Biblioteka
Omni


Hyrje në Librin e Omnit

Përse të studiohet ky libër?

Përmes studimit vetjak të librit të Omnit, studentët do të mësojnë se Zoti i mbrojti nefitët e drejtë dhe i udhëhoqi për në tokën e Zarahemlës (shih Omni 1:7, 12–13). Ata do të mësojnë edhe për grupe të tjera – mulekitët (ose populli i Zarahemlës) dhe jareditët – të cilët Zoti i udhëhoqi drejt tokës së premtuar.

Kush e shkroi këtë libër?

Libri i Omnit u shkrua nga pesë burra të ndryshëm: Omni, Amaroni, Çemishi, Abinadomi dhe Amaleki. Omni qe biri i Jaromit dhe një stër-stërnip i Lehit dhe Sarias. Ai e përshkroi veten si “njeri [të] lig” që “nuk k[ishte] zbatuar … urdhërimet e Zotit” (Omni 1:2). Amaroni (biri i Omnit), Çemishi (vëllai i Amaronit) dhe Abinadomi (biri i Çemishit) shtuan secili nga një shënim të vogël. Biri i Abinadomit, Amaleki, shkroi pjesën më të madhe të librit të Omnit dhe qe personi i fundit që shkroi në fletët e vogla të Nefit. Ai ia besoi fletët mbretit Beniamin.

Për kë u shkrua ky libër dhe përse?

Omni pohoi se ai qe “urdhëruar nga ati [i tij], Jaromi, që [ai] të shkrua[nte] … për të ruajtur gjenealogjinë [e tyre]” (Omni 1:1). Ky pohim sugjeron që Omni shkroi për përfitimin e pasardhësve të tij. Tre shkruesit e tjerë në librin e Omnit nuk i drejtohen një audience të veçantë, as nuk japin një qëllim për shkrimet e tyre. Por ftesa e Amalekit për të gjithë njerëzit që “të vi[jnë] te Krishti … dhe të m[arrin] pjesë në shpëtimin e tij” (Omni 1:26) tregon se ai ishte i shqetësuar për shpëtimin e atyre që do t’i lexonin fjalët e tij.

Kur dhe ku u shkrua ai?

Autorët e ndryshëm të librit të Omnit shkruan diku mes viteve 361 Pr.K. dhe 130 Pr.K. Katër autorët e parë shkruan në tokën e Nefit. Amaleki e bëri analin e tij në tokën e Zarahemlës.

Cilat janë disa tipare dalluese të këtij libri?

Libri i Omnit është libri i fundit i fletëve të vogla të Nefit. Omni përfshin një periudhë më të gjatë se çdo libër tjetër në fletët e vogla. Në të gjithë Librin e Mormonit, vetëm librat e 4 it dhe Ethërit mbulojnë një periudhë më të gjatë kohe sesa libri i Omnit.

Pamja
grafiku i fletëve të vogla

Libri i Omnit jep hollësi edhe rreth mbretërimit të mbretit Mosia të parë, që qe ati i mbretit Beniamin dhe gjyshi i mbretit Mosia të dytë. Mbreti Mosia i parë i udhëhoqi nefitët e drejtë jashtë tokës së Nefit dhe i bashkoi me popullin e Zarahemlës (shih Omni 1:12–23). Libri i Omnit tregon se Zoti e udhëhoqi popullin e Zarahemlës (të njohur edhe si mulekitë) nga Jerusalemi drejt tokës së premtuar, jo shumë kohë pasi Lehi dhe familja e tij u larguan nga Jerusalemi (shih Omni 1:15).

Omni është libri i parë në Librin e Mormonit që përmend jareditët. Ai përmend edhe që disa nefitë u larguan nga Zarahemla për t’u kthyer në tokën e Nefit, duke dhënë një parathënie të ngjarjeve të rrëfyera te Mosia 7–24. Së fundmi, libri i Omnit paraqet mbretin Beniamin dhe shpjegon arsyen përse Amaleki ia besoi atij analet e shenjta (shih Omni 1:25).

Përmbledhje

Omni 1:1–3 Omni përshkruan periudhat e paqes dhe të luftës mes nefitëve dhe lamanitëve.

Omni 1:4–11 Amaroni, Çemishi dhe Abinadomi shkruajnë në fletët e vogla të Nefit. Në këtë kohë, nefitët qenë në një gjendje braktisjeje.

Omni 1:12–30 Amaleki shkruan ngjarjet kyçe që ndodhën gjatë mbretërimit të mbretit Mosia dhe mbretit Beniamin. Ai i fton të gjithë njerëzit që të vijnë te Krishti.

Shtyp në Letër