Biblioteka
Mësimi 7: 1 Nefi 2


Mësimi 7

1 Nefi 2

Hyrje

Rrëfimi te 1 Nefi 2 tregon reagimet e ndryshme ndaj urdhërimeve të Zotit. Lehi iu bind urdhrit të Zotit për ta çuar familjen e vet në vendin e shkretë. Të ballafaquar me vështirësinë e këtij urdhri, Lamani dhe Lemueli u rebeluan. Përkundrazi, Nefi kërkoi një dëshmim pohues.

Sugjerime për Mësimdhënien

1 Nefi 2:1–7

Perëndia e urdhëron Lehin të niset për në vendin e shkretë

Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë sikur prindërit e tyre u kanë thënë se familjet duhet t’i lënë shtëpitë e tyre nesër, duke braktisur thuajse të gjitha pasuritë e tyre. Ata do të ecin në vendin e shkretë, duke marrë vetëm rezervat që u duhen për të qëndruar gjallë.

  • Si mund të reagonit?

  • Si do të ndryshonte reagimi juaj nëse do të dinit se urdhri për t’u shpërngulur në vendin e shkretë kishte ardhur nga Zoti?

Ftoni një student të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 2:1–6. Vëreni klasën që të kërkojë arsyet përse Lehi e çoi familjen e tij në vendin e shkretë.

  • Çfarë urdhërimi mori Lehi nga Zoti? (Shih 1 Nefi 2:2.)

  • Çfarë mund të mësoni nga vendimet e Lehit për atë që duhet të marrim dhe atë që duhet të lëmë pas?

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 2:7.

  • Lehi i dha falënderime Zotit menjëherë pas lënies së shtëpisë dhe gjërave të tij personale. Çfarë mund të mësojmë nga kjo?

  • Për çfarë ishte mirënjohës Lehi?

Shkruani në tabelë thënien në vijim: Kur jemi besnikë dhe të bindur, Zoti do të na ndihmojë në kohë sprovash.

  • Kur e keni ndier ndihmën e Zotit në kohë sprovash? (Nxitini studentët të kërkojnë drejtimin e Shpirtit në përgjigje të kësaj pyetjeje. Ndihmojini ata të kuptojnë se nuk nevojitet të tregojnë përvoja që janë tepër personale apo të brendshme.)

1 Nefi 2:8–15

Lamani dhe Lemueli murmurisin kundër të atit

Kërkojuni studentëve të pyetin veten në heshtje nëse janë ankuar ndonjëherë, ose me zë ose së brendshmi, për një urdhërim nga Zoti ose rreth një kërkese nga një prind apo udhëheqës i Kishës. Jepuni atyre një çast për të reflektuar mbi përvojat e tyre.

  • Përse ndonjëherë ankohemi kur na jepet udhëzim?

Shkruani në tabelë Lumë dhe Luginë. Ftoni një student të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 2:8–10.

  • Në ç’mënyrë dëshironte Lehi që Lamani të ishte si një lumë? Në ç’mënyrë dëshironte ai që Lemueli të ishte si një luginë? (Ju mund të dëshironi t’u kërkoni studentëve t’i shkruajnë përgjigjet e tyre në tabelë, afër fjalëve Lumë dhe Luginë.)

  • Çfarë po përpiqej Lehi t’u mësonte Lamanit dhe Lemuelit?

Vërini studentët të lexojnë në heshtje 1 Nefin 2:11–14.

  • Cilat janë disa arsye përse Lamani dhe Lemueli murmuritën kundër të atit?

  • Te 1 Nefi 2:11, fjala kokëfortësi i referohet krenarisë ose kryeneçësisë. Përse ndjenjat e krenarisë ndonjëherë i bëjnë njerëzit të murmurisin?

  • Përse mendoni se murmuritja nganjëherë ndodh kur njerëzit nuk i kuptojnë veprimet e Perëndisë?

Shpjegoni se një arsye pse Satani dëshiron që ne të murmurisim është se kjo na pengon të ndjekim profetët e gjallë, udhëheqës të tjerë të frymëzuar dhe prindërit. Si pjesë të diskutimit tuaj, ju mund të dëshironi të tregoni sa vijon, bazuar në një deklaratë nga Plaku H. Ros Uorkmen, i Të Shtatëdhjetëve:

“Murmuritja përmban tre hapa, secili të çon tek tjetri në një rrugë që zbret drejt mosbindjes.” Së pari, njerëzit fillojnë të dyshojnë. Ata dyshojnë “fillimisht në vetë mendjet e tyre”, dhe më pas ata i rrënjosin dyshimet “në mendjet e të tjerëve”. Së dyti, ata të cilët murmurisin fillojnë të “arsyetojnë dhe të justifikojnë veten kundër bërjes së asaj që ata [janë] udhëzuar të bëjnë. … Në këtë mënyrë, ata [krijojnë] një justifikim për mosbindjen.” Justifikimet e tyre i çojnë tek hapi i tretë: “Plogështia në ndjekjen e urdhërimit të Mësuesit. …

Unë ju ftoj të përqendroheni te urdhërimi nga profetët e gjallë që ju shqetëson më tepër. A e vini në dyshim nëse urdhërimi është i zbatueshëm për ju? A gjeni justifikime të lehta përse nuk mund t’i bindeni tani urdhërimit? A ndiheni i zemëruar ose i nervozuar me ata që jua kujtojnë urdhërimin? A jeni të ngadaltë në plotësimin e tij? Ruhuni nga dinakëria e kundërshtarit. Ruhuni nga murmuritja” (“Beware of Murmuring”, Ensign, nëntor 2001, f. 85–86).

Ftojini studentët t’i përgjigjen pyetjes në vijim në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta ose fletoret e klasës:

  • Çfarë mund të bëni nëse e gjeni veten duke murmuritur për profetët dhe urdhërimet e Zotit?

1 Nefi 2:16–19

Nefi kërkon kuptueshmëri nga Zoti

Vërini studentët të lexojnë dhe të përsiatin në heshtje 1 Nefin 2:16, 19.

  • Si iu përgjigj Nefi mesazhit të të atit?

  • Kur e keni thirrur Perëndinë dhe e keni ndier zemrën t’ju zbutet?

Jepuni studentëve mundësinë për të treguar rreth rasteve kur Zoti u ka zbutur zemrën (por kujtojuni atyre se nuk duhet të ndihen të detyruar të tregojnë përvoja që janë tepër personale apo të brendshme). Përveç kësaj, ju mund të dëshironi të tregoni rreth një rasti kur Zoti zbuti zemrën tuaj. Sigurojini studentët se kur e thërrasim Perëndinë, Ai mund t’i zbutë zemrat tona që t’i besojmë fjalëve të Tij.

Lexoni me zë të lartë 1 Nefin 2:19. Vërini studentët të shpjegojnë me fjalët e tyre kuptimin e termave “me zell” dhe “me përulësinë e zemrës”. Nxitini ata ta kërkojnë Zotin sikurse bëri Nefi.

Ftoni një student të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 2:17–18.

  • Çfarë parimesh mund të mësojmë nga përgjigjet e ndryshme të Nefit, Samit, Lamanit dhe Lemuelit?

  • Kur e kanë forcuar besimin tuaj fjalët e një pjesëtari të familjes ose miku, sikurse fjalët e Nefit e forcuan besimin e Samit?

1 Nefi 2:20–24

Ata që mbajnë urdhërimet do të përparojnë

Vërini studentët të lexojnë 1 Nefin 2:20–21. Ftojini ata të identifikojnë ose shenjojnë premtimin se “derisa ju do të zbatoni urdhërimet e mia, do të përparoni”. Shpjegoni se ndërsa ata e studiojnë Librin e Mormonit, do të lexojnë për shumë shembuj të përmbushjes së këtij premtimi.

Merrni parasysh të ndani thënien në vijim nga Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

“Bindja është ligji i parë i qiellit. I gjithë përparimi, e gjithë përsosja, i gjithë shpëtimi, e gjithë perëndishmëria, gjithçka që është e drejtë, e saktë dhe e vërtetë, të gjitha gjërat e mira u vijnë atyre të cilët i jetojnë ligjet e Atij që është i Përjetshëm. Nuk ka asgjë më të rëndësishme në gjithë përjetësinë sesa mbajtja e urdhërimeve të Perëndisë” (The Promised Messiah: The First Coming of Christ [1978], f. 126).

Jepni dëshminë tuaj se Perëndia i bekon ata që janë të bindur dhe besnikë. Sikurse Nefi, studentët mund të zhvillojnë mirëbesim në marrjen e drejtimit nga Zoti. Nxitini ata të përpiqen të bëhen më të bindur dhe të ndjekin drejtimin që marrin nga Shpirti i Shenjtë.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

1 Nefi 2:2-6. Rrugëtimi i mundshëm i ndërmarrë nga familja e Lehit

Lehi mund ta ketë udhëhequr familjen e tij drejt Detit të Kuq, afër gjirit të Aqabatës, rreth 180 milje (290 kilometra) larg Jerusalemit. Kjo do të kërkonte të udhëtoje përmes një vendi të nxehtë dhe jopjellor, të njohur për banditë që prisnin t’i vidhnin udhëtarët e papërgatitur. Pas mbërritjes në Detin e Kuq, familja udhëtoi për tri ditë më shumë para se të fushonin në një luginë lumi. Udhëtimi nga Jerusalemi për në luginën e lumit mund të ketë zgjatur rreth 14 ditë. Ju mund të dëshironi t’ua kujtoni studentëve këto distanca dhe kohëzgjatje, kur të lexojnë rreth Nefit dhe vëllezërve të tij duke udhëtuar sërish në Jerusalem.

Pamja
hartë e Lindjes së Mesme

1 Nefi 2:7. Duke i treguar mirënjohje Zotit

Mirënjohja e Lehit për drejtimin dhe mbrojtjen e Zotit tregohet te 1 Nefi 2:7: “Ai ndërtoi një altar prej gurësh dhe i bëri një flijim Zotit, dhe i dha falënderime Zotit, Perëndisë sonë”. Ky është i pari nga shumë shembuj në Librin e Mormonit kur ndjekësit besnikë të Krishtit ofronin sakrifica dhe olokauste për t’i shprehur falënderime Perëndisë (shih, për shembull, 1 Nefin 7:22; Mosia 2:3–4). Shprehjet e sinqerta të mirënjohjes dhe bindjes ndaj Atit Qiellor janë të domosdoshme për të gjithë fëmijët e Tij nëse duan ta kënaqin Atë (shih DeB 59:21).

Shtyp në Letër