Mësimi 152
Moroni 1–3
Hyrje
Pasi përfundoi përmbledhjen e tij për fletët e Ethërit, Moroni mendoi se nuk do të shkruante më tej. Sidoqoftë, ai u frymëzua të “shkrua[nte] edhe pak gjëra, që ndoshta mund t’u vle[nin] një ditë në të ardhmen, vëllezërve të [tij] Lamanitë, sipas vullnetit të Zotit” (Moroni 1:4). Fjalët e tij e vërtetojnë besnikërinë e tij ndaj Jezu Krishtit dhe përvijojnë gjithashtu ordinancat e rëndësishme të ungjillit.
Sugjerime për Mësimdhënien
Moroni 1
Moroni endet për të shpëtuar jetën e vet dhe vazhdon shkrimet e tij
Ftojeni një student të lexojë me zë historinë vijuese që tregohet nga një e re, e cila i mbrojti bindjet e saj në shkollë:
“Mësuesja ime ishte përpara klasës, duke folur rreth një pjese nga një film që po përgatiteshim ta shihnim. … Mësuesja ime … shpjegoi me moskokëçarje se … filmi ishte për të rritur. Unë u trondita. … Nuk pata menduar kurrë se mund të ndodhte kjo.
Qëndroja në karrigen time, duke menduar se çfarë duhet të bëja. Një mendim më vinte vazhdimisht në kokë: Neve na është kërkuar të mos shohim filma të pahijshëm. Përpiqesha të arsyetoja se, ngaqë isha në shkollë, pjesa e filmit që po përgatiteshim të shihnim do të ishte e përshtatshme. Por mendimi që të mos shoh filma të pahijshëm i mbyti arsyetimet e mia.
Unë qetësisht ngrita dorën dhe përpara gjithë klasës sime, kërkova të dal nga klasa gjatë kohës që do të shfaqej filmi. Ndjeva vështrimet e secilit mbi mua ndërsa shtyva karrigen time dhe rrëmbeva librin tim. Pashë pamjen e fytyrave të tyre; ata thjesht nuk kuptonin.
Ndërsa isha ulur në korridor, ndihesha shumë e lumtur. E dija se pata bërë gjënë e drejtë, pavarësisht se çfarë thoshin shokët e shoqet apo mësuesja ime. U ndjeva më e fortë gjithashtu. E dija se nuk duhej të shihja një pjesë të papërshtatshme filmi thjesht ngaqë na e pati shfaqur mësuesja ime.
… Unë besoj se, kur përballemi me çaste vështirësie dhe u kundërvihemi atyre, ne bëhemi më të fortë sesa po të uleshim dhe t’i linim ato të ndodhnin.
Kjo është një forcë e brendshme që gjendet nëpërmjet Shpëtimtarit tonë. Nëse shohim tek Ai në kohët tona të vështira, ne do të bëhemi të fortë. Besimi ynë tek Ai mund të na ndihmojë të përballemi me vështirësi” (Catherine Hall, “Standing Up, Standing Out”, New Era, shkurt 2012, f. 11).
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Moronin 1:1–3, duke kërkuar se si Moroni qëndroi i vetëm në besimin e tij. Ftojini ata të raportojnë atë që zbulojnë. Merrni parasysh të bëni pyetjet që vijojnë:
-
Çfarë do të thotë për ju të mos e “moho[ni] Krishtin”?
-
Kur keni treguar vendosmëri ju apo dikush që e njihni për të ndjekur Jezu Krishtin duke u gjendur mes vështirësish?
Shpjegoni se, edhe pse shembujt e Moronit dhe të së resë në histori janë shembuj të mëdhenj të mosmohimit të Jezu Krishtit, secili prej nesh mund të marrë vendime të vogla çdo ditë që demonstrojnë të njëjtin besim, bindje dhe dëshirë për të mos e “moh[uar] Krishtin”.
-
Cilat janë disa mënyra se si mund ta ndiqni shembullin e Moronit? (Studentët mund të sugjerojnë se mund të mos u vijë turp për ungjillin dhe standardet e tij, t’u binden urdhërimeve, të bëhen një shembull i drejtë dhe të qëndrojnë të patundur në dëshminë për Jezu Krishtin edhe kur të tjerët nuk e bëjnë këtë.)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Moronin 1:4. Kërkojini klasës ta ndjekë duke parë për arsyet përse Moroni zgjodhi të vazhdojë të shkruajë. Pasi studentët të raportojnë për ç’kanë gjetur, vini në dukje që Moroni shkroi për përfitimin e pasardhësve të atyre që kërkonin t’i merrnin jetën.
-
Çfarë mund të mësojmë nga dëshira e Moronit për t’i ndihmuar lamanitët? (Ne mund të demonstrojmë zotimin tonë për ta ndjekur Jezu Krishtin duke zgjedhur të tregojmë dashuri për armiqtë tanë.)
Shpjegoni se zotimi i Moronit ndaj Jezu Krishtit e bëri atë që të shkruajë rreth disa aspekteve kyçe të Kishës që ai ndiente se “[vlenin]” (Moroni 1:4). Ftoni studentët të shqyrtojnë se si Moroni 2–3 mund t’u vlejë ndërsa studiojnë këta kapituj.
Moroni 2
Moroni regjistron udhëzimet e Jezu Krishtit mbi dhënien e dhuratës së Frymës së Shenjtë
Ftojeni një të ri të dalë përpara klasës. Kërkojini klasës ta përfytyrojë këtë të ri në të ardhmen si misionar kohëplotë. Ai dhe shoku i tij misionar kanë qenë duke i mësuar ungjillin dikujt dhe personi ka vendosur të pagëzohet. I riu në klasën tuaj ftohet të kryejë ordinancën e konfirmimit, që përfshin dhënien e dhuratës së Frymës së Shenjtë. Bëjini të riut pyetjen e mëposhtme:
-
Çfarë mund të bëni për t’u përgatitur që ta kryeni këtë ordinancë? (Pasi i riu përgjigjet, ftojeni pjesën tjetër të klasës që të ndajë gjithashtu mendimet e veta.)
Shpjegoni se kur Shpëtimtari i ringjallur vizitoi nefitët, “ai preku me dorën e tij dishepujt që kishte zgjedhur” dhe “u dha fuqi atyre që të jepnin Frymën e Shenjtë” (3 Nefi 18:36–37). Moroni përfshiu në analin e tij disa nga udhëzimet e Shpëtimtarit për dymbëdhjetë dishepujt nefitë mbi mënyrën se si ta jepnin dhuratën e Frymës së Shenjtë. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Moronin 2:1–3 dhe i thoni klasës të kërkojë për informacionin që vijon.
-
Çfarë duhet të bëjë personi që kryen ordinancën për t’u përgatitur
-
Si duhet të kryhet ordinanca
Pasi studentët të lexojnë vargjet, u bëni disa ose të gjitha pyetjet që vijojnë:
-
Sipas shënimit b në fund të faqes për Moronin 2:2, cila priftëri kërkohet për të dhënë dhuratën e Frymës së Shenjtë? (Priftëria Melkizedeke.)
-
Çfarë duhet të bëjë një mbajtës i Priftërisë Melkizedeke për t’u përgatitur të japë dhuratën e Frymës së Shenjtë? (Ai duhet “t’i thërr[asë] Atit në emrin [e Jezu Krishtit], me lutje të fuqishme”.)
-
Si mendoni ju se mund ta ndihmojë lutja një person që të përgatitet për të kryer një ordinancë të priftërisë?
-
Si duhet të kryhet ordinanca e konfirmimit? (Me anë të vënies së duarve dhe në emër të Jezu Krishtit. Shpjegoni se për një pjesë të kësaj ordinance, mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke duhet të përdorin disa fjalë të caktuara. Misionarëve kohëplotë u jepen manuale të vegjël me udhëzime mbi mënyrën se si të kryejnë ordinanca dhe bekime të priftërisë.)
Ju mund të doni të përmblidhni atë që studentët kanë mësuar deri tani duke shkruar të vërtetën e mëposhtme në tabelë: Mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke ua japin dhuratën e Frymës së Shenjtë anëtarëve të pagëzuar të Kishës me anë të vënies së duarve.
Moroni 3
Moroni regjistron udhëzimet e Jezu Krishtit për shugurimin e priftërinjve dhe mësuesve
Një ditë apo dy përpara dhënies së këtij mësimi, ju mund të merrni parasysh t’i kërkoni një të riu që të përgatitet për t’i lexuar klasës linjën e tij të autoritetit të priftërisë. (Ose ju mund të përgatiteni të lexoni linjën tuaj të autoritetit ose linjën e autoritetit të një anëtari të familjes apo të një udhëheqësi të priftërisë në lagjen ose degën tuaj.) Shpjegoni se linja e autoritetit të priftërisë e çon autoritetin e mbajtësit të priftërisë te Jezu Krishti. Mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke mund të kërkojnë një anal të linjës së tyre të autoritetit duke kontaktuar zyrat qendrore të Kishës ose zyrën e administratës së zonës së tyre. Kisha nuk siguron dokumentacion linjash autoriteti për mbajtësit e Priftërisë Aarone. Gjithsesi, nëse një mbajtës i Priftërisë Aarone është shuguruar nga një mbajtës i Priftërisë Melkizedeke, ai mund të mësojë rreth linjës së autoritetit të njeriut që e shuguroi atë.
Kërkojini studentit t’i lexojë klasës linjën e tij të autoritetit (ose i lexoni klasës linjën e autoritetit që keni sjellë). Ftojeni të thonë çfarë do të thotë për të të dijë se ai mund ta ndjekë autoritetin e tij të priftërisë drejtpërdrejt te Jezu Krishti (ose tregoni për vetë ndjenjat tuaja rreth mbajtësve të priftërisë që janë në gjendje të ndjekin autoritetin e tyre të priftërisë deri te Shpëtimtari).
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë që autoriteti për të kryer të gjitha detyrat e priftërisë vjen nga Jezu Krishti dhe Ati Qiellor, ftojeni një student të lexojë thënien e mëposhtme nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Të vepruarit me autoritet hyjnor kërkon më shumë se një kontratë të thjeshtë shoqërore. Ajo nuk mund të krijohet me anë të trajnimit teologjik apo autorizimit nga njësia e besimtarëve. Jo, në punën e autorizuar të Perëndisë duhet të ketë fuqi më të madhe sesa ajo e zotëruar tashmë nga njerëzit në komunitete apo në rrugë, apo në seminare – një fakt që shumë kërkues të ndershëm fetarë e kanë njohur dhe pranuar haptazi ndër breza deri te Rivendosja. …
… Ne në Kishën e rivendosur të Jezu Krishtit mund ta gjurmojmë linjën e autoritetit të priftërisë të ushtruar nga dhjaku më i ri në lagje, peshkopi që kryeson mbi të dhe profeti që kryeson mbi të gjithë ne. Ajo linjë shkon pas në një zinxhir të pashkëputur deri te shërbestarët engjëllorë që erdhën nga Vetë Biri i Perëndisë, duke e sjellë këtë dhuratë të pakrahasueshme nga qielli” (“Our Most Distinguishing Feature”, Ensign ose Liahona, maj 2005, f. 44).
-
Përse është e rëndësishme për ju që të dini se çdo mbajtës i priftërisë në këtë Kishë mund ta gjurmojë autoritetin e tij pas deri te Jezu Krishti?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Moronin 3:1–4. Kërkojini klasës ta ndjekë, duke parë për mënyrën se si individët shugurohen në detyra priftërie.
-
Si shugurohen individët në detyra priftërie? (Individët shugurohen në detyra priftërie me anë të vënies së duarve nga ata që kanë autoritet.)
-
Përse është e nevojshme për një individ që të shugurohet në një detyrë priftërie nga dikush që aktualisht e mban atë detyrë, ose një detyrë më të lartë, në priftëri?
Kërkojuni mbajtësve të priftërisë në klasë të shpjegojnë shkurt detyrat e tyre të priftërisë. Pyeteni klasën:
-
Kur jeni bekuar ngaqë një mbajtës i priftërisë i plotësoi përgjegjësitë e tij?
Ftoni disa studentë të tregojnë ndjenjat e tyre rreth mënyrës se si priftëria e ka bekuar jetën e tyre. Ju mund të doni gjithashtu të tregoni se si jeta juaj është bekuar në saje të priftërisë.