Biblioteka
Mësimi 1: Roli i Nxënësit


Mësimi 1

Roli i Nxënësit

Hyrje

Qëllimi i këtij mësimi është t’i ndihmojë studentët të përmbushin rolin e tyre në të nxënit e ungjillit. Ndonjëherë, studentët mendojnë se përgjegjësia për të nxënit e tyre qëndron vetëm te mësuesi. Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, foli rreth nevojës për të kërkuar drejtimin e Frymës së Shenjtë si nga nxënësi edhe mësuesi:

“Shqetësimet dhe tundimet me të cilat u përballën studentët tanë vetëm pesë vite më parë, janë shumë të përballueshme në krahasim me atë çka shohim tani, dhe madje kohë edhe më të vështira janë përpara. Kam ndier … se ajo që kemi bërë dhe po bëjmë, nuk do të mjaftonte. Neve na duhet fuqi më e madhe për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë dhe ta jetojnë ungjillin në një përmasë më të madhe. …

Ju duhet të keni Shpirtin si shoqëruesin tuaj të përhershëm për t’ju mësuar me fuqi, dhe studentët tuaj nuk do të mbijetojnë shpirtërisht pa pasur Shpirtin si shoqërues” (“The Spirit Must Be Our Constant Companion” [drejtuar mësuesve të fesë së SAK-ut, 7 shkurt 2003], f. 1, si.lds.org).

Ndërsa jepni mësim nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë dhe i ndihmoni studentët të mësojnë nëpërmjet të njëjtës fuqi, ju mund t’i ndihmoni ata të kthehen vërtet në besim në ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit. Juve mund t’ju duhet t’i shqyrtoni shpesh parimet e marra në këtë mësim për t’i kujtuar studentët për përgjegjësitë e tyre në orën mësimore.

Sugjerime për Mësimdhënien

Përgjegjësia individuale për të mësuar me anë të studimit dhe me anë të besimit

Ftojeni një student përpara klasës. Shpjegojini se ju dëshironi ta ndihmoni atë student të bëhet më i fortë fizikisht. Më pas kërkojini një studenti tjetër të dalë vullnetar dhe të bëjë pesë pompa.

Pasi studenti i dytë t’i ketë bërë pompat, pyeteni studentin e parë:

  • A ju bënë më të fortë ato pompa?

Pyeteni klasën:

  • Si lidhet ky shembull i ushtrimit fizik me përgjegjësinë tuaj për të mësuar ungjillin? Kush është përgjegjës për të nxënit tuaj të ungjillit?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 88:118.

  • Ç’mendoni se do të thotë “kërkoni të mësoni … me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit”? (Ju mund të dëshironi të vini në dukje se të mësuarit me anë të studimit dhe besimit kërkon përpjekje individuale.)

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, foli rreth asaj se çfarë do të thotë të mësosh me anë të besimit. Nxitini studentët që ta shkruajnë diku këtë deklaratë (ndoshta në ditaret e studimit të shkrimeve të shenjta ose blloqet e tyre të detyrave të klasës) në mënyrë që të mund t’i referohen asaj shpesh gjatë gjithë vitit të seminarit:

“Mësimi me anë të besimit kërkon ushtrim shpirtëror, mendor dhe fizik dhe jo thjesht pranim pasiv. … Një student/e duhet ta ushtrojë besimin dhe të veprojë me qëllim që të sigurojë njohuri për veten e tij ose të saj” (“Seek Learning by Faith” [drejtuar mësuesve të fesë së SAK-ut, 3 shkurt 2006], f. 3, si.lds.org).

Studimi i përditshëm vetjak i shkrimeve të shenjta

Shpjegoni se studimi i përditshëm vetjak i shkrimeve të shenjta është një pjesë e rëndësishme e synimit për të mësuar me anë të studimit dhe besimit.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Helamani 3:29–30.

  • Cili mendoni se është ndryshimi midis leximit të zakonshëm të shkrimeve të shenjta dhe “mbështet[jes] në fjalën e Perëndisë”?

  • Sipas vargjeve që sapo lexuam, çfarë bekimesh vijnë nga mbështetja në fjalën e Perëndisë?

  • Çfarë bekimesh të tjera vijnë përmes studimit të përditshëm të shkrimeve të shenjta?

  • Kur keni marrë bekime përmes studimit të përditshëm vetjak të shkrimeve të shenjta?

Ndërkohë që studentët u përgjigjen këtyre pyetjeve, sigurohuni që ata ta kuptojnë se studimi i përditshëm i shkrimeve të shenjta e forcon dëshminë tonë, fton Shpirtin e Shenjtë në jetën tonë dhe na ndihmon të mësojmë ungjillin.

Ftojini studentët t’i përgjigjen njërës prej pyetjeve në vijim në ditaret e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta:

  • Si mund ta përmirësoni studimin tuaj të Librit të Mormonit këtë vit?

  • Në ç’mënyra ka ndikuar leximi i Librit të Mormonit në ndjenjat tuaja për Jezu Krishtin?

Ftojini studentët që të vendosin një synim për ta studiuar këtë vit Librin e Mormonit çdo ditë. Ftojini ata gjithashtu që të vendosin një synim për ta lexuar të gjithë Librin e Mormonit gjatë vitit të seminarit. Ju mund t’u sugjeroni që t’i shkruajnë këto synime në ditaret e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta. Kujtojuni atyre se synimet mund t’i ndihmojnë ata lidhur me kërkesat për broshurat “Detyrë ndaj Perëndisë” dhe “Përparimi Personal”.

Të Mësuarit me Anë të Shpirtit

Kopjojeni skemën e mëposhtme në tabelë. Mos i shkruani fjalët në skemë. Ju do t’i shkruani ato ndërkohë që zhvillohet mësimi.

Pamja
Triangle Diagram

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 50:17–18.

  • Sipas këtyre vargjeve, çfarë kërkon Zoti nga një mësues i ungjillit? (Të japë mësim të vërtetën me anë të fuqisë së Shpirtit.)

Shkruani Fryma e Shenjtë dhe Mësues në skemë, siç tregohet më sipër. Ndërsa jepni mësim, ndani mendimet tuaja rreth kërkimit të drejtimit të Frymës së Shenjtë. Ndihmojini studentët që të dinë se gjatë përgatitjes dhe mësimdhënies tuaj, ju bëni një përpjekje të sinqertë për t’u drejtuar nga Shpirti.

Kërkojuni studentëve të vendosin një letër shënuese te Doktrina e Besëlidhje 50 (duke qenë se do t’i kthehen këtij shkrimi të shenjtë pas pak). Vëreni një student të lexojë me zë të lartë 2 Nefin 33:1.

  • Çfarë bën Fryma e Shenjtë për nxënësin kur jepet mësim ungjilli?

Shpjegoni se për të mësuar ungjillin në mënyrën e Zotit, ne duhet të pranojmë përgjegjësinë për të mësuar me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 50:19–21.

  • Çfarë duhet të shkruajmë pranë këndit të poshtëm në të djathtë të trekëndëshit? (Shkruani Student.)

  • Ç’mendoni se do të thotë ta marrësh të vërtetën me anë të Shpirtit?

Ju mund të dëshironi të jepni mësim disa parime rreth njohjes së ndikimit të Shpirtit të Shenjtë. Ndihmojini studentët të kuptojnë se Shpirti zakonisht komunikon me ne qetësisht, përmes ndjenjave tona dhe në mendjet tona (shih 1 Nefi 17:45; DeB 8:2–3). Fryma e Shenjtë gjithashtu sjell ndjenja si dashuria, gëzimi, paqja, durimi, butësia, mirëdashja, besimi dhe shpresa (shih Galatasve 5:22–23; DeB 11:12).

  • Çfarë mund të bëni në seminar që ta përgatitni veten për të mësuar me anë të Shpirtit?

Si pjesë e këtij diskutimi, ndihmojini studentët të kuptojnë se një mënyrë e rëndësishme për të mësuar me anë të Shpirtit është të jemi të gatshëm të ndajmë dëshmitë tona me njëri-tjetrin. Lexoni deklaratën në vijim nga Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Riçard G. Skot

“Kur studentët i shprehin të vërtetat me fjalët e tyre, [këto të vërteta] përforcohen në shpirtrat e tyre dhe forcojnë dëshminë e tyre vetjake” (“To Understand and Live Truth” [drejtuar mësuesve të fesë së SAK-ut, 4 shkurt 2005], f. 3, si.lds.org).

Kujtojini studentët se programet Detyrë ndaj Perëndisë dhe Përparimi Personal përfshijnë sugjerime për të ndarë me të tjerët të vërtetat e ungjillit. Nxitini ata që të tregojnë përvojat e tyre në orët mësimore të seminarit, në mbledhjet e kuorumit ose të klasës dhe në bashkëbisedimet me pjesëtarët e familjes dhe miqtë e tyre. Theksoni se kur ata bëjnë përpjekje për të shpjeguar, ndarë dhe dëshmuar të vërtetat e ungjillit, Perëndia do ta rritë aftësinë e tyre për ta diskutuar ungjillin me të tjerët.

Referojuni sërish skemës në tabelë. Vëreni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 50:14, 22.

  • Si i përmbledhin këto vargje rolet e Frymës së Shenjtë, të mësuesit dhe të studentit në të nxënit e ungjillit? (Juve mund t’ju duhet të shpjegoni se Fryma e Shenjtë, e quajtur gjithashtu Shpirti dhe Ngushëlluesi në këtë fragment, jep mësim të vërtetën. Mësuesi duhet të japë mësim me anë të fuqisë së Shpirtit dhe studenti duhet të mësojë me anë të së njëjtës fuqi.)

  • Çfarë ndodh kur një student mëson me anë të Shpirtit dhe mësuesi jep mësim me anë të Shpirtit? (Juve mund t’ju duhet të shpjegoni se folja lartësoj do të thotë të ndërtosh, forcosh, ndriçosh apo përmirësosh.)

Te Libri i Mormonit, Enosi dhe Alma janë shembuj të njerëzve që mësuan me anë të Shpirtit. Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Enosi 1:4–10 dhe Alma 5:45–47. (Ju mund të dëshironi t’i shkruani në tabelë këto referenca.) Më pas pyetni:

  • Çfarë bëri Enosi (ose Alma) për të mësuar me anë të Shpirtit?

  • Çfarë bëri Shpirti për Enosin (ose Almën)?

Ftojeni një student të lexojë deklaratën vijuese nga Plaku Bednar:

“Ne duhet të kujtojmë gjithmonë se Fryma e Shenjtë është mësuesi që, përmes ftesës së duhur, mund të hyjë në zemrën e nxënësit” (“Seek Learning by Faith”, f. 4).

  • Si mund të zbatohet ajo që kemi studiuar deri tani, për përgjegjësitë tuaja individuale si një anëtar i kësaj klase? (Ndërkohë që studentët përgjigjen, sigurohuni që ata ta kuptojnë se kur ne hapim zemrat tona dhe i kërkojmë Perëndisë me besim, Fryma e Shenjtë do të na ndihmojë t’i kuptojmë të vërtetat e ungjillit.)

Në mënyrë që t’i ndihmoni studentët të marrin parasysh mënyrat se si mund ta ndihmojnë njëri-tjetrin për të mësuar me anë të Shpirtit, pyetni:

  • Çfarë veprimesh mund të ndërmarrim që do të ndihmojnë për ta ftuar Shpirtin në klasën tonë? (Përgjigjet mund të përfshijnë këndimin e himnit të hapjes, sjelljen e shkrimeve të shenjta në klasë dhe përdorimin e përditshëm të tyre, të qenit të gatshëm për t’iu përgjigjur pyetjeve dhe për të ndarë përvojat, lutjen për njëri-tjetrin dhe të kërkuarit për drejtimin e Frymës së Shenjtë.)

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se veprimet negative mund edhe të ndikojnë te pjesa tjetër e klasës, pyetni:

  • Cilat lloje qëndrimesh apo sjelljesh e fyejnë Shpirtin në një orë mësimore të seminarit?

Ftojini studentët të mendojnë rreth vlerës së të pasurit të Shpirtit të Shenjtë si mësuesin e tyre.

  • Kur e keni përjetuar Shpirtin të veprojë në rolin e Tij si mësues?

Mbylleni duke i ftuar studentët të mësojnë me anë të studimit dhe besimit ndërsa e studiojnë Librin e Mormonit në seminar këtë vit. Ju mund të dëshironi të ndiqni ecurinë e studentëve gjatë gjithë vitit për t’i nxitur ata të vazhdojnë në këtë përpjekje.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Studimi i përditshëm i shkrimeve të shenjta

“Profetët e ditëve të mëvonshme na këshillojnë të studiojmë shkrimet e shenjta çdo ditë, si individualisht, ashtu edhe me familjet tona. Ata na nxitin ne, siç i nxiti Nefi vëllezërit e tij, t’i përshtatim shkrimet me veten tonë, duke gjetur mënyra me të cilat përmbledhjet e shenjta të kohërave të vjetra ne t’i zbatojmë në jetën tonë sot (shih 1 Nefi 19:23–24). Ata na këshillojnë ne të ‘[hetojmë] shkrimet’ (Gjoni 5:39) dhe të ‘[ushqehemi] me bollëk me fjalët e Krishtit’ (2 Nefi 32:3).

Ju do të përfitoni shumë nga ndjekja e kësaj këshille. Studimi ditor dhe kuptimplotë i shkrimeve të shenjta ju ndihmon të jeni i ndjeshëm ndaj pëshpëritjeve të Frymës së Shenjtë. Ai ju forcon besimin, ju përforcon kundra tundimit dhe ju ndihmon të vini pranë Atit tuaj Qiellor dhe Birit të Tij të Dashur.

Zhvilloni një plan për studimin vetjak të shkrimeve të shenjta. Merrni parasysh që të vini mënjanë çdo ditë një sasi kohe të caktuar për të studiuar shkrimet e shenjta. Gjatë asaj kohe lexoni me kujdes, duke qenë të vëmendshëm ndaj nxitjeve të Shpirtit. Kërkojini Atit tuaj Qiellor t’ju ndihmojë që të dini se çfarë do Ai që ju të mësoni dhe të bëni.

Vazhdoni të lexoni shkrimet e shenjta, veçanërisht Librin e Mormonit, gjatë gjithë jetës suaj. Ju do t’i rizbuloni thesaret e shkrimeve të shenjta vazhdimisht, duke gjetur tek ato kuptime dhe zbatime të reja ndërsa i studioni në stade të ndryshme të jetës suaj” (Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2004], “Shkrime të Shenjta”, f. 160).

Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, tha:

“Nëse bëhemi të shkujdesur në studimin tonë të shkrimeve të shenjta, do të bëhemi të shkujdesur në lutjet tona.

Ne mund të mos reshtim së luturi, por lutjet tona do të bëhen më të përsëritura, më mekanike, duke u munguar qëllimi i vërtetë. Zemrat tona nuk mund t’i afrohen një Perëndie që ne nuk e njohim, dhe shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve të gjallë na ndihmojnë ta njohim Atë” (“Prayer”, Ensign, nëntor 2001, f. 17).

2 Nefi 33:1. Hapja e zemrave tona Frymës së Shenjtë

Si pjesë e diskutimit tuaj të 2 Nefit 33:1, merrni parasysh leximin e deklaratës së mëposhtme nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

“Nefi na mëson: ‘Kur një njeri flet nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, fuqia e Frymës së Shenjtë e çon [mesazhin] në zemrat e fëmijëve të njerëzve’ (2 Nefi 33:1). “Lutem vini re se si fuqia e Shpirtit e çon mesazhin te por jo domosdoshmërisht zemër. Një mësues mund të shpjegojë, të tregojë konkretisht, të bindë dhe të dëshmojë dhe të veprojë kështu me fuqi shpirtërore dhe efektshmëri të madhe. Megjithatë, përfundimisht, përmbajtja e një mesazhi dhe dëshmia e Frymës së Shenjtë depërtojnë në zemër vetëm nëse marrësi i lejon ato të hyjnë.

Një nxënës/e që e ushtron lirinë e zgjedhjes duke vepruar sipas parimeve të drejta, ia hap zemrën e tij ose të saj Frymës së Shenjtë – dhe fton fuqinë e Tij mësimdhënëse, dëshmuese dhe dëshmimin e Tij pohues” (“Seek Learning by Faith” [drejtuar Mësuesve të Fesë së SAK-ut, 3 shkurt 2006], f. 1, 3, si.lds.org).

Shtyp në Letër