë gjithë jetës së tyre. Manuali për secilin kurs u përgatit për të vënë në dukje Doktrinat Bazë ndërsa ato shfaqen gjatë studimit të njëpasnjëshëm të shkrimeve të shenjta nga studenti. Shumë nga fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë u zgjodhën duke pasur në mendje Doktrinat Bazë, kështu që ndërsa u mësoni studentëve fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë, ju do të jepni mësim edhe Doktrinat Bazë.

Kur individët i ruajnë si thesar në mendjet dhe në zemrat e tyre të vërtetat e përjetshme, Fryma e Shenjtë do t’ua sjellë këto të vërteta në kujtesë në kohë nevoje dhe do t’u japë guxim për të vepruar me besim (shih Gjoni 14:26). Presidenti Hauard W. Hanter dha mësim:

“Unë ju nxit fort që t’i përdorni shkrimet e shenjta në mësimdhënien tuaj dhe të bëni gjithçka që është në fuqinë tuaj, për t’i ndihmuar studentët që t’i përdorin ato dhe të mësohen me to. Do të doja që të rinjtë tanë të kenë mirëbesim në shkrimet e shenjta. …

… Ne dëshirojmë që studentët të kenë mirëbesim në forcën dhe të vërtetat e shkrimeve të shenjta, mirëbesim se Ati i tyre Qiellor po u flet vërtet atyre përmes shkrimeve të shenjta dhe mirëbesim se mund t’u drejtohen shkrimeve të shenjta dhe të gjejnë përgjigje për problemet dhe lutjet e tyre. …

… Ne do të shpresonim se asnjëri prej studentëve tuaj nuk do të largohet nga klasa i frikësuar ose në siklet apo i turpëruar që nuk mund ta gjejë ndihmën për të cilën ka nevojë pasi nuk i di shkrimet e shenjta aq mirë sa të gjejë fragmentet e duhura” (“Eternal Investments” [fjalim drejtuar mësuesve të fesë së SAK-ut, 10 shkurt 1989], f. 2, si.lds.org).

Shihni shtojcën në fund të këtij manuali për më tepër informacion rreth zotërimit të shkrimit të shenjtë dhe Doktrinave Bazë.

Përdorimi i Mësimeve të Studimit në Shtëpi

Pamja
shembull i manualit të mësuesit

Përmbledhje e Mësimeve të Studentit

Përmbledhja do t’ju ndihmojë të njiheni vetë me kontekstin dhe doktrinat e parimet që studentët studiuan gjatë javës tek udhëzuesi i studimit i studentëve.

Hyrja e Mësimit

Hyrja e mësimit do t’ju ndihmojë të dini se cilat pjesë të bllokut të shkrimit të shenjtë do të theksohen në mësim.

Struktura e Mësimit

Struktura e mësimit përmban udhëzim për ju ndërsa studioni dhe jepni mësim. Ai sugjeron ide për mësimdhënie, përfshirë pyetje, veprimtari, citate, diagrame dhe tabela.

Pamja
shembull i manualit të mësuesit

Grupimi i Vargjeve dhe Përmbledhja e Kontekstit

Vargjet janë grupuar sipas vendit ku ndodh ndryshimi në kontekst apo përmbajtje përgjatë bllokut të shkrimeve të shenjta. Referenca për secilin grupim të vargjeve ndiqet nga një përmbledhje e shkurtër e ngjarjeve ose e mësimeve brenda atij grupi vargjesh.

Doktrina dhe Parime

Ndërsa doktrinat dhe parimet dalin natyrshëm nga studimi i tekstit të shkrimit të shenjtë, ato vihen në dukje me germa të theksuara për t’ju ndihmuar që t’i dalloni dhe t’i theksoni në diskutimin tuaj me studentët.

Hyrje në Njësinë Tjetër

Paragrafi i fundit i secilit mësim jep një paraqitje të shkurtër të njësisë tjetër. Tregojani këtë paragraf studentëve tuaj në fund të secilit mësim që t’i ndihmoni të presin plot dëshirë për të studiuar shkrimet e shenjta gjatë javës në vijim.

Programi i Studimit të Seminarit në Shtëpi

Programi i studimit në shtëpi u mundëson studentëve t’u njihet si pjesëmarrje në seminar plotësimi i mësimeve të veçanta në shtëpi në vend që të marrin pjesë në orët mësimore të ditëve të javës. Këto mësime gjenden në një manual të veçantë të titulluar Udhëzuesi i Studimit të Librit të Mormonit për Studentët e Seminarit që Studiojnë në Shtëpi. Një herë në javë, studentët takohen me mësuesin e seminarit për të paraqitur punën e tyre dhe për të marrë pjesë në një orë mësimore. Udhëzuesi i studimit i studentëve dhe mësimet e orës së përjavshme mësimore shpjegohen më tej në vijim.

Udhëzuesi i Studimit për Studentët që Studiojnë në Shtëpi

Udhëzuesi i Studimit të Librit të Mormonit për Studentët e Seminaritqë Studiojnë në Shtëpi ka qëllim ta ndihmojë studentin e studimit në shtëpi të fitojë një përvojë në studimin e Librit të Mormonit të ngjashme me atë të studentit të seminarit që merr pjesë në orët mësimore të ditëve të javës. Si rrjedhim, ritmi që ndjek udhëzuesi i studimit i studentëve si edhe doktrinat e parimet që thekson, korrespondojnë me materialin në këtë manual. Udhëzuesi i studimit i studentëve përfshin edhe udhëzim për zotërimin e shkrimit të shenjtë. Fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë përmenden në kontekst ndërsa shfaqen në tekstin e shkrimit të shenjtë. Veprimtari shtesë jepen në fund të mësimeve në të cilat trajtohen fragmentet.

Çdo javë, studentët e studimit në shtëpi të seminarit duhet të plotësojnë katër mësime nga udhëzuesi i studimit i studentëve dhe të marrin pjesë në një mësim të përjavshëm që jepet nga mësuesit i tyre i seminarit. Studentët i plotësojnë detyrat me numër të caktuar nga udhëzuesi i studimit në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta. Studentët duhet të kenë dy ditarë të studimit të shkrimeve të shenjta në mënyrë që të mund t’ia lënë njërin mësuesit të tyre dhe të vazhdojnë të punojnë me tjetrin. Ndërsa studentët takohen me mësuesin e tyre çdo javë, një ditar i dorëzohet mësuesit të studimit në shtëpi dhe tjetri i kthehet studentit për ta përdorur për mësimet e javës tjetër. (Për shembull, gjatë një jave, studenti plotëson detyrat në ditarin numër 1. Pastaj studenti e merr në klasë këtë ditar dhe ia jep mësuesit. Gjatë javës tjetër, studenti plotëson detyrat te ditari numër 2. Kur studenti dorëzon ditarin numër 2, mësuesi do t’i kthejë ditarin numër 1. Atëherë studenti përdor ditarin numër 1 për të plotësuar detyrat e javës tjetër.)

Të gjithë studentët e seminarit nxiten t’i studiojnë shkrimet e shenjta çdo ditë dhe ta lexojnë tekstin për kursin, por studentët e studimit në shtëpi duhet të kuptojnë që prej tyre pritet të harxhojnë 30 deri 40 minuta shtesë me secilin nga katër mësimet e studimit në shtëpi në secilën njësi dhe të marrin pjesë në mësimin e përjavshëm të studimit në shtëpi.

Mësimet e Përjavshme të Mësuesit të Studimit në Shtëpi

Secila njësi tek Udhëzuesi i Studimit të Librit të Mormonit për Studentët e Seminarit që Studiojnë në Shtëpi përputhet me pesë mësime te manuali i mësuesit që jep mësim përditë. Në fund të secilit grup prej pesë mësimesh në këtë manual, do të gjeni një mësim të përjavshëm të mësuesit të studimit në shtëpi. Mësimet e studimit në shtëpi do t’i ndihmojnë studentët të përsëritin doktrinat e parimet që mësuan gjatë javës kur plotësuan mësimet tek udhëzuesi i studimit i studentëve, të thellojnë të kuptuarin e tyre dhe t’i zbatojnë ato. Këto mësime mund të analizojnë edhe të vërteta shtesë që nuk mbulohen tek udhëzuesi i studimit i studentëve. (Për ndihmë me planifikimin e programit të mësimit tuaj, shihni udhërrëfyesin e ritmit për mësuesit e studimit në shtëpi te shtojca në fund të këtij manuali.)

Si mësues i studimit në shtëpi, duhet të zotëroni një kuptim tërësor të asaj që studentët tuaj po studiojnë në shtëpi çdo javë, në mënyrë që të mund t’u përgjigjeni pyetjeve dhe të krijoni diskutime kuptimplote kur të takoheni me ta. Kërkojuni studentëve të sjellin shkrimet e tyre të shenjta me vete, ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta dhe udhëzuesit e studimit të studentëve në orën e përjavshme mësimore në mënyrë që t’u drejtohen atyre gjatë mësimit. Përshtatini mësimet sipas nevojave të studentëve të cilëve u jepni mësim dhe sipas udhëheqjes së Frymës së Shenjtë. Ju mund të dëshironi edhe t’u drejtoheni mësimeve të përditshme të mësuesit në këtë manual ndërsa përgatiteni dhe jepni mësim. Një studim i ndihmave dhe metodave për mësimdhënie të përdorura në mësimet e përditshme mund të ndihmojë në pasurimin e mësimdhënies tuaj javore. Bëni përshtatjet për ndonjë nevojë të veçantë të studentëve që mësoni. Për shembull, nëse një student ka vështirësi në të shkruar, lejojeni atë të përdorë një mjet të regjistrimit të zërit ose t’ia diktojë mendimet e veta një anëtari të familjes ose shoku, i cili mund të shkruajë përgjigjet e tyre.

Në fund të çdo mësimi javor, mblidhni ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta të studentëve dhe nxitini në studimin e tyre të vazhdueshëm. Jepuni një ditar të studimit të shkrimeve të shenjta për detyrat e javës tjetër. Për shkak të kufizimeve kohore, nuk do t’ju duhet t’i vini theks të mëtejshëm zotërimit të shkrimit të shenjtë në mësimet tuaja të përjavshme. Ndërsa i lexoni detyrat në ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta të studentëve, reagoni herë pas here për punën e tyre duke shkruar një shënim të vogël ose duke komentuar herën tjetër që i takoni. Ju mund të dëshironi edhe të kërkoni mënyra të tjera për të dhënë mbështetje dhe përshtypje kuptimplote. Kjo do t’i ndihmojë studentët të dinë që ju kujdeseni për punën e tyre dhe do të ndihmojë t’i nxitë ata të jenë të plotë në përgjigjet e tyre.

Burime të Tjera

Mësuesit mund të vizitojnë faqen e internetit të Seminareve dhe Instituteve të Fesë (si.lds.org) për të marrë ndihmë për përgatitjen e mësimeve dhe për të marrë ide shtesë për mësimdhënien. Burimet në vijim janë të mundësuara në internet, nëpërmjet mbikëqyrësit tuaj, nëpërmjet qendrave vendore të shpërndarjes së Kishës dhe nëpërmjet dyqanit në internet të Kishës (store.lds.org):

  • Pamja
    kapak DVD-je

    DVD-ja si burim pamor i seminarit

  • Pamja
    kopertina e librit

    Libri i Figurave Artistike të Ungjillit

  • Pamja
    kopertina e ditarit

    Ditarë të studimit të shkrimeve të shenjta

  • Pamja
    libërshenjues

    Libërshenjuesit e seminarit (të cilët përfshijnë treguesit kohorë dhe listat e referencave të zotërimit të shkrimit të shenjtë dhe të fjalëve kyçe)

  • Pamja
    shembull karte

    Kartat e zotërimit të shkrimit të shenjtë

  • Pamja
    kopertina e librit

    Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin

  • Pamja
    kopertina e broshurës

    Për Forcën e Rinisë

  • Pamja
    afishe

    Afishe me boshtin kohor

Shtyp në Letër