Biblioteka
1 Nefi


Hyrje në Librin e Parë të Nefit

Përse të studiohet ky libër?

Kur studentët të studiojnë 1 Nefin, ata do të zbulojnë se “mëshirat e dhembshura të Zotit janë mbi të gjithë ata që ai ka zgjedhur, për shkak të besimit të tyre, për t’i bërë ata të pushtetshëm” (1 Nefi 1:20). Ata gjithashtu do të mësojnë se Perëndia dëshiron t’i bekojë fëmijët e Tij. Lehi dhe populli i tij i provuan mëshirën dhe bekimet e Perëndisë ndërsa ndoqën urdhërimet e Tij. Lehi dhe Nefi kërkuan drejtim nga Perëndia dhe e morën atë nëpërmjet ëndrrave, vegimeve, Liahonës [busullës] dhe drejtimit të Frymës së Shenjtë. Nefi pa dhe shënoi një vegim gjithëpërfshirës të historisë së tokës, që i tregoi atij gjithënjohurinë e Perëndisë; pagëzimin, shërbesën dhe kryqëzimin e Jezu Krishtit; shkatërrimin e nefitëve dhe ditët e mëvonshme. Perëndia i ndihmoi Nefin dhe vëllezërit e tij të merrnin fletët prej tunxhi në mënyrë që ata të mund të kishin shkrimet e shenjta. Ai gjithashtu shpëtoi Lehin dhe popullin e tij nga uria në vendin e shkretë dhe nga shkatërrimi në oqean, duke i dërguar të sigurt në tokën e premtuar. Ndërsa studentët i studiojnë përvojat e Nefit dhe Lehit në këtë libër, ata mund të mësojnë se si të kërkojnë dhe të marrin bekimet e qiellit.

Kush e shkroi këtë libër?

Biri i Lehit, Nefi e shkroi këtë libër në përgjigje të urdhrit të Zotit që të mbante një anal të popullit të tij. Nefi ka gjasa të ketë lindur në Jerusalem ose afër tij. Ai jetoi atje gjatë shërbesës së profetit Jeremia dhe mbretërimit të mbretit Zedekia. Nefi kërkoi të kishte dëshminë e tij vetjake për fjalët e të atit lidhur me shkatërrimin e Jerusalemit dhe nevojën e familjes së tyre për t’u larguar. Ndërsa vazhdoi të kërkonte dhe të ndiqte këshillën e Zotit, Nefi u bë një vegël në duart e Perëndisë. Ai u kthye me bindje dy herë në Jerusalem me vëllezërit e tij – së pari për të marrë fletët prej tunxhi dhe më pas për të bindur familjen e Ishmaelit që t’i bashkohej familjes së Lehit në vendin e shkretë. Me ndihmën e Zotit, Nefi ndërtoi anijen që e çoi familjen e tij dhe të tjerët përtej oqeanit në tokën e premtuar. Kur Lehi ndërroi jetë, Zoti zgjodhi Nefin që të ishte drejtuesi i popullit të tij.

Për kë u shkrua ky libër dhe përse?

Nefi e shkroi duke pasur tri grupe njerëzish në mendje: pasardhësit e të atit, popullin e besëlidhjes së Zotit në ditët e fundit dhe të gjithë njerëzit në botë (shih 2 Nefi 33:3, 13). Ai e shkroi për t’i bindur të gjithë të vijnë te Jezu Krishti dhe të shpëtohen (shih 1 Nefi 6:4).

Kur dhe ku u shkrua ai?

Nefi e shkroi rrëfimin që u quajt 1 Nefi përafërsisht në vitin 570 Pr. K. – 30 vjet pasi ai dhe familja e tij u larguan nga Jerusalemi (shih 2 Nefin 5:30). Ai e shkroi kur qe në tokën e Nefit.

Cilat janë disa tipare dalluese të këtij libri?

1 Nefi përmban disa rrëfime të shfaqjeve qiellore në ëndrra, vegime dhe zbulesa të drejtpërdrejta. Këto shfaqje tregojnë se Perëndia i udhëzon, i drejton dhe i mbron ata që e kërkojnë Atë:

  • Ndërkohë që Lehi lutet, një shtyllë zjarri shfaqet dhe ai sheh e dëgjon shumë gjëra që e bëjnë të dridhet (shih 1 Nefi 1:6–7).

  • Lehi merr një vegim, në të cilin sheh Perëndinë dhe lexon nga një libër që profetizon për shkatërrimin e Jerusalemit dhe robërinë e banorëve të tij (shih 1 Nefi 1:8–14).

  • Zoti e urdhëron Lehin të niset me familjen e tij për në vendin e shkretë (shih 1 Nefi 2:1–2).

  • Zoti e urdhëron Lehin që t’i dërgojë bijtë e tij sërish në Jerusalem për fletët prej tunxhi (shih 1 Nefi 3:2–4).

  • Një engjëll ndërhyn kur Lamani dhe Lemueli po rrihnin Nefin dhe Samin (shih 1 Nefi 3:29).

  • Zoti urdhëron që Nefi dhe vëllezërit e tij të kthehen në Jerusalem për Ishmaelin dhe familjen e tij (shih 1 Nefi 7:1–2).

  • Lehi dhe Nefi marrin vegime që përfshijnë pemën e jetës; lindjen, shërbesën dhe Shlyerjen e Jezu Krishtit; historinë e tokës së premtuar; Rivendosjen e ungjillit dhe luftën midis forcave të djallit dhe kishës së Qengjit të Perëndisë (shih 1 Nefi 8; 11–14).

  • Nefit i tregohet se si të ndërtojë një anije që do t’i çojë njerëzit e tij për në tokën e premtuar (shih 1 Nefi 18:1).

1 Nefi përmban rrëfimin e drejtpërdrejtë të një populli që ndërmori udhëtimin për në tokën e premtuar. Libri i Mormonit më pas përmend dy grupe të tjera që lundruan drejt tokës së premtuar: mulekitët (shih Omni 1:14–17) dhe jareditët (shih Ethëri 6:4–12).

Libri i 1 Nefit gjithashtu paraqet dy objekte domethënëse: shpatën e Labanit dhe një busull ose tregues, të quajtur Liahona (shih 1 Nefi 18:12; Alma 37:38). Nëpërmjet Liahonës, Zoti e drejtoi familjen e Lehit përtej vendit të shkretë dhe përmes oqeanit. Shpata e Labanit u kalua nëpër breza deri në fund të qytetërimit nefit. Liahona dhe shpata e Labanit, që të dyja, u groposën me fletët e arit dhe iu treguan Jozef Smithit dhe Tre Dëshmitarëve (shih DeB 17:1–2).

Përmbledhje

1 Nefi 1–7 Lehi e drejton familjen e tij për në vendin e shkretë. Bijtë e tij ia vënë veshin urdhrave të Zotit për t’u kthyer në Jerusalem, për të marrë fletët prej tunxhi dhe për t’u kthyer sërish që të bindnin Ishmaelin e familjen e tij të bashkoheshin me ta në vendin e shkretë.

1 Nefi 8–15 Lehi dhe Nefi shikojnë secili një vegim të pemës së jetës. Nefi rrëfen vegimin e tij për shërbesën e Shpëtimtarit dhe ngjarjet historike që çojnë në Rivendosjen e ungjillit në ditët e mëvonshme.

1 Nefi 16–18 Zoti e drejton Lehin dhe familjen e tij në udhëtimin e tyre nëpër vendin e shkretë dhe përtej oqeanit për në tokën e premtuar.

1 Nefi 19–22 Nefi profetizon për Jezu Krishtin dhe shpërndarjen e mbledhjen e Izraelit.

Shtyp në Letër